Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë vendosur që të kyçen në komisionet e Qendrës Koordinuese serbe pasi nënshkruan mbrëmë një marrëveshje në selinë e OSBE-së në Beograd.
Sipas mediave serbe marrëveshjen e kanë nënshkruar kryetai i PVD-së Riza Halimi, ai i Unionit Demokratik Skender Destani dhe lideri i Lëvizjes për Progres Demokratik Jonuz Musliu.
Riza Halimi, Jonuz Musliu dhe Skender Destani kyçen në Trupin Koordinues, Ragmi Mustafa kundërshton
Beograd, 4 mars (presheva.com) – Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu dhe Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skender Destani kanë nënshkruar marrëveshjen për t’u kyçur në Trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka njoftuar agjencia « Beta ». Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa është i vetmi nga liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës i cili nuk ka pranuar që ta nënshkruajë marrëveshjen përkatëse. Liderët politikë shqiptarë kanë vërtetuar përfshirjen e tyre në Trupin Koordinues, duke nënshkruar të enjten në mbrëmje një marrëveshje në selinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Beograd. Sipas agjencisë « Beta », ndonëse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, Ragmi Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që subjekti i tij politik të përfshihet në të ardhmen në punën e Trupit Koordinues.
Pas vrasjës së të miturit shqiptar - Dashnim Hajrullahu - nga ana e ushtrisë serbo-malazeze në zonën kufitare Maqedoni-SMZ, Qeveria e Serbisë u ka ofruar shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të përfshihen në Trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Trupi Koordinues është themeluar më 16 dhjetor të vitit 2000, në kohën e konfliktit të armatosur në mes forcave serbe të sigurisë dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në përbërjen e ngushtë të Trupit Koordinues, e cila numëron tetë anëtarë janë përfshirë dy përfaqësues nga forcat e sigurisë serbe, njëri nga Ministria e Policisë (MUP) dhe tjetri nga Ministria e Mbrojtjes. Qeveria e Serbisë ka emëruar së fundi për kryetar të Trupit Koordinues: Nebojsha Çoviqin, ndërsa për nënkryetar janë zgjedhur: Rasim Lajiqi, Ninoslav Kërstiqi dhe Milisav Markoviqi. Tri vendet të tjera të nënkryetarëve janë rezervuar për kryetarët e Komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Në përbërjen e zgjeruar të Trupit Koordinues janë paraparë që të kyçen kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe zëvëndësit e tyre. Programi i ri i Trupit Koordinues, i cili është miratuar në Qeverinë e Serbisë parashihet që të realizohet deri në vitin 2007.
Krijoni Kontakt