Skuderia nga Grove është duke menduar për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon 02-09-2004
Williams-i: Duhet të ngushtojmë diferencat
Endi Tufa
Për skuderinë Williams, sezoni 2004 ka qenë disi i vështirë, megjithatë ata shpresojnë në një ngritje të nivelit të tyre për këtë sezon. Në disa gara ata janë paraqitur mirë, por në disa të tjera, niveli i tyre ka qenë vërtet i ulët. Shpeshherë ato janë lënë prapa dhe nga skuderia Renault apo BAR-Honda. Gjithsesi, sipas drejtorit teknik të kësaj skuderie, Sem Majkëll, këto probleme do t'i bëjnë mirë Williams-it. "Pa dyshim që kemi akoma shumë rrugë për të bërë dhe gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi ndryshuar shumë gjëra në skuadër dhe në makinat tona. Ky sezon për ne ka qenë disi i dobët, por shohim se po punojmë në rrugën e duhur. Tani po kuptojnë se 3 ose 4 pjesë të makinës nuk shkojnë. Bashkëpunimi me BMW-në është bërë akoma më i ngushtë në këtë periudhë. Ky sezon është më i mirë sesa sezoni i shkuar. Megjithatë ne nuk jemi ende të kënaqur. Që të dyja firmat si Williams-i, ashtu edhe BMW-ja, kanë të njëjtin objektiv, të fitojnë sezonin e ardhshëm titullin kampion," - ka thënë Sem Majkëll. Ndërsa drejtori i BMW-së, Mario Tisen, ka parë dhe të mirat që i ka sjellë skuadrës ky sezon. "Pa dyshim që skuadra ka punuar shumë në këtë periudhë. Kemi kaluar shumë faza të punës dhe kemi mbërritur në fazën më të rëndësishme për skuadrën. Sezonin e ardhshëm do të luftojmë për titullin kampion me skuadrat më të mëdha. Shpresojmë që t'ia arrijmë qëllimit." Tisen ka shtuar gjithashtu se objektivi i tyre për këtë sezon, do të jetë që të mbyllin sa më shumë diferencën që kanë me Ferrarin. "Për momentin jemi duke menduar më shumë për përmirësimin e makinës sesa për pikët që po marrim. Për rreth 4 vjet i kemi arritur objektivat tona, vetëm në këtë sezon nuk po e arrijmë objektivin. Duhet të vazhdojmë të punojmë shumë që të jemi të gatshëm për sezonin e ardhshëm dhe për luftën që do të zhvillojmë për titujt. Gjërat bëhen hap pas hapi, sepse nuk ekziston një buton që mjafton ta shtypësh dhe menjëherë të rregullohen të gjitha problemet. Po arrijmë të bëjmë disa gjëra mirë, gjithsesi mendojmë se kemi mundësi për më mirë. Jam optimist se do të arrijmë detyrat që i kemi vënë vetes," - ka përfunduar Tisen.
Krijoni Kontakt