Close
Faqja 19 prej 22 FillimFillim ... 91718192021 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 181 deri 190 prej 211
  1. #181
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Montoja: Do të rikthej buzëqeshjen



    Huan Pablo Montoja ka bërë të ditur se do të arrijë një rezultat pozitiv për skuderinë e tij në Çmimin e Madh të Anglisë, që është dhe gara e shtëpisë për McLaren-in. Që nga fillimi i sezonit, piloti kolumbian nuk ka arritur të ngjitet në podium dhe duhet theksuar se nuk është ngjitur asnjëherë që nga koha kur është larguar nga skuderia Williams-BMW. Në garën e kaluar të Manji-Kurit, ai është detyruar të dalë jashtë gare, për shkak të problemeve me makinën. Për këtë fundjavë, Montoja kërkon të bëjë të buzëqeshin pjesëtarët e skuadrës. "Pasi nuk arrita një rezultat të mirë në garën e Francës, këtë e shpresoj në Çmimin e Madh të Anglisë, - ka thënë piloti kolumbian i skuderisë McLaren-Mercedes. - Makina MP4-20 është shumë e përshtatshme për karakteristikat e pistës së Silverstonit. Në këtë sezon do të jetë hera e parë që unë do të zhvilloj këtë garë me skuderinë McLaren. Di që shumë nga inxhinierët dhe punonjësit tanë nga Uokingu dhe nga Briksuorthi, do të jenë të pranishëm nëpër tribuna për të na mbështetur. Shpresoj që t'u jap mundësinë për të festuar diçka. Kjo pistë më pëlqen shumë, pasi arrij ta çoj makinën drejt limiteve. Për 3 pjesët e gjata të drejta dhe më pas për disa kthesa, duhet një fuqi e madhe motorike, por, nga ana tjetër, makina duhet të jetë dhe shumë e balancuar për të pasur një nivel sa më të lartë gripimi. Me fjalë të tjera mund të them se makina duhet të ketë një ngarkesë mesatare aerodinamike. Në pistën e Silverstonit ka disa pika ku mund të parakalohet. Pika më e mirë për të bërë këto manovrime, është hyrja e kthesës Stou, por me të njëjtën lirshmëri mund të parakalosh edhe në Valo apo Klab." Edhe drejtori i përgjithshëm i skuderisë McLaren, Martin Uitmarsh, është shumë optimist për këtë garë dhe beson se të dyja makinat e kësaj skuderie do të kenë mundësi të ngjiten në podiumin e pistës së Silverstonit. "Makina jonë Mp4-20 është në një formë shumë të mirë dhe këtë gjë e treguan të dy pilotët tanë, Huan Pablo Montoja dhe Kimi Raikonen, në garën e Francës. Përsa i përket garës së Anglisë, e cila mund të konsiderohet si gara e "shtëpisë" për ne, duhet theksuar se i kemi të gjitha mundësitë për t'i renditur makinat tona në podium. Në fillim të qershorit kemi zhvilluar disa testime me makinat tona në Silverston. Tashmë na mbetet që të bëjmë disa rregullime të vogla në konfigurimin e makinës përpara garës së kësaj jave. Na duhet të punojmë shumë edhe me gomat Michelin," - ka përfunduar Uitmarshi

  2. #182
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Sulmet terroriste nuk e pengojnë garën e Silverstonit



    Shpërthimet e eksplozivëve të terroristëve dje në Londër, kanë vënë në dyshim Çmimin e Madh të Anglisë, i cili do të zhvillohet këtë fundjavë në Silverston. Përveç kësaj janë anuluar të gjitha festimet që ishin përgatitur për fitoren e Londrës për Lojërat Olimpike 2012. Këto sulme terroriste kanë shkaktuar disa të vdekur dhe qindra të plagosur. Pista e Silverstonit, ku pritet të zhvillohet gara ditën e diel, ndodhet vetëm 80 milje larg Londrës. Gjithsesi, nëse gara do të anulohet, një nga arsyet do të jetë zija kombëtare që mund të vendoset, megjithatë ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar. Në çdo moment mund të ndryshojnë gjërat, pasi policia është duke bërë kërkime dhe mundohet të shpëtojë të plagosurit, por të shohim se çfarë do të ndodhë me Formulën 1, sepse sot duhet të zhvillohen provat e lira. "Nuk e kuptoj se përse vazhdojnë të ndodhin tragjedi të tilla. Megjithatë, Lojërat Olimpike do të vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytetin britanik. Kemi shumë besim tek autoritetet londineze, përsa i përket sigurisë në vitin 2012," - ka thënë Tesa Xhouell, presidentja e Komitetit Olimpik të Londrës. Ndërkohë, organizatorët e garës së Silverstonit kanë bërë të ditur se janë marrë masa të mëdha sigurie. "Pa dyshim që jemi alarmuar dhe kemi marrë masa të mëdha sigurie. Nuk ka arsye përse të krijojmë panik," - ka thënë zëdhënësi për shtyp i pistës së Silverstonit, Xhon Harton. Kjo do të jetë gara e 11-të e këtij sezoni dhe për të priten rreth 100.000 spektatorë në pistë.

