Anglezët. Gëzuar me “Birrën Skënderbeu”
Nga Londra
Muhamed Veliu
8 Prill
Beer2go prodhon birrën për nder të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut
Ndoshta në Shqipëri për 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut nuk është kujtuar kush ta festojë në mënyrë aq simbolike sa anglezët. Ata kanë gjetur një mënyrë krejt origjinale, pse jo tejet të veçantë ta përkujtojnë atë.
E si ndryshe, anglezët mund të festojnë një ditëlindje, përveçse duke pirë me dhjetëra gota birre. Këtij rituali nuk i ka shpëtuar edhe Skënderbeu, emri i të cilit i është vendosur një birre. Askush nuk mund ta imagjinonte që një anglezi t’i shkonte në mendje, të lançuarit e një lloj birre me emrin e heroit tonë kombëtar shqiptar. Por ja që ndodhi, në zonën e Suffolkut dikush u kujtua ta ndërmarrë një iniciativë të tillë. Ginny Buchan është emri i personit që ka hedhë në treg birrën e zezë me shishe, e cila quhet “Birra Skënderbe”. Sipas Buchan, është zgjedhur emri i Skënderbeut në shenjë respekti për figurën dhe njëkohësisht për të përkujtuar 600-vjetorin e lindjes së tij.
Birra
“Beer2go”, me qendër Bury St.Edmunds ka prodhuar “Birrën Skënderbeu”. Ajo njihet si një kompani e specializuar në shitjen e birrës, e cila e çon në dy numrin e lançimeve të birrave të reja vetëm në gjashtë muaj.
Dyqani i shitjes, një nga më të rinjtë, ndoshta më i vogli për shitje birre në Angli, ka tërhequr vizitorë nga të katër anët e vendit. Të shtyrë nga suksesi i birrës së parë, e quajtur “Bury IPA" që shitet shumë, ata kanë vendosur të shtojnë gamën e prodhimeve me një birrë të re. Meqenëse viti 2005 përkon me 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, ata vendosën ta festojnë këtë ditëlindje me lançimin e birrës me emrin e tij.
Inspirimi
Do të ishte një vizitë në Shqipëri e njërës nga prej drejtoreve të “Beer2go” pikënisja e vendosjes së emrit për birrën e re të kësaj kompanie.
Ginny Buchan, drejtore “Beer2go” ishte shumë e mahnitur nga legjenda e Skënderbeut, kur ajo ishte për një vizitë pune në Shqipëri. Mësohet se ajo ndjeu një dëshirë brenda vetes së saj për të kremtuar 600-vjetorin e ditëlindjes së heroit të shqiptarëve.
”Birra e markës Hence është një birrë e fortë për një burrë të fortë shqiptar”, është shprehur ajo. Prodhuar për “Beer2go” në Anglinë Lindore, birra e zezë ka 5.5 për qind alkool. Është një birrë komplekse me përbërje molle. Për ata që nuk e provojnë për herë të parë, mund ta ngatërrojnë me birrën belge “De Koninck”.
Krijoni Kontakt