Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Mesazhi i Pashkës: Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde

    ME FUQINË E NGJALLJES

    †Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    "Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij..." (Filip. 3:10)

    I

    E kremtja e sotme mes lodhjes, pështjellimit dhe shqetësimit për sa ndodhin në planetin tonë, në dobësinë që ndjejmë shpesh kur ajo na shpartallon nga trysnia e vështirësive të ndryshme personale vjen të hedhë dritë të bollshme dhe të ofrojë me ngazëllim diçka unikale: Fuqinë e Ngjalljes. E gjithë jeta e Krishtit, me predikimin dhe mrekullitë e Tij, ka qenë një shfaqje e vazhdueshme e fuqisë së Perëndisë. Por, sidomos me pranimin e vullnetshëm të Kryqit dhe me Ngjalljen e Tij, u zbulua "madhësia e jashtëzakonshme e fuqisë (së Perëndisë)... tek ne që besojmë sipas ve-primit të pushtetit të fuqisë së tij, të cilën e ushtroi tek Krishti që e ngjalli nga të vdekurit" (Efes. 1:19-20). Ngjallja i jep dritë dhe jetë të ardhmes së gjinisë njerëzore, reformon krijesën. Në shkëlqimin e saj shfaqet unikaliteti i Perëndinjeriut. Zoti i Ngjallur tashmë është "fillimi i njerëzimit të ri, i ngritur i pari nga të vdekurit, që në të gjitha Ai të mbetet i pari", "i parëlindur nga të vdekurit, që të bëhet i pari në të gjitha" (Kol. 1:18). Kjo e vërtetë përbën parimin parësor të besimit të krishterë dhe, njëkohësisht, themelin e shpresës sonë.

    Ngjallja mbështet tri siguri dinamike: Së pari, themelon aspiratën tonë për ngjalljen e ditës së fundit, përderisa Krishti u ngjall duke u bërë "fryt i parë i të fjeturve" (I Korint. 15:20). Fitorja e Tij është edhe fitorja jonë. Presim "ngjalljen e të vdekurve". Destinacioni ynë është jeta e amshuar. Së dyti, fakti që Krishti u ngjall fizikisht, thekson rëndësinë e trupit njerëzor dhe të kësaj jete. Pikëpamjet e lashta filozofike greke këmbëngulnin se shpirti çlirohet nga prangat e trupit. Besimi i krishterë e zgjeron nocionin e pavdekësisë, përfshin tërë entitetin shpirtëror e trupor të njeriut; shpall ngjalljen edhe të trupit me një formë të re, të paprishur dhe të pavdekshme (I Korint. 15:35-53). Së treti, "Fuqia e Ngjalljes" nuk kufizohet në një person dhe në një ngjarje të së kaluarës. Ajo vazhdon të veprojë në çdo kohë në jetën personale të të krishterit, që bashkohet sipas hirit me Krishtin, i cili është "koka e trupit, e Kishës" (Kol. 1:18). Përbën garancinë se në jetë dhe përtej vdekjes, Zoti i Ngjallur është me ne.

    II

    Por, që të njohësh fuqinë e Ngjalljes, kërkohet një tjetër njohje: "Të njohësh Atë" - Jisu Krishtin, Zotin. Folja "njoh" tregon shumë më tepër se një njohje mendore, e cila ka të bëjë me disa ngjarje, teori apo parime. Kryesisht, tregon njohjen e ngushtë dhe intime, personale, të personit tjetër. Ajo që kërkohet prej Apostull Pavlit dhe, në vazhdim për çdo besimtar, nuk ishte të mësonte diçka për Krishtin, por ta njihte atë personalisht. Kjo njohje ndërthuret me fuqinë e Ngjalljes. Askush nuk mund të pretendojë se e njeh dhe ka lidhje personale me Krishtin, duke injoruar fuqinë e Ngjalljes. Por, as nuk mund të ndjejë dhe të jetojë këtë fuqi, pa shoqërinë personale me Krishtin. Ne thirremi "që të forcohemi me fuqi nëpërmjet Frymës së Tij në njeriun e brendshëm, që në zemrat tona të rrijë Krishti nëpërmjet besimit" (Efes. 3:16-17). Të përparojmë vazhdimisht në njohjen e thellë të Perëndisë - "duke u forcuar me çdo fuqi sipas pushtetit të lavdisë së tij", që në çdo rrethanë të kemi durim dhe zemërgjerësi (Kol. 1:10-11).

    Një tjetër parakusht për këtë njohje personale është gatishmëria e besimtarit për të njohur "pjesëmarrjen në pësimet e Tij", duke pranuar logjikën e sakrificës, të përuljes, të dashurisë, duke përjetuar idealin dhe bindjen konkrete ndaj vullnetit të Perëndisë, që përmbledh Kryqi. "Duke marrë formë të njëjtë me vdekjen e Tij" (Filip. 3:10). Sa herë besimtari ngre në mënyrë të vullnetshme kryqin personal, kontribuon që të ngrihet në mjedisin e vet Kryqi, simboli i fitores përfundimtare të njerëzimit mbi forcat satanike, simboli i dashurisë së përkryer.

    III

    Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij". "Fuqia e Ngjalljes", të cilën rrezaton Pashka, para së gjithash duhet të mbushë qenien tonë, të përhapet në mendjen dhe vullnetin tonë. Që shpirti ynë të qetësohet nga dhembja dhe boshllëku që na krijon fjetja e të dashurve tanë. Që të ndjejmë hirin e faljes së mëkateve që na është dhënë. Që të mposhtim tendencat që na shtyjnë drejt vdekjes shpirtërore, pasionet që na robërojnë, rëniet personale që na mundojnë. Por, gjithashtu, që të mund t’i falim ata që na kanë bërë padrejtësi dhe na kanë lënduar. Që të lirohemi nga disfatizmi, bre-ngat dhe mungesa e vullnetit.

    Fuqia e Ngjalljes duhet të bëhet energji e ndjeshme në mjedisin tonë, si fuqi qëndrese ndaj gjithçkaje vdekje-prurëse, që helmon shoqërinë njerëzore. Fuqi qëndrese ndaj padrejtësisë, dhunës, egocentrizmit dhe indiferencës.

    Fuqia e Ngjalljes duhet të gjejë shprehjen e saj si fuqi krijimtarie, e cila do të frymëzojë vepra të një kulture të vërtetë dhe do të mbështesë iniciativa paqeje dhe drejtësie. Kreativiteti është para së gjithash dhuratë e Perëndisë për njeriun dhe zhvillohet në mënyrë të shumanshme brenda dritës së Ngjalljes. Fuqia e Ngjalljes vepron kudo dhe kurdoherë, duke kontribuar në transformimin e jetës personale dhe shoqërore.

    * * *

    Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij".

    E kremtja e Pashkës vjen për të hedhur dritë, për të na forcuar shikimin shpirtëror, me qëllim që të shohim përtej fenomeneve larg, drejt fundit, drejt mbarimit të historis, drejt ngjalljes përfundimtare. Por, njëkohësisht, të na japë fuqi për të përballuar gjërat imediate, të përditshme. Mesazhi i saj i përjetshëm i jep kuptim dhe vlerë kësaj jete të përkohshme.

    Ndaj, le të marrim fuqi nga e kremtja e sotme, për të përballuar hijen e vdekjes, që shpesh endet rreth nesh dhe brenda nesh. Le të marrim fuqi qëndrese në rënie morale. Fuqi krijimtarie për një shoqëri solidariteti dhe dashurie; me më shumë dritë, me dritë Pashke. Krishti u Ngjall! Fuqia e Ngjalljes le t’i japë frymë të re dhe qëndrueshmëri jetës sonë.

    Me tërë dashurinë time,

    †Anastasi

    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

    Pashkë 2004

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

    Pashkë 2005
    (Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde)


    + Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë



    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    “Vërtet u ngjall Zoti!”

    Pashka përbën qendrën e Adhurimit Orthodhoks. Ngjallja e Krishtit është kurorëzimi i besimit tonë. Ajo vulos identitetin shpirtëror të orthodhoksëve. Përcakton fuqinë e mendimit orthodhoks.

    Megjithatë, shpesh sillemi sikur Krishti të mos jetë kryqëzuar dhe ngjallur për ne; si të bëhet fjalë për diçka që nuk ka të bëjë me jetën e përditshme, me gabimet, tradhtitë, dështimet dhe aspiratat tona. Ka njerëz të ndjeshëm që e shoqërojnë Krishtin deri në Kryqëzimin e Tij. Qëndrojnë me respekt para heroit, mikut të të munduarve dhe të varfërve, viktimës së njerëzve të padrejtë dhe dinakë, por, ndalojnë atje. Preken nga fakti që Jisui demaskoi të korruptuarit dhe hipokritët, por, kufizohen vetëm në këtë gjë. Ata e kanë të vështirë të hedhin hapin e mëtejshëm, nuk munden ta shohin Atë si Zot të jetës dhe të vdekjes, si të Ngjallurin së vdekuri, që hapi derën e shpresës në rrugën pa krye të vdekjes dhe që i dha kuptim jetës.

    Pikërisht, ky është mesazhi i ri vendimtar i Ungjillit: “Nëse nuk u Ngjall Krishti, i kotë është besimi juaj” (I Korint. 15:17). Ndaj përsërisim vazhdimisht himnin festiv “Krishti u Ngjall!” dhe psalim bashkë me psalmistin: “Të pakonceptueshmen e Kryqëzimit dhe të pashpjegueshmen e Ngritjes nga varri ne besimtarët e quajmë Mister të fshehtë; sot vdekja dhe Adhi u mposhtën, tërë gjinia njerëzore vishet me pavdekësi; ndaj dhe me ngazëllim thërrasim: Lavdi, o Krisht, Ngjalljes Sate” (Lutjesore, Ting. III, Ndenjësore e Shërbesës së Mëngjesit).

    Të gjithë ata që e kanë të vështirë të pranojnë këtë të vërtetë, le të mos harrojnë se përvoja të mëdha të jetës, sidomos përvoja e pakufishme, shumëdimensionale e dashurisë, kapërcejnë përshkrimet dhe përkufizimet intelektuale. Është çështje besimi, mund të thotë dikush. Sigurisht, por është dhe çështje lirie për hapin vendimtar drejt të parrëfyeshmes. Perëndia nuk na detyron t’i nënshtrohemi të vërtetës që Ai zbulon. Ai respekton lirinë tonë. Gjithsesi, ky besim përcakton në fund të fundit ndërgjegjen orthodhokse, duke iu hapur horizonte të pafund mendimit dhe përjetimit orthodhoks.

    * * *

    Kisha jonë, sidomos sot, këtë bindje në Ngjallje na fton ta përtërijmë. Të forcojmë besimin tonë “në një Zot… të Kryqëzuar dhe të Ngjallur”. Kur dobësohet besueshmëria e Ngjalljes, atëherë komuniteti ynë, edhe pse quhet i krishterë, shthuret. Shndërrohet në një grup të thjeshtë shoqëror, me pamje fetare ndoshta filantropik, që vetëm së jashtmi i bashkon anëtarët e tij. Nuk është më Kishë që të lartëson drejt Perëndisë, që bashkon besimtarin me Krishtin. Sa më thelbësore dhe më të fortë janë përjetimi dhe shpallja e Misterit të Pashkës, të faktit të Ngjalljes, aq më autentik dhe bamirës për mbarë njerëzimin bëhet prezenca dhe rrezatimi i Kishës.

