Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kanë shpërndarë raportin mbi të drejtat e njeriut për vitin 2004 në vendin tonë. Shifrat shqetësuese
Raporti i SHBA: Shqipëria nën korrupsion
Elda Spaho
Korrupsion tek zyrtarët shtetërorë, shkelje e të drejtave të njeriut, sidomos në dhomat e paraburgimit, papunësi e lartë dhe një nivel akoma më i lartë varfërie. Në vija të trasha, ky është thelbi i raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së mbi të drejtat e njeriut në Shqipërinë e vitit 2004, raport që u shpërnda dje urgjentisht për median.
Ekonomia, ende në tranzicion
Zhvillimi ekonomik në vend gjatë 2004, është njëra nga pikat e shumta që përmban raporti. Sipas këtij të fundit, 14 vjet pas hyrjes së demokracisë, Shqipëria vazhdon të ketë akoma një ekonomi në tranzicion, që përpiqet të kalojë në sistemin e tregut të lirë. Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, rritja ekonomike ka qenë e vogël, por e qëndrueshme, rreth 6%. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe të përjetojnë një papunësi stresuese. “Vendi pati një ekonomi mikse e cila është në tranzicion nga planifikimi i centralizuar ekonomik në një sistem të tregut të lirë. Vendi vazhdoi të përjetonte progres ekonomik të ngadaltë por të qëndrueshëm; ekonomia u rrit me 6 për qind. Megjithatë, afro 25 për qind e popullsisë së vendit prej afërsisht 3.1 milionë banorësh, gjatë vitit 2004, jetonte nën kufirin e varfërisë. Sipas qeverisë, niveli i papunësisë ishte 15.2 për qind; megjithatë, disa raporte jozyrtare e cilësojnë deri 22 për qind. Inflacioni mesatar ishte 3.2 për qind dhe pagat e sektorit buxhetor u rritën me 10 për qind”,-thuhet në raport.
Korrupsioni në nivele të larta
Korrupsion, korrupsion, korrupsion. Në polici, gjykatë, administratë, për nga shpeshtësia e përmendjes dukuria zë një nga “vendet e nderit” në raportin e shpërndarë dje për mediat”. Kushtetuta parashikon një sistem gjyqësor të pavarur; megjithatë, korrupsioni dhe presioni politik kufizuan aftësinë e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe të efektshme”. Por jo vetëm në gjykatë, sepse nuk ka mbetur pas as policia. Raporti kujton se zbatimi i ligjit nga kjo e fundit ka qenë i dobët. “Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbeten pengesa madhore për zhvillimin e një force të efektshme policore civile. Sipas Ministrisë së Rendit Publik, vetëm 40% e oficerëve të policisë përfituan trajnim përtej trajnimit bazë. Zyra e Kontrollit të Brendshëm e Policisë së Shtetit mund të angazhohej në parandalimin, zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të kryer nga policia dhe, gjatë vitit, kreu hetime që çuan në arrestimin e 52 zyrtarëve të policisë dhe shkarkimin e 323 të tjerëve për nivele të ndryshme shkeljesh detyre”.
Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, përmend edhe të dhënat marrë nga Avokati i Popullit në lidhje me korrupsionin e strukturave shtetërore shqiptare. “Në statistikat e veta të hershme, Avokati i Popullit – një avokat i ngarkuar me hetimin e ankesave të qytetarëve për kundërvajtje të zyrtarëve publikë – raportoi që kishte trajtuar 2,520 ankesa, kërkesa, dhe njoftime të lidhura me të gjitha format e korrupsionit dhe kundërvajtjes publike. Nga këto, 19 për qind u vendosën se ishin legjitime dhe iu përcollën autoriteteve përkatëse për hetim të mëtejshëm. Ndër këto 2,520 raste, Avokati i Popullit mori 25 për qind ankesa kundër oficerëve të policisë për përdorim të tepërt të forcës apo keqtrajtim dhe vendosi që 7 ishin të vlefshme, 4 ishin përtej juridiksionit të tij, 13 ishin të pabazuara, dhe 1 u tërhoq”.
Sipas raporit “gjatë vitit, prokuroria u mor me 376 raste të zyrtarëve qeveritarë të akuzuar për abuzim të detyrës dhe lloje të tjera korrupsioni; megjithatë, në këto çështje nuk u dhanë ndëshkime madhore. Në gusht, Management System International (MSI) publikoi një sondazh që raportonte se 94 për qind e publikut të përgjithshëm dhe 90 për qind e menaxherëve të bizneseve besonin që korrupsioni mes zyrtarëve publikë ishte i përhapur gjerësisht”.
Media
Sipas raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, niveli dhe liria e medias në Shqipëri është përmirësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka përdorur dhunë fizike mbi gazetarët, përveç disa proceseve të famshme gjyqësore dhe ndalimeve disaorëshe të 4 gazetarëve. Të cilët ishin duke filmuar kryeministrin e vendit Fatos Nano. “Ndryshe nga vitet e mëparshme, kundër gazetarëve nuk u përdor dhunë fizike. Në janar, dy gazetarë të një stacioni televiziv, u ndaluan për një kohë të shkurtër sepse patën filmuar fshehtas kryeministrin në një vend publik. Në shkurt, forca të sigurisë ndaluan dy gazetarë të një tjetër stacioni për disa orë dhe konfiskuan kasetën filmike me xhirime të kryeministrit tek vizitonte një spital. Ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pati heqje licencash televizive për arsye politike. Pati një numër padish të bujshme për shpifje gjatë vitit ku përfshiheshin politikanë dhe gazetarë të njohur. Për shembull, në janar, kryeministri Nano paditi botuesin dhe deputetin Nikollë Lesi për shpifje për pretendime të botuara në një numër të gazetës së tij, “Koha Jonë”, ku pretendohej që kryeministri në mënyrë të papërshtatshme kishte shpërblyer veten dhe këshilltarët e tij me 5 paga mujore shtesë. Gjykata e shkallës së parë vendosi në favor të kryeministrit; megjithatë, çështja ishte ende pezull në Gjykatën e Apelit në fund të vitit.
Në maj, Xhoana Nano, bashkëshortja e kryeministrit, paraqiti një kërkesë pranë Gjykatës së Lartë për të hequr imunitetin parlamentar të Nikollë Lesit me qëllim që të procedonte me akuza penale kundër tij për botimin e artikujve të pafavorshëm për të në gazetën e tij, “Koha Jonë”. Në shtator, Gjykata e Lartë vendosi në favor të bashkëshortes së kryeministrit; megjithatë, në nëntor, Parlamenti e zmbrapsi vendimin”, -thuhet në raport.
Ligji i pronave
Korrik 2004
Parlamenti miratoi një ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist.
0
Qeveria nuk ka ngritur një fond monetar për t’u përdorur për qëllime kompensimi
33
Kaq ishte numri i ankesave që mori Avokati i Popullit të lidhura me mosmarrëveshje për kompensimin e pronës.
Gratë në vendimmarrje
9
gra ishin mes 140 deputetëve
1
grua është ministre
3%
e të gjithë kandidatëve gjatë zgjedhjeve për qeverisjen vendore në vitin 2003 ishin femra
Fëmijët
4,000 fëmijë
janë trafikuar nga vendi midis viteve 1992 dhe 2000. Fëmijët përgjithësisht janë trafikuar për lypje të detyruar ose shfrytëzim seksual.
3,300 fëmijë
jetonin gjatë 2004 në Itali të pashoqëruar prej familjarëve të tyre, sipas Ministrisë së Drejtësisë
1,800 fëmijë
të pashoqëruar jetonin në Greqi, sipas një studimi të vitit 2002 nga OJQ International Social Service
riatdhesim
Me kontribut domethënës nga bashkësia e OJQ-ve, qeveria përgatiti një Memorandum Mirëkuptimi në prill për t’u nënshkruar me Greqinë në lidhje me riatdhesimin e viktimave të trafikimit të fëmijëve. Qeveria Greke nuk e pati nënshkruar marrëveshjen deri në fund të vitit.
50,000
fëmijë shqiptarë nën moshën 18 vjeç punojnë me orë të plota ose të pjesshme sipas CRCA-së, cituar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve
23%
e fëmijëve shqiptarë në moshat nga 5 deri 14 vjeç, sipas UNICEF, punonin gjatë periudhës 1999 deri 2003. Kishte fëmijë që punonin, disa deri edhe 16 orë në ditë.
800
fëmijë rrugësh ka në Tiranë, sipas CRCA
Varfëria
25%
e popullsisë jetonte në 2004 nën nivelin zyrtar të varfërisë
10,800 lekë
në muaj është paga ligjore minimale për të gjithë punëtorët mbi moshën 16 vjeç
21,325 lekë
në muaj është paga mesatare për punëtorët në sektorin publik
Krijoni Kontakt