  3. #183
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Formula 1 ngushëllon familjarët e viktimave


    Çmimi i Madh i Anglisë do të zhvillohet normalisht, por Formula 1 do të mbajë një minutë heshtje për viktimat e atentateve që janë bërë ditën e enjte në Londër. Këtë gjë e ka vendosur FIA, e cila ka nxjerrë një deklaratë zyrtare në një konferencë për shtyp në Silverston. "Në shenjë respekti ndaj atyre personave që humbën jetën në këto atentate terroriste do të mbahet një minutë heshtje përpara fillimit të Çmimit të Madh të Anglisë, që do të zhvillohet ditën e dielë, më 10 korrik," ka thënë presidenti i FIA-s, Maks Mozlei. Edhe vetë Berni Ekleston, pronari i këtij sporti, e ka përjashtuar faktin që kjo garë mund të anulohet. "Nuk mendoj se qeveria britanike do ta anulojë zhvillimin e kësaj gare, për shkak të atentateve që i janë bërë Londërs ditën e enjte; qeveria nuk ka anuluar asnjëherë asgjë. Duhet të theksojmë se kjo është bota që po jetojmë," ka deklaruar Ekleston. "Në këtë moment tragjik FIA, pista e Silverstonit, skuderitë, pilotët dhe të gjithë që janë pjesëtarë të Formulës 1, u dërgojnë ngushëllimet e tyre familjarëve të viktimave," ka shtuar më pas Mozlei në konferencën për shtyp. "Pas këtyre atentateve, organizatortë e pistës së Silverstonit duan t'i sigurojnë të gjithë pjesëtarët e këtij sporti, si dhe tifozët, për një zhvillim normal të garës. Eshtë ndërtuar një projekt sigurie, i cili i është paraqitur me detaje policisë, dhe ata e kanë pranuar."

  4. #184
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Ferrari gati për rikthim në Angli


