Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 18 prej 18
  1. #11
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Rd

    --

    Rama, pjesë e dështimit të qeverisjes socialiste

    Lëvizja më e fundit e Edvin Ramës është një aventurë donkishoteske që zhvillohet zakonisht të shtunat dhe të dielat. Me sa duket Edvini mundohet të tregojë se është shumë skrupuloz me rregullin e ligjit sa i takon respektimit të ditëve të punës zyrtare. Performanca e Edvinit si kryetar bashkie është aq e lartë sa fundjavat i mbeten të lira për t'i shfrytëzuar për të bërë ca politikë majtiste jashtë gardhit të juridiksionit të tij si kryebashkiak. Pasi i ka vënë të gjitha punët "në terezi" në kryeqytet, ai turret me hov të madh nëpër rrethe të tjera të Shqipërisë dhe nis të shajë e të mallkojë keqqeverisjen e PD-së dhe rrezikun që vjen prej saj. Në të vërtetë, në pushtet është PS-ja që prej 8 vitesh, e jo PD-ja, por për Edvinin nuk prish punë, pasi armiku armik mbetet për të, pavarësisht nga vendndodhja e tij në kohë e në hapësirë. PS-ja për Edvinin është e keqja e vogel që ai nuk e sheh dot, ndërsa e keqja e madhe është PD-ja dhe opozita që nuk po e lënë të marrë frymë.


    Don Kishoti dhe Sanço Pançot e tij


    Është praktikisht shumë zbavitëse të shohësh Don Kishotin dhe Sanço Pançot e tij kur shëtisin nëpër trotuaret copë-copë të disa qyteteve të zonës veriore dhe, për më tepër, ironia qëndron në faktin se ata nuk shkojnë atje për të ndryshuar asgjë, por thjesht janë mushllukë të Fatos Nanos që u thonë qytetarëve se e keqja e madhe është PD-ja. Edhe vetë socialistët e ndershëm ndihen keq kur dalin ta presin atë, pasi ata e dinë se ai është kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe jo i të gjithë Shqipërisë, pasi organizimi administrativ shtetëror nuk e njeh një fakt të tillë, meqë vendi qeveriset nga pushteti qëndror dhe më pas nga pushteti vendor dhe jo anasjelltas. Dhëntë zoti e të mos kemi ndonjë keqvendosje në mendjen e Ramës në funksion të asaj që ai ëndërron të realizojë, duke bërë përsëri rivendosjen e duhur kur ai të bëhet, siç edhe ëndërron, vetë kryministër.

    Edvini tani është kthyer plotësisht në identitet


    Në një vend të zhvilluar e të civilizuar perëndimor, kryebashkiaku i kryeqytetit mund të shkonte në një bashki tjetër me ftesë të homologut të tij për vizitë, për shkëmbim eksperience apo për një aktivitet tjetër të çfarëdoshëm, që një bashki mund të organizonte. Në rastin tonë, kryebashkiaku i Tiranës shkon paftuar, madje krijon edhe insinuata dhe skenarë të papëlqyeshëm me homologët e tij kryebashkiakë, skenarë që nuk janë aspak të denjë për një kryebashkiak kryeqyteti.

    Shihet qartë nga të gjithë qytetarët, megjithëse ata nuk ia kanë ngenë Edvinit, se ai është kthyer plotësisht në identitet në çdo aspekt, si politik, ashtu edhe moral. Kjo nuk përbën ndonjë risi, pasi kjo dihej dhe, psikologjikisht, ka qenë vazhdimisht i lexueshem karakteri bolshevik i Edvinit të bashkisë.

    Me sa shihet, kjo është një ndërmarrje e vetë Edvin Ramës gjoja në emër të informimit të qytetarëve të pjesëve të tjera të vendit për problemet e qeverisjes, ndërkohë që ai nuk informon për asgjë qytetarët e Tiranës, një pjesë e të cilëve ai përfaqëson. Kryetema e të gjitha takimeve të tij është postulati kinez se, armiku i armikut tim është miku im. Në këtë rast armiku i PD-së është Nano dhe për pasojë del se ai është mik i Ramës. Ai u kërkon qytetarëve që të zgjedhin në mes të këqijave ku, sipas mendjes së tij të tejnxehur e të mbidozuar, e keqja më e madhe është PD-ja dhe opozita, ndërsa e majta e binomit Nano-Rama mbetet alternativa e besueshme, e cila sipas tij, ka nevojë vetëm pak makiazh.


    Edi Rama, pjesë e dështimit të integrimit euroatlantik


    Edhe dështimet e turpshme të qeverisë shqiptare në fushën e integrimit Euroatlantik ia faturon opozitës, megjithëse opozita nuk ka asnjë funksion vendimmarrës për këtë çështje. Rama nuk ka kurajon të pranojë se edhe ai vetë është një pjesë e mirë e këtij dështimi. Po të ishte i besueshëm Edvini për organizmat ndërkombëtare, ai do të kishte hapësirë që të merrte kredi e donacione të shumta dhe ta ndryshonte Tiranën brenda një kohe të shkurtër, dhe jo të priste mbledhjen e ca të ardhurave bashkiake apo ndonje kacidhe nga Buxheti i Shtetit që të mund të hapë ndonjë rrugë apo të bojatisë ndonjë pallat sa për të justifikuar tenderat hermetikë të bashkisë.


    Kryebashkiaku i Tiranës, kampion i shpërdorimt të fondeve


    Bankat dhe organizmat financiare ndërkombëtarë janë shumë të ndjeshëm ndaj të korruptuarve, dhe për këtë u tregojnë atyre derën. Edvini nuk ka për të pasur shans ndonjëherë për të qenë klient i bankave apo i organizmave të tjerë finaciare, pasi është mjeshtër i shpërdorimt të fondeve.

    Në fakt, në këtë rast, Rama po kryen funksionin e termometrit të Nanos, i cili po del nëpër ca rrethe për të matur temperaturën politiko-elektorale.

    Ky aktivitet i ndërmarrë nga Edvini i Bashkisë së Tiranës është sa i paligjshëm aq edhe pa moral.

    Problemet me të cilat duhet të merret realisht kryebashkiaku i Tiranës janë shumëfish më të mëdha se sa ndërmarrja e aksioneve politike nëpër zona të tjera të Shqipërisë. Një kryebashkiaku të përgjegjshëm nuk do t'i dilte koha asnjëherë për t'u marrë me gjë tjetër, përveçse me problemet e pafund që ka Bashkia e Tiranës. Pa nisur këtu lojën e kungulleshkave se kush e ka e kush nuk a ka në vartësi shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, sepse kjo është e përcaktuar shumë qartë në Ligjin 8652 për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore si funksion ekskluziv i njësive të qeverisjes vendore, Tirana furnizohet me ujë relativisht të pastër vetëm për 6 orë në 24 orë. Në vend që kryebashkiaku të punonte edhe gjatë gjithë fundjavave të tij për të mundësuar furnizimin e qytetarëve të Tiranës me ujë për, të paktën, 10-15 orë në ditë e gradualisht me më shumë, duke punuar me grupe ekspertësh e duke kontaktuar me oganizmat dhe organizatat financiare kombëtare e ndërkombëtare, ai merret me një aktivitet të rëndomtë politik, që me sa shihet, as nuk i ka thënë njeri ta bëjë. Këtu hyn çështja e përgjegjshmërisë publike.


    Edvin, kthehu në Tiranë! Të presin kanalizimet


    Tirana ka nevojë për rrjet të ri kanalizimesh të ujërave të bardha e të zeza, që të mos përmbyten përditë e përherë shtëpitë, apartamentet dhe rrugët e rrugicat nga ujërat e zeza. Nuk po e ekzagjerojmë këtu, duke thënë se ujërat e zeza duhen përpunuar në impjante përpunimi, meqenëse është i vetmi kryeqytet, të paktën në Europë, që nuk disponon as edhe impjantin më të vogël për të bërë këtë përpunim.

    Tirana ka nevojë që të ketë shumë më shumë rrugë të shtruara e jo vetëm ato që duken në fushatë dhe që i shohin më së shumti një kontigjent njerëzish që shpeshherë kanë probleme me lëvizjen jashtë unazës së qytetit për arsye nga më të shumëllojshmet. Është nevojë imediate që të mbyllen rrugët e shqyera nëpër Tiranë, të cilat vazhdojnë t'ua nxijnë jetën qytetarëve me afatet e punimeve që as vetë Edvini, rrezik nuk i di, me baltën që ka mbuluar çdo cep e kënd të kryeqytetit, me tubacionet e furnizimit me ujë që shpesh sjellin baltë e krimba në vend të ujit të pijshëm.

    Tirana ka nevojë për më shumë pastërti e për më pak pluhur, zdralë e plehra që e kanë mbuluar atë gjithandej.

    Nuk po hyjmë këtu të flasim për problemet sociale të papunësisë, të mungesës së strehimit, të nivelit të lartë të varfërisë, pasi vetë qytetarët e Tiranës i dinë ato më së miri, pasi i provojnë çdo ditë në kurriz.


    Asnjë tullë për strehimin e qytetarëve


    Edvini, që kur erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës, nuk ka vënë qoftë dhe një tullë të vetme për të ndërtuar ndonjë objekt për të strehuar qytetarët e pastrehë. Për më tepër, këta qyetarë nuk e kërkojnë asnjëherë këtë gjë falas, por kundrejt pagesës normale e të përballueshme dhe pa tatimin personal të Edvinit që shpeshherë arrin deri në 20 apo 30% të vlerës totale të objektit, ose e shprehur me një shembull ilustrues, nëse një pallat do të kushtontë 4 milionë USD deri në momentin që ai është produkt final, ky tatim personal i Edvinit kryebashkiak do të shkonte 800.000 deri në 1,200,000 USD. Ai nuk mund ta bëjë kurrë këtë, pasi është aq i paskrupullt dhe i pangopur sa nuk ka burrë që t'i marrë atij një leje ndërtimi pa e paguar këtë haraç. Për pasojë, sot çmimet e apartamenteve në Tiranë çmendin edhe vetë fqinjët tanë perëndimorë grekë e italianë dhe, për më tepër, cilësia është disa herë më e ulët se sa çmimi që blerësit paguajnë. Edvini mendon se të gjithë në Tiranë shesin e blejnë drogë e merren me tendera, por kjo nuk është shumë e vërtetë, pasi ka edhe një pjesë të kryeqytetasve që rrojnë me punë dhe aktivitet të ndershëm dhe që nuk janë pak, por mbi 60% e popullsise përbërëse të kryeqytetit.

    Deliri i madhështisë ose "Dilirium Tremens" është një sëmundje e rrezikshme që Edvinin e bashkisë e ka kapluar dhe tani është në fazat metastazike. Pasojë e kësaj ka qenë edhe dalja e tij pak jashtë skenarit të Nanos, por ky i fundit ka menduar për këtë dhe ka ndërsyer Gramozin e paepur që t'i japë ca këshilla Ramës e t'i përmbahet skenarit bazë. Një gjë është e sigurtë se priten zhvillime të reja, por jo më jashtë skenarit dhe të padirigjuara.

