Rritet interesi i të huajve për gjuhën arbëreshe


Shkurtaj: Ja cilët do të mbrojnë doktoraturën në Shqipëri



Anila Mema

Pas Bazil Shader, renditen të shumtë emrat, që do të studiojnë mbi
gjuhën shqipe. Zviceriani para pak ditësh, u vlerësua me notën
maksimale, në mbrojtjen e Doktoraturës, në Departamentin e Gjuhësisë,
ndërkohë që Gustavo Adolfo, Loria Rivel dhe Spiro Trikos kanë hedhur
hapat e parë për të "gërmuar" në gjuhën shqipe.

Gjuhëtari i njohur Gjovalin Shkurtaj, në një intervistë të dhënë për
gazetën "Panorama", bën të ditur emrat e mjaft të huajve, të cilët do të
mbrojnë tituj shkencorë në Shqipëri.
Vetëm pak ditë më parë në Departamentin e Gjuhësisë, zviceriani Basil
Shader, mbrojti Doktoraturën. Sa të huaj të tjerë, kanë mbrojtur tema
gjuhësore në Shqipëri?
Viteve të fundit ka pasur mjaft kërkesa për të mbrojtur gradat shkencore
në Universitetin tonë, në departamentet përkatëse të fakultetit të
Historisë Filologjisë nga studiues të hapësirave shqiptare, sidomos nga
anët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, të paktën ka pasur
regjistrime, por krahas tyre një gjë që mendoj se është për t'u
përmendur janë shtuar edhe figura të albanologjisë, njerëz që nuk janë
shqiptarë, por që kanë mësuar gjuhën shqipe deri në atë shkallë sa mund
të studiojnë dhe mund të marrin tema shkencore studimore për probleme të
ndryshme të shqipes. E në këtë mes, besoj se është për t'u përmendur
Basil Shaderi, i cili është një studiues zvicerian që prej shumë vitesh
merret me gjuhën shqipe si gjuhë e një diaspore të madhe tashmë në
Zvicër, të krijuar nga shqiptarë të Kosovës dhe të krahinave të
Maqedonisë. Në Zvicrën gjermanike, sipas Shaderit janë rreth mbi 100
mijë banorë, të cilët janë sistemuar atje, janë bërë qytetarë zvicerianë
dhe kjo i jep dorë për të parë proceset e dygjuhësisë dhe të
dykulturësisë. Çfarë ndodh me këta njerëz që vijnë në hapësirën
shqiptare, flasin gjuhën shqipe dhe në Zvicër janë detyruar të
shkollohen në gjuhën gjermane dhe në një farë mënyre të kulturohen në
këtë gjuhë. Por ky mbetet një binom i rëndësishëm, sepse është midis
gjuhës së zemrës dhe gjuhës së punës. Gjuha e punës është gjermanishtja
apo frengjishtja, në pjesën e Zvicrës frankofone, por mbetet gjithmonë
edhe një element i rëndësishëm shqipja si gjuhë e zemrës, si gjuhë e një
kulture, që i lidh origjina, i lidh e kaluara, i lidh shumëçka.

Puna juaj me Basil Shaderin, si lindi?
Basil Shaderi punoi për pesë vite radhazi me një vullnet dhe me një
mënyrë gjermanike dhe arriti të mbroj një doktoratë, për një çështje
mjaft të vështirë siç është "Dygjuhësia dhe proceset e ndikimit të
ndërsjelltë të shqipes dhe gjermanishtes", e dyzuar në një binom të
termave, që jepen nëpërmjet sociolinguistikës në anglisht, përzierjera e
kodeve dhe ndikimi apo loja me kodet. Komisioni që vlerësoi studimin e
zotit Shader, ishte i përbërë nga një grup profesorësh të regjur dhe
dorështrënguar në vlerësimet, siç janë gjuhëtarët në përgjithsi. Punë e
tij është një punë, që të tremb nga pesha e saj e madhe, me anketime, me
klasifikime, me prurje shumë interesante dhe janë mijëra anketa që u
janë bërë nxënësve të moshave të ndryshme, të sekseve të ndryshëm.
Mendoj se ky rast është nga më të përmendurit, sepse Basil Shader
ndërkaq, ka ndihmuar Shqipëriën dhe shqiptarët, ëhstë "Qytetar nderi" i
komunës së Balldren, ka ndihmuar shkollat e qytetit të Lezhës, por edhe
deri në shkollën e Kolajakut.

