Dhurata e Mbretit të urtë për Mbretëreshën e bukurJa, ja, prej xhaxhi Yllit atje lart në qiell, kur nata bie mbi shtëpi, rreze drite mbushur plot me përralla zbresin dhe ulen mbi buzët e kujtdo.
I lexoni dhe i tregoni,
i dëgjoni por mos harroni:
përrallat janë Shqiptare.
Kjo përrallë ka filluar atëhere kur një Mbret i mirë u martua me një Mbretëreshë të bukur. Të gjithë në mbretëri u gëzuan përsydyti kur mësuan se Mbreteresha priste të lindte çka po mbante me përkujdesje në barkun e saj. Por më shumë nga të gjithë u gëzua Mbreti. Ai mezi priste që Mbretëresha ti dhuronte një vajzë që do të rritej Princeshë apo një djalë që do të rritej Princ.
Nga gëzimi i madh ai vendosi ti bënte Mbretëreshës së bukur një dhuratë të rallë dhe të çmuar, të përshtatshme për rastin, të tillë që si ajo të mos kishte tjetër mbi dhe dhe të mos ishte parë kurrë më parë.
Por çfarë?
Mbreti nuk po gjente dot një dhuratë të tillë. Ai mblodhi këshilltarët, dhe këta gjetën vetëm një rrugëhyrje:
“Të pyesim të diturit dhe mjeshtrat e mbretërisë, ata patjetër duhet të dinë për një dhuratë të tillë.”
Dhe ashtu bënë. Mirëpo të diturit dhe mjeshtrat nuk e gjetën dot rrugëdaljen.
Të gjithë u dëshpëruan shumë. Mbreti nuk kishte dhuratë ndërsa Mbretëresha nga dita në ditë do të lindte.
Dhe ja, erdhi çasti, gratë e Mbretëreshës lëshojnë britma gëzimi, “Djalë!”, “Vajzë!” duke ngritur lart dy bebe të vogla. Mbretëresha kishte lindur një Princ dhe një Princeshë dhe as Mbreti e askush tjetër në mbretëri nuk kishte gjetur një dhuratë të çmuar dhe të rallë, të tillë që si ajo të mos kishte tjetër mbi dhe dhe të mos ishte parë kurrë më parë. Po tani? Si të rriturit dhe fëmijët mbetën të topitur.
Të gjitha këto i pa dhe i dëgjoi një fshatar plak që shiste në oborrin e kështjellës vezë të futura në një shportë thuprash. Fshatari, pasi u mendua, kërkoi në shportë, mori prej aty një vezë në dorë dhe me vrap u nis për nga dhomat e Mbretit duke thirrur:
“Brenda kësaj veze kam dhuratën e Mbretit për Mbretëreshën. Si kjo nuk ka tjetër mbi dhe dhe nuk është parë kurrë më parë.”
Por rojet e Mbretit nuk e lanë të hynte brenda. Ajo ishte vetëm një vezë.
- A nuk e shikon se ke vetëm një vezë të zakonshme? – e pyetën rojet, - si kjo ne kemi parë me qindra.
- Por ju nuk keni parë brenda kësaj, - u përgjigj fshatari, - dhurata që ka brenda guaskës së saj është e tillë që si ajo nuk ka tjetër mbi dhe dhe nuk është parë kurrë më parë por unë s’kam si t’ia u tregoj se pastaj ajo është një dhuratë që është parë më parë.
Rojet u zunë ngushtë, ata nuk dinin si të bënin prandaj pyetën të parin e tyre. Por dhe i pari i rojeve, nuk dinte si të bënte prandaj pyeti këshilltarin e parë të Mbretit. Por edhe këshilltari i parë i Mbretit nuk dinte si të bënte prandaj pyeti Mbretin. Por edhe vetë Mbreti nuk dinte si të bënte prandaj pyeti fshatarin:
- Nëse vërtet brenda guaskës së vezës ka një dhuratë të tillë që si ajo s’ka tjetër mbi dhe dhe nuk është parë kurrë me parë si të të besoj?
- Nëse ju a tregoj Madhëria Juaj, si kjo dhuratë përsëri nuk do të ketë tjetër mbi dhe por kjo do të jetë parë nga sytë e madhërisë suaj, - u përgjigj fshatari, dhe vazhdoi, - por le t’ia japim Madhërisë së Saj, dhe të dëgjojmë se çfarë do të thotë me gojën e saj.
- Vërtet, - tha Mbreti me mëdyshje, por pa një rrugëdalje tjetër vendosi t’ia çonte vezën me dhuratën Mbretëreshës. Mbreti e puthi Mbretëreshën në ballë, i dhuroi vezën duke i thënë:
- Këtu brenda është dhurata ime për ty, e tillë që si kjo nuk ka tjetër mbi dhe dhe nuk është parë kurrë më parë.
Mbretëresha e lodhur buzëqeshi, falenderoi Mbretin, dhe pa një pa dy e hëngri vezën, duke lëshuar pasthirrma kënaqsie sa e dëgjuan të gjithë: “oh sa e mirë, oh sa e mirë!”
Mbreti i çuditur pyeti: Vërtet ishte aq e mirë apo kërkon të më bësh qefin?
- Oh i dashur – i përgjigjet mbretëresha – ishte dhurata më e çmuar që kam marrë, si ajo s’kishte tjetër mbi dhe dhe nuk ishte parë kurrë më parë.
- Po si ishte? – pyeti Mbreti
- E verdhë si ari dhe e ëmbël si mjalti, - u përgjigj mbretëresha.
- Atëherë ka qënë një vezë, dhe asgjë tjetër, - Mbretit ju ngrysën vetullat.
- Ajo ishte një vezë me dy të verdha, Mbreti im i mirë; dhe ashtu si unë ju dhurova nga një lindje dy bebe të vogla, ashtu edhe Ju më dhuruat mua nga një vezë dy të verdha. A nuk ishte kjo, për rastin, dhuratë e tillë që si ajo s’kishte tjetër mbi dhe dhe nuk ishte parë kurrë më parë? Të lutem më fal që nuk e ruajta dhuratën e rallë dhe të çmuar; oh sikur ta kisha ruajtur.
Mbreti i bindur se Mbretëresha po theshte të vërtetën dhe i prekur sa më s’ka pyet sërish fshatarin:
- Përderisa e dije ku kishte një dhuratë që si ajo s’kishte tjetër dhe dhe nuk ishte parë kurrë më parë, ti duhet ta dish dhe ku gjendet një dhuratë e ngjashme me të parën që si ajo nuk ka tjetër mbi dhe dhe të mos jetë parë kurrë më parë.
Fshatari plak me buzën në gaz, u përgjigj që ta dëgjonte i madh e i vogël:
- Po Madhëria Juaj, ka edhe të tjera por ato nuk janë në shportën time dhe unë jam shumë plak të kërkoj kudo. Në çdo shtëpi ka nga një vezë me një dhuratë të ngjashme, si ajo që nuk kishte tjetër mbi dhe dhe nuk ishte parë kurrë më parë. Sikur të na ndihmojnë fëmijët, sikur ata të hanë përditë nga një vezë me një të verdhë derisa të gjejnë vezën me dy të verdha që ka dhuratën e rallë dhe të çmuar për Mbretëresha e bukur.
Dhe Mbretit i qeshi buza, ai u kthye nga fëmijët dhe ju kërkoi atyre: kush nga ju do ta sjellë i pari vezën me dy të verdha që unë t’ia jap Mbretëreshës?
Të gjithë fëmijët ngritën duart duke thirrur. “Unë, unë, unë.” Dhe nxituan për në shtëpitë e tyre për të ngrënë vezët me një të verdhë deri sa të dilte veza me dy të verdha. Por prej atëherë ka ikur shumë kohë dhe askush nuk e ka gjetur ende vezën me dy të verdha. Sa mirë do të ishte sikur ta gjenit ju.
Pa prit pak, e hani ju vezën tuaj përditë? Sa mirë, patjetër ju do ta gjeni vezën me dhuratën e rallë dhe të çmuar të tillë që si ajo nuk ka tjetër mbi dhe dhe nuk është parë kurrë më parë. Sa do të gëzohet Mbretëresha e bukur! Dhe përralla atëhere do të mbarojë...
Krijoni Kontakt