Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    E gjifa Maska e Henri
    Anëtarësuar
    14-04-2002
    Vendndodhja
    Kanada
    Postime
    1,086

    Një ditë si sot...

    Nga gëzimi që e gjeta më në fund, putha çakmakun sapo e nxora nga një prej xhepave të trikos sot. Që dje e kam ndezur të uruarën tek plitka e sobës - me njërën dorë duke mbajtur flokët të mos përzhiten e kthehen në ajër. Megjithëse edhe nga kjo e fundit do të kisha shijuar pafundësisht erën e flokut kur digjet.
    Përjashtë retë janë ngjeshur aq shumë pas ijeve të njëra tjetrës sa kanë formuar një truall të dytë mbi tokë. Në një ditë të këtillë më ecet kokëposhtë, me këmbët ngjeshur pas ngurtësisë së reve, flokët të varura si mustaqet e një preshi të saposhkulur e trupin të nderë, shtriqur në skaje. Këmisha më varet aq lehtë mbi sqetulla sa, po t'i shkryqëzoj krahët e t'i nder dhe ata kokëposhtë, s'do më ngelej mbi trup asgje veç mishit. Barra të cilën hamendësisht të gjithë e mbajnë mbi supe do të ishte përplasur edhe ajo me jehonë mbi ndonjë grumbull plehu.
    Në një ditë si kjo e sotmja lëvizjet zhvendosen të gjymtuara mbi çarçafët dhe jastëkët me pupla, duke u përpjekur më kot të shtrijnë sadopak rrudhosjen e shkaktuar nga përleshja e ëndrrave e maktheve të mesnatës. Ngjyrat i nënshtrohen monogamisë, duke u shkrirë të gjitha midis grisë së qiellit dhe një të verdhe anonime. Pjesëzat e jetës dhe gjymtyrët e atyre që mbaj mbi mure , pavarësisht nga çrregullsia një-dimensionale, krijojnë një varg veprimesh e ngjarjesh me një përsosmëri të mahnitshme vazhdimësie.
    Një mëngjes po aq i përsëritshëm sa ky i sotmi më sjell kokëposhtë mbi oborrin e nënë Miros, përpara se dielli t'i ketë rënë përsipër. E shoh tek pragu i derës, duke shkryqur mesin shtatëdhjetë e ca vjeçar e duke shtrënguar pas veshëve cepat e shamisë bojë hiri. Jashtë portës së avllisë dëgjohet troku i gomarit të xha Abazit, që tërheq pas vetes karrocën dyrrotake mbushur me fshesa, sita e qebapë. Çdo të dielë, reflektimi i këtyre të fundit mbi xhamat e dritareve të lagjes është alarmi i heshtur i ziles së mëngjesit për të lodhurit e javës. Zëri i arixhiut plak, me gjithë shenjat e ndryshkut të viteve, e ruan ende po atë timbër lozonjar si të gërnetës së shtruar. E ndërsa trahnaja me dhjamë kërc thithet me afsh nga kotheret e mbetura të javës, nëpër telat e oborreve varen jorganët e mbulesat e divanëve. Kokëposhtë, shoh mëndafshet e basmatë të rrëzojë përtokë grimcat e fundit të dimrit, pëshpërimat e psherëtimat që janë bërë njësh me pambukun. Shtëllungat e pluhurit bëhen kështu frymëmarrja e ajrit, e maceve dhe pulave të lagjes, e motakëve që zbythen nëpër kanalet para portave për të kapur krimba. Fshesat për të cilat nënë Miroja sapo pagoi 200 lekë janë kryekëput si ato që bleu një vit më parë, shkurre me lule lejla, të lidhura me litarë thupre, të cilat deri pak vite më parë kushtonin vetëm dhjetë lekë. "E megjithatë atëherë ishin shumë më të shtrenjta se tani" përtypet nënë Miroja pothuajse e habitur. Por ndalet me aq, plaku pas pak do të dalë për kafen e mëngjesit. Deri atëherë i duhet të mbarojë oborrin e të fillojë me dhomat. Njërën nga fshesat e hedh mbi plasmasin blu që mbulon biçikletën e plakut, e pahipur që nga koha e tollonave. Përkul mesin si një kulpër tek përkundet e vallëzon me erën, ndërsa bishti i fshesës humbet sakaq në pëllëmbën e rreshkur nga prushi i viteve. Shkopinjtë e gjethet e mbetura nga vjeshta e mëparshme i mbledh në cep, për ti djegur më pas. Gurët dhe copat e teneqesë, së bashku me mbeturina të tjera të patretura nga stomaku i dimrit, i vërvit ashtu e përkulur në drejtim të karrocës së llaçit. "Të kisha lindur dhjetë vjet më vonë" - vazhdon me vete, - "do të kisha mundur dhe unë si Katerina të merrja tragetin e të shkoja tek djali". Ngrihet sakaq e shkund pluhurin e ngjitur pas përparëses me pika, rregullon trikon e re që nusja ia kishte blerë për Vitin e Ri dhe ngre fundin pak mbi gjunjë. Kundron kërcinjtë si shkarpë dhe kupat e ngrëna të gjunjve. "Dhjetë vjet më vonë" - psherëtimën nuk ia mbajnë më protezat, - "e tani do t'i kisha ende pulpat me muskuj, do të rrokja Markon e vogël në krahë dhe do ta çoja vetë në shkollë. Epo kjo punë, sa i madh është ai dreq vend sa duhen dhe autobusa për të shpënë kalamanjtë në shkollë?" Kësaj here dëgjoj një kërkëllitje kur përkulet prapë mbi fshesë. Pluhuri, pa e marrë vesh nga iu sul gjithë ai rrëmet përsipër, fluturon në hava duke iu bashkangjitur kakarisjes së pulës që po çukiste lulet lejla të fshesës. Kokëposhtë, shoh sesi mbi fundin prej stofi të nënë Miros fillon të nxjerrë kokën një vulë vishnje gjaku. Ajo nuk e ka vënë re, pasi vazhdon me po të njëjtin zell të shfryjë kotkën e zemrës mbi dheun e oborrit.
    -Qyqja burrë, ku do veç kështu?- i lëshohet plakut që bën udhë me këpucët në dorë. -Unë ta lashë këmishën e larë mbi divan, nuk ta zunë sytë?
    - U ndeze grua? Të paska zënë pluhuri moj e uruar. S'kam më vakt të mbahem unë tani! - plaku kopsit jelekun e bën për nga porta. Kthen kokën si për t'i thënë edhe nja dy tre fjalë të tjera, por vishnja mbi fund është aq e ndezur sa nuk i duhen as syzet për ta parë.
    -Dale moj, prit, qasu pak këtu! - Miroja bën t'i kthehet po zëri është më shumë i brishtë sesa hokatar. Kokëposhtë, dëgjoj kumbimin e njërës prej pikave që bie në hapësirën mes kofshëve të saj. Nbi çimenton e rrugicës së avllisë bulëzon e kuqja e piklës, që vishet sakaq nga pluhuri e kthehet edhe ajo në vishnje. Këmbët nuk i ndjej më të mbështeten mbi ngurtësinë e reve. Rrotullohem e kthehem mbi kurriz të tokës, duke shmangur rënien me kokë mbi avlli. Ngjyrat i kthehen sërisht grisë dhe së verdhës anonime, pjesëzat e jetës mbi mure dhe gjymtyrët në to janë përsëri kronologjikisht të rregullta...
    ...Doktorët thanë se nënë Miros i kishte hyrë një plumb qorr në vithe dhe kish ndaluar në mitër, pa shkaktuar ndonjë dëm tjetër përveç vrimës së hyrjes. Mosha e saj nuk ishte e përshtatshme për një ndërhyrje kirurgjikale, pastaj edhe vetë Miroja kish kërkuar që plumbi t'i flinte në gropën që dikur kish buruar rregullisht jetë - për t'i thyer sadopak vetminë. "Të kisha lindur dhjetë vjet më vonë," - kishte thënë atëherë nënë Miroja, "- Ky plumb do të më kishte mbarsur sot..."
    Ndryshuar për herë të fundit nga Henri : 16-03-2005 më 22:16

