Copëzat e biblës Shqiptare të përjetshme në memorien e botes
--------------------------------------------------------------------------------
Shqipëria në “Kujtesën e Botës” me kodikët e famshëm të Beratit. Në regjistrin e Uneskos për trashëgimitë e rralla të njerëzimit, tani edhe “Beratinus 1” dhe “Beratinus 2”
Copëzat e biblës “shqiptare”, të përjetshme në memorien e botës
Belina Budini
Megjithëse janë konsideruar gjithnjë trashëgimi të jashtëzakonshme dhe pasuri e paçmuar kulturore jo vetëm për Shqipërinë, dy kodikët e kahershëm të gjetur në Berat, vetëm para pak ditësh kanë hyrë në regjistrin e Kujtesës së Botës. Ndërsa çdo çast humbasin pjesë të pazëvendësueshme të kujtesës së botës, UNESKO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën) ka hapur një regjistër për të evituar amnezinë kolektive dhe për të promovuar ruajtjen e koleksioneve të arkivave dhe të bibliotekave gjithkund në botë. Në këtë regjistër figurojnë prej pak ditësh edhe “Beratinus 1” e “Beratinus 2”, të zbuluar në Berat në shekujt VI dhe IX dhe që janë dy nga shtatë kodikët e vetëm të këtij lloji, arketipe të vjetra të bibliës, që kanë mbijetuar deri në ditët tona.
Kodikët e Beratit janë e para trashëgimi shqiptare e këtij lloji që çertifikohen si pasuri e kujtesës së botës në regjistrin që përmban 120 pasuri botërore si koleksione arkivash e bibliotekash. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Shaban Sinani, thotë për ‘Shekullin”, se vendimi për ta përfshirë koleksionin e dy kodikëve shqiptarë në memorien e botës, është marrë nga Ansambleja e Uneskos që u mblodh në Kinë, por propozimi është bërë nga DPA-ja, ku edhe ruhen kodikët. Janë dashur rreth dy vjet shqyrtim nga ana e komisionit të ekspertëve dhe oponentëve të huaj që kodikët të miratoheshin për të hyrë në regjistrin e kujtesës së botës. Në mjediset e këtij institucioni (DPA-së) tanimë pritet që të vendoset edhe një pllakë që i identifikon kodikët tanë si pasuri e kujtesës së botës.
Në letrën e Uneskos që shoqëron çertifikatën për dy kodikët, theksohet vlera e jashtëzakonshme dhe merret pësipër mbrojtja e tyre në të mirë të njerëzimit në tërësi. ”Ato janë një rast i shkëlqyer për vlerat e kujtesës së përbashkët të njerëzimit dhe është e domosdoshme që të ruhen dhe t’i jepet më shumë mundësi njohjes së tyre në një shkallë më të gjerë” , - vazhdon më tej letra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.
Vlera
Beratinusi, një trashëgimi me rëndësi botërore për dokumentimin e fjalës së shenjtë
“Beratinus” ka marrë tanimë rëndësi botërore si një dorëshkrim i hershëm që mund të ndihmojë për të plotësuar historinë e zhvillimit të mendimit ungjillor, nëpërmjet studimeve të posaçme të tekstologjisë kritike (“textual criticism”), që mund të thuhet se, në dijen shqiptare, sapo kanë filluar. Sipas eksperëtve, në një vështrim më të gjerë këto studime do të evidentonin se çfarë ndodhi në procesin e kalimit prej fjalës së shenjtë te shkrimet e shenjta, prej predikimit ungjillor gojor te predikimi kanonik.
Rëndësia e “Beratinus-it” është theksuar edhe më nga fakti se në tipologjinë e tekstit të tij gjenden gjurmë të shkrimeve siriake (të Lindjes) dhe të Perëndimit njëherësh. Këtij mendimi i janë përmbajtur shumë dijetarë, prej Batiffol-it deri tek Aleks Buda e më pas Roderic L. Mullen. Kjo e bën atë një prej dorëshkrimeve më të rëndësishëm për të krahasuar shkollat e shkrimeve ungjillore dhe procesin historik të kanonizimit të shkrimeve të shenjta në përgjithësi.
Dy fjalë
Çfarë është “Beratinus”?
“Beratinus 1” dhe “Beratinus 2” u përkatësin shekujve VI dhe IX. “Beratinus 1” është një nga tri modelet më të hershme të Testamentit të Ri dhe përmban fragmente para-biblike. “Beratinus 2” përmban tekste të Ungjillit të periudhës biblike. Karakteri i tyre unik lidhet me formatin e tyre: një shkrim me shkronja të arta në një pëlhurë të purpurt. Dy kodikët ruhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Disa trashëgimi të tjera botërore që sapo janë regjistruar në Kujtesën e Botës së bashku me Kodikët e Beratit
Të rrallë në botë
SHBA – “Universalis cosmographia secundum Ptholomaei traditionem et Americi Vespucii aliorumque Lustrationes”. E shtypur më 1507-ën, kjo hartë e botës është e para që përshkruan me korrektësi një hemisferë perëndimore të dallueshme dhe njeh ekzistencën e oqeanit Paqësor. Ky botim hartografik monumental përbën gjithashtu edhe hartën e parë të shtypur në botë. Ajo është harta e parë ku Bota e Re zëvendësohet me emërtimin Amerika, në nderim të Amerigo Vespucci-t. E ruajtur në Gjermani deri në vitin 2003, harta gjendet aktualisht në bibliotekën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Francë dhe Britani e Madhe- Thirrja e 18 qershorit 1940 e gjeneralit De Gaulle, e transmetuar në radio nga Londra, në drejtim të Francës nga BBC-ja. Thirrja konsiderohet një deklaratë shprese që ka shënuar historinë e rezistencës franceze ndaj pushtimit nazist. Thirrja e 18 qershorit është një nga efektet më të forta të historisë së radios, kur radioja nuk është më një mjet zbavitjeje dhe propagande në dispozicion të pushtetit, por edhe një mjet teknik që i lejon një burri shteti të izoluar të lançojë përtej kufijve një lëvizje të madhe rezistence. Regjistrimi ndodhet në “Institut national de l’audiovisuel (INA, France)” dhe njëkohësisht edhe në British Broadcasting Corporation (BBC, Mbretëria e Bashkuar).
Gjermani- Përralla për fëmijë dhe prindër të vëllerëzve Grimm. Ky botim (1812-1815) i përrallave të vëllezërve Grimm, është botimi-referencë për këtë vepër të botuar në 160 gjuhë. Burim i pashtershëm frymëzimi për krijuesit dhe artistët e të gjitha fushave, ato përmbajnë traditën e përrallave evropiane dhe orientale. Koleksioni gjendet në Muzeun e Vëllezërve Grimm në Kassel të Gjermanisë.
Francë – Filmat Lumière. Bëhet fjalë për 1 405 filma origjinalë të prodhuar nga pionerët e kinemasë në vitet 1896 dhe 1900. Ata përmbajnë një material të bollshëm dokumentar për Francën dhe rajone të tjera të botës, dëshmitë e para kinematografike të personalitete drejtuese si mbretëresha Viktoria, mbreti Humbert i Italisë etj. Koleksioni gjendet në Arkivat franceze të Filmit.
Citim
Ja pse “Kodikët e Purpurt” të Beratit janë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të njerëzimit
Koïchiro MATSUURA, drejtor i përgjithshëm i Unesco-s, është shprehur në lidhje me dy kodikët e Shqipërisë se janë thesare të vërteta të trashëgimisë shpirtërore botërore. “"Kodiku i Purpurt i Beratit", një nga variantet më të vjetra të Testamentit të Ri, përbën një referencë thelbësore për letërsisë evangjeliste dhe, më përgjithësisht, për kulturën kristiane. Unesco-ja i kushton një vëmendje të veçantë ruajtjes së kësaj trashëgimie unikale të zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike dhe liturgjike përgjatë historisë botërore. Ja pse "Kodikët e Purpurt të Beratit" figurojnë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të krijuar në kuadrin e programit “Kujtesa e Botës”.
Koïchiro MATSUURA, drejtor i përgjithshëm i Unesco-s
Krijoni Kontakt