Shqiptarët e Anglisë, votat Toni Blerit
Nga Londra
Muhamed Veliu
Emigrantët nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kanë fituar nënshtetësinë angleze, tani me të drejtë vote, do t'i drejtohen kutive të votimit më 5 maj, për t'u dhënë votën laburistëve të Toni Blerit. Sipas një sondazhi të gazetës "Albania", e vetmja në gjuhën shqipe në Britaninë e Madhe, 90 për qind të të anketuarve me të drejtë vote kanë pranuar se do të votojnë për Partinë Laburiste. Sipas gazetës, shumë nga të anketuarit kanë deklaruar se edhe sikur programi elektoral i Toni Blerit të ishte si ai i konservatorëve, që është tërësisht antiemigrantëve, përsëri vota e tyre do të shkonte për Blerin. Emigrantët shqiptarë kanë një arsye më shumë për të votuar për laburistët, të cilët gjatë mandatit të tyre të dytë qeverisës shpallën amnistinë për emigrantët familjarë, që u cilësua si një nga amnistitë më të mëdha në hitorinë e Britanisë së Madhe. Prej saj përfituan një numër i madh shqiptarësh, ndërkohë që një fitore e mundshme e Laburistëve, siç edhe parashikohet nga sondazhet, mund të favorizojë një amnisti të re për emigrantët.
Krijoni Kontakt