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e klevis2
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    87
    Nga e ke gjetur kete moj Henri?

  3. #3
    E gjifa Maska e Henri
    Anëtarësuar
    14-04-2002
    Vendndodhja
    Kanada
    Postime
    1,086
    Më kishte marrë malli për bella li, e kur e lexova m'u duk sikur të dëgjova zërin.

    Këtë e kam marrë nga oborri i shtëpisë përballë Kikit, andej nga '97, në po të njëjtën kohë kur ai mësuesi i letërsisë së gjimnazit të ri (s'më kujtohet plotësiht emri i tij) hëngri dhe ai një plumb qorr në kat të katërt. Fred Jorgaqi më duket. Nejse, fundi s'më pëlqen, po sepse më kapi një padurim e i rashë mes përmes, si ata që të prishin gjithë filmin duke të treguar shpejt e shpejt fundin

    Nga bëhesh ti?

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e klevis2
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    87
    Po e filloj me bella li atehere! Oborrin e mbaj mend fare mire! 97-en shyqyr zotit jo ndonese pak besoj se ka mbetur njelloj ne ate lagje. Tani duhet te jete mbushur edhe ajo me pallate ku po te dalesh ne dritare takohesh me ate qe ke perballe e te duhet te vesh perde te trasha per te mos ta marre vesh bota se cbehet ne shtepine tende e diellin nga dritarja se shikon kurre..

    Une jam akoma ne Tirane po muajin tjeter nisem per ne Milano e shpresoj te rri pak me gjate kesaj rradhe se mu shkaterruan nervat ketu!

    Te fala Kikit

    Klevi

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •