Po Gjermania, cfare qendrimi mban ne lidhje me "statusin"?
Capf: Sovraniteti e vetmja zgjidhje për Kosovën
30.01.2005
Deutsche Welle
Anila Shuka
Në një intervistë me programin shqip të Dojçe Veles, deputetja socialdemokrate gjermane Uta Capf thote se është parimisht dakord me raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Rezerva ka shprehur Capf vetëm për sa i përket rolit të Serbisë në propozimet që bën ICG-ja ku zevendespresidentja e Shoqates se Evropes Juglindore, Capf, eshte antare e bordit të kuratorëve. Me të bisedoi korrespondentja e Dojçe Veles në Berlin, Anila Shuka:
DW: Zonja Capf, Grupi i Ndërkombëtar i Krizave, ku ju jeni edhe antare bordi, ka dalë me një propozim për pavarësinë e Kosovës. Cili është mendimi juaj?
Capf: Jam dakord me ta. Si antare e bordit e kam diskutuar intensivisht këtë temë. Sovraniteti si status përfundimtar është i pakthyeshëm. Zgjidhje tjetër nuk ka. Këtë kam vite që po e them. Por gjithçka është ndërlikuar nga ngjarjet e marsit dhe për shkak të mosrealizimit të standardeve. Për këtë arësye në raport është caktuar një lloj kornize kohore, ku parashikohen hapa të ndërmjetme, të cilët parimisht janë të drejta. Ka vetëm një pikë shumë të ndërlikuar në këto propozime, kur thuhet: në rast nevoje të vendoset edhe pa Serbinë. Nuk jam fort e sigurtë, në se kjo zgjidhje do të funksionojë pa Serbinë. Në një rast të tillë do të propozoja një hap të ndërmjetëm: një sovranitet të kufizuar, para sovranitetit përfundimtar.
DW: Si e mendoni ju konkretisht rolin e Serbisë në bisedime?
CAPF: Duhet bërë ç’është e mundur për të ingranuar edhe Serbinë në dialogun për statusin e ardhshëm. E rëndësishme do të jetë, që Serbia të mos dalë e humbur, por që si shpërblim të fitojë diçka, me të cilën mund të dalë edhe para popullsisë së vet, që anon më tepër nga nacionalizmi. Evropianët duhet t’u bëjnë serbëve një ofertë më të fortë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani, sepse ata kanë rrefuzuar me forcë tribunalin për krime lufte.
DW: Mund të supozohet, që evropianët t’u ofrojnë serbëve një marrëveshje asociimi në BE?
Capf: Diçka e ngjashme do të ishte gjithsesi e nevojshme, sepse nuk ka se si t’u thuhet atyre: Lëreni ju atë që ju takon me ligj, në bazë të 1244, e si shpërblim nuk do të merrni asgjë. Duhet të jetë një ofertë, prej të cilës të dyja palët të kenë përfitim.
DW: Sipas mendimit tuaj, a do të hynte edhe Kosova e pavarur menjëherë në proçesin e integrimit evropian?
Capf: Ajo që po ndodh në Kosovë është një lloj pseudo-proçesi integrues. Problem është që deri tani ata nuk po i përmbushin disa kritere të rëndësishme, që luajnë rol si për gjykimin e statusit ashtu edhe për asociimin në Bashkimin Evropian.Është fjala për mbrojtjen e serbëve, të drejtat e pakicave dhe çështjen e kthimit.
DW: E si do të zgjidhen probleme të tilla, sipas mendimit tuaj?
Capf: Kosovarëve u kërkohet shprehimisht edhe në propozimet e ICG-së që të gjejnë zgjidhje për këto probleme – ky është kushti bazë. Së dyti, që ata të mos kenë aspirata të mëtejshme territoriale, pra, të mos kërkojnë të bashkohen me Shqipërinë apo të përvetësojnë a të bashkohen me territore të tjera fqinje, veçanërisht me Maqedoninë dhe, që i gjithë proçesi të mbikqyret nga bashkësia ndërkombëtare. Këto janë tri parakushte, që unë i quaj të drejta, por që për kosovarët janë shumë të vështira. Me to u dalin detyra të mëdha përpara.
DW: Në se Kosovës do t’i jepej pavarësia, ashtu siç parashikohet në propozimin e ICG-së, cilat do të ishin pasojat në zona të tjera të ngjashme konfliktuale, qoftë në Republika Srpskën, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi apo Serbisë, apo të shkojmë pak më tutje në konfliktin ruso-çeçen?
Capf: Ky është një shqetësim që mbetet në sfond. Prandaj edhe Rusia është shumë e vëmendshme në këtë çështje. Sa i përket Malit të Zi, nuk shoh ndonjë problem, sepse aty nuk ka patur konflikte ndëretnike. Sa i përket Maqedonisë, kjo do të varet nga partia shqiptare qeverisëse e Ali Ahmetit, të cilën e gjykoj relativisht racionale dhe të arësyeshme. Ata e dinë shumë mirë, që Maqedonia do të humbasë shumë, në qoftë se do të fillojnë përsëri konflitket dhe shqiptarët e Maqedonisë do të kërkojnë t’i bashkangjiten Kosovës. Shumëçka do të varet nga kosovarët, që duhet t’u thonë „Po!“ parakushteve të caktuara.
DW: Qeveria gjermane deri tani nuk ka lëvizur ende nga formula e vjetër: „Standarde para statusit“. A është kjo formulë tashmë vetëm për deklaratat zyrtare?
Capf: Qeveria gjermane shprehet zyrtarisht brenda kuadrit të konsensusit ndërkombëtar. Grupi i Kontaktit deri tani nuk ka rënë dakord për një procedurë të tillë, për shkak të pozicionit rus. Në qoftë se raporti i Grupit të Krizave do të merret seriozisht, atëherë duhet të diskutohen edhe propozimet e bëra aty. Pastaj do të shihet se sa mund të ecet. Aq më tepër kur, me sa kam lexuar në shtyp, duket se po bëhen hapa përpara edhe në Çeçeni, të cilës Rusia ka ndër mend t’i japë statusin e autonomisë së zgjeruar. Në qoftë se një zgjidhje e tillë do të jetë e pranueshme, besoj, se me këtë do të fitohej një hapësirë e re. Sepse tashmë e di çdo kush, si rusët ashtu edhe serbët, që në qoftë se kosovarëve nuk u tregohet drita në fund të tunelit, atëherë do të ketë përsëri trazira të mëdha dhe gjithçka e arritur deri tani do të fundoset.
DW: Gjermania është një nga vendet më me reputacion në Kosovë, pra fjala e saj do të zinte shumë peshë. A ka një iniciativë nga qeveria gjermane për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme të statusit?
Capf: Në qeverinë gjermane ekziston vetëdija, se duhet të ketë një zgjidhje që nuk është as kthim pas e as status-quo. Ekziston edhe kujdesi për të mos u prononcuar haptazi parakohe. Unë di, që ka shumë bisedime për të gjetur një zgjidhje konsensusi të paktën fillimisht në grupin e kontaktit. Nuk dua të shprehem, sepse as edhe qeveria federale nuk është deklaruar. E di që janë duke shqyrtuar me shumë kujdes, se cilat janë zgjidhjet që vijnë në pyetje. Por e di që si amerikanët ashtu edhe gjermanët e vlerësojnë pozitivisht një zgjidhje të ngjashme me këtë që është skicuar në raport. Nuk është e thënë të zbatohet një për një, mund të ketë edhe variacione, si për shembull, me faza kalimtare, pra, një protektorat evropian.
Krijoni Kontakt