Një rrotë për ty
4 vjet "Fiks Fare". Emisioni që tregoi se ku nis gazetaria dhe ku nuk mbaron ajo!
Tej një "ditëlindjeje", që ngërthehet në një sens shifror (4), "Fiks Fare" është më tepër se kaq. E duke e paralelizuar me modelin e lindje-rritjes së një krijese, emisioni bujëmadh në "Top Channel" paraqet një evoluim në larmi, po aq sa në kualitet dhe po aq në kauzën bazë gazetereske, për të qenë një ekstra edicion lajmesh në funksion të së vërtetës dhe një ekstra emision në linjën e humorit (humor - krizë, humor i ithët), deri në përmasat e një show, që pasi i kalojnë titrat poshtë, lë pas jehonën e tij, duke u përhapur në formë radhësh koncentrikë deri në puntatën pasardhëse. Që kryekreje idesë së hedhur në tavolinë katër vjet më parë, "Fiks Fare" ishte konceptuar si një amalgamë funksion-përçuese tek audienca, ku do të konvergonin, lajmi (investigimi, skandali) aktrimi, batuta, humori, baleti, monitorimet. Të gjitha këto të vendosura brenda një skenografie gjysmëharkore, me një kolorit tërheqës dhe elementë konfigurues, që i shkonin përshtat tharmit të emisionit. "Rrota" ishte një prej tyre, që si term ka një përthyerje vokacioni, nga shpikje e madhe e njerëzimit te grada përçmuese kundrejt një mendjeje tuhafe, e ofruar kjo bujarisht nga shqipja jonë e pasur. Kjo "Rrotë" shkonte më së miri me formulimin tjetër të pastër shqip, "Fiks Fare", lehtësisht e kuptueshme në të përthithur, lehtësisht e artikulueshme dhe si një togfjalësh "përtac" të jep mundësinë më me pak kosto gjuhësore për të zgjidhur dhe përcaktuar një situatë. Pas startit të "Fiksit", shprehja fiks fare u fut pa doganë në përdorimin e përditshëm, duke marrë dhe vlerën e një kodi marrëveshjeje mes shqiptarëve (në mosmarrëveshjen e përgjithshme).
Mbrëmë, "Fiks Fare", festoi 4-vjetorin me një puntatë speciale, ku kaluan në revistë para audiencës, kapitujt e saj historikë, deri në aktualen, që vijon të prodhojë histori pa diskutim. Për ta sendërtuar si "epokë" këtë event televiziv, u ngrit dhe flamuri i "Fiksit", si shenjë ngadhënjimi dhe fitoreje. Dhe pas kësaj nisi parada e lançimit të materialeve të përzgjedhura në tre vite, ku predominonin skandalet e politikës e të tjera. Dyshja Saimir - Doktor, të plazmuar me historinë e "Fiksit" si personazhe, që titullin e emisionit e kanë dhe si mbiemër publik, si gjithnjë treguan mjeshtërinë e fjalosjes hidh e prit, një kombinim sipas variantit "harmonia e të kundërtave", që deri më sot, ka mbetur i pakonkurrueshëm. Dhe rreth tyre, ishin jo dy, por të gjitha lojcaket e hajthme me emrin "velina", ato të parat dhe këto të fundit, duke performuar edhe ato historinë e tyre brenda historisë së "Fiksit".
Është lehtësisht e mundshme të artikulosh emra dhe vështirësish e evitueshme të gabosh në kategorizimin e vlerës së tyre dhe shenjave që kanë lënë në "Fiks" (ku disa prej tyre vazhdojnë t‘i lënë).