    Duke vështruar drejt, Zotit të Ngjallur së vdekuri, të cilit i është dhënë “çdo pushtet në qiell e mbi dhé” (Matth. 28:18), ne parashijojmë Ngjalljen në jetën e përditshme. Madje edhe kur konstatojmë bashkë me Psalmistin se “më kishin rrethuar dhembjet e vdekjes, më kishin tmerruar përrenjtë e padrejtësisë, më kishin lidhur rreziqet e ferrit, më kishin shtrënguar prangat e vdekjes” (Psal. 17:5), ndjejmë brenda vetes një fuqi mistike qëndrese ndaj çdo forme korruptimi dhe dekadence.

    Ngjarja më e sigurt, pritja e fundit të udhëtimit tonë në këtë botë – nga ndonjë sëmundje, aksident apo nga pleqëria – ndriçohet qetësisht. Për këdo që i beson Ngjalljes, e ardhmja e kapërcen kufirin e vdekjes në tokë. “Prandaj nuk ligështohemi, por edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshmi përtëritet dita me ditë” (II Korint. 4:16). Kushdo që ka si Frymëzues, Mbështetje, “Zot”, të Kryqëzuarin dhe të Ngjallurin së vdekuri, përjeton gjënë më të çmuar dhe më të fuqishme që mund të ekzistojë.

    * * *

    Por, ekziston dhe një anë tjetër, kritike për shumë të krishterë: Shpesh me gojë ne i referohemi Ngjalljes, por morali dhe jeta jonë e përditshme lëvizin nën hijen e Adhit, larg dritës së mrekullueshme të Pashkës, në skuta të errëta, në vende hipokrizie, gënjeshtre, padrejtësie, egërsie, nënshtrimi në dinastinë e shumë pasioneve; kur përbuzim në praktikë rrjedhojat e Ngjalljes; kur mendimin e Ngjalljes e zëvendësojmë me atë të trupit.

    Me ngjarjen paskale “të vjetrat shkuan dhe ja, të gjitha u bënë të reja”, thekson Shën Grigor Theologu; dhe nxit secilin prej nesh “ndryshohuni në ndryshimin e mirë”. Çdo besimtar ftohet që të përjetojë një ndryshim thelbësor për më mirë. Në uratën e përgatitjes për të marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore, në Darkën e Kryqëzimit dhe të Ngjalljes, në të cilën arrin kulmin lidhja personale me Krishtin, Shën Simeon Përkthyesi vë në gojën e çdo besimtari fjalët: “…me ngjalljen Tënde triditëshe dhe jetëdhënëse, ngjalle njeriun e parë të rënë, më ngjalle mua që rrëshqita në mëkat duke më dhënë mënyra pendese”. Zgjidhja për të rigjetur shkëlqimin e mendimit dhe moralit orthodhoks që ndriçohen nga Ngjallja, është pendesa e ndershme, e vazhdueshme dhe në praktikë; një ecje e brendshme përtëritjeje shpirtërore brenda shenjtërisë së vetëdërrmimit dhe përuljes së sinqertë. Duke ndezur llambadhën e Pashkës, ftohemi që të hapim tejpërtej qenien tonë që të hyjë “dritë nga drita që nuk perëndon” në ndërgjegjen, në vullnetin dhe në vendet e fshehta të subkoshiencës sonë, “në të fshehtat e zemrës”, dhe të pastrojë nga çdo mëkat “shpirtin tonë të ndodhur në errësirë”. Që të bëhemi njerëz të vërtetë, të sinqertë, të ndershëm, të drejtë e të ndriçuar.

    * * *

    Në këtë të kremte të madhe sot, Kisha jonë Orthodhokse na e risjell me tërë shkëlqimin dhe intensitetin e adhurimit të saj, të vërtetën madhështore: Krishti u Ngjall! Që të na ftojë të përgjigjemi jo vetëm me gojë, por me zemrën dhe me gjithë dëshirën tonë: Vërtet u Ngjall! Dhe, me përulësi, të lutemi: “Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde”. Që ne t’i gëzohemi kapërcimit të qorrsokakut të vdekjes. Që të absorbojmë diçka nga drita e pashuar e së vërtetës dhe shpresës që i solle njerëzimit. “Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde”. Që ne të ndjejmë diçka nga fuqia e saj e pashtershme transformuese. Dhe për ata që qëndrojnë të ngurruar para këtij besimi, hap, o Zot, rrugëkalime në zemrën e tyre që të hyjnë rrezet e Ngjalljes Sate.

    Pashka, vëllezër, është një thirrje e fortë për t’u zgjuar; që të lulëzojë përsëri dhe të japë fryte besimi ynë tek Ngjallja. Që të bashkërendohemi edhe njëherë në ritmin orthodhoks të jetës, të rigjejmë moralin e Ngjalljes.

    Me të gjithë dashurinë time

    + Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

    Tiranë, 1 maj 2005

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22
    Pashkë, 2008


    Shpresë dhe fuqi

    +Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë



    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,


    Shpresën, në tërë plotësinë e saj, e ripërtërin çdo vit në zemrën e besimtarëve festa e Ngjalljes. Shpresën në triumfin përfundimtar të drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, e mbi të gjitha, shpresën në fitoren përfundimtare të jetës mbi vdekjen.

    Kryqëzimi dhe varrimi i Jisuit i hodhën nxënësit e Tij në hidhërim dhe në dëshpërim. Por në një kohë të shkurtër, siguria se “u ngjall Krishti me të vërtetë” i dha krahë shpresës së tyre dhe i transformoi ata në apostujt dinamikë të Tij. Si përfundim, përvoja paskale përcaktoi shpresën mahnitëse dhe fuqinë e të gjithë atyre që në vazhdim, në mbarë shekujt, u bënë dëshmitarë të Ngjalljes, në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e tokës.

    A

    “I bekuar qoftë Perëndia…i cili sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përsëri në një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pet. 1:3).

    Shkrimi i Shenjtë është i mbushur me referime që kanë lidhje me shpresën. Vargje të shumta biblike theksojnë kuptimin dhe vlerën e saj. Por shpresa e krishterë arrin pikën më të lartë dhe kuptimin më të thellë të saj në sigurinë për triumfin e Krishtit mbi vdekjen dhe transformimin përfundimtar të trupit, që do të bëhet shpirtëror, i paprishshëm dhe i pavdekshëm, “për një trashëgimi të paprishshme, të papërlyer dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ne” (1 Pet. 1:4). Siç e thotë në mënyrë të përmbledhur Vasili i Madh, Krishti i kryqëzuar “zgjidhi dhimbjet e vdekjes dhe pasi u ngjall të tretën ditë, i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish. Meqë nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes kryetari i jetës, u bë pema e parë e të fjeturve, i paralinduri nga të vdekurit, që të jetë Ai gjithçka, duke qenë i pari në të gjitha” (Liturgjia Hyjnore). Kjo e vërtetë përbën themelin e shpresës sonë për ngjalljen e të vdekurve në të fundmet e Historisë.

    Përvoja paskale jep që tani pjesëmarrjen në misterin e jetës së re, gjë të cilën Krishti na e bën të arritshme nëpërmjet mistereve të Kishës sonë. Në këtë mënyrë Ngjallja e Krishtit e shtrin shpresën drejt së ardhmes, drejt përjetësisë dhe me dinamizmin e saj, e lartëson gjithë jetën e besimtarit me një intensitet të paparë.

    Në një kohë kur shqetësime të çdo lloji dhe ngjarje tragjike po përhapin ankth dhe shkurajim në jetën tonë, festa e Ngjalljes jep shpresë të vërtetë në zemrën tonë që nuk gjen qetësi. Nuk i referohet ndonjë ideje apo propozimi të pacaktuar, por lidhet me një person që duroi tortura të frikshme, i cili në fund triumfoi dhe fitoi mbi vetë vdekjen. Hyrja e tij në jetën e njerëzimit, fjala, vepra, sakrifica e tij zbuluan dashurinë e pakonceptueshme të të Gjithëpushtetshmit Perëndi për njeriun. Shpresa e Ngjalljes ndriçon ndërhyrjen e Perëndisë brenda historisë dhe paralajmëron plotësimin e saj në të fundmet.

