Argjentinasi i Interit mendon se sfida me kuqezinjtë është brenda mundësive të zikaltërve për t'u kaluar me sukses 30-03-2005
Kambiaso: Milan, do të të bëjmë të vuash!
Pas ndeshjes së fituar me Argjentinën e tij në Bolivi, Esteban Kambiaso foli për gazetarët edhe lidhur me temën e euroderbit që e pret në Ligën e Kampioneve me Interin. "Fati deshi të na jepte këtë mundësi të madhe me këto dy derbi, - deklaroi ish-mesfushori i Real Madridit, - një mundësi të cilën synojmë ta shfrytëzojmë në maksimum, për të treguar se jemi në një nivel me kushërinjtë tanë. Prapambetja e madhe që kemi në kampionat, mund të fshihet në këto 180 minuta që na presin. Mezi presim të luajmë."
Kambiaso, duke folur për veten, rrëfen: "Që kur isha fëmijë, shikoja futbollin europian dhe ëndërroja ta ngrija Kupën e Kampioneve. Ishte një mendim fiks, i cili s'më hiqej kurrë nga koka. Çdo javë, televizioni ynë jepte fazat më të nxehta të kampionateve të ndryshme europiane dhe të mërkurave, përplasjet midis ekipeve të mëdha në Champions. Më duket thuajse një ëndërr që tani jam protagonist i këtyre sfidave që më eksitonin aq shumë." Nga e kaluara tek e ardhmja, hapi është fare i shkurtër.
"Tani që Championsi është në pikën kulmore, do të jap maksimumin tim që ta eliminojmë Milanin dhe të ecim përpara. Dhe besoj se kjo dëshirë e egër për fitore i karakterizon të gjithë shokët e mi. Më kanë shpjeguar se publiku interist ka 40 vjet që e pret suksesin në Ligën e Kampioneve. Shumë mirë, kjo do të thotë se Milani do të përballet me një mjedis të bashkuar. Ne futbollistët, tifozët dhe drejtuesit duam t'i eliminojmë kuqezinjtë, në mënyrë që ata të ndiejnë atë që ndiemë ne herën e fundit.
Me pak fjalë, duam që t'i bëjmë të vuajnë." Por në kampin zikaltër, pas dëmtimit të Adrianos dhe gjendjes jo shumë të mirë fizike të Vierit, ka njëfarë shqetësimi. "Ne shpresojmë që të jemi të plotë, por në ndeshje të tilla ka shumë rëndësi forca e grupit. Në planin teknik, arritja nuk na duket e pamundur, personalisht kam një ndjesi të këndshme. Dy ndeshjet e kampionatit ishin në një ekuilibër të plotë, të cilin ne do të bëjmë gjithçka për ta thyer me këtë rast.
Humbja e pësuar në fushën tonë, me atë gol të çuditshëm të Kakasë, nuk do të na kushtëzojë negativisht, sepse jemi të ndërgjegjshëm se Interi s'meritonte ta humbte atë takim." Edhe Roberto Mançini është hapur me televizionin e UEFA-s. Pa u hyrë detajeve, ai shpalli një parim me karakter të përgjithshëm. "Tani që ndodhemi në këtë fazë, s'më intereson më cilësia e lojës, por ka rëndësi vetëm rezultati.
Kështu që po mendoj të paraqes një Inter fitues, që të jetë në gjendje të shkojë në finale. Ky është misioni ynë dhe shpresojmë ta përmbushim." Dje skuadra u rigrumbullua në Pinetinë, ku kreu një stërvitje të dyfishtë, me të cilën nis edhe afrimi me eurderbin. Ndërkaq, pritej me shumë interesim të mësohej diçka më shumë lidhur me Adrianon, i cili, pas një tjetër ekografie së cilës iu nënshtrua dje, sot do të fluturojë drejt Lionit për t'u vizituar për herë të fundit nga profesor Zhan-Marsel Ferreti, një magjistar i rehabilitimit.
Krijoni Kontakt