    Për më tepër, me politikanë që i përkasin llojit të binomit Nano-Rama, as që kemi për të bërë hajër ndonjëherë dhe mundësia e intergrimit do të mbetet vetëm Afrika.

    Dritan GEGA

  2. #12
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-03-2003
    Vendndodhja
    Oakland, CA
    Postime
    738
    A ka ndonje te na sjelle fjalimin e fundit te Edit ne Rreshen, se jam kurioz te shoh idete qe ka shpalosur?

  3. #13
    Eks-plorator Maska e kolombi
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Mes oqeaneve...............
    Postime
    3,720
    Citim Postuar më parë nga bledi gjokaj

    Edi parim te vetem ka PARANE prandaj e quajne ne Tirane 'QEN I PARASE'

    Berisha apo Nano pavaresisht ca themi kane nje Resume me harritje akademike e profesionale kurse tipa si Rama e Meta e kane zero pa nje harritje ne nje fushe apo arsimim a nivel.
    Resumet dhe arritjet akademike dhe prefesionale sidomos te alabako-pijanecit Nano nuk me bejne as per tek vendi i bekuar.
    Apo tek arritjet akademiko-profesionale ke pasur ndermend bemat e tij ne kazinot e Zvicres.
    Apo rehatllikun e tajareve te tij ne hotelet e Emirateve Arabe kur sipas statistikave 60% te popullsise(reth 780.000 shqiptare) jetojne ne varferi.


    Te mos dale nga tema ,respekti per Edvin bashkine eshte shkrire si debora pas shiut.
    Keto akrobacirat politike te tij,nga demokrat,rikthim nostalgjik ne gjirin e Partise se ciles i sherbeu me zell edhe baba Kristaqi.
    Sot kur po mbytet gjemia me federale..........e Nanos ,oburra shpejt kush munt te dale.
    Dhe Edvini me nje kercim prej basketbollisti,si ne vitet e dikurshme me fanelen BLU te Dinamos,po paralajmeron ndarjen me te kuqte e pushtetit,dhe ka marr vrapin si puna e Kalit qe nuk di ku e cojne kembet.
    Ndaj dhe arroganti Ruci nuk vonoi ta quante Edin,"kal i kuq" me shume huqe.
    "Meqe brenga eshte burimi i gezimit,mos vajto............"

    GETE

  4. #14
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-03-2005
    Postime
    41

