
Postuar më parë nga
Albo
E Diela e Orthodhoksisë
Nga Protopresviteri Alexander Schmemann
Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin.
Duke festuar sot Triumfin e Orthodhoksisë në të Dielën e parë të Kreshmës së Madhe, ne përkujtojmë me gëzim tre ngjarje: një ngjarje që i përket të shkuarës; një që i përket të tashmes; dhe një që i përket së ardhmes.
Sa herë që kemi një festë apo gëzim në Kishë, ne orthodhoksët ne fillim i kthejmë sytë prapa - sepse në jetën e tanishme ne varemi nga ajo që ka ndodhur në të shkuarën. Sigurisht, që para së gjithash varemi nga triumfi i parë dhe më i madhi - triumfi i Vetë Krishtit. Besimi ynë i ka rrënjët tek ajo mposhtja e çuditshme që u kthye në fitoren më të lavdishme -- mposhtja e një njeriu të mbërthyer në kryq i cili u ngjall së vdekuri, dhe është Perëndi dhe Zot i botës. Ky është triumfi i parë i Orthodhoksisë. Kjo është përmbajtja e të gjithë përkujtimeve dhe gjithë gëzimit tonë. Ky njeri zgjodhi dhe caktoi 12 burra, u dha fuqi që të predikonin për atë mposhtjen dhe fitoren, dhe i dërgoi në gjithë botën duke u thënë të predikoni dhe pagëzoni, ngrini Kishën, jepni lajmin e Mbretërisë së Perëndisë. Dhe siç e dini, vëllezër dhe motra, si këta 12 burrat - shumë njerëz të thjeshtë, peshkatarë të thjeshtë - u shpërndanë dhe predikuan. Bota i urreu, Perandoria Romake i persekutoi, dhe u mbuluan me gjak. Por ai gjaku i tyre ishte një fitore tjetër. Kisha u rrit, Kisha mbuloi universin me besimin e vërtetë. Pas 300 vjetësh në një konflikt nga më të pabarabartët midis Perandorisë së fuqishme Romake dhe Kishës së pafuqishme të Krishterë, Perandoria Romake pranoi Krishtin si Perëndi dhe Zot. Ky ishte triumfi i dytë i Orthodhoksisë. Perandoria Romake njohu atë të cilin ajo kryqëzoi dhe ata që persekutoi si mbartësit e së vërtetës, dhe mësimet e tyre si mësimet e jetës së përjetshme. Kisha triumfoi. Po pastaj periudha e dytë e probleme nisi.
Shekujt që rrodhën më pas u shoqëruan me shumë përpjekje për të shtrembëruar besimin, për tua përshtatur nevojave njerëzore, për ta mbushur me përmbajte njerëzore. Në çdo brez kish nga ata që nuk do të pranonin mesazhin e kryqit dhe ringjalljes edhe jetës së përjetshme. Ata u përpoqën ta ndryshonin besimin tonë dhe ndryshimet e tyre ne i quajmë herezi. Përsëri pati persekutime. Përsëri, peshkopë, murgj dhe besimtarë të thjeshtë e mbrojtën besimin dhe u dënuan, internuan dhe u mbuluan me gjak. Dhe pas 5 shekujsh konfliktesh, persekutimesh dhe diskutimesh, erdhi dita që ne përkujtojmë sot, dita e fitores përfundimtare të Orthodhoksisë si besimi i vërtetë mbi të gjitha herezitë. Ndodhi të dielën e parë të Kreshmës së Madhe në Konstandinopojë në vitin 843. Pas pothuajse 100 vjet persekutimi drejtuar nderimit të ikonave të shenjta, Kisha më në fund shpalli se e vërteta u përcaktua, se e vërteta ishte plotësisht në zotërim të Kishës. Dhe që prej asaj dite, të gjithë besimtarët orthodhoksë, kudo që ata jetojnë, mblidhen në këtë të diel që të shpallin përpara botës besimin e tyre në këtë të vërtetë, besimin se Kisha e tyre është me të vërtetë Apostolike, me të vërtetë Orthodhokse, me të vërtetë universale. Kjo është ngjarja e së shkuarës që përkujtojmë sot.