Aldon Lipe ishte ndër ata "kuaj", që ia vuri vetes këtë barrë; të përgatiste dhe t‘i jepte formë emisionit më të ri në "Top Channel", i cili që në çastin kur u hodh në letër kërkonte standarde të paprovuara deri atëherë. Pra, nuk i përgjigjej asnjë parametri televiziv, ku më i vështiri, siç janë lajmet, gjithsesi ishte përfshirë në kuadrin e një ecurie normale. "Fiksi" ishte krejtësisht diçka tjetër, që rrezikonte në hedhjen e çdo hapi përpara, për të qenë i detyruar të tërhiqesh në dy hapa prapa. Koston më të lartë këtu e bënte provincialiteti i shoqërisë shqiptare. Megjithatë, kufiri nga letra deri tek ekrani u kalua me një "hop" kurajoz në fillim dhe "ecja vetë" nuk ishte më një zgjedhje, por një natyrshmëri. Si drejtor dhe regjisor i parë i emisionit, Lipe kaloi kufirin e 200 puntatave (saktësisht 202), për t‘ia lënë vendin Filip Çakulit, formati profesional i të cilit ngjitej cep më cep me përmasën e emisionit. Çakuli zgjodhi të mos ishte thjesht prapa kuintave, por hera herës, duke e paguar dhe me "ngrirje", preferoi të dilte faqe kamerave, në mbrojtje të integritetit gazetaresk. Sepse, që "Fiksi" të bëhej "Fare" nuk ishte aq e lehtë. Ky emision theu shumë tabu gazetareske, duke futur për herë të parë metoda pune dhe investigimi, që tej kurajos kërkonin dhe profesionalizëm. "Hundët" do futeshin kudo e në gjithçka dhe skaneri do t‘i bëhej çdo fenomeni. Kjo bëri që për herë të parë, degradimi i tokës dhe i shtretërve të lumenjve, ndotja e ambientit, shkatërrimi i pyjeve, nga thjesht lajme të bëheshin shqetësime publike. Metoda e zbulimin dhe e denoncimit të së keqes e të paligjshmes u shtri në të gjithë hapësirën e problematikës shqiptare, që është më shumë se 28 kilometra katrorë. Nga kjo, në "Fiks Fare" u mishërua ajo thënia "se ne jemi shumë vend i vogël për halle kaq të mëdha". Nga "Fiks Fare" u drejtua dhe vela e shpëtimit të shumë qytetarëve, duke eliminuar variantet zyrtare të fitimit të së drejtës, siç mund të ishte qeveria apo ndonjë tjetër institucion, duke përjashtuar nga llogaria OJQ-të, thjesht statistik-mbajtëse. Duke u vendosur dhe një orar me shikueshmëri të lartë, 30 minuta pas edicionit të lajmeve, "Fiks Fare" u shndërrua dhe në një edicion plotësues e kompletues lajmesh, me avancë investigimin më në thellësi, denoncimin e çdo paudhësie zyrtare, qeveritare dhe njerëzore, kombinuar me linjën e argëtimit dhe çlodhjes prej dy drejtuesve, terminatorë të fjalës dhe "velinave" të qelqta. Mbrëmë, në puntatën speciale, u tha se "‘Fiksi‘ ka qenë i paanshëm: çdo qeveri ka qenë në shënjestrën e tij pa dallim feje, krahine dhe ideje. Pra, dhe qeveria ‘Nano‘ dhe qeveria ‘Berisha‘ kanë qenë në të njëjtin nivel përfaqësimi te ‘Fiksi‘. Për njerëzit që harrojnë, më saktë për ata që për hir të dashurisë që kanë për Berishën, nuk mund ta imagjinojnë që me të njëjtën forcë dhe objektivitet është goditur edhe qeveria ‘Nano‘. D.m.th. jo goditje si opozita për të rrëzuar qeverinë, por për t‘i thënë ja ku i ke të metat, ja çfarë duhet të korrigjosh". Prej "Fiksit", për herë të parë u bë e mundur të shikohej "8 milimetërshi" i hipokrizisë dhe mashtrimit qeveritar, i nivelit korruptiv të administratës shtetërore, i nivelit të ulët të militantizmit partiak; u bë e mundur, që gjëra deri më atëherë të shkruara, të thashathemnuara dhe të imagjinuara, të provoheshin me konture të plota vizive për çdo kënd. Në fillimet e emisionit, ishte një xhirim i fshehtë, ku tregohej katandisja në hamall e një rojeje ushtarake, në shërbim të çiftit kryeministror Nano. Që prej atij filmimi, udha e ndjekur do të ofronte skandale më të mëdha, deri aty sa çdo puntatë e tij të merrej seriozisht dhe nga ndërkombëtarët në shërbim të raporteve të tyre, nganjëherë rutinore. Sot, "Fiks Fare" nga një emision ka përmasën e një departamenti të zhurmshëm, ku çdo orë e çdo minutë kalojnë ndër duar fakte, detaje e filmime jo të zakonta, për t‘u servirur në orën e caktuar. Deri aty rruga është shumë e gjatë. Puna dhe energjia e shpenzuar, shumë e madhe. Ndër qindra ingranazhe të kësaj "makinë gjigante", tre prej tyre i kanë dhëmbët më të forta: Kurajoja, profesionalizimi, e vërteta. Të tilla që sigurisht do kalojnë nga goja e Saimirit e Doktorit dhe pak nga të qeshurat e "velinave", deri në momentin që u thuhet "Jo"...jo gjithçka është për të qeshur.
Gazeta SHQIP
Krijoni Kontakt