Marre nga Shekulli
PER PAKICAT DHE STANDARDET NDERKOMBETARE TE ZGJEDHJEVE
Agron Alibali
Libri më dashamirës i shkruajtur për Shqipërinë të paktën pas vitit 1990, është pa fjalë “Shqipëria” i autores dhe artistes greke Aliqi Tombru [Allvania, Odhoiporiko No. 4, Athinë 1996, me bashkëtekst në anglisht, ISBN 960-90370-0-3].
Një monument i miqësisë shqiptaro-greke
I ilustruar me një numër të madh pikturash të vetë autores, libri është një përshkrim i bukurive të vendit, i historisë së lashtë dhe karakterit e virtyteve të një populli fisnik e mik i vendit të autores. Shkurt, libri i Tombrut është një monument i vërtetë i miqësisë shqiptaro-greke. Tek shëtit luginën e Drinos, autorja flet për qytetin e Libohovës, për “gërmadhat e një kështjelle ilire, pranë së cilës ngrihet kisha e mrekullueshme e Shën Mërisë e shekullit X, e ndërtuar përmbi një strukturë paleokristiane”. Ajo flet gjithashtu për “teqenë pranë lumit, me gurë njëqind e pesëdhjetëvjeçarë”, për fshatrat e Lunxhërisë, ku “populli zhvilloi një estetikë të mrekullueshme”, të dukshme sidomos tek veshjet e grave. Më tej ajo përmend luginën e Dropullit dhe Malin e Gjerë, “fshatrat e mbuluar me gjelbërim, dhe që rrethohen nga akropole ilire, monumente bizantine, monumente bektashiane, dhe ku, “qysh nga agu i kohës, Ilirët dhe popuj të tjerë të lashtë e të rinj, deri tek shekujt e fundit kur bejlerët turq sidomos këtu, nxitën ardhjen e bujqve grekë”, duke sjellë kështu “një bashkim kulturor”, sikurse e quan me të drejtë autorja, dhe që përsëri duket tek bukuria e kostumeve të grave, “që demonstron një pasuri estetike të ngjizur nga ndërbartja apo shkëmbimi (conversion) i traditave” [f. 163 – 164]. Kjo harmoni etnike, kulturore, historike, shoqërore, etj. shpreh pikërisht atë që quhet “identitetet e përbashkëta” apo “bashkësi me interesa të afërta apo të njëjta” [Udhëzimet e Varshavës të OSBE/ODIHR-it]. Kuptohet që kjo “bashkësi interesash” nuk duhet prishur, por duhet ruajtur. Një moment i rëndësishëm i ruajtjes është edhe përfaqësimi i barabartë në Kuvendin e Shqipërisë. Por qëndrimi i fundit i ndonjë zyrtari të Pranisë së OSBE-së në Tiranë për fabrikimin e një enklave të minoritetit grek në rrethet Gjirokastër, Sarandë e Delvinë duket se cënon pikërisht këtë “bashkim kulturor” apo bashkësi interesash”, çka është një pasuri e paçmuar shoqërore, historike dhe estetike e ngjizur nga bashkëjetesa shekullore midis popullsisë vendase dhe minoritetit të ardhur grek. Me fjalë të tjera, Prania pretendon se duke ngritur mure midis dy popullsive të përbëra nga shtetas të të njëjtit shtet dhe pjesëtarë të të njëjtit trung bashkëshoqëror quasi-simbiotik interesash, u garantokan më mirë të drejtat e përfaqësimit politik të pjesës dhe të së tërës. Dhe për të përligjur këtë propozim absurd, ata përmendin shprehjen e mjegullt të përmbledhur në togfjalëshin “standardet ndërkombëtare”. Për të qenë më konkretë, le të citojmë Ambasadorin Vaçek: “Ajo që mbetet e padiskutueshme – deklaroi ai në një të përditshme të Tiranës - është se standardet ndërkombëtare lejojnë përjashtime nga rregullat e përgjithshme për zonat zgjedhore, kur një gjë e tillë justifikohet nga interesat e një pakice”.
Cilat janë standardet “e padiskutueshme” ndërkombëtare?
Pyetja e parë që të vjen ndër mend është se cilave standarde “ndërkombëtare” u referohet Ambasadori Vaçek? Le të hamendësojmë për një moment, duke analizuar Konventën Kuadër për Pakicat Kombëtare të Këshillit të Europës {Konventa}. Konventa hyri zyrtarisht në fuqi më 1 shkurt 1998 pas 12 ratifikimeve nga shtetet firmatare. Ajo përbën një ndër dokumentet themelore në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat dhe detyrimet e pakicave kombëtare. Qysh nga 1 janari 2000, Konventa është pjesë e së drejtës së brendshme shqiptare. Konventa shpall një sërë të drejtash të rëndësishme të pakicave kombëtare, përfshirë të drejtat politike, të cilat shteti i garanton plotësisht. Por nga ana tjetër, Konventa përmban edhe disa kualifikime mjaft të rëndësishme. Kështu, për shembull, Neni 20 thotë se “në ushtrimin e të drejtave dhe parimeve të shpallura…, personat që bëjnë pjesë në pakicat kombëtare respektojnë legjislacion kombëtar dhe të drejtat e të tjerëve, dhe në veçanti ato që i takojnë shumicës si dhe pakicave të tjera kombëtare”. Ndërsa në Nenin 21 thotë se “asnjë dispozitë e Konventës nuk mund të interpretohet sikur nënkupton të drejtën e një individi për t’u angazhuar në veprimtari apo në kryerjen e akteve që janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, dhe sidomos me barazinë e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të Shteteve anëtare”. Leximi i këtyre dispozitave e rrëzon krejtësisht “padiskutueshmërinë” e tezës së z. Vaçek. Madje, duke e perifrazuar atë, mund të thuhet se “ajo që mbetet e padiskutueshme është se standardet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare lejojnë përjashtime nga rregullat e përgjithshme kur vihet në rrezik sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e shtetit”. Duke patur parasysh deklarimet e fundit agresive të Presidenti grek, rritjen e pranisë ushtarake në kufi, shkeljen e ujërave territoriale, mosabrogimin përfundimtar të Ligjit të Luftës, bllokimin e përpjekjeve integruese të Shqipërisë mbështetur në pretendimet e paqena për pakicat, mohimin e të drejtave të pakicave në Greqi, etj. a nuk mund të shtrohet pyetja se fabrikimi i një enklave minoritare për sebepe kinse-zgjedhore në jug të Shqipërisë përbën rrezik edhe për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e shtetit?
Kodi i Praktikave të Mira i Këshillit të Europës
Le të analizojmë edhe Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore {Kodi}. Kodi është miratuar në tetor 2002 dhe është një përmbledhje e parimeve të përgjithshme dhe praktikave themelore të trashëgimisë europiane në fushën zgjedhore. Aty flitet për votën e përgjithshme, të barabartë, të lirë, të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të rregullt. Diskutimet, por edhe spekulimet më të mëdha, lidhen me Paragrafin 2.2 të Kodit, dhe pikërisht me dispozitat për “ruajtjen e fuqisë së barabartë të votës”. Kjo dispozitë synon të shmangë raste të tilla sikurse ishte votimi i vitit 1997 në Britaninë e Madhe, ku Partia Laburiste fitoi vetëm 43% të votave por mori 63% (apo 418) të vendeve në Parlament. Sistem i pastër përpjestimor do t’u kishte dhënë laburistëve vetëm 283 vende! Paragrafi 2.2 i Kodit është në vetvete i mjegullt, por gjithsesi, kuptohet qartë se i referohet një sistemi zgjedhor të pastër mazhoritar ku, për të mos patur raste si ai në Angli, lejohen shmangie 10 – 15% nga norma e lejuar e numrit të barabartë ose të përafërt të votuesve në secilën zonë, porse për pakicat kjo shmangie mund të jetë më e lartë. Me fjalë të tjera, në qoftë se zona zgjedhore bazë ka 100,000 zgjedhës, atëhere mund të lejohet një shmangie për zonën fqinje deri me 85,000, ndërsa në një zone “të përqëndruar” pakicash, ky numër mund të jetë edhe më i ulët.
Por, sikurse dihet, Shqipëria ka një sistem të përzier, ku 100 deputetë dalin me sistem mazhoritar, dhe 40 deputetë me sistem të përpjesshëm. Pra, në thelb, sistemi zgjedhor në Shqipëri ndihmon përfaqësimin e pakicave në Kuvend. Nga ana tjetër, Kushtetuta lejon një prag hyrës ndër më të ulëtit në Europë – vetëm 2.5% - gjë që përsëri favorizon dukshëm partitë e vogla dhe pakicat. Po ashtu, Kodi Zgjedhor parashikon një shpërndarje të votës përpjestimore tejet favorizuese ndaj partive të vogla dhe pakicave, në bazë të një formule tejet të komplikuar, dhe njëkohësisht të kritikuar. Dhe, së fundi, dihet se minoriteti në Shqipëri, nuk voton vetëm për një parti, e pra nuk përfaqësohet vetëm prej saj, por edhe nga parti të tjera madje të mëdha. Me fjalë të tjera, vetë thelbi i “shqetësimit” të ngritur për përfaqësimin politik të minoriteteve në vetvete nuk ekziston. Aq më pak, as fryma dhe as gërma e Kodit të Praktikave të Mira nuk parashikon prishjen e harmonisë tradicionale midis popullsive të një rajoni të caktuar dhe ngritjen e barrierave artificiale ndëretnike, Përkundrazi, Kodi përshkruhet fund e krye nga fryma e respektimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, sikurse sanksionohen, për shembull, në Konventën Kuadër. Së fundi, Kodi i Praktikave të Mira nuk është as Konventë, as Traktat, dhe pra nuk përbën burim të së drejtës ndërkombëtare. Ai ka vlerë thjesht këshillimore, dhe aspak detyruese apo zbatuese në të drejtën e brendshme. Por ekziston një dokument tjetër i rëndësishëm me vlerë udhëzuese, i cili merret vetëm pjesëmarrjen e minoriteteve në zgjedhje, i cili çuditërisht ose është shpërfillur krejt nga Prania e OSBE-së, ose nuk përmendet fare. Dhe ky është produkt i vetë OSBE-së, çka e shton edhe më shumë misterin e “humbjes” së tij.
OSBE-ja shpërfill vetveten
Fjala është për “Udhëzimet e Varshavës” të 1 janarit 2001 ose më saktë “Udhëzimet për të ndihmuar pjesëmarrjen e pakicave kombëtare në procesin zgjedhor”, të përgatitura nga Zyra e ODIHR-it. Ato prekin mjaft prej çështjeve të debatuara sot. Le të përmendim disa syresh, dhe që nxjerrin në pah thuajse lakuriq metodologjinë e gabuar të zbatuar nga Prania në gjithë këtë proces. Për shembull, dihet se Prania e kufizoi diskutimin e problemeve të përcaktimit të zonave zgjedhore vetëm midis dy partive kryesore, duke sjellë si argument “shumicën kushtetuese”. Por një argument i tillë rrëzohet në themel prej Udhëzimeve të Varshavës. Në fakt, aty thuhet se “po qe se konsiderata politike do të lejohet të ndikojnë në proces, atëhere të gjitha partive politike duhet t’u sigurohet pjesëmarrja në të”.
Lidhur me ndarjen e zonave zgjedhore, Udhëzimet e Varshavës parashikojnë që zonat zgjedhore duhet të jenë “relativisht të barabarta në madhësinë e popullsisë”, në mënyrë që zgjedhësit të kenë “barazi të fuqisë apo peshës së votës”. Në udhëzimin e vet më të rëndësishëm për të drejtën e përfaqësimit, dokumenti i Varshavës sqaron se “kufijtë e zonave zgjedhore duhet të caktohen në mënyrë të tillë që zgjedhësit të mund të zgjedhin ata kandidatë të cilët i përfaqësojnë me të vërtetë ata”. Për këtë qëllim, Udhëzimet e Varshavës përdorin konceptin e “bashkësive të interesit” të përmendur më sipër, të cilat mund të përkufizohen si “ndarjet administrative, grupet etnike apo kulturore, ose bashkësitë natyrore të ndara nga kufijtë fizikë”. Pra, Udhëzimet e Varshavës sanksionojnë ruajtjen e “bashkësive të interesit”, një shembull i mrekullueshëm i të cilave është bashkëjetesa në Dropull, Pogon e Vurg, dhe jo prishjen e tyre. Dhe përsëri, duhet theksuar se koncepti i “ndarjes së zonave zgjedhore” lidhet kryesisht me sistemet zgjedhore mazhoritare. Në një vend me sistem të përzier, si Shqipëria, problemi ose është tejet i zbutur aq sa nuk përbën shqetësim, ose thjesht nuk ekziston.