    Pra, duke e mbështetur vështrimin dhe zemrën tonë në Krishtin e Ngjallur, mund të përballojmë realitetin mizor të jetës sonë me shpresën që ndryshon krejtësisht edhe kushtet më tragjike, duke u dhënë atyre kuptim shpëtimtar. Kur sprovat, dhimbja, sëmundja, vdekja e njerëzve tanë të dashur e errësojnë mendjen dhe zemrën tonë, shpresa nga prania e Zotit të Ngjallur ngushëllon dhe fal fuqi. Kur gjatë rrugëtimit tonë personal përballemi me hidhërime të ndryshme, padrejtësi dhe zhgënjime nga korruptimi i përhapur gjerësisht, nuk zhytemi në melankoli dhe në dëshpërim. E dimë se në fund e ardhmja, si e jona dhe e mbarë njerëzimit, nuk varet nga arroganca dhe planet imorale të të mëdhenjve apo të vegjëlve. Shpresa jonë mbështetet në mesazhin fitimtar të Ngjalljes, në sigurinë se Jisu Krishtit iu dha “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé” (Matth. 28:18). Se Ai qëndron pranë nesh. Prandaj dhe festojmë duke psalur: “O zëri yt i hyjshëm, i dashur dhe fort i ëmbël, se me të vërtetë u zotove të jesh bashkë me ne gjer në mbarim të jetës, o Krisht, këtë zë duke e patur ne besnikët si spirancë shprese, ngazëllohemi”.

    B’

    Shpresa që buron prej Ngjalljes çel horizontin në përjetësi. Por jo për të humbur në ide të pacaktuara, por që të përballemi me konkreten dhe të sotmen me paqe dhe fuqi. Ne të krishterët, si bij të Ngjalljes, bëjmë pjesë tek ata,“që ruhemi me fuqinë e Perëndisë” (1 Pet. 1:5). Pas Ngjalljes së Tij, Zoti u premtoi nxënësve të frikësuar: “Do të merrni fuqi prej së larti kur të vijë Shpirti i Shenjtë mbi ju” (Vep. 1:8). Të gjitha gjërat e mëpastajme në jetën apostolike u zhvilluan “në fuqinë e Perëndisë”.

    Në tekstet e apostujve, një vend mbizotërues ka referimi në fuqinë unikale të Perëndisë. “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13), zbulon apostull Pavli. Dhe na këshillon: “Forcohuni në Zotin dhe në pushtetin e fuqisë së tij” (Efes. 6:10). Por nxjerr në pah, nevojën për t’iu afruar në një mënyrë sa më thelbësore misterit të Kryqit dhe të Ngjalljes së Zotit, “për të njohur atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij... duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Filip. 3:10), pra duke përqafuar vendimin e sakrificës dhe të bindjes absolute ndaj vullnetit të Perëndisë.

    Kryqëzimi dhe Ngjallja e Krishtit, e forcojnë me një fuqi të veçantë vullnetin tonë, që të mund të përballojmë tundimet dhe të durojmë sprovat. Fuqi për të falur frikën, shpirtvogëlsinë dhe mosmirënjohjen e tanëve apo të huajve; për të falur ata që na bëjnë padrejtësi ose na urrejnë; fuqi për të duruar në lodhje dhe në shkurajim. Për të mos u përkulur para presioneve të paligjshme të të fortëve. Fuqi për të duruar dhimbjen e sëmundjes, tonën dhe atë të njerëzve të afërm, për t’u paqtuar gjatë largimit nga kjo botë, fuqi për të duruar ndarjen nga njerëzit tanë të dashur dhe për të mos u sjellë “si të tjerët, që nuk kanë shpresë” (1 Thes. 4:13). Fuqi me pritjen e qetë të ngjalljes përfundimtare.

    * *

    Le të çelen shpirtrat dhe mendja jonë brenda rrezatimit të dritës së Ngjalljes, për të ndjerë nga afër mesazhet që na jep Ngjallja e Krishtit, dhe t’i transmetojmë ato me ngazëllim.