    vepra e rames

    Dita e Verës , “Bukë dhe Shfaqje”
    nga Adri Nurellari
    gazeta metropol


    Një ndër gjerat më spikatëse tek romakët ka pas qënë dashuria e madhe për zbavitjet spektakulare. E natyrshme kjo për një popull mesdhetar si romakët, të cilët po si ne shqiptarët sot, jepeshin me kënaqësi ndaj dëfrimeve masive dhe qejfeve kolektive. Një ndër shkrimtarët më të spikatur të antikitetit ka qënë Juvenal i cili shkruajti gjerë e gjatë disa prej satirave më të goditura e të hidhura të të gjitha kohërave, për Romën që ai përjetoi. Bëhet fjalë për periudhën e shekullit të parë dhe shekullit të dytë kur Republika e Romës ishte thjesht një shprehi e së kaluarës, dhe pushteti i perandorëve shtohej e shtohej gjithnjë e më tej. Në këtë periudhë senati i dikurshëm ku kishte ligjëruar dikur Ciceroni, ishte në një proces të vazhdueshëm eklipsimi nga diktatorët që kishin zaptuar kapitolin romak.
    Juvenal deklaronte se popullsia romake I kryente detyrat e veta qytetare me shumë më tepër përkushtim dhe përgjegjësi gjatë periudhës së Republikës, se sa gjatë periudhës së Çezarëve dhe ankohej se romakët magjepseshin nga “ panem et circenses” që do te thote bukë dhe cirqe ose siç e përkthejmë ne historiografinë tonë, “Bukë dhe Shfaqje” . Juvenal irritohej pse plebejtë dhe popullsia e lirë e Romës, të cilët ishin më të mëdhenj në numër se klasa e patricëve, nuk ishin aspak të ndjeshëm ndaj mungesës së punës, parave, zërit në aferat politike si dhe kushteve të këqija të jetës.
    Augusti duke para kushtet e masave të romakëve, mendoi të organizonte sistemin e patronazhit të quajtur “bukë dhe shfaqje” për ti mbajtur romakët mjaftueshëm të ushqyer dhe të gëzuar sa të mos ngrinin krye për gjithçka ai bëntë. Ai iu jepte atyre ushqim nëpërmjet shpërndarjes së grurit falas, hedhjes së bukës tek spektatorët gjatë shfaqjes dhe legjislacionit për çmimet e ushqimit ndërkohë i zbaviste ata me argëtime falas si gara me karroca, beteja mes gladiatorësh në Koloseum, spektakle madhështore nëpër amfiteatro dhe nëpërmjet ndërtimit të cirkut të famshëm “Circus Maximus”
    Popullsia e humbte torruan nga këto shfaqje, krijonte njëfarë varësie ndaj tyre dhe ndërkohë humbte aftësinë për të qeverisur veten duke e vrarë mendjen vetëm për qejfet e zbavitjet. Prandaj fraza “Bukë dhe Shfaqje” përdoret për të përçmuar një popullsi aq shumë të shpërqëndruar nga çoroditja dhe qejfet personale të sajuara nga lartë, sa nuk i kushtojnë më vëmendje vyrtyteve qytetare dhe problemeve të ditës, por i përkulen autoriteteve me bindje të plotë. Kjo është pra një mënyrë që përdor grupi politik në fuqi për të mbajtur në dorë pushtetin dhe kontrollin ndaj popullit.
    Të tjera diktatura e kanë përdorur me efikasitet këtë metodë gjatë gjithë historisë. Tek ne ende janë të freskëta kujtimet e spartakiadave madhështore e shumëngjyrëshe, parakalimet pompoze dhe festat gjithëpërfshirëse të një majit. Porse fatkeqësisht kjo metodë nuk është vetëm një aspekt historik me të cilën do na duhej neve historianëve të merreshim, por është një pjesë përbërëse e dhimbshme e realitetit të sotshëm.
    Mirë koloseumi i sotshëm është bulevardi dhe sheshi qëndror i Tiranës. Gladiatorët janë zëvendësuar nga lojtarët e futbollit ose shtangistët që marrin shpërblime të majme për ndonjë garë për sa kohë ata i japin mundësi popullit të zbavitet dhe qeveritarëve që të dalin pranë tyre. Karrocat e garave romake janë zëvendësuar nga makinat që qarkullonin dje në bulevard duke lëshuar muzikë për të rrinjtë që ecnin të ngazëllyer nëpër rrugë. Bukët romake dje ishin ballokume dhe ndërkohë ekuivalenti i çmimeve të ulta të romakëve janë prej ca kohësh kafetë me çmim të ulët që iu jepen pensionistëve në Tiranë apo. Dje nuk mungoi as Çezari që shëtiti bashkë me shpurën e vetë në bulevard duke përshëndetur me qesëndi plebejtë e ngratë që gënjeheshin nga do saze të improvizuara aty këtu.
    Këto shfaqjet marramendëse të organizuara nga shteti shqiptar nuk po kanë të sosur. Ato nisin nga përkujtimorja alla Woodstock në Pezë, festat e shfrenuara të vitit të ri që shoqëroheshin nga gostia qyl që shtroi kryeministri për pensionistët, nata e bardhë që përkujtonte ditën e zezë kur pushtimi gjerman u zëvendësua nga një pushtim komunist edhe më makabër. E pastaj ato vazhdojnë me festimet për Shën Valentinin, ditën e grave, mësuesve e kushedi se çfarë tjetër rastis që të dalë para. Thua shqiptarët kanë boll arsye që të jenë kaq të lumtur e të ngeshëm sa iu takon qe veç të gëzohen e zbaviten. Por dje ishte finalja, dhe këtu nuk e kam fjalën për librin e sapo botuar nga Z. Zogaj por për festën e verës që u festua në mënyrë spontane jo vetëm aty ku i takon siç e do zakoni, por edhe në Tiranë, në piedestalin e shfaqjes. Dhe skena e Tiranës për kësilloj shakash është gati aty, Sipërmarja zbavitëse “kthimi në identitet” me ngjyrat e ndezura të telajos së kryebashkiakut, ka kohë që i rri përkashi si sfond fort i përshtatshëm metodës narkotizuese të quajtur “Bukë dhe Shfaqje”.
    Kjo metodë ka treguar se ka qënë goxha frytëdhënëse edhe tek ne. Në zgjedhjet lokale pjesmarrja në votime ishte tmerrësisht e ulët, dhe ndërkohë grupmosha e të rinjve është ajo që del më pak për të votuar. Jo më kot dje degjohej muzikë ritmike për të rinjtë dhe këndonte Ermal Fejzullahu me të tjerë, sepse këta të rinj të magjepsur e çorientuar janë edhe forca elektorale vendimtare. Megjithatë mbetet për tu parë se sa ndikojnë tek shqiptarët këto maskarada për të harruar varfërinë, papunësinë, korrupsionin, kriminalitetin, mungesën e ujit, dritave, sigurisë etj… E deri sa ta marrim vesh na presin shumë festa të tjera të organizuara ashtu “spontanisht” nga lartë si dhe presin prerjet e më shumë kilomtra shirita sesa kilometra rrugë të inauguruara. Por një gjë dihet, që siç thoshte Juvenal kjo është finalja, dhe perëndimi i Romës dhe Çezarëve të saj vijoi jo larg pas popullarizimit të “Bukës dhe Shfaqjes”.

  5. #15
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Nano i terheq veshin thonj palarit..

    --

    Panorama

    --


    Kryeministri Nano takim në zonën e tij elektorale, sulmon kryebashkiakun
    “Rama pa PS-në merr vetëm 9% të votave”

    Kryeministri shprehet hapur kundër Edi Ramës. Ai ka deklaruar dje nga Saranda se pa PS-në Edi Rama nuk mund të merrte më shumë se 9% të votave në Tiranë. Gjatë takimit që ka patur dje me shtabin elektoral në zonën e tij në Sarandë, Nano ka komentuar turin që Edi Rama ka ndërmarrë kohët e fundit në veriun e vendit në takim me socialistët. Ai është shprehur se ështe e drejtë e Ramës dhe e çdo socialisti tjetër të takohet me bazën, megjithatë ka deklaruar se Rama nuk mund të ketë suksesin që ka arritur pa mbështetjen e PS-së. "Edi Rama është ai që është, por dua të theksoj se para dhe pas tij qëndron PS-ja. Pa PS-në ai mund të kishte fituar vetëm 9% të votave që ka marrë", kështu është shprehur dje Nano në takim me shtabin elektoral në zonën 99 në Sarandë, ku do të kandidojë për deputet. Nano ka filluar zyrtarisht fushatën elektorale në zonën e tij në Sarandë. Në një mbledhje të gjatë me shtabin elektoral, por dhe në takime të tjera, Nano ka premtuar shumë investime për Sarandën. Gjatë takimit të tij me socialistët e Sarandës, Nano ka sulmuar edhe kreun e bashkisë së këtij qyteti, për përfitime të pali-gjshme në ushtrimin e detyrës së tij.
    "Kam qenë luajal ne bashkëpunimin tim me krerë të bashkive përfaqësues të opozitës, për shkak të detyrës time si kryeministër, por dhe të dhe filozofisë time, por nuk mund të hesht për përvetësimin e investimeve që bëjnë disa kryetarë bashkie ashtu si në Sarandë", tha Nano. Ai ka konfirmuar rikandidimin e deputetit aktual të PS-së në Sarandë, Stefan Cipa, si dhe ka bërë të ditur rivalin e tij në zonën 99, Spiro Peçi, përfaqësues i PBDNJ-së. sh.d.