Çfarë spikatët në studimin e zvicerianit?
Vlerat e studimit për shqipen në diasporën zviceriane janë interesante
dhe unë do të dëshiroja të kishim edhe doktorata të tjera. Personalisht
e kam pasur kënaqësi të punoja me Basil Shaderin, por punë të tilla
sigurisht kërkojnë shumë mund. Tani janë edhe disa të tjerë në hapësirat
shqiptare, arvanitas të cilët së afërmi do të mbrojnë një doktoratë. Një
prej të cilëve është dhe arvanitasi Spiro Triko. Ai ka studiuar në
Universitetin Aristoteli të Selanikut. Është mësues me përvojë të gjerë.
Shqipen e ka gjuhë të nënës, sepse ai është nga një ishull me banorë
kryesisht arvanitas. Flet arvanitasen shumë mirë, të cilën e ka kthyer
në gjuhën letrare. Ka dhënë provimin përkatës dhe do të merret me
problemet e alfabetit të shqipes me alfabetin grek, historiku i kësaj
çështjeje dhe trajtimi. E kemi lënë që ta drejtojë si udhëheqës
gjuhëtari Seit Mancaku, i cili është një nga studiuesit me përvojë dhe
besoj se së afërmi do ta paraqesë për mbrojtje. Do të jetë pas punimit
të Basil Shaderit, një Doktoratë i dytë që mbrohet në Departamentin tonë.

A ka pasur të tjerë të regjistruar në Departamentin e Gjuhësisë, për të
mbrojtur tituj shkencorë?
Janë regjistruar disa për doktoratë. Por kohët e fundit ka kërkuar të
regjistrohet edhe Gustavo Adolfo Loria, Rivel, i cili është nga Amerika
Latine, është vendosur me banim dhe punon në Rumani. Është regjistruar
të mbrojë një Doktoratë. Ai ka mësuar gjuhën shqipe " Teoria e
substrateve dhe lidhja gjuhësore ballkanike". Ka hyrë thellë në
terminologjinë e gjuhës shqipe dhe ka mbajtur një kumtesë interesante në
konferencën, që u bë për Biblën, në dhjetëvjetorin e saj, në gjuhën
letrare standarde dhe është duke punuar një punë doktorati pikërisht nga
këto fusha. Unë kam besim se edhe ky do të punojë, por harku kohor i
mbrojtjes së Doktoratës është nga dy deri në pesë vjet dhe jam i bindur
se së afërmi do të kemi edhe këtë studiues. Ka pastaj për teza të
titullit Master. Të studimeve të thelluara pasuniversitare, edhe të
tjera, disa janë mbrojtur nga anët e Kosovës. Por tashmë, janë të
regjistruar edhe shumë shqiptarë të Maqedonisë. Por këta të dy që
përmenda janë më të përparuarit, Shaderi e mbrojti dhe bëri botimin e
librit. Hapësirat janë të shumta dhe mundësitë janë të mëdha, por besoj
se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë. Doktorata ka pasur për gjuhën
shqipe, veçse ajo e Basil Shaderit kishte veçantinë se shkruhet nga një
i huaj dhe shkruhet në gjuhën shqipe. Kurse ka pasur të tjerë që kanë
mbrojtur Doktoratë për problemet e ndryshme të gjuhës shqipe, ka pasur.
Mund të përmendim në gjysmën e parë të shekullit që shkoi studime të
Maksimilian Bergut. Ka një studim interesant "Epika popullore e
shqiptarëve", e cila është një tezë doktorati shumë e rëndësishme e
shkruar në gjermanisht, pastaj edhe është përkthyer. Studime për shqipen
ka pasur, albanologët e brezit të vjetër janë ata që shkruanin në gjuhë
të ndyshme, gjermnaisht, frengjisht, anglisht, studime për gjuhën shqipe
ose fjalor. Por ky brez që përmenda, është brzi i atyre që e mësojnë
gjuhën shqipe deri në atë shkallë derisa e shkruajnë në gjuhën shqipe.

Botuar tek Panorama.....