Montoja: Do të rikthej buzëqeshjen
Huan Pablo Montoja ka bërë të ditur se do të arrijë një rezultat pozitiv për skuderinë e tij në Çmimin e Madh të Anglisë, që është dhe gara e shtëpisë për McLaren-in. Që nga fillimi i sezonit, piloti kolumbian nuk ka arritur të ngjitet në podium dhe duhet theksuar se nuk është ngjitur asnjëherë që nga koha kur është larguar nga skuderia Williams-BMW. Në garën e kaluar të Manji-Kurit, ai është detyruar të dalë jashtë gare, për shkak të problemeve me makinën. Për këtë fundjavë, Montoja kërkon të bëjë të buzëqeshin pjesëtarët e skuadrës. "Pasi nuk arrita një rezultat të mirë në garën e Francës, këtë e shpresoj në Çmimin e Madh të Anglisë, - ka thënë piloti kolumbian i skuderisë McLaren-Mercedes. - Makina MP4-20 është shumë e përshtatshme për karakteristikat e pistës së Silverstonit. Në këtë sezon do të jetë hera e parë që unë do të zhvilloj këtë garë me skuderinë McLaren. Di që shumë nga inxhinierët dhe punonjësit tanë nga Uokingu dhe nga Briksuorthi, do të jenë të pranishëm nëpër tribuna për të na mbështetur. Shpresoj që t'u jap mundësinë për të festuar diçka. Kjo pistë më pëlqen shumë, pasi arrij ta çoj makinën drejt limiteve. Për 3 pjesët e gjata të drejta dhe më pas për disa kthesa, duhet një fuqi e madhe motorike, por, nga ana tjetër, makina duhet të jetë dhe shumë e balancuar për të pasur një nivel sa më të lartë gripimi. Me fjalë të tjera mund të them se makina duhet të ketë një ngarkesë mesatare aerodinamike. Në pistën e Silverstonit ka disa pika ku mund të parakalohet. Pika më e mirë për të bërë këto manovrime, është hyrja e kthesës Stou, por me të njëjtën lirshmëri mund të parakalosh edhe në Valo apo Klab." Edhe drejtori i përgjithshëm i skuderisë McLaren, Martin Uitmarsh, është shumë optimist për këtë garë dhe beson se të dyja makinat e kësaj skuderie do të kenë mundësi të ngjiten në podiumin e pistës së Silverstonit. "Makina jonë Mp4-20 është në një formë shumë të mirë dhe këtë gjë e treguan të dy pilotët tanë, Huan Pablo Montoja dhe Kimi Raikonen, në garën e Francës. Përsa i përket garës së Anglisë, e cila mund të konsiderohet si gara e "shtëpisë" për ne, duhet theksuar se i kemi të gjitha mundësitë për t'i renditur makinat tona në podium. Në fillim të qershorit kemi zhvilluar disa testime me makinat tona në Silverston. Tashmë na mbetet që të bëjmë disa rregullime të vogla në konfigurimin e makinës përpara garës së kësaj jave. Na duhet të punojmë shumë edhe me gomat Michelin," - ka përfunduar Uitmarshi
Krijoni Kontakt