Më në fund, skuderia japoneze ka vendosur të publikojë shokun e skuadrës së Ralf Shumakerit për sezonin 2005
Skuderia japoneze Toyota ka bërë të ditur dje paradite se Jarno Truli ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me ta. Marrëveshja, me sa duket, është arritur më 14 shtator në Këln. Gjithsesi, ky tashmë nuk përbën ndonjë lajm surprizë, sepse kishte shumë kohë që qarkullonin fjalë për një "lidhje" të tyren. Dje piloti italian ka provuar makinën e re TF104B në Silverston. Përsa i përket Rikardo Zontës, skuderia japoneze ka bërë të ditur se ai do të vazhdojë të pilotojë makinën e tretë gjatë sesioneve të lira të ditës së premte. Por jo vetëm këtu, ai do të jetë i pranishëm dhe gjatë testimeve private që do të bëjë skuadra gjatë vitit. Rajën Briskoja do të vazhdojë të jetë nën kontratë edhe për sezonin 2005, por nuk do të jetë një pilot kolaudator i rregullt. Gjithsesi, ai do të vazhdojë të ketë ndihmën e skuadrës, derisa të gjejë një skuadër ku të jetë pilot zyrtar. "Tashmë nuk është më sekret që ne kemi biseduar me Jarno Trulin. Por kontratën dhe gjithçka tjetër zyrtare ne e kemi përfunduar vetëm këtë javë të fundit. Jarnoja ka treguar në këtë sezon të gjitha aftësitë e tij dhe pjekurinë si pilot, si në prova, ashtu edhe në gara. Do të jetë shoku i skuadrës së Ralf Shumakerit në sezonin e ardhshëm. Meqë ra fjala, dua t'u them të gjithëve se nuk ekziston ndonjë hierarki midis 2 pilotëve tanë. Ralfi dhe Jarnoja do të kenë të njëjtin status dhe të njëjtat shanse për të fituar. Duam gjithashtu që edhe Rikardo Zonta të qëndrojë me ne. Me Olivierin, Rikardoja ka treguar se shkon mjaft mirë. Puna e të dyve i ka dhënë rezultate shumë të mira skuadrës në 2 vitet e fundit. Tashmë me Ralfin, Jarnon, Olivierin dhe Rikardon, Toyota do të jetë skuadra me pilotët më të mirë," - ka thënë Tsutomu Tomita, përgjegjësi i skuderisë Toyota.
Krijoni Kontakt