    Shpresa e Ngjalljes nuk imponohet. Ajo transmetohet nga njëri tek tjetri.
    Le ta sjellim me fjalën dhe jetën tonë në shoqërinë tonë të plagosur.

    Uroj me gjithë shpirt që jeta jonë e përditshme, të mbështetet në shpresën dhe fuqinë që na fal Ngjallja; në shpresën për mbizotërimin final të së drejtës, për shfuqizimin e vdekjes dhe për fitoren përfundimtare të jetës; në shpresën që bazohet në sigurinë se Krishti i Ngjallur është Zoti i jetës dhe i vdekjes. Ngjallja e Krishtit le të na falë fuqinë për të përballuar me kthjelltësi sprovat, për të mbrojtur të vërtetën, drejtësinë, dinjitetin e çdo personi njerëzor, pa dallim origjine; fuqi për të rikrijuar në çdo fushë të jetës, që lartëson njeriun dhe gjithë shoqërinë.

    Krishti u Ngjall! Le të mbushet shpirti ynë me shpresën dhe me fuqinë e Tij.

    Me gjithë dashurinë time,
    + Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

  4. #4
    kristiani Maska e krishterprizren
    Anëtarësuar
    31-03-2008
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    250
    Gëzuar Pashkët
    komunitetit ortodoks
    Zoti është dashuri

  5. #5
    Armagedon Maska e BLACK_SOUL
    Anëtarësuar
    15-12-2006
    Vendndodhja
    NE BOTE
    Postime
    31
    vertet U Ngjall Zoti!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 28-04-2008 më 11:56
    "Asnjë veprim nuk ka kuptim nëse nuk është fryt i lirisë."

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e born to kill
    Anëtarësuar
    29-02-2008
    Vendndodhja
    VIJ VERDALLE
    Postime
    23
    "me Mire Se Ne çdo Vend Tjeter Te Botes Ne Ketu Ne Shqiperi Jemi Shembulli I Tolerances Fetare. Krishti U Ngjall, Dhe Per Kete Nuk Ka Dyshime, Se Deshmia E Shfaqjes Se Zotit Krisht Pas Vdekjes Tek Grate Miroprurese, Tek Apostujt, Eshte Deshmi E Gjalle! Po Ashtu Edhe Prokofet [rripa E Pelhures] Qe Ai La Ne Varr, Verteton Se Ai U Ngjall Dhe Jo U Vodh, Siç Pretenduan Judenjte E Ushtaret Romake" Krishti U Ngjall! Paqe, Miresi, Dhe Me Shume Dashuri Per Njeri-tjetrin! Gezuar Pashket!

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e I KTHYERI
    Anëtarësuar
    03-12-2006
    Postime
    85

    Gezuar Per Shume Vjet Pashken

    Gezuar Pashken Te Gjithe Orthodhokseve Dhe Ai Qe U Ngjall Se Vdekurish Dhe Ndricoi Gjithe Njerezimin Ndricofte Edhe Jetet Tona. Gezuar Per Shume Vjet Pashket, Krishti U Ngjall.

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Urim

    Krishti u ngjall se vdekuresh, me vdekje vdekjen shkeli edhe te varrosurve, jeten u fali.
    Gezuar dhe per shume vjet Pashken e Krishtit dhe te te gjitheve ne, te gjithe orthodhokseve ju uroj ngjallje te gezuar.
    Kjo eshte dita e Zotit le te ngazellohemi dhe te defrejme ne ate.

Tema të Ngjashme

  1. Java e Madhe - Java e Shenjtë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 105
    Postimi i Fundit: 11-04-2023, 00:45
  2. Mesazhi i Pashkes nga Kryepiskopi ANASTAS
    Nga isidor në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-04-2009, 02:55
  3. Shërbesa dhe lutje kishtare
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 23-12-2006, 17:16
  4. Ç'është Krishti?
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 23-07-2006, 17:18
  5. ADHURIMI - Kapitulli IV: Viti Kishtar
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 01-04-2005, 01:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •