Flet botuesja e revistës greke letrare “Keleno”, Panajota Zaloni. Poezia shqiptare e lashtë
“Letërsia, gjuha e popujve”
Para pak kohësh revista greke ka vlerësuar me çmime të para dhe të dyta poetët shqiptarë
Jakup B. GJOÇA
Supriza ime ishte dhurata që poeti grek Ilia Zvarna më bëri në shenjë mirënjohjeje për botimin e bashkëbisedimit tonë. Më dhuroi një revistë letrare greke, e cila ka nderuar me çmime poetë shqiptarë. Madje me dashamirësinë e mirënjohjes më hap revistën “Keleno”, në faqen 31, duke më treguar emrat e poetëve shqiptarë që u nderuan me çmime në konkursin letrar të revistës.
Me çmim të parë Kristaq Shabani, Islam Kalemi, Kastriot Haderi, Dino Çiço. Me çmim të dytë, Jorgo Telio. Me çmim të tretë Çimi Bejko, Izet Çiuli, Theodhori Nikolla, Ligor Siti Lumo Kolesi, Xhafer Majko, Hasan Bushi. Në revistën greke pashë të botuara poezi shqiptare edhe në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën greke.
Poeti grek Ilia Zvarna, me intimitet më thotë që botuesja e revistës letrare greke, zonja Panajota Zaloni është mirënjohëse që bashkëpunon edhe me poetë shqiptarë.
Dhe zonja Panajota që në fjalët e para të bisedës na dha të kuptojmë se shpirti i saj buron dashurinë dhe respektin njerëzor. Lexojeni dhe njihuni me një shpirt njerëzor me tërë kuptimin e madh të fjalëve.
Zonja Panajota, na thoni dy fjalë për revistën letrare “Keneno”
Revista hyn në vitin e saj të 5-të dhe më merr të gjitha orët e jetës time. Në këtë revistë unë përpiqem të prezantoj poetët e rinj. Unë dua të zbuloj talente dhe udhëtoj në gjithë botën për të sjellë poetët e rinj në revistën time.
Kësisoj, revista juaj letrare qarkullon edhe jashtë Greqisë?
Po, qarkullon në Kinë, Australi, Kanada SHBA, Indi, Meksiko, Argjentinë dhe Shqipëri. Dhe qarkullimi i parë i revistës jashtë Greqisë ishte Shqipëria. Po, qarkullon edhe në Francë dhe Brazil.
Keni kritere që të botoni poezitë?
Sigurisht. Poezitë që janë më të mira u japim një vend të veçantë botimi. Por edhe për të nxitur poetë, se jo të gjithë me poezitë e para janë të talentuar, i botojmë edhe si antologji me shënimin që boton për herë të parë. Kujdo poeti duhet t’i japim mundësinë e afirmimit.
Keni botuar edhe poezi të poetëve shqiptarë...
Është në nderin tonë të bashkëpunojmë dhe të botoj poezi të poetëve shqiptarë, që nga fillimi i botimit të revistës. Poezi të Fatmira Leka, të cilën më vonë e njoha edhe nga afër në aktivitetet e një organizmi shoqëror, ku bëj pjesë dhe ndihmon në këto 10 vjetët e veprimtarisë, konkretisht njerëz që janë të pastrehë dhe të pangrënë. Fatmira më hapi dhe horizontet e njohjes të Shqipërisë. Kësisoj kam hapur portën e njohjes edhe me poetë të tjerë shqiptarë, të cilët më dërgojnë poezi dhe ua botojmë.
Poezitë e poetëve shqiptarë ju si i vlerësoni cilësisht?
Tani së fundi që organizuam edhe konkursin e poezisë, mund të them që poezitë e poetëve shqiptarë janë cilësisht të arrira dhe satirizojnë gjëra të cilat ne grekët nuk mundemi t’i satirizojmë.
Nga ata poetë shqiptarë që ju botoni dhe njihni, kë mund të veçoni?
Kristaq Shabanin, është një shpresë e poezisë dhe më duket se bën edhe poezi politike, Petro Dudi, po keni edhe të tjerë që talentin do ta shpalosin në krijimtarinë e ardhme. Ju e shikoni që në konkursin tonë të poezisë, nga poetët e huaj, poetët shqiptarë janë ata që u vlerësuan më shumë.
Ky bashkëpunim letrar në çfarë kontribon më shumë në lidhjet tona të dy popujve?
Me botimet letrare bëjmë të njohur shpirtin tonë poetik dhe shohim botën tonë shpirtërore, shohim ndjenjat tona, pavarësisht dhe në të kundërt nga ajo figurë që na japin disa njerëz në rrugë. Duam të themi që në çdo vend dhe çdo popull ka njerëz me zemër të ndjeshme. Letërsia është gjuha e vetme e mirëkuptimit dhe e vëllazërimit të popujve.
Poezia çfarë roli luan në miqësinë e popujve?
Poezia është shumë e rëndësishme në miqësinë e popujve. Së pari, letërsia kultivon ndërgjegjen e popujve, i bën njerezit të jenë mbi çdo interes material. Poezia i bën njerëzit të shenjtë. Qielli është një dhe njerëzit e shenjtë qarkullojnë në qiellin e ëndrrës e të dëshirës.
Ju si e shikoni shoqërinë tuaj greke, si i shikon dhe si sillet me emigrantët ekonomikë?
Po, të flasim hapur. Po të ishin emigrantët më pak, edhe mund të mos na bënte përshtypje. Tani që emigrantët janë kaq shumë, diku janë të shtrënguar, nën trysni edhe vetë grekët. Nuk ishim mësuar, nuk ishim popull që priste emigrantë, sikurse popujt e vendet e tjera. Vetë ne ishim emigrantë ekonomikë nëpër vende të tjera. Ishim një vend i pastër edhe nga ana etnike, një popull i pastër etnik grek.
Mirëpo, disa herë, me dashje të keqe, dikush do që te njeriu të mos shikojë shpirtin e tij, por e gjykon nga ndonjë veprim i çastit. Dhe kur marrim mundimin të shohim botën e tij të brendshme, detyrohemi të pranojmë që është një njeri krejtësisht i kundërt nga imazhi i krijuar.
Saktësisht, kjo ndodh me ne dhe ju. Mbase ne grekërve na trëmbi ajo rrjedhë e madhe e emigrimit tuaj. Kemi në punën e fëmijve të mi në Amerikë, ku isha para 2 muajsh, një drejtore një shqiptare. Një njeri me botkuptim të plotë kulturor dhe profesional.
Ç’doni të thoni me këtë shembull?
Dua të them që janë të paktë ata që reagojnë keq kur ndeshen me ndonjë fakt që “është shqiptar...”, në Amerikë, ashtu siç na bën ne grekërve të reagojmë keq.
Unë do t’i karakterizoja këta njerëz që reagojnë keq jo me indetifikim kombëtar, por njerëz që kanë zemër të ngushtë. Dhe shqetësimi është përse të jemi kaq zemërngushtë për njeriun që kemi përkrah?
Ju thashë që qielli është një. Dhe ne krijuesit jemi si ata të shenjtët që fluturojnë në të njëjtin qiell. Po nuk jemi të gjithë njerëzit me shpirt të shenjtë.
Sipas jush, çfarë e pengon njeriun të jetë zemërgjerë?
Nuk e besoj që ata pyesin ndonjëherë vetveten përse sillen keq me njeriun. Mbase edhe frika e pasigurisë e bën njeriun keqparës te të huajt. Kalon në rrugë dhe disa i tremb edhe pse dëgjojnë lloj- lloj gjuhe të flitet. Tremben se nuk janë të dalë. Unë që udhëtoj shumë nëpër Botë, kjo nuk më bën përshtypje.
Edhe këtu në Greqi të paktë janë botuesit grekë që botojnë krijimtari të të huajve?
Këtë unë e ndesha, madje kur u thashë disa botuesve grekë që do të shkoj në Shqipëri për të njohur e botuar poezi shqipe, ata më thane “Unë në Shqipëri? Ba...ba...ba...”. Këta humbasin, se ne tani na njohin edhe në Shqipëri, na përkrahin.
Nga ana tjetër, të gjithë pohojmë që krijimtari nuk njeh kufij, dallime, kombësi.
Është gjuha e hipokrizisë dhe e interesave materiale. Më bëri përshtypje në një seminar poetik që organizuam ne në Athinë, që një poet shqiptar foli për Homerin tuaj shqiptar. Meraku im është të njihem me këtë poezi dhe kërkoj nga ju të ma sillni dhe ta botojmë. Dua të botoj historinë tuaj poetike. Është e lashtë edhe poezia juaj, ë? Këtë përshtypje kam për poezinë shqiptare.
www.gazetadita.com
Krijoni Kontakt