Haradinaj: dy qyteterime balle per balle
Pyetja ishte e dhimbshme dhe përgjigja e prerë: Dy vëllezër ju janë vrarë në luftë, i treti është në Hagë, tashti po shkoni edhe ju atje, a nuk po paguani si shumë për lirinë? Kjo pyetje iu bë kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin me gazetarët. Pak minuta kishin kaluar mbasi kish dorëzuar dorëheqjen e kish njoftuar vendimin për të shkuar vullnetarisht para drejtësisë për të mbrojtur pafajsinë e tij. Liria nuk ka çmim, u përgjigj Haradinaj, duke e kontrolluar me vështirësi emocionin.
Akuza për kryeministrin e Kosovës mund të shihet thjesht si veprim i ligjit, si një drejtësi pavarësisht nga politika. Ligji është i barabartë për të gjithë. Ajo mund të vështrohet edhe në kundraja politike. Për disa kjo është një lëvizje nën trysninë e Beogradit e të mbështetësve të tij ndërkombëtarë. Ata dëshirojnë me i vu në një plan si serbët ashtu edhe shqiptarët e luftën e tyre, mundësisht shqiptarët me i randue më shumë. Ky do të ishte një qëndrim tepër i padrejtë, që ve në të njëjtin rrafsh ujkun dhe qingjin, agresorin dhe viktimën. Disa të tjerë e shohin si një taktikë të kujdesshme, vijim i të ashtuquajturit diskriminim pozitiv i serbëve. Edhe pas luftës në Kosovë Beogradi, në vend se me ulë kryet, mbetet gjithnjë i vështirë për rajonin dhe për Bashkësinë Ndërkombëtare. Tetë muaj më parë në krye të shtetit për pak sa nuk u ngjit një radikal. Ndërkohë të akuzuarit si kriminelë lufte, Mlladiçët e Karaxhiçët, vazhdojnë me u fshehë nëpër Serbi. Analisti amerikan Patrik Mur shtronte para do kohësh pyetjen: mos do të kish qenë më mirë të vendoseshin trupat ndërkombëtare në Serbi, më parë se në Bosnjë e në Kosovë?
Po afron dita kur statusi përfundimtar i Kosovës duhet të shtrohet për diskutim. Duke e thirrur edhe kryeministrin e Kosovës në Hagë mbërrihen dy synime: (1) I hiqet Serbisë nga duart karta mazohiste e "viktimës". Me këtë kartë ky vend përpiqet me luejtë në kurriz të paqes e të qetësisë. Kjo mundësi u hiqet duarsh edhe miqve të Beogradit. Në disa kryeqytete në Europë e ngjeti ata janë të fuqishëm e me ndikim. (2) Në anën tjetër u jepet shqiptarëve edhe një rast me dëshmue se janë popull i qytetëruar, me thelb perëndimor. Bota ka rastin me i ballafaque dy qëndrimet. Përfaqësuesit e shqiptarëve, megjithëse ishin viktima, megjithëse ishin ata që bënë luftë mbrojtëse dhe u rreshtuan si aleatë të NATO, përsëri shkojnë me burrëri e besim me u përballë me drejtësinë. Ndërsa prej shumë vjetësh serbët e akuzuar bëjnë të kundërtën. Sipas një pohimi të përsëritur ditët e fundit të kryeprokurores Karla del Ponte, ata i mbron Beogradi zyrtar. Ai u jep edhe pension shtetëror! Portretet e Mlladiçit e të Karaxhiçit mbushin sheshin qendror Republika në kryeqytetin serb.
Dhe ja zhvillimet e para: Në kampin shqiptar aktet e dramës zhvillohen në mënyrë dinjitoze dhe të qytetëruar. Dinjitoz qëndrimi i Haradinajt. Deklaron se është i pafajshëm, por beson te institucionet demokratike të drejtësisë, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Hagës; i nënështrohet asaj vullnetarisht, për të nxjerrë në shesh të vërtetën me mjete ligjore. U kërkon mbështetësve dhe bashkëkombasve me
e ruejtë qetësinë. E fton bashkësinë ndërkombëtare me shpejtue njohjen e pavarësisë së Kosovës. Plot integritet politik, dëshmon se është njeriu i paqes po aq saç ishte njeriu i luftës. Ka një kryefjalë. Ajo quhet Kosovë. Për këtë arsye qëndrimi i tij përshëndetet nga Uashingtoni e nga Brukseli. Analisti amerikan Huper e quan burrë shteti.
