Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e larguar Maska e Studenti-Te
    Anëtarësuar
    09-09-2002
    Vendndodhja
    Ne pluhur
    Postime
    215

    Universiteti i Tetovës kurorëzoi një 10-vjeçar historik


    AKADEMI SOLEMNE ME RASTIN E ZYRTARIZIMIT TË UT-së
    Universiteti i Tetovës kurorëzoi një 10-vjeçar historik

    Tetovë, 4 MARS- Në një akademi solemne, në sallën e objektit të ri është festuar sot zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT). Në këtë akademi solemne kanë marrë pjesë personalitete të shquara të politikës dhe arsimit nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Të ftuar në këtë solemnitet ishin edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Lupço Jordanovski, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ish - kryetari i Shqipërisë Rexhep Mejdani, zëvendëskryeministri i Shqipërisë Namik Dokle, ministri i Arsimit të Maqedonisë Aziz Pollozhani, rektorët e të gjitha universiteteve në vend dhe ato të Tiranës dhe Prishtinës, Donato Kiarini shefi i delegacionit të Komisionit Evropian, ambasadori i Shqipërisë, deputetë të BDI-së etj

    Akti më domethënës

    “USHT-ja është institucion i lartë mësimor-shkencor që ka për qëllim arsimimin, edukimin dhe emancipimin e popullatës në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë pa dallim etniteti, feje, race, dhe gjinie. Ky institucion u themelua më 17 dhjetor në vitin 1994 si iniciativë e intelektualëve shqiptarë, partive politike shqiptare, shoqatave dhe të gjithë dashamirëve të arsimit”, - deklaroi në fjalimin e tij solemn rektori i UT-së, Nexhbedin Beadini.
    Sipas tij, pas punës dhjetëvjeçare të funksionimit të këtij universiteti dhe me demokratizimin e vendit, Qeveria e Maqedonisë inicoi dhe mori vendim që ta njohë këtë institucion dhe më pas Parlamenti, pas një debati shumë të gjatë, të njëjtin ta zyrtarizojë. Ky vendim, sipas tij, pa dyshim se ishte një akt historik dhe shumë domethënës për këtë institucion arsimor.
    “Ky universitet me aktin e zyrtarizimit fitoi autonominë e plotë universitare që nënkupton të drejtën e tij autonome për zgjerim dhe avancim të mëtutjeshëm”, tha Beadini për të shtuar “në USHT janë diplomuar gjithsej 940 studentë, 120 prej të cilëve deri më tani iu është bërë njohja e diplomave, kurse të tjerët janë në procedurë e sipër. Jemi të sigurt se investimi i plotë i dijes, përparimit dhe avancimit në USHT do të jetë garanci për ardhmërinë e vendit, rajonit dhe më gjerë”, deklaroi Beadini.
    Sipas tij, USHT-ja vëmendje të veçantë do t’i kushtojë bashkëpunimit tashmë të filluar ndëruniversitar me universitetet rajonale, evropiane dhe botërore.
    Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Lupço Jordanovski, fjalën përshëndetëse në këtë akademi solemne e filloi me fjalët shqipe “Të nderuar të pranishëm”, që u përcoll me duartrokitje të shumta nga të pranishmët në këtë akademi.
    “E përshëndes nobelistin e ardhshëm që do të dalë nga ky Universitet. Ai ndoshta është në mesin e studentëve që janë të pranishëm, ai ndoshta ende nuk ka lindur, por ka mundësi që të paraqitet pas 100 vjetësh. Kur të paraqitet u porosis që t’i thoni se kryetari i Parlamentit e ka përgëzuar nga këto banka në vitin 2005”, deklaroi para të pranishmëve në këtë akademi kryeparlamentari Jordanovski.
    “Me rëndësi është që ne tani të krijojmë kushte për një arsim cilësor dhe adekuat. Të hapim dyert që gjeneratat e ardhshme të marrin dije, pasi dija është fuqi. Nëse dija është fuqi atëherë arsimimi është diçka më shumë. Tri ditë radhazi kam udhëhequr seancën parlamentare për zyrtarizimin e këtij institucioni, pasi kam qenë i bindur se një njeri i arsimuar është i aftë të dojë njerëzimin dhe botën”, tha në fund të fjalës së tij, Lubço Jordanovski.

    Duhet të jemi realistë

    Ministri i Arsimit, Aziz Pollozhani, para të pranishmëve tha se ai dhe ata që treguan sens dhe akt historik për këtë zyrtarizim, parim udhërrëfyes kishin moton – “Guximi më i madh është të jesh deri në fund real”.
    “Sot hapet një faqe e re në historinë e arsimit universitar në Maqedoni, posaçërisht për popullatën shqiptare të kësaj ane. Arsimi ishte segment i cili për vite me radhë ishte hapësirë për krijimin e tensioneve ndëretnike dhe u bë pengesë për zhvillime pozitive në drejtim të arsimimit në të gjitha nivelet e popullatës shqiptare. Tani me zyrtarizimin e këtij universiteti ardhmëria evropiane e vendit tonë vendoset në këto mikrostruktura kryesore, me veti civilizuese që synojnë riintegrimin e hapësirës sonë në traditat dhe vlerat evropiane”, nënvizoi Pollozhani.
    Ky universitet sipas tij në të ardhmen do të ndodhet para sfidave të reja, para provimit edhe më të vështirë për verifikimin dhe promovimin e cilësisë, kredibilitetit shkencor dhe organizimit të procesit mësimor në përputhje me kërkesat e kohës dhe në hap me proceset reformuese.
    “Nga përvoja ime akademike kam bindjen se arsimimi është forcë dhe i vetmi shpëtim i popujve relativisht të vegjël siç janë popujt e rajonit. Forcën e shkollimit popujt e Ballkanit do ta shfrytëzojnë për t’iu bashkëngjitur familjes së madhe evropiane dhe proceseve tjera globalizuese. Zyrtarizimi i këtij universitetit është fillimi i demokratizimit të rajonit, që do të na çojë në familjen evropiane”, deklaroi i ftuari i nderit në këtë solemnitet Rexhep Mejdani, ish-kryetari i Republikës së Shqipërisë.
    Pos tij, këtë akademi solemne e përshendetën edhe zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Namik Dokle, rektori i Universitetit të Shkupit, Gjorgji Martonovski, rektori i UEJL-së, Alajdin Abazi, si dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Bajrami, i cili rektorit të USHT-së me këtë rast i dhuroi një pikturë të sjellë nga Akademia e Arteve të Bukura të Prishtinës.
    Akademia solemne në ambientet e Rektoratit të ri të UT-së u përmbyll me një solemnitet tjetër, gjegjësisht ndarjen simbolike të diplomave të para të UT-së. Për dje ishte paraparë ndarja e vetëm 60 diplomave, ndërsa sipas autoriteteve të UT-së në një të ardhme të shpejtë do të bëhet edhe ndarja e diplomave të jera.

    Nga: Halit AJDINI / www.studentet.info /FAKTI
    Ndryshuar për herë të fundit nga Studenti-Te : 04-03-2005 më 14:08

  2. #2
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218
    Urimet e mija nga zemra studenteve te Tetoves, qe po i njihet mundimi, dhe Shqiptareve te atjeshem te cilet gezojne nje universitet te ligjshem ne gjuhen e tyre! Shkupi beri ate qe duhej te bente para 10 vjetesh, i njohu ketyre njerezve te drejten per tu arsimuar dhe te drejten gjenerale demokratike per tu shprehur i lire (sepse nuk mund te shprehesh lire vecse ne gjuhen meme)! Tani duhet edhe Tirana te marri nje inisiative bashkpunimi me keto universitete Shqiptaresh jashte Republikes se vetem keshtu do ndjehet e ngrohte zemra shqiptare dhe do triumfoj zeri shqiptar ne Ballkan!

Tema të Ngjashme

  1. Ndodhitë në Maqedoni 2008 - 2011
    Nga RaPSouL në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 1093
    Postimi i Fundit: 17-05-2011, 16:49
  2. Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni
    Nga Kallmeti në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 15-04-2009, 10:32
  3. Pr. Dr. Sadi Bexheti vs Hazbi Lika
    Nga RaPSouL në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 329
    Postimi i Fundit: 11-04-2009, 14:08
  4. 2 muaj para zgjedhjeve
    Nga Alienated në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 41
    Postimi i Fundit: 18-02-2009, 07:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •