Jashte vetes time
Sa here qe kam gjera qe me tmerrojne, ato ngjishen thelle brenda vetedijes time dhe une kam shume zor qe t’i nxjerr. Me torturojne pa faj, aty brenda meje deri ne momentin qe une bej perpjekjet maksimale per t’i thene, per t’i treguar dhe… i nxjerr jashte vetes time.
Pothuajse cdo dite kur nisesha per ne pune, sapo gjendesha ne ashensor, pikerisht para se te mbyllej dera plotesisht, hynte brenda feshferimthi nje engjell i vogel , kraherrjepur dhe floke bjonde disi te pakrehur dhe zinte vend tek butonat tregues te kateve. “ Cilin…?” me pyeste. “ Ne korridorin e daljes” i pergjigjesha gjithmone dhe i buzeqeshja. Ai varte ne buzeqeshjen time nje shikim serioz te trishte dhe une i shikoja me cudi rrathet blu nen syte e bute kafe dhe kuroren e ndritshme mbi koke.
Ashensori ndalonte ne katin e pare dhe ai fluturonte feshferimthi i pari duke me lene mua dhe ecjen time te kujdesshme nga pas.
Ndonjehere papritur ia degjoja feshferimen e flatrave ne korridorin e katit tim dhe here- here e shikoja qe sillej mes femijeve te tjere dhe perpiqej te luante me ta. Ishte i dhunshem ne lodra, nuk linte rradhe dhe ulerinte here pas here me nje piskame te holle qe me cudiste jashte mase.
Femijet nuk para e donin kur e shihnin ashtu aq te vogel dhe te ndryshem nga ata. Shpesh e injoronin ose edhe e perbuznin. Hera heres nuk di se ku me zhdukej nga syte ne nje cep te larget te koridorit te katit tim. Kishte nete qe nga ai cep i korridorit degjoja klithma dhe zhurma te cuditeshme ne nje gjuhe sa te padeshifrueshme per mua, aq edhe te kuptueshme diku aty ne thellesi te shpirtit tim, ku tmerri bente fole dhe une perpiqesha ta mbysja nen shirat e harreses.
Nje dite kur hyri si zakonisht sa po mbyllej dera e ashensorit, nje ere e ftohte fryu bashke me te. Kurora e drites mbi krye iu zbeh dhe u be pothuajse e padukeshme dhe ashensori u lekund si nga nje termet i lehte nen hapat e nje burri te gjate. Ai hyri fill pas engjellit te vogel dhe u mbeshtet ne nje nga paretet e ashensorit.Dritherima e tmerrit u ringjall nga aty ku e kisha mbytur dhe me pushtoi te teren. Kishte floke bjonde edhe ai dhe sy qe i fshihte gjithe kohen nen qepallat e varura. Hunde te gjate dhe te holle, vetulla te trasha, buze te mbushura dhe fytyre me molleza te dala dhe forma gjeometrike qe me kujtonin piktura kubiste te Qoftelargut. “Cilin?” me pyeti engjelli si zakonisht. “ Katin perdhes” iu pergjigja une si zakonisht dhe ia dhurova prape ate buzeqeshjen qe ai po priste si shperblim. Pastaj fluturoi papritur dhe i qendroi burrit ne pellemben e dores. “Shiko- me tregoi duke ngritur kemben e vockel ku dukeshin nje pale atlete te shtrenjta te sapo blera – Sapo m’i bleu babi.Ky eshte babi im,- me tregoi burrin”
Duhma e qelbur e nje nate me pare ia percelloi puplat e kraheve engjellit te vogel. Tani po kuptoja pse i kishte krahet te rrjepur. “ Oooo, shume te bukura” i thashe, “te kam zili”…. Nderkohe ashensori arriti ne destinacion dhe une dola si zakonisht pas te vogelit.
Ate nate, ndersa po behesha gati per te fjetur, degjova serish zhurmat e pazakonta nga cepi i fundit te korridorit. Zhurma rrenqethese si nga nje bote tjeter. Mbajta vesh me frike se mos kuptoja cfare ishin, por pastaj i dhashe karar qe me mire te mos i degjoja. Por ato afroheshin, afroheshin, afroheshin, nga fundi koridorit drejt deres se baneses time. Dritherimat e tmerrit te pakuptuar me pushtuan si gjithmone. Fillova te dridhesha dhe nuk dija se ku te futesha dhe si t’i mbuloja veshet qe te mos me hynin ato tinguj brenda vetedijes time. Po ne ate kohe, si per llahtarine time, zhurmat erdhen ne veshin tim te artikuluara dhe u futen ne vetedijen time me te qarta, me te gjalla dhe me te paharrueshme se kurre.
“ Te lutem mos mi shkul flatrat babi, te lutem mos... mos.”
Mbeta pa fryme mbrapa deres se apartamentit me gishtat e duarve te mberthyera me njera tjetren ne ngerc. U ngrita ne maje te gishtave prane syrit magjik te deres time dhe nisa te shikoj . Perjashta ne koridor ishte ai, engjelli i vogel krejt i zhveshur, pervec atleteve te reja, i shtrire ne tapet duke perpelitur krahet e brishte. Monstra i rrinte mbi krye dhe e urdheronte qe te shkonte ne shtepi por ai nuk bindej. Kerkonte ti shpetonte dhimbjes dhe poshterimit. Asgje nuk pipetinte vec zerave te tyre. Dyert e puthisura te apartamenteve… veshet e vetedijes se njerezve akoma me te puthisur dhe muret me syte shqyer dhe te tmerruar qe shihnin cfare ndodhte.
Te nesermen kur po ikja ne pune i gjeta perdhe pendet e keputura te kraheve i ngrita me kujdes dhe i mbajta ne dore.
Ai prap hyri fill pas meje dhe prap me pyeti. Poshte veshtrimit te njome, vareshin rrathet mavi. I zgjata pendet e kraheve. I mori dhe me falenderoi. “Neser bartemi- me tha.- Do banojme ne nje apartament tjeter.”
Te nesermen u barten duke lene pas pluhur e plehra dhe duke marre me vete ulerimat dhe zhurmat, te cilat tashme ishin te deshifruara.
Krijoni Kontakt