Por le ti bëjmë vetes një pyetje: A i takojnë të gjitha triumfet, të gjitha fitoret e Orthodhoksisë së shkuarës? Po ti kthejmë sytë nga e tashmia, shpresh herë na duket sikur ngushëllimi ynë i vetëm është të kujtojmë të shkuarën. Atëhere Orthodhoksia ishte e lavdishme, atëhere Kisha Orthodhokse ishte fuqishme, atëhere ajo dominonte. Po tani në të tashmen? Miq të dashur, nëse triumfi i Orthodhoksisë i përket të shkuarës vetëm, nëse nuk na ka ngelur gjë tjetër për të bërë përveç përkujtimit, apo ti përsërisim vetes se sa e lavdishme ishte në të shkuarën, atëherë Orthodhoksia ka vdekur. Por ne jemi mbledhur sot këtu për të qënë dëshmitarë se Orthodhoksia jo vetëm që nuk ka vdekur por po kremton përsëri dhe gjithnjë triumfin e saj - triumfin e Orthodhoksisë. Ne nuk kemi përse luftojmë herezitë brenda vetes, por kemi gjëra të tjera që përsëri sfidojnë besimin tonë Orthodhoks.
Sot, të mbledhur këtu së bashku, orthodhoksë me prejardhje të ndryshme kombëtare, shpallim dhe lavdërojmë para së gjithash unitetin në Orthodhoksi. Ky është triumfi i Orthodhoksisë në të tashmen. Kjo është ngjarja më e mrekullueshme: që të gjithë ne, me të gjitha dallimet tona, me gjithë kufizimet tona, me gjithë dobësitë tona, mund të mblidhemi së bashku dhe të themi se i përkasim besimit Orthodhoks, që jemi një në Krisht dhe në Orthodhoksi. Ne po jetojmë shumë larg nga qendrat tradicionale të Orthodhoksisë. Ne e quajmë veten Orthodhoksë Lindorë edhe pse jetojmë këtu në Perëndim, kaq larg nga ato qytete të lavdishme që ishin qendra të besimit Orthodhoks për shekuj me rradhë - Konstandinopoja, Aleksandria, Antioku, Jeruzalemi, Moska. Sa larg që janë ato qytete. Ama përsëri, a nuk e ndjeni se një farë mrekullie ka ndodhur, se Perëndia na ka sjell ne këtu larg në Perëndim, jo thjeshtë që të jetojmë këtu, jo vetëm që të rrisim të ardhurat tona, e jo vetëm të ngrejmë një komunitet. Ai na ka dërguar edhe si apostuj të Orthodhoksisë, që ky besim, që historikisht ishte i kufizuar vetëm në Lindje, tani të bëhet një besim plotësisht dhe me të vërtetë universal.
Ky është një moment ngashërrues në historinë e Orthodhoksisë. Kjo është arsyeja përse është kaq e rëndësishme për ne që të mblidhemi këtu sot dhe të kuptojmë, të sjellim ndër mend, të kemi vizionin e duhur se çfarë po ndodh. Njerëzit kaluan oqeanin për të ardhur këtu, pa menduar shumë për besimin e tyre se sa për veten e tyre, për jetën e tyre, për të ardhmen e tyre. Shumica ishin njerëz të varfër, kaluan një jetë të vështirë, dhe ndërtuan ato Kishat e vogla Orthodhokse kudo në Amerikë jo për njerëzit e tjerë por për vete, sa për të kujtuar vendlindjen, për të vazhduar traditën. Ata nuk menduan për të ardhmen. Ama ja se çfarë ndodhi: Kisha Orthodhokse u dërgua këtu me dhe nëpërmjet këtyre njerëzve të varfër. Vetë e vërteta, plotësia e besimit apostolik -- e gjithë kjo erdhi këtu e ja tek jemi ne sot, kemi mbushur këtë holl dhe po shpallim besimin apostolik -- besimit që ka fuqizuar universin. Dhe kjo na nxjerr tek ngjarrja që i përket të ardhmes.
Nëse sot ne vetëm mund të shpallim, nëse vetëm lutemi për ardhjen e triumfit të Orthodhoksisë edhe në këtë vend dhe në mbarë botën, besimi ynë Orthodhoks na shtyn që të besojmë se kjo nuk ka ndodhur rastësisht por falë përkujdesjes hyjnore kur shohim se besimi Orthodhoks ka arritur në çdo vend, në çdo qytet, në të gjitha kontinentet e universit. Pas atij dobësimi historik të besimit tonë, pas persekutimeve nga Perandoria Romake, nga Turqit, nga ateistët e pafe, pasi gjithë problemeve që na u desh të kalonim, sot një ditë e re fillon. Diçka e re ka për të ndodhur. Dhe është kjo e ardhmja e Orthodhoksisë për të cilën duhet të gëzohemi sot.
Ne e kemi tashmë një vizion të së ardhmes këtu në Perëndim, një Kishë e fortë Orthodhoksë ka lindur. Ne mund të shohim se si kjo fe, që për një kohë të gjatë ishte fe e huaj në këtë vend, do të bëhet plotësisht dhe me të vërtetë universale në kuptimin që do ti japi përgjigje pyetjeve të gjithë njerëzve dhe gjithë pyetjeve që ata do të kenë. Sepse nëse besojme me të vërtetë në atë fjalën "Orthodhoksi", "besimi i vërtetë", ;sepse nëse për një moment përpiqemi që të kuptojmë se çfarë do të thotë: Krishtërimi i vërtetë, i plotë, ashtu siç u shpall nga Krishti dhe dishepujt e Tij; nëse Kisha jonë e ka ruajtur në të gjitha epokat mesazhin e apostujve dhe të etërve e shenjtorëve në formën më të pastërt, atëherë, miqtë e mi të dashur, ja tek e keni përgjigjen e pyetjeve dhe problemeve edhe të vuajtjeve të botës sonë. Ju e dini se bota jonë sot është kaq e komplikuar. Është duke ndryshuar gjatë gjithë kohës. Dhe sa më shumë ndryshon, aq më shumë i zë frika njerëzit, aq më shumë i tremb e ardhmia, aq më shumë shqetësohen nga mendimi se çfarë ka për tu ndodhur. Dhe këtu duhet të ndërhyjë Orthodhoksia dhe duhet ti japi përgjigje problemit të tyre: këtu duhet që Orthodhoksia të pranojë sfidën e një qytetërimi modern dhe tu zbulojë njerëzve të gjithë kombeve, njerëzve në gjithë botën, se ajo ka mbetur forca e Perëndisë në histori për transformimin, për hyjnizimin, për shpërfytyrimin e jetës njerëzore.
E shkuara, e tashmia, e ardhmia: Në fillim, një burrë i vetëm mbi kryq -- mposhtja e plotë. Dhe nëse atë kohë do të kishim qenë atje sipas përllogaritjeve tona njerëzore ne do të mund të kishim thënë: "Ky ështe fundi. Asgjë tjetër nuk ka për të ndodhur." Ata 12 dishepujt e lanë Atë. Nuk kish ngelur njeri, nuk kish ngelur njeri që shpresonte. Bota ishte në errësirë. Gjithçka dukej sikur kish marrë fund. Dhe ju e dini se çfarë ndodhi tre ditë më pas. Tre ditë më vonë Ai u shfaq. Ai iu shfaq dishepujve të Tij dhe zemrat e tyre po digjeshin flakë brenda tyre sepse e dinin se Ai ishte Zoti i ringjallur. Dhe që prej atëherë, në çdo brezni, ka patur njerëz me zemra të zjarrta, njerëz që e kanë ndier se kjo fitore e Krishtit duhet të kryej përsëri herë pas here në këtë botë, të shpallet në mënyrë që të fitojë shpirtra të rinj njerëzorë dhe të bëhet forca transformuese në histori.
Sot kjo përgjegjësi na takon ne. Ne e ndiejmë veten të dobët. Ndihemi të kufizuar, të përçarë, jemi akoma të ndarë në kaq shumë grupe, kemi kaq shumë pengesa për të tejkaluar. Por sot, në ditën e së Dielës së Orthodhoksisë, ne i mbyllim sytë për një sekondë dhe gëzojmë në atë unitet që është këtu mes nesh: priftërinj te kishave të ndryshme kombëtare duke u lutur së bashku, njerëz të origjinave të ndryshme duke u bashkuar në lutje për triumfin e Orthodhoksisë. Ne jemi tashmë në një triumf, dhe Perëndia na ndihmoftë që ta mbajmë këtë triumf në zemrat tona, në mënyrë që të mos na humbi kurrë shpresa në atë ngjarjen e së ardhmes në historinë e Orthodhoksisë kur Orthodhoksia do të bëhet fitoria e cila do të tejkalojë në përjetësi të gjitha pengesat, sepse kjo fitore është fitoria e Vetë Krishtit.