    Pilotët e skuderisë Ferrari kanë qëndruar një ditë përpara prezantimit në Angli. Rubensi dhe Majkëlli kanë qenë në Rokingham, e cila është një pistë tjetër makinash. Atje ata kanë pilotuar një makinë speciale, vënë në dispozicion nga sponsori tyre Shell për të parë konsumin. "Shelli bën gjëra të çuditshme me teknologjinë që ka, por dua ta pranoj që mungesa e shpejtësisë së makinës më ka nervozuar disi," ka thënë Rubens Barrikelo. Pasi ka vizituar edhe Londërn, piloti brazilian është pyetur edhe për atentantet që ndodhën në kryqytetin anglez. "Kur jam në Europë shoh shpesh kronika dhune si ato që përdoren në Brazil, por dua të them se ato kronika janë të lidhura me njerëzit që vjedhin ora nëpër rrugë, dhe jo me të gjithë brazilianët. Për këtë arsye mund të them se jam shumë i zhgënjyer nga ajo që pashë në Londër. Terrorizmi është një çmenduri, megjithatë ne pilotët nuk mund të bëjmë gjë tjetër, pëveçse të ofrojmë pak spektakël këtë fundjavë për ta zbutur disi hidhërimin."
    Më pas piloti i Ferrarit është pyetur për gjysmën e parë të sezonit. Gjithashtu Rubensin e kanë pyetur për idenë e përdorimit të vetëm një kompleti gomash për një garë. "Mund të them se ky ndryshim ka sjellë më shumë parakalime, sidomos kur vjen fundi i garës, ku pilotët e ulin disi ritmin për ndonjë problem gomash apo për problme të tjera. Këtu kanë të bëjnë shumë edhe diferencat midis këtyre dy firmave." Pista e Silverstonit është një nga më të preferuarat për Rubensin. "Në pistën britanike gjithmonë kam arritur rezultate të mira, si në pistë të thatë ashtu edhe në pistë të lagësht. Për këto arsye them se do të arrij këtë fundjavë një rezultat pozitiv. Edhe nëse provat do të zhvillohen në pistë të lagur, dhe gara në pistë të thatë, unë në të dyja rastet do të arrija ta çoja makinën time drejt limiteve, pasi e njoh vërtet shumë mirë Silverstonin, aq mirë sa mund të zhvilloj xhiro me sy mbyllur."
    Më pas ka qenë shoku i tij i skuadrës, Majkëll Shumaker, ai i cili është përballur me gazetarët në konferencë për shtyp. Në fillim ai është pyetur për këtë gjendje të tensionuar që është krijuar në Angli. "Unë mendoj se në këto momente është më mirë të qëndrosh pranë vendngjarjes sesa larg saj. Gjithashtu jam i sigurtë se në Silverston do të merren masa sigurie dhe nuk do të ketë asnjë problem." Edhe kampioni i botës në fuqi, padyshim që është pyetur për gjysmën e parë të sezonit. Ai është pyetur gjithashtu nëse ka mbetur i befasuar nga garat e vështira për të në këtë sezon. "Jo shumë, sepse e kuptuam situatën edhe gjatë testimeve të dimrit. Kjo është një sfidë vërtet shumë e vështirë për ne. Disa momente kanë qenë shumë të mira, por ka pasur edhe momente që kanë qenë më pak të këndshme." Nuk mund t'i shpëtonte pyetjes për rregullin e përdorimit të një kompleti gomash për gjatë gjithë garës. "Të them të drejtën, nuk më duket se ka shumë ndryshim. Padyshim, si pilot që jam do të më pëlqente të kisha më shumë goma në dispozicion."

  5. #185
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Alonso merr "polin" e katërt në Silverston



    Fernando Alonso ka arritur "polin" e katërt në këtë sezon, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Silverstonit. Gjithsesi, koha e tij ka qenë vetëm 27 të mijëtat më e shpejtë sesa ajo e Kimi Raikonenit. Në përfundim të provave, spanjolli i skuderisë Renault ka deklaruar: "Zhvillova një xhiro shumë të mirë, pasi edhe makina ishte në gjendje perfekte. Në të vërtetë, ky "pole" për mua ishte krejtësisht një surprizë, të them të drejtën, por duhet të përmend se edhe skuadra kishte bërë një punë shumë të mirë me makinën. Përsa i përket garës, mendoj se do të ndjekim një strategji pak a shumë të ngjashme me atë që ndoqëm në pistën e Manji-Kurit, pasi jemi në të njëjtat pozita. Gjithsesi, gara është shumë e gjatë dhe shumë gjëra mund të ndodhin. Më vjen keq për Kimin, i cili do të vuajë edhe një ndëshkim tjetër, por për ne ky është një lajm pozitiv. Për këtë fundjavë kemi dhënë maksimumin deri tani, shpresojmë ta përfundojmë me një rezultat akoma më pozitiv."


    Ferrari
    Rubens Barrikelo
    "Mund të them se nuk jam shumë i zhgënjyer nga këto prova. Të nisesh nga vija e tretë, nuk është një rezultat shumë i keq. Dhashë maksimumin tim në xhiron e shpejtë, por menjëherë e kuptova se nuk kisha mundësinë për të luftuar për "polin". Shpresoj të zhvillojmë një garë të mirë nesër, sepse edhe gomat Bridgestone duket se janë përmirësuar ndjeshëm."

    Majkëll Shumaker
    "Nuk jam shumë i kënaqur me xhiron time të shpejtë që regjistrova. Kisha probleme me makinën dhe nuk arrita të nxirrja maksimumin. Në pjesën e tretë të pistës kisha probleme me njërën nga gomat e pasme. Tashmë na duhet të zgjidhim këto probleme dhe të zhvillojmë një garë të qetë.

