Hap i jashtëzakonshëm i Hosni Mubarak
I konsideruar më tepër si mbret i Egjiptit dhe jo si president, Hosni Mubarak ka ndërmarrë dje një vendim tepër të papritur. Ai i ka kërkuar parlamentit që të aprovojë një amendament në Kushtetutën e vendit, për të lejuar zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, në të cilat mund të marrin pjesë të gjithë. Mubarak e ka drejtuar Egjiptin që nga viti 1981, gjithsej katër mandate rresht, dhe pritej që ai të shfrytëzonte sërish kushtetutën e vjetër për të marrë edhe një mandat tjetër presidencial. Madje kohët e fundit pati zëra se do të kandidonte i biri i Mubarakut, një lëvizje që u pa me irritim të thellë nga opozita dhe të gjitha grupet e të drejtave të njeriut në Egjipt. Vazhdimisht aktivistët egjiptianë kanë kërkuar reforma në sistemin aktual zgjedhor, që ekzistonte që nga revolucioni i vitit 1952. Por Mubarak është ndodhur edhe nën presionin amerikan për të adoptuar reforma politike. Tashmë në zgjedhjet presidenciale mund të marrin pjesë lirisht kandidatë të ndryshëm. Tashmë Mubarak me këtë lëvizje do të ketë guxim të përballet edhe me kritikët e shumtë të tij, veçanërisht në konferenca e takime ndërkombëtare.
Krijoni Kontakt