Në vend të mbylljes
Ndërsa Shqipëria po digjej në pranverën e 1997, ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Pangallos, ishte ftuar në Universitetin e Harvardit. Inteligjent, elokuent, dhe me shumë kulturë, z. Pangallos e bëri për vete menjëherë sallën e mbushur plot. Në fund ai iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve. Më bëri përshtypje pyetja e një të riu, përfaqësues i një organizate vendore “vorioepirote”. “Po na humbet kultura mijëvjeçare në “vorioepir””, tha ndër të tjera ai. “Ç’do të bëni me shkollat e minoritetit grek atje? – pyeti më tej ai, duke shkaktuar qesëndinë dhe ironinë madje edhe të studentëve të shumtë grekë që kishin mbushur sallën. Dhe ai mori përgjigjen e merituar edhe nga z. Pangallos. “Nuk e njeh ti gjendjen në minoritetin grek të Shqipërisë së Jugut më mirë se sa ne”, – ia priti ai. “Problemi për ne atje nuk është mungesa e shkollave, por mungesa e fëmijëve. Na gjej njëherë fëmijë minoritarë e pastaj flasim”, – përfundoi pak a shumë z. Pangallos, duke korrur edhe duartrokitjet e sallës. Pa dashur, z. Pangallos kishte vënë gishtin në plagë. Problemi i vërtetë në lidhje me minoritetin nuk janë pretendimet e pabaza për diskriminim, por është shpërngulja e tij masive në Greqi si rrjedhojë edhe e politikave krejtësisht të dëmshme të qeverive greke ndaj Shqipërisë dhe bllokimi de facto i integrimit europian të vendit. Prandaj, edhe ndërkombëtarët e painformuar që merren me këto punë në Tiranë, do të ishte mirë që t’i bënin trysni Greqisë për ndryshimin e qëndrimit të saj pengues, para se të merrnin të mirëqëna pretendimet e pabazuara të lobeve të ndryshme me prirje shoviniste.
Ndërsa sa u takon politikanëve shqiptarë, ata mund të ndihmonin në rritjen e nivelit të përfaqësimit të kandidatëve minoritarë duke u lënë atyre 2-3 vende në dhjetëshen e parë të listave emërore përpjestimore të partive të tyre. Kjo do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme dhe më e sinqertë, sesa fabrikimi i enklavave etnike dhe ngritja e mureve artificiale midis popullsisë vendase dhe asaj minoritare në një zonë ku ato kanë jetuar në bashkëjetesë e harmoni në shekuj. Përkundrazi, fabrikimi i enklavave etnike do të ishte në kundërshtim të plotë me parimet e së drejtën ndërkombëtare, do të cënonte sigurinë kombëtare të vendit, si dhe do të përbënte shkelje të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe integrimin, bashkëjetesën dhe harmoninë e tyre me shumicën vendase. Për të gjitha këto arsye, por edhe për të tjera që janë lënë jashtë këtij shkrimi, Prania e OSBE-së duhet të heqë dorë sa më parë nga qëndrimi i saj i gabuar për fabrikimin e enklavës në jug të vendit dhe të ushtrojë rolin e vet në përputhje të plotë me dokumentet dhe standardet e OSBE-së, si dhe me zakonet dhe normat diplomatike të një përfaqësie ndërkombëtare të përkohshme në një vend anëtar pritës.
22/02/2005
Krijoni Kontakt