Dinjitoz qëndrimi i klasës politike në Prishtinë. Të gjithë udhëheqësit politikë, pavarësisht nga krahët, lëshojnë deklarata të qarta e të qytetëruara. Në thelb në të njëjtën valë me Haradinajn. Dinjitoz qëndrimi i qytetarëve të Kosovës. Njoftohet se në vendlindjen e Haradinajt, në Deçan, tubohen protestues. Në aeroportin e Prishtinës e në Prishtinë poashtu. Eshtë e drejta e tyre me protestue në mbrojtje të udhëheqësit, të luftës çlirimtare e të vlerave të lirisë, kundër një akti që ata e vlerësojnë të padrejtë ose politik. Të drejtën demokratike të protestës e përdorin në mënyrë demokratike: tubimet janë paqësore, të përmbajtura, të vetëkontrolluara. Nuk thyhet një xham. Nuk ndodh një gërvishje. Ky nuk është një zhvillim i shkëputur. Për gati dhjetë vjet qëndresë paqësore në vitet nëntëdhjetë të qindvjetëshit që shkoi, shqiptarët dëshmuan se janë njerëz të paqes. Kur erdhi koha e luftës, ata dëshmuan se dijnë të bëjnë edhe luftë. Kapën armët e u rreshtuan në UÇK. Tashti që kërkohet maturi e seriozitet, dëshmojnë sërish mençuri e kulturë demokratike. Falë urtësisë e përkushtimit perëndimor, duket se skenarin Hardinaj shqiptarët e kthyen në të mirë të tyre.
Në kampin serb duket stepje e ndoshta një lloj hutimi. Deklaratat e kryeministrit Koshtunica dhe të presidentit Tadiç, edhe ata në një valë, shquhen për mungesë shlimesh (idesh). Thonë vetëm se mbështesin një zgjidhje paqësore, një formulë e dashur në Perëndim, por pa ndonjë kuptim konkret kësaj here në gojën e tyre. Nuk dinë çka me thanë tjetër. Sipas gjasave Beogradi është tronditur nga pjekuria e shqiptarëve, që dëshmuan sërish vlerat e veta perëndimore. Ishte ai sponsori kryesor i parashikimeve të errëta për turbullira të reja në Kosovë. Trazirat do t´i interesonin shumë Serbisë. Ato do të jepnin shkas me dëshmue "pabesinë" e shqiptarëve edhe ndaj ëngjëllit mbrojtës të tyre të quajtur Perëndim. Do të jepnin shkas që shqiptarët të kallëzoheshin me gisht si në atë fabulën e dhisë me delen, dhe që të viheshin në lëvizje skenarët kundër pavarësisë së Kosovës ose për copëtimin e saj. Pikërisht kësaj ndarjeje rrah me i shërbye bojkotimi serb i institucioneve të Kosovës ashtu si dhe mbështetja që bën Beogradi për institucionet paralele të serbëve atje. Pikërisht kësaj ndarjeje u rrekën me i shërbye edhe me trazirat e Marsit të vitit të kaluar, të provokuara me mbytjen mizore të një fëmije bash në lumin Ibër, Mur Berlini i ujshëm që ndan Mitrovicën.
Rasti Haradinaj vuri përballë ty qëndrime, dy qytetërime. Në njërën anë qytetërimin shqiptar, që i bindet ligjit, që mishërohet me trajta e integritet perëndimor. Dhe përballë tij qytetërimin serb, me ngarkesa të mëdha bizantine e mesjetare. Dhe me hijen e keqe kundërperëndimore. Bota ka mundësi me pa edhe një herë në krah të kujt është e vërteta. Anipse shqiptarët në Kosovë përsëri po paguajnë çmim. E tha vetë Haradinaj para gazetarëve, të cilëve sapo u kishte kumtuar vendimin e vet: liria nuk peshohet me kurrfarë çmimi!
Mehmet ELEZI
Tiranë, më 9 mars 2005
Krijoni Kontakt