    Premtimet për Port e Aeroport

    Në takimin e parë zyrtar në zonën e tij elektorale kryeministri Nano ka premtuar shumë investime për Sarandën, ndër të cilat edhe ngritjen e portit dhe të aeroportit në këtë qytet bregdetar.


    ---


    helikopterportit thuj me mire o Nanush..lol.

  6. #16
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-03-2003
    Vendndodhja
    Oakland, CA
    Postime
    738
    Rama në Raportin e Projektit të Mijëvjeçarit: Shqipëria, kampione në letra për zhvillim

    Rama në Raportin e Projektit të Mijëvjeçarit





    Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama mori pjesë në Promovimin e Raportit të Projektit të Mijëvjeçarit, organizuar nga Zyra e Koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Në konferencën që është zhvilluar me temën “Investimi në Kuadër të Zhvillimit – Një plan praktik për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit”, kryebashkiaku Rama është shprehur mes të tjerash:




    “Dua të trajtoj aspektin e implementimit të objektivave të mijëvjeçarit në pikëpamje të raporteve dhe strategjive rajonale, si dhe do të doja të thoja pak gjëra pa u zgjatur dhe pa kaluar në aspekte teorike apo abstrakte, sepse përsëpari mendoj se çështja kryesore që ka të bëjë me garantimin e raporteve, strategjive rajonale, është një çështje që nis tek fakti se ende nuk ka strategji rajonale. Strategjitë rajonale kanë filluar në vitin 2003, përkatësisht në qershor të vitit 2003, pasi edhe deri në atë moment ka pasur strategji kombëtare dhe sektoriale dhe pasi hyrja në proces e formulimit të strategjive rajonale ka ardhur pas formimit të qarqeve dhe ndarjes së vendit në 12 të tilla.


    Për këtë arsye janë në përgatitje e sipër 12 strategji rajonale të cilat natyrisht paraqesin parimisht probleme që kanë të bëjnë me organizimin e territorit me vetë organizimet dhe funksionimet e qarqeve në raport me strategjinë kombëtare dhe natyrisht në përputhje me strategjitë rajonale, strategjisë kombëtare dhe hapat e implementimit përmes të ardhurave nga buxheti i shtetit nga burimet dytësore, siç janë ato të bashkive dhe komunave dhe nga partnerët, apo siç avazhdojnë të quhen donatorët.


    E gjithë kjo lidhet natyrisht me nevojën për një zhvillim i cili do të duhej të ishte gjithsesi një zhvillim i qëndrueshëm, është pyetja kryesore që ka të bëjë jo vetëm me të nesërmen e afërt por edhe me të nesërmen e largët, është fakti që askush nuk mund të mohojë që në Shqipëri ka zhvillim - kush e mohon nuk do ta shikojë - por në Shqipëri ka një përqindje të madhe të këtij zhvillimi që është i paqëndrueshëm. Dhe është një zhvillim i bazuar në investime të jashtëzakonshme energjish njerëzore dhe në investime të konsiderueshme burimesh finaciare që mbeten të pakoordinuara, në funksion të një vizioni që do të duhej në këtë rast të shihte strategjia kombëtare e zhvillimit, që për sa më takon është një set i madh parimesh dhe masash pa prioritete, ose më saktë është një dokument ku gjithçka është prioritet nga fillimi deri në fund dhe duke qenë gjithçka prioritet, në një formë që i ngjan mënyrave se si përshembull pastrohen marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, ku trajtohen që nga marrëdhëniet me fqinjët deri te marrëdhëniet me Zanzibarin e Tanzaninë, në një fjalim të vetëm mbetet një problem për t’u parë dhe për t’u trajtuar.


    Nga ana tjetër ka një çështje e cila lidhet ngushtë me zhvillimin e paqëndrueshëm, që është fakti se shumë nga këto strategji, edhe strategjia kombëtare e zhvillimit dhe shumë të tjera (dhe në këtë rast unë nuk do të ndaja kontributet dhe qëndrimin e institucioneve apo të shqiptarëve në përgjithësi qofshin edhe në rrjetin e organizatave joqeveritare dhe të institucioneve ndërkombëtare) që e kanë kthyer prodhimin e strategjive bashkërisht në një qëllim në vetvete. Dhe duket sikur përfundimi i një raporti apo përfundimi i një strategjie është fundi i punës, ndërkohë që aty duhet të fillojë puna. Ndërkohë që ai raport apo strategji nga momenti që vendoset pika duhet të vendoset në tavolinën e aktorëve që marrin vendime dhe faktorëve që i kthjenë këto vendime në aksione konkrete për të parë realisht se çfarë ndodh në terren në bazë të një strategjie të caktuar, raporti të caktuar, për të mos folur pastaj që po t’i hynim një analize se sa janë shpenzuar fonde kredi, grante kontribut, që nga viti ‘91 e këtej për këtë milet me 2 milionë banorë dhe për këtë vend me 28 mijë kilometra katrorë, do të dilte një sasi letrash që do të mbulonin jo vetëm territorin e Shqipërisë por gjithë Ballkanin. Ndëkohë që do të na rezultonte që për të njëjtin problem institucione të ndryshme ndërkombëtare të kenë bërë strategji të ndryshme, natyrisht në bashkëpunim me institucionet tona e me partnerët vendas që vazhdojnë të japin argumentin për të vazhduar për të bërë strategjira, ndërkohë që strategjitë janë të mbyllura nëpër dollape që nuk hapen asnjëherë.


