www.mekuli.com
Edhe pas Serbisë (falë LDK-së dhe satelitëve të saj) serbishtja gjuhë edhe e shqiptarëve
Nga: Xhevat Bislimi
Qeverisja e LDK-së, e drejtuar nga treshja tashmë famëkeqe, Rugova - Kosumi - Daci, në bashkëpunim me disa qarqe ndërkombëtare, nuk po e lënë të qetë popullin e Kosovës në vendin dhe shtëpinë e tij. Këmbëngulja e tyre për ta ringjallur politikën serbe në Kosovë edhe pas Serbisë ka acaruar pa masë popullin liridashës dhe demokrat të Kosovës. Kjo qeverisje, pjellë e asaj force politike që sabotoi me të gjitha mjetet dhe format Luftën Antipushtuese Çlirimtare dhe Qeverinë e saj të Përkohshme, në ditët tona nuk po lenë gurë pa lëvizur për ta bërë pakicën serbe (5%) të barabartë me popullin shqiptar në Kosovë (90%). Përkushtimi dhe angazhimi i tyre për këtë çështje (për trojkën çështje jetike për Kosovën!) vërtetohet katërcipërisht me projektet për rindarjen e Kosovës («decentralizimi»), për rikolonizimin e Kosovës («kthimi») dhe për ribashkimin ose ripajtimin e Kosovës me Serbinë («dialogu» me Beogradin) .
Se politika e qeverisjes së LDK-së, e drejtuar nga trojka, Rugova-Kosumi-Daci, çon ujë në mullirin e Serbisë dhe se është në kundërshtim me përcaktimin kombëtar, vullnetin politik dhe Luftën Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së, si dhe në kundërshtim me angazhimin e miqve tanë ndërkombëtarë, dëshmon edhe imponimi i gjuhës serbe popullit shqiptar edhe pas Serbisë. Populli shqiptar i është nënshtruar një presioni politik e policor, shantazhi dhe dhune mediatike të paparë për ta pranuar gjuhën serbe si gjuhën e tij!!! Dikur kjo gjuhë u imponohejë shqiptarëve nga pushtuesi serb, nga Serbia, ndërsa sot ajo imponohet dhe «sponzorizohet» nga qeverisja e urryer e trojkës, Rugova-Kosumi-Daci dhe nga miqtë e tyre ndërkombëtarë. Pas gjenocidit dhe holokaustit në Kosovë gjuha serbe dhe çdo gjë që lidhet me serbët edhe për shumë dekada do të përjetohet si provokim kombëtar dhe politik, do të lëndojë dhe rëndojë shpirtin dhe psikikën e shqiptarit.
Nën trysninë, por më shumë të sunduar nga ndjenja e miqësisë për Bashkësinë Ndërkombëtare që përfaqësohejë me pesë shkronja tashmë të pabesuara, UNMIK, shqiptarët i bënë lëshime të mëdha pakicës serbe dhe në emër të një të ardhmeje paqësore dhe demokratike u zotuan se do t’ia njohin të gjitha të drejtat kësaj pakice. Kjo gatishmëri dhe zemërgjerësi e shqiptarëve u shpërdorua dhe u keqkuptua nga një pjesë e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nga shërbëtorja e bindur, LDK-ja, dhe qeverisja e saj. Nuk ka shembull në botë që gjuha e një pakice (5%) të përdoret në gjithë vendin si gjuhë zyrtare! Shikoni çfarë statusi ka gjuha shqipe në Serbi! Dëgjojeni Oliver Ivanoviçin, të cilin po e ftojnë në televizionin e UNMIK-ut dhe të Agim Zatriqit për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve se Kosova është Serbi dhe se gjoja dy «komunitetet» tona paskan bërë luftë midis tyre e tash duhet të merren vesh për të ardhmen e Kosovës! Sa perfidë është ky Ivanoviçi kur i hedh këto teza e sa të trash dhe të pa dinjitet janë ata shqiptarë të LDK-së që debatojnë me të! Këtij përfaqësuesi të pakicës serbe, ose më saktë të Beogradit, dhe kujtdo tjetër duhet t’i bëhet e qartë se: E para, Kosova as nuk është Serbi dhe as pjesë e Serbisë (ajo ka qenë për shumë kohë e pushtuar nga Serbia) dhe së dyti, populli shqiptar (Ivanoviçi e quan «komunitet») dhe Kosova nuk kanë qenë në luftë me pakicën serbe, që ai e quan poashtu «komunitet», por me Serbinë. Pakica serbe e Kosovës është vënë në shërbim të Serbisë dhe ka luftuar përkrah saj kundër fqinjve të saj në Kosovë, duke u bërë pjesëmarrëse e drejpërdrejtë e gjenocidit dhe holokaustit serb në Kosovë. Prandaj, populli shqiptar i Kosovës nuk ka pse t’i nxjerr në treg lirinë dhe drejtat e tij të fituara dhe të paguara me çmimin e jetës dhe të gjakut. Kompromisi që po bëjnë shqiptarët duke pranuar një shtet për Kosovën e sotme nuk është i vogël. Duhet të shkruhet dhe të thuhet qartë e me zë të lartë nga çdo shqiptar se në Kosovë nuk jetojnë disa «komunitete», por se aty jeton populli shqiptar (90%) dhe disa pakica etnike (10%). Ky popull i Kosovës (shqiptarët) do t’ua garantojë, pa asnjë luhatje, të gjitha të drejtat pakicave që jetojnë me ta. Mirëpo, pakica serbe duhet ta ketë të qartë se koha kur ka sunduar dhe shtypur, vrarë e poshtëruar (kuptohet me ndihmën e mkinerisë vrastare shtetërore të Serbisë) shumicën absolute shqiptare ka perënduar. Edhe pretendimi i Serbisë, i disa qarqeve ndërkombëtare dhe i trojkës famëkeqe që pakica serbe të ketë statusin e kombit shtetformues në Kosovë (ta ndajë Kosovën me shqiptarët) do të dështojë me turp ose do të shpie në një luftë të re… Këtë fakt po e apostrofojnë edhe analistët e huaj…
Përhapja, shtrirja dhe vendosja e gjuhës dhe e mbishkrimeve serbe në tërë territorin e Kosovës, edhe në vendbanime ku as nuk ka dhe as nuk ka patur kurrë serbë, është një aventurë e rrezikshme e qeverisjes së LDK-së dhe e atyre që e përkrahin këtë qeverisje. Futja e gjuhës, e shkrimit dhe e mbishkrimeve serbe në tërë Kosovën, pas një letre që bëri për këtë çështje paraardhësi i Bajram Kosumit, të kujton kohërat e shkuara të Serbisë dhe Jugosllavisë. Me kaq lehtësi nuk arrinte ta zbatonte politikën e saj në Kosovë Serbia edhe atëherë kur ishte me tërë potencialin e saj ushtarak e policor në Kosovë. Zbatimi i kërkesës që dilte nga letra për t’ua bërë shqiptarëve serbishten si gjuhë të tyre arriti rekordin! I gjithë «llumi» i popullit shqiptar (shërbëtor të djeshëm të Serbisë ose pjella e tyre) me një entuziazëm të paparë, si në kohën e diferencimeve dhe leçitjeve, pranuan dhe «jetësuan» direktivat e partisë dhe UNMIK-ut për zyrtarizimin dhe përdorimin e gjuhës serbe në Kosovë imponimin e saj edhe për shqiptarët! Për këto arritje nxjerrin gjoksin dhe mburren si gjeli maje plehut edhe në mjetet e informimit ! Soji dhe sorollopi i tyre bënë një garë të panjohur më parë për zbatimin e kësaj kërkese antishqiptare. Të inkurajuar nga ky sukses morën turr edhe për krijimin e komunave të reja politike dhe etnike me një urdhëresë administrative të UNMIK-ut! Qeveri se jo mahi! Kësaj qeverisje të LDK-së do t’ia kishte lakmi edhe qeverisja e LKJ-së.