Teksa i afrohemi momentin më të rëndësishëm të Eukaristit, prifti thotë, "Le ta duam njëri-tjetrin, që në një mendje të mund të rrëfejmë..." Cili është kushti i triumfit të vërtetë të Orthodhoksisë? Cila është rruga që na shpie tek fitoria e vërtetë, përfundimtare dhe më e madhe e besimit tonë? Përgjigjia vjen nga Ungjilli. Përgjigjia vjen nga Vetë Krishti dhe nga vetë tradita e Orthodhoksisë. Përgjigjia është dashuria. Le ta duam njëri-tjetrin, që në një mendje të rrëfejmë... të rrëfejmë besimin tonë, Orthodhoksinë tonë. Që tani e tutje, le të ndihemi përgjegjës për njëri-tjetrin. Le ta kuptojmë se edhe nëse jemi të ndarë në enori të vogla, në dioqeza te vogla, para së gjithash ne i përkasim njëri-tjetrit. Ne i përkasim së bashku Krishtit, Trupit të Tij, Kishës. Le të ndihemi përgjegjës për njëri-tjetrin dhe le ta duam njëri-tjetrin. Le të vendosim mbi gjithçka tjetër interesin e Orthodhoksinë në këtë vend. Le ta kuptojmë se secili prej nesh sot duhet të jetë apostulli i Orthodhoksisë në një vend që nuk është akoma Orthodhoks, në një shoqëri që na pyet: "Çfarë besoni ju?", "Cili është besimi juaj?". Dhe mbi të gjitha, le të ruajmë kujtimin, të ruajmë përjetimin, të ruajmë shijen e unitetit që po paraprijmë sot.
Në fund të shekullit të parë -- kur Kisha ishte ende një grup shumë i vogël, një minoritet shumë i vogël, në një shoqëri që ishte pa dyshim anti-krishterë dhe në një kohë kur persekutimi po fillonte -- Shën Joani Hyjnor, dishepulli i dashur i Krishtit, shkruajti këto fjalë: "Dhe kjo është fitorja, besimi ynë është fitorja." Nuk kish fitore në atë kohë, dhe prapë së prapri ai e dinte se në besimin e tij ai kish atë fitoren që na aplikohet ne sot. Ne kemi premtimin e Krishtit, që dyert e ferrit kurrë nuk do të sundojnë mbi Kishën. Ne kemi premtimin e Krishtit se nëse kemi besim, të gjitha gjërat janë të mundura. Ne kemi premtimin e Shpirtit të Shenjtë, që Ai do të mbushë gjithçka që është e dobët, që Ai do të na ndihmojë në momentin që do të kemi nevojë për ndihmë. Me fjalë të tjera, ne kemi të gjitha mundësitë, kemi gjithçka që na duhet, prandaj fitorja është e jona. Nuk është një fitore njerëzore që mund të caktohet në bazë parash, suksesi njerëzor, apo arritjesh njerëzore. Ajo që ne po predikojmë sot, ajo që ne po shpallim sot, ajo që ne po lutemi sot, është fitorja e Krishtit brenda meje, brenda nesh, brenda të gjithëve ju në Kishën Orthodhokse të Amerikës. Dhe kjo fitore e Krishtit brenda nesh, e Atij që për ne u kryqëzua dhe u ngjall përsëri së vdekuri, kjo fitore do të jetë fitoria e Kishës së Tij.
Sot është triumfi i Orthodhoksisë, dhe një himn që u këndua sot deklaron solemnisht dhe thjeshtësisht: "Ky është besimi Apostolik, ky ështe besimi Orthodhoks, ky është besimi i Etërve, ky është besimi që është themel i botës." Motra dhe vëllezërit e mi të dashur, ky është edhe besimi ynë. Ne jemi përzgjedhur. Ne jemi të zgjedhurit. Ne jemi ata të lumturit e paktë që mund ti themi besimit tonë "apostolik", "universal", "besimi i etërve tanë", "Orthodhoksi", "e vërteta". Duke pasur këtë thesar të mrekullueshëm, le ta ruajmë, le ta mbajmë, dhe le ta përdorim në një mënyrë të tillë që ky thesar të kthehet në fitoren e Krishtit brenda nesh dhe brenda Kishës së Tij. Amin.
Protopresbiteri Alexander Schmemann
Mars 1985
Përktheu: Ilirjan Papa
Krijoni Kontakt