    Në këtë aspekt mendoj se edhe problemi i 12 strategjive rajonale është një problem që ka të bëjë me inkorporimin e tyre në parimet e strategjisë kombëtare. Dhe duke qenë vetë strategjia kombëtare një dokument shumë problematik në raport me faktin se duhej të ishte një instrument në dorën e gjithë aktorëve vendimarrës dhe ekzekutues për të nxitur zhvillimin dhe thjesht një dokument parimesh, atëherë rrezikohet që edhe këto 12 strategji rajonale të mbeten përsëri në vazhdën e marrjeve me dokumente, të cilat po t’i shikojmë të veçuara nga realiteti na japin përshtypjen se jetojmë në vendin më të zhvilluar të planetit.


    Mendoj gjithashtu që në rast se nuk definohet përfundimisht karakteri dhe mënyra e organizmit të qarqeve që ende janë në një lloj mjegulle organizative dhe funksionale, do të kemi përsëri zhvillim të paqëndrueshëm.


    Për këtë po shikojmë Shqipërinë jo në bazë të territorit të saj unik, as në bazë bashkish dhe komunash, por mbi bazë qarqesh për të kuptuar që gjithë lëvizja demografike është kthyer në një fluks ndërtimesh që kanë prishur çdo lloj kufiri racional midis qytetit, pyllit, lumit, hapësirave të vlefshmse për zhvillim bujqësor, për zhvillim industrial dhe kështu e radhë. Besoj se është i vetmi vend në botë që po ta shikosh nga avioni nuk dallon se ku mbaron toka bujqësore dhe ku fillon jeta urbane dhe ku mbi tokën bujqësore ka ndërtime dhe ndërtime komplet të fragmentuara, si të ishte një efekt kanceroz në gjithë territorin. Edhe këto janë investime natyrisht, edhe ky është zhvilim, sepse gjithë ata njerëz të cilët jetojnë në këto banesa jetojnë më mirë seç jetonin dje. Pyetja është se investimet e tyre janë si investimet në Lanë, që ishin një investim i një shume të madhe parash, por që sollën një zhvillim të ekonomisë familjare të atyre njerëzve me kosto shkatërrimin e mjedist, parametrave të jetës urbane dhe në fund me koston e vetëshkatrimit.


    Në këtë aspekt unë mendoj se duhet të reflektojmë seriozisht për t’i dhënë qëndrueshmëri këtij zhvillimi. Edhe përpjekja për legalizimin e zonave informale është një përpjekje në këtë drejtim, për t’i dhënë qëndrueshmëri atij zhvillimi të jetës private dhe ekonomisë familjare që dallohet nga zonat informale. Por nëqoftëse ne kemi strategjinë, kemi ligjin, kemi të gjitha hapat letrare (do t’i quaja unë), nuk di se çfarë përgjigje kemi për pyetjen se pse vazhdon ndërtimi pa leje, pse vazhdon të rritet kostoja në këto zona, pse vazhdon të shtrihet betoni në ato toka, të cilat do të duhet t’i shërbenin zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor e mjedisor, në funksion të asaj që tek e fundit është ombrella e gjithë Objektivave të Mijëvjeçarit që është lufta kundër varfërisë. Dhe ky lloj zhvillimi nuk garanton rritje të mirëqënies, por jep vetëm mundësi të mbijetesës së përditëshme.


    Në këtë pikëpamje, unë do të isha i balancuar edhe në kritikën për të gjithë partnerët dhe donatorët, sepse mendoj se në funksion të jetësimit të gjithë këtyre strategjive vetë organizmat ndërkombëtare dhe donatorët që operojnë në Shqipëri nuk janë të koordinuara dhe në rast se objektiv i Zhvillimit për Mijëvjeçarin është partneriteti global për zhvillim (që do të thotë se ata që janë më mirë të ndihmojnë ata që janë më keq) dhe në rast se ndihma e atyre që janë më mirë është një ndihmë e pakoordinuar, atëherë energjitë dhe burimet financiare që vihen në dispozicion të një vendi si Shqipëria psh, mund të jenë shumë të mëdha dhe janë shumë më të mëdha sesa rezultatet që prodhohen me këto energji dhe me këto burime financiare, sepse nga drejtime të ndryshme financohet e njëjta gjë, bëhet e njëjtja punë; dhe tek e mbramja shuma e punëve nuk sjell rezultat.


    Do të ishte natyrisht shumë e vlefshme dhe e domosdoshme që më në fund të kishte një objektiv të përbashkët midis palës shqiptare (se këtu nuk është thjesht çështja e qeverisë apo e institucioneve, por është çështja e të gjithë partnerëve për zhvillim në Shqipëri) dhe palës së partnerëve të huaj dhe donatorëve për të ndërtuar një strategji të përbashkët të vënies në shfrytëzim të energjive njerëzore dhe financiare në funksion të zhvillimit të vendit. Dhe nga ana tjetër mendoj se është absolute që asistenca teknike dhe asistenca financiare duhet të zbresë më shumë në nivelin lokal. Duhet të zbresë më shumë në nivelin lokal për arsye se vetëm në këtë mënyrë afrimiteti midis strategjive si libra parimesh dhe me masa dhe prioritete ku gjithçka është prioritet do të kthehen në instrumenta të zhvillimit të komuniteteve.


    Do të sillja një gjë në funksion të dhënies të shembujve lidhur me sa thashë. Le të marrim çështjen e arsimit. Arsimimi është një nga problemet e themelore që mbeten për t’u zgjidhur në vendet e pazhvilluara siç është edhe Shqipëria. Dhe në rastin e arsimit thuhet që këto strategji rajonale, nëpërmjet qarqeve, të bëjnë administrimin e problematikës duke identifikuar investimet, ose nevojën për investime. Këtu fillon problemi, që nga fakti që nuk ekziston sot në asnjë nga këto rajone, ashtu sikundër nuk ekziston edhe në vetë Ministrinë e Arsimit, një bazë të dhënash e cila do të mund të jepte informacion të plotë për të gjitha ato aspekte që lypsen të marrim në konsideratë kur ndërtohet një plan investimi. Dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me Ministrinë e Arsimit, por ka të bëjë edhe me institucione të tjera që do të duhet të trajtonin edhe çështjen e flukseve të brendshme migratore dhe çështjen e perspektivave të zhvillimit të brendshëm të rajoneve, sepse vërtet një rajon i caktuar mund të ketë nevojë për një numër të caktuar shkollash nisur nga një bazë të dhënash e mëvetësishme, por çfarë do të duhej bërë në rast se në një plan më të gjerë lëvizja e brendshme parasheh flukse që e ndryshojnë këtë karakteristikë”.

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    elefante zebra e xhirafa .. ne sherbim te Mafies socialiste..
    te forte jane..
    nuk e vun kot artistin edvin ..


    KJ shkruan:

    ........

    E Hene, 11 Prill 2005


    CIRK

    Nga Selim Belortaja

    "Lidia Togni" mund te jete vertet nje trupe cirku fantastike. Ndoshta edhe "njesh" ne Europe, sic thote fletushka. Por si cdo mall tjeter qe preket nga duart e ndotura te pushtetit, as ajo nuk i shpeton dot perthyerjes e shperdorimit. S'duhet te cuditet hic ne fakt, po te kete parasysh historine shqiptare te spektakleve te tilla. Asnje aktivitet i ndermarre nga udheheqja jone nuk ka synuar ndonjehere (se paku sinqerisht) kenaqjen e clodhjen e qytetareve. Pa le mbeshtetjen e vokacioneve e deshirave te tyre. Mbrapa "spastrimesh" e "plan-gjelberimesh", "urbanizimesh" e "konkurrimesh", "muzik-festimesh" e "celebrimesh" do te gjeni gjithnje ca kombinacione interesash banale. Hic te larta e hic qytetare. Ca biznese e rishperndarje, ca shkaterrime per zevendesime, ca tenderime e prokurime, e mbi te gjitha e gjithnje, "argumentime" per ...FINANCIME. As kjo nuk duhet te cudise kerkend tek sheh, se si edhe vete anetaresimet ne NATO e ne BE, me shume se realizime aspiratash popullore sherbejne vetem si skenografi gjigante. Ku kater-pese aktore hileqare te palo-politikes shqiptare shtyhen e ngaterrojne rolet ne luften e ndyre per protagonizem.

    Keshtu edhe cirku yne i importit. I shitur si nje merak i madh per te zbavitur femijet tane. Pra si nje kryemerak. Parada e shemtuar e se dieles dhe kontornoja e ngjarjeve perreth, deshmuan se shume me teper se sa me buzeqeshjen e femijeve, "evenimenti" lidhet me fytyren e ngrysur te kryebashkiakut tone, i cili me kete ngjarje nis rolin e besuar te kryeagjitatorit modern te fushates socialiste. Mundet qe asnjeres prej kafsheve te "Lidia Tognit", te mos i kete shkuar kurre ndermend se do te perdoreshin ndonjehere per te celur nje fushate ...socialiste!!. Me perjashtim ndoshta te kafsheve shtepiake. Te cilat nga natyra jane me ..sociale.

    Ky "marketing animalesk" i politikes u shfaq ne fakt qysh nje dite me pare, ne diten e njoftimit. Ne vend te promocionit per vete Cirkun e Madh, njuz-et kaotike shqiptare na bombarduan cdo 5 minuta me pamjen e ..kryetarit te bashkise. Qe ndryshe nga sa jemi mesuar ta shohim, ne sfonde fadromash e kumbullash te kuqe, planimetrish virtuale apo gropash e kanalesh reale, kesaj here kishte zgjedhur te pozonte ...para kafshesh nderkombetare. Ne nje skenografi te zgjedhur si gjithmone me kujdes. Sfondi kafsheror duhet te deshmonte fuqi e qetesi, vetesiguri e ndershmeri. E sidomos besimin ne fitore.

    Efekti nuk mund te merrej dot me kafshe dosido. Nese pozohej fjala vjen, para pulash e lepujsh, derrash e gomereh? C'besim mund te ngjallej per maxhorancen nese pozohej para dhelprash e gjarperinjsh, sado te shkathet qofshin ata ne ushtrimet e cirkut? Prandaj u zgjodhen kafshet me te beshme...elefantet!.

    Elefante te vertete, me kembe te trasha e veshe te medhenj. Babaxhane. E mbi te gjitha te ndershem, te pakorruptueshem. Pikerisht para tyre e filloi fushaten Edi Rama yne. Pikerisht atje na siguroi se nuk mendonte vecse si t'iu sillte gaz e hare femijeve tane. Atje na garantoi edhe per spektaklin e se dieles. Ku falas populli do shijonte nje parade. (Eh sa u gezua kryekomandanti yne-president kur degjoi fjalen "parade". Pa le ministri yne i mbrojtjes ...nga armiku!). Jo nje parade dosido, si ato ku shpalos forcen ushtria jone heroike. Ajo ushtri, qe sic deshmoi '97-a mbetet vertet nje "shprese per popullin e tmerr per armikun". Jo, jo. Kesaj here do parakalonin deve e xhirafa, zebra e luane, tigra e elefante, majmune e arinj. Te gjalle, te ushqyer dhe ...me gjuhe te huaj. Kete lajm nuk na lancoi ndonje spikere zevzeke dokudo. As ndonje veteriner a specialist i cirkut. Njoftonte vete Edi Rama. Ai beri madje edhe reklamen komerciale. Myshterinj qytetare! Hajdeni e paguani se cirku yne ia vlen!

    Ndoshta pagesa ia vlen vertet. Ndoshta prandaj te dielen u anulua dhe parakakalimi pa pagese. Respekt per kafshet. Por asnje pike respekt per njerezit. Per kryeqytetasit e tij te dashur. Mijera burra e gra, prinder e gjysher, me mijerat e femijeve kurioze e delikate per dore, qe zgurdullonin syte gjithe kersheri andej nga sheshi "Nene Tereza", per ore te tera priten me durimin e perunjesine heroike, karakteristike per nje populli te mesuar me shtypjen e mashtrimin. E qe i pelqen aq shume qe ta mashtrojne vazhdimisht. Sigurisht s'mungojne bijte e bijat qe dine t'ia bejne kete nder.

    Po c'u be me paraden? Te lodhur e zgurjasur, askush s'e vuri re kur, nja dy ore mbas afatit, nje karroceri maune kaloi fet e fet me nje ngarkese ..elefantesh. Kaq ishte? Kaq ishte, - i njoftoi njerezit nje megafon i kuq (i ngjashem me ate qe Edi yne perdor ne parlament - sa here qe duhet t'i pergjigjet ndonje pergjegjesie).

    Sigurisht nuk ishin te gjithe te deshperuar. Ne darke shefat biseduan. "Parada kafsherore" ia arriti qellimit!. C'qellimi? Ja ta shohim qete-qete. Cirku "Lidia Togni" atje ka qene edhe me pare. Por ai duhej sjelle tani, ne prag te zgjedhjeve. Ne mes te zallamahise zgjedhore. Dhe ja ku e sollem. E ku mund te luash me nje popull me mire se sa ne nje cirk?

    E dyta, kryebashkiaku beri dhe nje prove gjenerale. E hodhi nje njoftim dhe nje vetepromovim. Njerezit u mblodhen. Me mijera, ne dy anet e trotuarit. A nuk ishin me shume se ne mitingjet e opozites? Me dashuri per kafshet, por edhe per ate vete. C'rendesi ka pastaj se i genjyem te gjithe? Boll lajmerimi se "kafshet ndihen te stresuara" dhe kryeqytetasit kokulur kthehen qete-qete ne shtepi. Te genjyer por te lumtur, si gjithmone.

    E treta, shteti demonstroi pak makinerine e tij ne kete sfond zgjedhjesh. Nje si lloj stervitjeje me radio e makina. Kjo eshte me rendesi kritike. Dhjetera police qe bllokojne rruget. Ne bulevardin e bere zap kalonte vetem shteti. Nje mori xhipash e veturash blu me sirena e drita alarmesh llamburitese qe benin varavingo. Shefa qe telefononin gjithe preokupim (thua se nga sheshi "Nene Tereza" do te vinin jo ca kafshe kafazi por nje lukuni shtazes te uritura direkt nga pyjet e virgjera te Tiranes).

    Nja dy ore e ca hallexhinj te bllokuar ne furgone e autobuse. Ambulanca qe s'conin dot as te semuret ne spital. Po kjo ka efekt. Shteti eshte shtet dhe nuk mund te plotesoje tekat e gjithkujt.

    Nje gje eshte e sigurte. Cirku "Linda Togni" do t'i meritoje duartrokitjet tona. Edhe biletat tona, sigurisht. Por palopolitika jone a do ta marre rezultatin e shpresuar? Veshtire ta thuash. Ndoshta tallja i ka kaluar ca kufij.

    ------

  8. #18
    Creator Spiritus Maska e Dito
    Anëtarësuar
    02-04-2004
    Vendndodhja
    Ne Bahçen time
    Postime
    3,882
    Si nje person qe urrej politiken deklaroj me zerin plot qe z. Edi Rama eshte per ti shtrenguar doren per ate cka ai mundi te beje per tiranen. Nuk me intereson fort ideologjia politike e Edi Rames por ajo cka shoh me syte e mi, qe do te thote era ndryshim drejt progresives drejt modernes. Persa i perket anes morale te ketij njeriu anashkaloj gjithcka pasi nuk ndertohet tirana me anen morale te zoterise por ne saje te vullnetit te tij per te punuar. Mbi vjedhjet e supozuara: Nese ka fakte qe Edi Rama vjedh te denoncohet ne prekurori duke argumentuar me fakte dhe jo me fjale boshe ate cka ai ka bere, dhe me pas ta kalbin ne burg si cdo vjedhes tjeter.

    Dito.

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  2. Autostrada Durrës-Kukës mbaron ne qershor 2009
    Nga ganoid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 739
    Postimi i Fundit: 02-08-2010, 18:05
  3. Projekt në gjuhën C për fishat relative ose dosjet
    Nga Tupac4ever në forumin Arti i programimit
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-12-2008, 10:02
  4. Projekt për një restaurim ndërtese
    Nga drini_në_TR në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 46
    Postimi i Fundit: 10-09-2004, 11:50
  5. Projekt meGa-VCD
    Nga Dr-DivX në forumin Arti i programimit
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 04:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •