18 Mars Viktima 15-vjeçare tentoi vetëvrasjen
Në Angli, lituanezja u shit-ble 7 herë nga tutorët shqiptarë.
Prostitucioni në 50 ditë, 9 shqiptarë të dënuar me 71 vjet burg
Nga Londra
MuhamedVeliu
Tre emigrantë ilegalë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, tani do
t'i duhet që të shpenzojnë plot 40 vjet në burgjet angleze. Ata janë
gjetur fajtorë për trafikimin dhe shfrytëzimin e një minoreneje
lituaneze si prostitutë në disa qytete të Britanisë së Madhe.
Gjykatësi anglez e ka cilësuar rastin e trafikimit të lituanezes
se "ka tiparet e vërteta të skllavërisë, ku vajza është shitur dhe
është blerë nga të tjerë persona".
Procesi
Minorenia lituaneze u shit-ble shtatë herë, u përdhunua
sistematikisht dhe u detyrua me forcë të punojë si prostitutë për
llogari të shqiptarëve në disa shtëpi publike në qytete të ndryshme
të Britanisë së Madhe. Ajo mundi që t'i shpëtojë shfrytëzimit prej
një skllaveje të vërtetë seksi, vetëm atëherë kur me ndihmën e disa
vajzave lokale i iku "skllavopronarëve" shqiptarë duke vrapur,
tërësisht e stresuar dhe e traumatizuar në drejtim të stacionit të
policisë. Të tre shqiptarët nga trojet etnike, janë gjetur fajtor
për trafikimin dhe shfrytëzimin e 15-vjeçares, e cila tani gjendet
nën mbrojtjen e policisë me një identitet të ri. Shaban Maka është
dënuar me 18 vjet burg, Ilir Bajrami me 15 vjet burg dhe Xhevahir
Pisha me 7 vjet burg. Ndërsa bashkakuzuesja e tyre, 28-vjeçarja
lituaneze, Lina Yunel, nuk është gjetur fajtore në pesë akuzat për
trafikim personi për shfrytëzim seksual. Ajo i ka thënë gjykatës se
ishte viktimë në duart e shqiptarëve, të cilët i kishin bërë presion
se do t'i vrisnin djalin gjashtë vjeç në Lituani, nëse shkonte në
polici për të denoncuar.
Dënimi
Pas një procesi trejavor, juria ka gjetur fajtorë shqiptarët Shaban
Maka, 24 vjeç, nga Maqedonia, Ilir Bajramin, 25 vjeç, nga Kosova dhe
Xhevahir Pishën, 21 vjeç, nga Shqipëria. Ata së bashku duhet të
vuajnë 40 vjet burg për trafikimin e minorenes lituaneze për qëllime
shfrytëzimi seksual. Gjykatësi i çështjes, Roger Keen, i rekomandoi
Ministrisë së Brendshme angleze "Home Office", që të tre shqiptarët
në fund të dënimit të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ai
tha: "Trafikimi i vajzave për prostitucion është një problem
ndërkombëtar. Është një aktivitet, i cili degradon dhe prodhon një
mizori të fshehtë për vajzat në të gjithë botën. Kjo çështje ka
tiparet e vërteta të skllavërisë, ku vajza është shitur dhe është
blerë nga të tjerë persona". Duke iu drejtuar Shaban Makës me fjalë
të ashpra, gjykatësi Keen tha: "Ju jeni një person me të vërtetë
katil, i poshtër dhe imoral. Ju jeni një njeri batakçi".
Dëshmia mes lotëve
Minorenia në dëshminë e saj i tregoi gjykatës, mes lotëve që i
dilnin rrëke, se "në një rast i tregova atyre se doja të shkoja në
banjo dhe më pas fillova të pres damarët. Doja të vdisja, nuk duroja
dot më atë që po më bënin".
Duke folur me ndihmën e një përkthyesi, ajo deklaroi se me të
mbërritur në Angli, personi që e kishte sjellë e takoi me Shaban
Makën, Ilir Bajramin dhe një grua lituaneze, e quajtur Lina Yunel,
pranë një bari në aeroportin e Heathrowt. Nga atje, ajo dërguar çuar
në Londër, ku është takuar me një person tjetër. Pyetur nga
prokurorja Sarah Wright, se ato momente çfarë ajo mendonte se do të
bënte, lituanezja është përgjigjur: "Nuk e imagjinoja se çfarë do të
bëja, por kur ishim në bar, Lina më tha se gjithçka do të shkonte
mirë. Të nesërmen pashë një burrë, i cili pagoi për mua 4.000 paund
duke më blerë". Nga korriku deri në shtator të 2004-ës, lituanezja
është detyruar me forcë nga Shaban Maka dhe Lina Yunel të punojë si
prostitutë në qytetet Birmingham, Coventry, Shefild dhe Londër.
Sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo, Maka dhe Yunel do ta shiste
përsëri minorenen më datë 6 shtator 2004, tek Ilir Bajrami për 1500
stërlina, i cili e mbajti atë të mbyllur në një apartamet, duke e
rrahur dhe përdhunuar. Pesë ditë më vonë nga blerja e skllaves së
seksit, Bajrami e ka dërguar atë në "Saunën Omega", duke u munduar
t'i gjente punë si prostitutë. Ajo mundi të arratisej nga një klub
nate dhe të kërkonte ndihmën e policisë.
Shfrytëzimi i lituanezeve
Në 50 ditë, 9 shqiptarë të dënuar me 71 vjet burg
Dënimi i tre shqiptarëve në Shefild e ka çuar në nëntë numrin e
shtetasve shqiptarë të dënuar për trafikimin e vajzave lituaneze,
detyrim me forcë për të shitur trupin e tyre në Britaninë e Madhe.
Muajin e shkuar, gjykata "Southwark Crown Court" në Londër, dënoi me
16 vjet burg Vullnet Ismailin së bashku me "ushtarët" e tij, Sokol
Qata dhe Lorenc Roci, për trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave
lituaneze për prostitucion. Ndërsa javën e shkuar, gjykata e "Wood
Green Crown court" në veri të Londrës, dënoi me 15 vjet burg tre
tropojanët Besmir Rama, Adil Jahelezi dhe Flamur Nuza, së bashku me
turkun Hasan Atesogullari. Rama bleu për 4 mijë paund një lituaneze
17-vjeçare, ndërsa miqtë e tij përgatitën hapjen e një shtëpie
publike.
Prokurorja Wright: "Lituanezet, prioritet për t'u trafikuar"
Në një vit të paktën 40 vajza lituaneze janë trafikuar në Britaninë
e Madhe si skllave seksi. Dënimi i tre shqiptarëve nga gjykata e
Shefildit në veri të Anglisë, ka shënuar rastin e parë kur persona
të përfshirë në trafikim e vajzave për qëllime shfrytëzimi në
prostitucion të dënohen nga legjislacioni më i ri anglez me dënime
të rrepta për këtë lloj krimi. Sipas ligjit, personat e përfshirë në
trafikimin e vajzave për qëllime prostitucioni ndëshkohen me 14 vjet
heqje lirie. Sarah Wright, prokurorja, e cila ngriti akuzat për
shqiptarët Maka, Pisha dhe Bajrami, në një prononcim të sajin pas
përfundimit të procesit, u shpreh se "është shumë e lirë dhe e lehtë
për të dërguar viktimat me aeroplan në Britaninë e Madhe, se sa për
t'i sjellë dhe shfrytëzuar ato në vende të tjera evropiane. Vajzat
lituaneze, tani janë prioritet i trafikantëve për t'i sjellë në
Angli".
White_Angel
Krijoni Kontakt