BRUKSEL– Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush ka shprehur dje, gatishmërinë për t’i dhënë një impuls procesit të integrimit të disa vendeve të Ballkanit në NATO, bën të ditur agjencia e lajmeve DTT-NET.COM. “Ne kërkojmë që të ecim përpara me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, tre shtete këto të Adriatikut që janë duke zhvilluar Planin e Aksionit të Anëtarësimit në NATO“, -ka deklaruar presidenti amerikan Xhorxh Bush në konferencën për shtyp pas samitit të krerëve të shteteve të NATO-s, mbajtur në kryeqytetin belg.
Sipas kësaj agjencie lajmesh, Xhorxh Bush foli shkurt në paraqitjen e tij para gazetarëve, lidhur me rajonin e Ballkanit, duke përmendur vetëm këto tre vende, si vende kandidate për anëtarësim në familjen ushtarake perëndimore. Në fakt Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia u përkrahën edhe nga Kongresi amerikan, i cili miratoi edhe një rezolutë, vitin e kaluar, ku shprehte mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e këtyre tre shteteve në NATO. Madje u caktua edhe viti 2007 si viti i anëtarësimit të tyre në organizatën më të madhe të Atlantikut. Vendi ynë ka qenë mbështetës i politikave amerikane, madje me gjithë fuqinë e tij jo aq të madhe ushtarake ka ndihmuar me forca ushtarake në vendosjen e paqes në Irak, mision për të cilin deri tani janë ndërruar disa kontigjente. Qëllimi kryesor i vizitës të presidentit amerikan në NATO ishte që të fitojë përkrahjen e dëshiruar të aleatëve evropianë, anëtarë në NATO, për misionin në Irak, Afganistan dhe mundësisht edhe në Lindjen e Mesme, për ndërtimin e paqes mes Palestinës dhe Izraelit. Xhorxh W. Bush para gazetarëve tha se ai në samit ka marrë mbështetjen e shteteve anëtare të NATO-s për misionet aktuale të aleancës, duke dhënë kështu sinjale të “mbylljes“ dje, në Bruksel të mosmarrëveshjeve që ishin krijuar gjatë tre viteve të fundit, që nga fillimi i pranisë ushtarake amerikane në Irak. Franca dhe Gjermania ishin vendet më kundërshtare evropiane ndaj okupimit amerikan në Irak. Mirëpo këto divergjenca nga takimet e Bushit në Bruksel me krerët evropianë, e sidomos me kryetarin francez Shirak, nuk janë vërejtur sot në Bruksel. Madje, presidenti francez me të cilin marrëdhëniet ishin acaruar shumë, pritet që të vizitojë Teksasin me ftesën e presidentit amerikan. “Jam duke kërkuar një kauboj të mirë”, -ka thënë Bush, duke i drejtuar ftesën Shirakut.
Krijoni Kontakt