  6. #186
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Motori ndëshkon sërish Raikonenin



    Piloti finlandez i skuderisë McLaren-Mercedes ka arritur të renditet në vendin e dytë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Silverstonit, megjithatë ai do të niset nga vendi i 12-të, pasi ka ndryshuar sërish motorin. Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës, Huan Pablo Montoja, u rendit në vendin e katërt dhe do të niset nga vendi i tretë. Në përfundim të këtyre provave, finlandezi Raikonen ka deklaruar: "Jam shumë i nevrikosur që do të detyrohem të humbas sërish 10 pozicione në renditjen e nisjes, ashtu si në garën e Francës. Nuk di se çfarë mund të bëj, më mbetet ta çoj makinën drejt maksimumit dhe të shpresoj të jem disi me fat. Gjithçka mund të ndodhë dhe ne do të bëjmë maksimumin." Ndërkohë, Huan Pablo Montoja ka deklaruar: "Bëra një xhiro të mirë. Ndoshta do të isha rreth 1 po 2 të dhjetat më i shpejtë, por bëra një gabim në futjen në kthesën e parë. Pjesa tjetër e xhiros shkoi shumë mirë dhe unë pilotova si i çmendur. Kam shumë besim se do të bëj një nisje të mirë dhe një garë po kaq të mirë." Përsa i përket strategjisë, më pas ka folur numri 1 i kësaj skuderie, Ron Denis. "Tashmë strategjitë tona do të ndryshojnë sërish në bazë të renditjeve të pilotëve tanë në provat zyrtare. Si Kimi, ashtu dhe Huan Pablo bënë një punë të mrekullueshme. Shpresojmë që t'ia dalim mbanë edhe në këtë fundjavë, ashtu si në garën e Francës." I kënaqur për këto rezultate ka qenë Norbert Hag, drejtori sportiv i Mercedes-it. "Kimi bëri një xhiro vërtet shumë të mirë. Pasi i kishim ndryshuar motorin për problemin që pati, ky ishte rezultati më i mirë që mund të arrinte. Duhet të theksojmë se "poli" që mori Alonso, ishte vetëm 27 të mijëtat më i shpejtë. Më vjen keq për të që nuk do të ketë mundësi të niset nga vija e parë. Shpresoj që t'ia dalë mbanë sërish nesër, si në garën e Francës."

  7. #187
    ~Alb-Digital~ Maska e viganv
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,771
    Baton: Unë jam nr.1 i Formulës 1



    Piloti britanik ka bërë të ditur se do të tregojë menjëherë talentin e tij, kur t'i ofrohet një makinë ideale. 25?vjeçari do të paraqitet në Çmimin e Madh të Anglisë pa arritur ende një fitore në Formulën 1, që nga koha kur ka debutuar në këtë sport përpara 6 vjetësh. Fundjavën e kaluar, në Çmimin e Madh të Francës, ai është renditur në vendin e katërt.
    Pikën e parë për skuderinë BAR?Honda, për këtë sezon, ai e ka marrë pikërisht në Manji?Kur. Gjithsesi, Batoni këmbëngul se është numri 1 i këtij sporti. Atë nuk e mund askush, duke përfshirë këtu edhe 7 herë kampionin e botës, Majkëll Shumakerin. "Formula 1 nuk është si të gjitha sportet e tjera. Duhet të jesh në momentin dhe në vendin e duhur, duke pasur dhe makinën e duhur. Nëse Alonso nuk do të garonte në këtë sezon me Renault?në, por me Ferrarin, nuk do të kishte fituar asnjë garë deri tani, përveç Indianapolisit, ku morën pjesë vetëm 6 makina. Skuderia dhe një makinë ideale janë shumë të rëndësishme në Formulën 1. Janë drejtuesit e skuadrave dhe inxhinierët që marrin vendime, dhe nëse ato janë të sakta, edhe piloti arrin rezultate pozitive. Për këtë arsye, unë e përsëris edhe një herë se askush në Formulën 1 nuk është më i mirë se unë, as Majkëll Shumakeri. Ndoshta ju nuk mendoni këshu. Vetëm Edi Irvain ka deklaruar se Majkëlli është më i miri nga të gjithë. Ndihem se jam në një formë shumë të mirë. As Shumi nuk do të arrinte të fitonte 7 tituj kampion, nëse nuk do të kishte mbështetjen e skuadrës," ? ka thënë Batoni.
    Nuk ka asnjë fitore. Edhe Najgëll Mansell ka arritur një sukses të vonuar. Pasi ka zhvilluar 72 gara, ka arritur të fitojë një garë, ndërkohë që Demon Hill ka fituar pas 13 garash dhe Devid Kulthard pas 21. Gjithsesi, në bazë të statistikave, asnjë pilot nuk ka arritur të fitojë titullin kampion pas 100 garash. Batoni shpreson që shumë shpejt të arrijë fitoren, edhe pse ndodhet vetëm 6 javë përpara se të vendosë për të ardhmen e karrierës. Skuadra e tij aktuale, BAR?Honda, kërkon që ta mbajë edhe në sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Williams?BMW?ja e kërkon. Në bazë të kontratës aktuale që ka, ai duhet të marrë rreth 75% të pikëve të pilotit që kryeson renditjen, që të mos largohet në fund të sezonit. Duket se Batoni ka filluar bisedimet me skuadrën e tij për çështjen e kontratës, megjithatë ende nuk është marrë një vendim. "Ai do të jetë vendimi më i madh që mund të marr për të ardhmen e karrierës. Për vitet e ardhshme, unë dua të kem një makinë që të më ndihmojë të shpallem kampion bote. "Pra ndoshta do të më jepet një shans dhe nëse e humbas, do të jetë e tmerrshme." Gjithashtu, Xhenson Baton e ka përjashtuar veten e tij nga lufta për fitore në Çmimin e Madh të Anglisë. Sipas tij, do të jetë një nga pilotët e skuderisë McLaren që do të fitojë. Më e mira që mund të bëjë ai për të kënaqur tifozerinë e tij, do të jetë një vend në podium. Nëse do të ndodhë kështu, atëherë Batoni do të fitojë shumë pike, përsa i përket pëlqyeshmërisë. Në fillim të këtij sezoni ata janë pezulluar për 2 gara, për shkak të një serbatori të fshehur. Në këtë sezon, niveli i tij dhe i skuderisë ka rënë shumë në krahasim me vitin e kaluar, ku u renditën në vendin e dytë në klasifikimin për konstruktorë, menjëherë prapa Ferrarit. "Unë mendoj se do të renditemi brenda 6 vendeve të para në klasifikimin për konstruktorë dhe kjo do të jetë një arritje për këtë sezon, i cili nuk ka shkuar aspak ashtu siç e mendonim." Më pas, ai ka folur për çështjen e shumëdiskutuar të Berni Eklestonit dhe kryebashkiakut të Londrës, Ken Livingston, për një garë brenda në kryeqytet. "Do të ishte një garë shumë e bukur. "Haid Park" do të ishte një vend shumë i përshtatshëm.

  8. #188
    *Antar i Rrespektuar* Maska e Albi
    Anëtarësuar
    18-05-2005
    Vendndodhja
    MiLaNo
    Postime
    591

    Bravoooooo

    Bravo vigan se me ke kenaq me koto informacione hallall dhe sa me shum shkrime te bukura

    ANTENA
    Duaje ate qe ke dhe jo ate qe do kesh


    Albi

  9. #189
    i/e regjistruar Maska e shef
    Anëtarësuar
    18-08-2005
    Postime
    42
    Veberi do të zëvendësojë Fizikelën?


    Kanë filluar të qarkullojnë fjalë të reja për lëvizjen e pilotëve të Formulës 1. Tashmë emri i lakuar është ai i italianit të skuderisë Renault, Xhankarlo Fizikelës. Ai e ka filluar mjaft mirë këtë sezon, duke fituar garën e parë në Melburn të Australisë. Më pas italiani është mundur ndjeshëm nga shoku i tij i skuadrës, spanjolli Fernando Alonso, i cili momentalisht vazhdon të mbajë kryesimin e klasifikimit të përgjithshëm për pilotë. Duke parë këtë pozitë, drejtuesit e skuderisë Renault, me sa duket, kanë filluar t'i vënë në diskutim pozicionin Fizikelës. Sipas shtypit britanik, Fizikela mund të shkëmbejë pozicionin e tij me atë të Mark Veberit, i cili momentalisht është piloti i skuderisë Williams. Australiani nuk ka arritur të zhvillojë një sezon të mirë, për shkak të problemeve të skuderisë së tij. Vlen për t'u theksuar se Flavio Briatore, menaxheri i përgjithshëm i skuderisë Renault, është edhe menaxheri i australianit Mark Veber. Edhe pakënaqësitë që kanë drejtuesit e skuderisë Williams ndaj Veberit, kanë bërë të mundur që zërat për kalimin e tij te Renault-ja të jenë gjithmonë e më të shpejta. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë të kampionatit, u fol për një kalim të mundshëm të Fizikelës tek Williams-i, por italiani kaloi te Renault-ja për të zëvendësuar bashkëkombasin e tij, Jarno Trulin. Sido që të ndodhë, në këtë sport është diçka e qartë, nëse nuk arrin të kënaqësh drejtuesit me rezultate, atëherë pozicionin e ke në rrezik.


    Baton: Stambolli? Shumë interesant
    Pasi ka arritur të marrë pikë në 4 garat e fundit, Xhenson Baton, i skuderisë BAR-Honda, pret me padurim garën e kësaj fundjave që do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë për herë të parë. Në prill të këtij viti, Baton, së bashku me pilotin e tretë të kësaj skuderie, Entoni Davidson, kanë vizituar pistën e re të Stambollit për të pasur një ide më të qartë. "Që në momentin e parë kam mbetur shumë i befasuar nga forma e pistës. Më duket shumë interesante dhe besoj se po kaq interesante do të jetë edhe gara. Ndryshimet e drejtimeve e bëjnë këtë një pistë interesante edhe për pilotët. Pres me padurim që të garoj atje," - ka përfunduar Xhenson Baton.

  10. #190
    i/e regjistruar Maska e shef
    Anëtarësuar
    18-08-2005
    Postime
    42
    Erdogan: Formula 1, mirë se erdhe në Turqi


    Këtë fundjavë Turqia do të presë për herë të parë një Çmim të Madh të Formulës 1. Sipas tyre, një veprimtari e tillë do të sjellë fitime të mëdha. Pista e Stambollit ka kushtuar 70 milionë dollarë dhe mendohet të sjellë një fitim prej 3 bilionë dollarësh nga turistët dhe tifozët. "Kjo veprimtari do ta ndihmojë shumë vendin tonë në sektorin ekonomik, - ka thënë kryeministri turk, Taip Erdogan, për mediat vendëse. - Janë të shumtë ata që flasin për paratë, por është e pamundur që të bëhet një përllogaritje e fitimeve." Në këtë vit, Turqia shpreson të ketë një fitim prej 18 bilionë dollarësh nga turizmi dhe veprimtari si Formula 1 pa dyshim që do ta rrisin akoma më shumë interesin. Prania e Majkëll Shumakerit, 7 herë kampion bote, dhe kolegëve të tij pa dyshim që e ndihmon shumë imazhin sportiv të Turqisë. Në Stamboll është zhvilluar gjithashtu, në maj të këtij viti, edhe finalja e Ligës së Kampioneve në futboll, ku Liverpuli arriti të fitojë me 11-metërsha ndaj Milanit. Ishte një ndeshje me një shikueshmëri shumë të madhe në të gjithë botën. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë të diel. Në të njëjtën kohë, zyrtarët kanë bërë të ditur se siguria për zhvillimin e kësaj veprimtarie në kushte normale, është në maksimum. Kjo ndoshta është dhe pika e dobët e këtij vendi, pasi muajt e fundit ka pësuar disa sulme me bomba nga terroristët. Gjithsesi, shefat e sigurisë turke kanë treguar një nivel shumë të lartë edhe gjatë shfaqjes së festivalit "Eurovision". Ndërkohë, në Izmir do të zhvillohen lojërat ndërkombëtare studentore. "Ne jemi të gatshëm për Formulën 1. Janë marrë të gjitha masat nga pikëpamja e sigurisë, telekomunikacionit dhe vendqëndrimeve," - ka thënë guvernatori i Stambollit, Muamer Guler.
    Prestigji i sportit
    Këtë të diel, Kimi Raikonen do të mundohet edhe një herë të ngushtojë sa më shumë diferencën që ka me Fernando Alonson, i cili mban ende kryesimin e klasifikimit për pilotë. Shpresat për pilotin finlandez të skuderisë McLaren janë rihapur pas fitimit të garës së kaluar në Hungari, ndërkohë që spanjolli i skuderisë Renault nuk arriti të marrë pikë.
    Gara e Turqisë këtë fundjavë pritet të ndiqet në 200 vende dhe mendohet se do të ketë nga 40.000 deri në 60.000 vizitorë, që do të thotë se do të ketë një fitim nga 80 deri në 120 milionë dollarë. Kjo veprimtari, me sa duket, do t'i japë më shumë jetë pjesës Aziatike të këtij vendi, e cila duket disi e lënë mënjanë nga Europa. Pra fitime të tilla do ta ndihmojnë më shumë Stambollin nga ana ekonomike, për të pasur një zhvillim edhe më të madh. Duket qartë pra se kaq shumë veprimtari që po zhvillohen në Turqi, janë pluse për kandidaturën e saj që do të paraqesë pranë Bashkimit Europian më 3 tetor. Përveç kësaj gare, në tetor të këtij viti do të zhvillohet në këtë vend edhe Çmimi i Madh i Turqisë për garat e motoçiklizmit. Megjithëse në këto gara deri tani nuk ka asnjë pilot turk, interesi për sporte të tilla është shumë i madh. Këtë gjë e ka treguar mjaft mirë edhe parakalimi që ka bërë turku Jaso Tahinçioglu me makinën Jordan në Silverston, në fillim të këtij muaji. Tahinçioglu, i cili merr pjesë në kampionatin e të vegjëlve në Formulën Renault në Angli, është nga të parët turq që piloton.
    Sensi antiorar
    Pista e Stambollit, e cila është e gjatë 5.4 km, është dizenjuar nga arkitekti gjerman Herman Tajlk, i njëjti që ka ndërtuar pistën e Malajzisë, Bahreinit dhe të Shangait. Shteti ka paguar 220 milionë dollarë për të gjithë infrastrukturën dhe pistën. Një shumë kjo që ka arritur ta bindë Berni Eklestonin për ta futur në kalendarin e këtij sezoni.
    Ajo ka gjithsej 14 kthesa, 8 në krahun e majtë dhe 6 në të djathtin, ndërkohë që në pjesën e drejtë të shpejtë mund të arrihet një shpejtësi rreth 320km/h. Në këtë pistë do të garohet në kah të kundërt të akrepave të orës, duke e çuar në 3 numrin e garave që garohet në këtë mënyrë, bashkë me atë të San Marinos dhe të Brazilit. Asfalti i kësaj piste është i përbërë nga 3 shtresa të ndryshme. "Nuk kam parë shumë nga kjo pistë, megjithatë, nga aq sa kam parë, kam kuptuar se ka disa kthesa të shpejta dhe disa pjesë të drejta të gjata," - ka thënë Majkëll Shumaker.
    Organizatorët e këtij çmimi të madh kanë bërë një fushatë shumë të madhe reklame për garën e së dielës. Piloti skocez i skuderisë Red Bull, Devid Kulthard, ka pilotuar makinën e tij me një stemë turizmi turke nëpër rrugët e Stambollit, duke kaluar gjithashtu edhe në urën e Bosforit që lidh pjesën e Turqisë europiane me atë aziatike. "Me sa duket, kjo do të jetë një nga pistat më të vështira të kalendarit, - ka deklaruar 34-vjeçari Kulthard. - Ndryshimi i përbërësve të asfaltit do të ndikojë shumë dhe do të jetë një sfidë e vështirë për firmat e gomave."
    Dyfishimi i sigurisë
    Për garën e Formulës 1 që do të zhvillohet këtë javë, janë marrë masa ekstreme sigurie kundër terrorizmit. Kontrolle të mëdha po bëhen mbi makinat dhe persona të ndryshëm. Duke parë sulmet e mëparshme që i janë bërë kryeqytetit turk, janë dyfishuar forcat policore dhe masat e sigurisë për fundjavën. Do të jenë gjithsej 2000 forca policore që do të patrullojnë në pistën e re të Stambollit. Eshtë parashikuar gjithashtu që çdo tifoz që do të jetë i pranishëm nëpër tribuna, do të kalojë në kontrollin e metaleve (metal dedactor). Shumë imtësisht do të kontrollohen të gjitha makinat që do të kalojnë nga to rrugë. Mendohet që kjo garë të ndiqet nga 120.000 spektatorë nëpër tribuna.

Faqja 19 prej 22 FillimFillim ... 91718192021 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Si mendoni; lajmet perdorin prapaganda apo jo?
    Nga s0ni në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 26-11-2011, 15:45
  2. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 26-04-2009, 12:49
  3. Per te apasionuarit e Formula 1
    Nga Bledari në forumin Lojra në kompjuter
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 10-12-2008, 15:48
  4. Një pilot shqiptar në Formula 1
    Nga Hyllien në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 21-03-2006, 21:22
  5. Bie perdja në Formula 1 - (2005)
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 15-11-2005, 13:55

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •