Shkrimtarët...lindin apo bëhen?
-Nuk është e rëndësishme për çfarë shkruan, por si shkruan-
Jack Kerouac
Nisur prej faktit që asnjë analfabet nuk di të shkruaj, themi se shkrimtarët bëhen; porse gjenitë e artit të shkrimit, si Melville, Whitman a Thoreao, janë gjeni të lindur. Le ta shohim fjalën 'gjeni'. Nuk nënkupton thjesht çmendurinë, ekscentriken apo 'talentin përjashtues'. Vjen nga folja latine gignere (me gjeneru, me dhanë, me lindë). Një gjeni, pra, është thjesht një person që i jep origjinë një diçkaje e cila nuk njihej më parë. Askush, përveç Melville , nuk mund ta shkruante Moby Dick , as edhe Whitman apo Shakespeare. Askush, përveç Whitman, nuk mund ta konceptonte, ta projektonte e ta shkruante Fijet e barit ; Whitman është lindur për ta shkruar Fijet e barit dhe Melville për ta shkruar Moby Dick . 'E rëndësishme nuk është çfarë bën', i thoshte Sy Oliver James Young-ut, 'por si e bën'. Pesë mijë studentët e kurseve të shkrimit që studiojnë ?leximet e detyruara?, mund të bëhen njësh me legjendën e Faustit, porse vetëm një Marlow është lindur për të bërë atë që bëri.
Gjithmonë më vjen të qesh, kur dëgjoj ata birbot e Brodueit tek flasin për 'talentet' e 'gjenitë'. Një virtuoz perfekt, i aftë të interpretojë në violinë Brahmsin, quhet 'gjeni'; porse gjeniu, forca origjinale, në të vërtetë i përket Brahmsit: virtuozi në violinë është vetëm një interpretues i talentuar, me fjalë të tjera, një 'talent'. Gjithashtu, dëgjoj të thuhet që Filan-Fistëku, falë 'talentit të tij të madh', është njëri prej 'shkrimtarëve më të rëndësishëm'. Nuk mund të jesh shkrimtar i rëndësishëm pa një gjeni origjinale. Artistët gjenialë, si Jackson Pollock, kanë vizatuar gjëra që nuk ishin ndeshur më parë?
Marrim rastin e James Joyce: njerëzit thonin se e 'shpërdoronte' talentin e tij me përroin e ndërgjegjes, ndërkaq, në të vërtetë, ai thjesht ishte lindur për ta krijuar atë. Do t'ju pëlqente ta kalonit pleqërinë duke lexuar libra mbi jetën bashkëkohore shkruar në stilin e shkrimtarëve para-Xhojsianë ose, të themi, në stilin e Ruskin, William Dean Howells, apo të Taine? Disa gjeni mbërrijnë me hapa të rëndë dhe marrshojnë përpara solemnisht, si Dreizer për shembull; e megjithatë, në Amerikën e tij, askush nuk ka shkruar aq mirë sa ai. Gjenitë mund të jenë të tejdukshëm, ashtu siç mund të jenë të errët; porse është ajo thellësi e pashmangëshme dhe e dhimbëshme që i bën të shëndritshëm: ORIGJINALITETI.
Joyce u fye e u perbuz gjatë gjithë jetës nga Irlanda e tij dhe nga bota mbarë për faktin e thjeshtë se qe një gjeni. Ndonjë idiot i Muzgut Keltik i njohu 'njëfarë talenti'. E çka mund të shtonte tjetër ky idiot kur, pas disa kohësh, të gjithë nisën ta imitojnë Joycen??
Ruajeni mirë në kujtesë atë që Sinclair Lewis i thoshte Thomas Wolfe: 'Nëse Thomas Hardy do kishte firmosur një kontratë për të shkruar tregime te Saturday Evening Post , kujtoni se do të shkruante si Zane Grey' Ju them unë: do të kishte shkruar si Thomas Hardy. Nuk do të kishte mundur të shkruante ndryshe përveçse si Thomas Hardy. Do të kishte vazhduar të shkruante si Thomas Hardy, edhe nëse do të bashkëpunonte me Saturday Evening Post apo me Captain Billy's Whiz-Bang? .
Prandaj dhe sa herë që shtrohet pyetja: 'Shkrimtarët lindin apo bëhen'?, duhet pyetur më parë: 'Shkrimtarë të talentuar apo shkrimtarë origjinalë'?. Sepse kushdo mund të shkruaj, porse jo të gjithë shpikin forma të reja shkrimi. Gertrude Stein ka krijuar një formë të re shkrimi, kurse imitatorët e saj janë thjesht 'të talentuar'. Më vonë edhe Hemingway ka krijuar formën e tij të shkrimit. Kriteri për të dalluar një talent nga një gjeni, në këtë botë të racionalitetit e të diagramave, është i brishtë e i pasigurt; porse kemi një siguri të pagabueshme kur një shkrimtar gjenial na befason me shpërthimet e tij të papara e, njëkohësisht, tepër familjare për ne (i famshmi 'shock i rinjohjes' i Wilsonit).
Një ndjesi të tillë kam provuar duke lexuar Kur dashuronte Swani apo Bij dhe të dashur . Nuk i kam patur këto ndjesi te Colette, por i kam provuar te Dickinson. I kam përjetuar te Celine, por jo te Camus. Te Hemingway, por jo te Raymond Chandler? I kam provuar te Balzac dhe te vepra e tij Kushërira Betë , por jo te Pierre Loti. Dhe kështu me radhë.
Është e rëndësishme të kihet parasysh që talenti imiton gjeniun, sepse nuk ka gjë tjetër për të imituar. Duke mos qenë në gjendje të krijojë gjëra origjinale, talenti 'është i detyruar' të imitojë ose të interpretojë. Poezia e faqes së dytë në 'New York Times', me të gjitha sajesat e trillet e saja lapidare, është veçse një imitim i mjerë i gjenive pararendës: Yeats, Dickinson, Apollinaire, Donne, Suckling?
Gjeniu prin, i talentuari vjen pas. Ajo që shihnin netëve Rembrandt e Van Gogh, nuk mund të shihej prej të tjerëve? Shkrimtarët e lindur dhe që i përkasin së ardhmes, janë të përpirë nga ajo që vetëm ata shohin, nga ajo që, më vonë, do të shihet prej të gjithëve; pikërisht kjo risi do të imitohet më pas aq e aq herë prej shkrimtarëve të bërë .
Kësisoj, në rastin e një shkrimtari të lindur, gjenia e tij bën të mundur krijimin origjinal të një stili të ri. Edhe pse, ashtu si periudha, gjuha e Kyd është elizabetiane, gjuhën e Shakespeare mund ta quajmë vetëm shekspiriane . Shpesh, prej talenteve egoistë, krijuesi i një gjuhe të re është përcaktuar 'si vanitoz'.
Por unë ju them se nuk është e rëndësishme për çfarë shkruhet, por si shkruhet.

Zgjodhi dhe përktheu: Ridvan DIBRA