Marrë nga Shekulli:
Debate dhe akuza në seancën e djeshme. Cako: Çeço nuk duhet të relatojë se bashkëshorti i saj preket nga ky ligj
Spiunët, PS rrëzon hapjen e dosjeve
Me 54 vota kundër, 54 pro dhe 10 abstenime bie nisma “Për kontrollin e të zgjedhurve apo të emëruarve”
Darina Tanushi
TIRANE – Socialistët rrëzuan dje, projektligjin “Për kontrollin e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në organe të rëndësishme”, që nëse miratohej do të krijonte mundësinë e hapjes së dosjeve për kandidatët për deputetë dhe të zyrtarëve të lartë me qëllim ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të ish-bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit gjatë diktaturës komuniste, në poste të larta. Projektligji është nismë e tre deputetëve Nard Ndokës, Alfred Çako dhe Ilir Berzanit. Rezultati i votimit, i deklaruar nga kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi ka qenë 54 vota pro ligjit dhe 54 kundër, ndërsa 10 vota kanë qenë abstenim, gjë që ka bërë që projekti të quhet i rrëzuar. Deputetët nismëtarë të projektit si dhe deputetët e opozitës kanë ngritur zërin për rezultatin e votimit, pasi në momentin e fundit kreu i Kuvendit Pëllumbi llogariti edhe votat e dy deputetëve socialistë Elmaz Sherifi dhe Ylli Bufi, të cilët erdhën në fund të votimit, megjithëse u kishte kaluar radha për të votuar. Deputeti reformator Nard Ndoka në paraqitjen që i bëri ligjit kërkoi nga të gjithë deputetët ta votojnë, pasi ky ligj do të ishte i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndoka shpjegoi se “nisma ligjore synon ndalimin e emërimit apo zgjedhjen në postet e larta shtetërore të individëve, që kanë shërbyer si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, në periudhën e diktaturës komuniste”. Relatorja e projektligjit, Makbule Çeço, në qëndrimin e saj kundër argumentoi se “drafti nuk është i plotë dhe nuk respekton standardet europiane”. Qëndrimet në këtë moment filluan të ndaheshin qartë. Kështu deputeti tjetër Alfred Çako u shpreh kundër faktit që ky projekt të kishte si relatore nënkryetaren Çeço, pasi tha ai, “bashkëshorti i saj ka qenë një nga njerëzit e prekur nga ky ligj”. Por ka ardhur reagimi i Çeços, e cila tha se “nuk kompleksohem nga ky diskutim”. Deputetët e opozitës janë shprehur të gjithë për miratimin e projektligjit, pasi sipas tyre, “penetrimi në politikë i personave, bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit, vazhdon të mbetet një problem i ndjeshëm në shoqërinë shqiptare”. Ndërsa deputeti socialdemokrat, Skënder Gjinushi tha se “shoqëria shqiptare dështoi në përpjekjet e saj për të pasur transparencë në këtë çështje, së cilës tashmë i ka kaluar koha”. Gjinushi e cilësoi një përpjekje të vonuar, e dështuar dhe e pamundur për t’u realizuar. Me këtë projekt tha ai shkelet Kushtetuta, pasi nuk jemi më në vitin 1992. Vetëm i ndjeri Bezhani, pati guximin të merrej me këtë çështje dhe ai deklaroi se dosjet janë zhdukur dhe po qarkullojnë jashtë institucioneve zyrtare, gjë që u kundërshtua nga deputetët e tjerë të opozitës, siç ishte edhe deputeti Shpëtim Rroqi. Ai i quajti “spiunë”, të gjithë ata deputetë që ishin për rrëzimin e projektit dhe për Parlamentin ai shtoi një tjetër etiketim: “Parlament spiunësh”. Fillimisht nga socialistët Lekë Çukaj, Taulant Dedja, Petro Koçi iu propozua opozitës që projekti të dërgohej në Këshillin Legjislativ për ta marrë në shqyrtim, në mënyrë që të rikthehej më i plotë në Kuvend. Ndërsa deputetët nismëtarë kërkuan që projekti të miratohej dhe pastaj të rikthehej, gjë që solli edhe rrëzimin e projektit nga Kuvendi. Kryetari i grupit socialist Ruçi e ka cilësuar këtë debat të djeshëm si përsëritje të seancave të viteve 1995 dhe 1997 dhe projekti sipas tij bie në kundërshtim me 4 nene të Kushtetutës. Deputeti Koçi propozoi që të hapen dosjet e atyre që pretendohet se zgjidhen nga populli, ndërsa ligji nuk duhet të ketë karakter ndëshkimor, ndërsa u propozua edhe gjetja e një mirëkuptimi nga socialisti Taulant Dedja. Votimi u bë nominal, pra emër për emër, ashtu siç u kërkua edhe nga nismëtarët. E veçanta ishte numri i barabartë i votave pro dhe kundër, ndërsa në votat abstenuese bënin pjesë emrat e disa deputetëve të majtë socialistë si; Petro Koçi, Ermelinda Meksi, Bashkim Fino, Taulant Dedja. Abstenim votuan edhe Ceka, Gjinushi, Xhuveli, Milo dhe dy deputetët e LSI-së, si Braho, Mustafa Muçi. Socialisti Luan Rama nuk ka marrë pjesë në votim, edhe pse ishte në sallë.
Pro 54 deputetë të opozitës
Kundër 54 deputetë të maxhorancës
Abstenuan
Petro Koçi
Ermelinda Meksi
Bashkim Fino
Taulant Dedja
Neritan Ceka
Skënder Gjinushi
Lufter Xhuveli
Paskal Milo
Spartak Braho
Mustafa Muçi
Krijoni Kontakt