Mbishkrimet publike në shkolla, në institucione dhe në rrugë edhe në gjuhën serbe mund të bëheshin vetëm në vendbanimet e pakicës serbe. Hyrja dhe përdorimi i gjuhës serbe në vendbanimet shqiptare përbën provokimin më të rëndë pas luftës. Këto mbishkrime në gjuhën serbe po fshihen dhe po nxihen kudo nga njerëz të panjohur që nuk mund të pajtohen që gjuha serbe të jetë edhe gjuhë e shqiptarëve. Treshja famëkeqe dhe qeverisja e saj ndoshta do të fillojnë ndjekjen dhe dënimin e këtyre shqiptarëve që me të drejtë nuk e pranojnë serbishten si gjuhë të tyre. Pra edhe në këtë kuptim vazhdon loja e dreqit (e Serbisë dhe argatëve të saj) në Kosovë. Vendosja e mbishkrimeve serbe në shkolla ku nuk ka asnjë nxënës të pakicës serbe dhe në rrugë e vendbanime shqiptare nuk i shërben shtendosjes së marrëdhënieve të shkatërruara ndërnjerëzore për fajin e Serbisë dhe të pakicës serbe në Kosovë. Përkundrazi. Politika që po ndiqet nga institucionet e UNMIK-ut dhe LDK-së do ta thellojë edhe më tej ndarjen dhe mosbesimin edhe ashtu të thellë. Këtë gjendje dhe këtë politikë të sëmurë, të papërgjegjshme dhe konfliktuoze mund ta shërojë krijimi dhe njohja e shtetit të Kosovës dhe e të drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje.
Veteranët e Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së, qindra mijëra shqiptarë të persekutuar dhe të burgosur gjatë kohës së pushtimimit, familjet e dëshmorëve, familjet e viktimave dhe të të zhdukurve dhe çdo shqiptar që ka gjak shqiptari, pyet: Pse e bëmë luftën? Pse u torturuam, u burgosëm e gjakosëm? Pse i dhamë më të dashurit? Këto pyetje shtrohen natyrshëm nga populli shqiptar, këto pyetje dalin nga realiteti i sotëm në Kosovë. Qeverisja e Kosovës po bëhet nga ajo klasë politike që herë drejpërdrejtë dhe herë tërthorazi ishte bashkëpërgjegjëse për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë para dhe gjatë luftës. Pastaj ekonomia (pasuria e Kosovës) pothuaj se qind për qind është në duart e asaj shtrese a klase që ishte bërë dysheku i butë i pushtuesit serb. Edhe privilegjet tjera (punën, shkollimin e të tejra) i gëzojnë kryesisht ose janë të «rezervuara» për këto shtresa të shoqërisë. Veteranët e Luftës, të përndjekurit dhe të burgosurit, familjet e dëshmorëve dhe populli që i vuri gjoksin pushtuseit serb jetojnë si mos më keq. Këto janë shtresat më të varfëra dhe shpeshherë të përbuzura (nga qeverisja e LDK-së dhe trojka e saj) të shoqërisë sonë.
Mbrapshtitë dhe rreziqet që sjell qeverisja e LDK-së dhe trojkës së saj për Kosovën (siç është edhe imponimi i gjuhës serbe për shqiptarët) duhet të «dridhin» shpirtin dhe të «trondisin» mendjen e çdo shqiptari që ia do të mirën Kosovës dhe rajonit, por veçmas shpirtin dhe mendjen e asaj që ne e quajmë inteligjencë… Kjo çështje duhet të bëhet shqetësim i pandashëm i njeriut tonë dhe veçmas i atyre grupimeve politike që «predikojnë» dhe angazhohen për lirinë dhe të drejtat e popullit të Kosovës, për paqe dhe stabilitet afatgjatë politik e ekonomik në Kosovë dhe rajon, për zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshëm të statusit të Kosovës… Për popullin tonë liria, paqa dhe siguria e Kosovës dhe e rajonit duhet të jenë dhe të vihen mbi interesat momentale të LDK-së dhe trojkës së saj dhe mbi interesat momentale të UNMIK-ut dhe të atyre qarqeve që nuk po e lënë të qetë Kosovën dhe lirinë e saj, duke ia zënë dritën e diellit…
Krijoni Kontakt