Lëvdata të tilla të gjithanshme ngritën pyetje serioze mbi pretendimin e Papës se është “Vikari [Zëvendësi] i Krishtit”. Mbi të gjitha, Krishti ishte dhe ende është “i përçmuar dhe i hedhur poshtë” (Isa. 53:3). Ai u tha dishepujve të Tij se nëse ata do të ishin besnikë ndaj Tij, edhe ata do të merrnin të njëjtin trajtim nga bota: “
Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua ... shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju ...” (Gjo. 15:18-20).
Gjon Pali II ia tejkaloi shumicës së politikanëve duke marrë anën e të gjithëve. Gjatë vizitës së tij të vitit 1987 në Los Anxhelos
ai i tha rabinit Harvi Fillds nga Tempulli i Bulevardit të Uilshairit dhe ish-rabinit Alfred Uolf se ne të gjithë i shërbejmë “të njëjtit Perëndi ... pavarësisht se çfarë feje [kemi]”.
Sigurisht që të lavdërosh të vdekurin dhe të mos vësh re të metat është e zakonshme nëpër funerale,
por edhe udhëheqësit ungjillorë u bashkuan me refrenin “gjithë lëvdimi për Papën”. Ata pak që treguan të vërtetën u dënuan nga të tjerët. Për shkak se iu përgjigj pyetjes së një dëgjuesi përsa i përket faktit nëse Papa ishte apo jo në qiell,
prezantuesi i një cikli radiofonik Marti Minto ishte pushuar nga puna në stacionin e radios FJALA të Pitsburgut, një anëtare e Transmetimeve Salem (shiko Rrini zgjuar). E megjithatë, e vërteta është se vetë Papa nuk e dinte nëse do të shkonte në qiell dhe nuk mund t’u jepte asnjë siguri të tjerëve - një fakt ky shumë tronditës për kreun e kishës më të madhe në botë, i cili pretendoi të ishte vikari i Krishtit mbi tokë!
Gjon Kardinal O’Konori shpalli: “Mësimi i kishës është se unë nuk e di ... cila do të jetë e ardhmja ime. Unë mund të shpresoj, të lutem, të bëj më të mirën time, për përsëri nuk e di. Papa Gjon Pali II nuk e di plotësisht nëse ai do të shkojë në qiell, dhe as Nënë Tereza e Kalkutës ...”. Kardinali Gjon Krol, udhëheqësi shpirtëror i më shumë se një milion katolikëve të Filadelfias, pranoi se shqetësimi i tij vetjak më i madh ishte mbi “të shkuarit në qiell”. Kardinali Rajcinger (tani Papa Benedikti XVI), i cili kryesoi Kongregacionin për Doktrinën e Besimit, rojtar i bindjeve të pranuara të katolicizmit (komiteti i kardinalëve ose inkuizicioni) dhe pasues i Gjon Palit II, shpreh të njëjtën pasiguri mbi shpëtimin - siç edhe është i detyruar ta besojë.
Ashtu si Papa, kisha që ai drejtoi hedh poshtë me vendosmëri premtimin e Krishtit për “jetë të përjetshme” (Gjo. 3:16) për të gjithë ata që besojnë në Të, që ata kanë “kaluar nga vdekja në jetë” (Gjo. 5:24) dhe që “nuk do të humbasin kurrë” (Gjo. 10:28). Priftëria e saj ofron mesha dhe lutje të panumërta te Maria dhe shenjtorët e preferuar (me mijëra mund të thuhen për papën e vdekur), përkrah pelegrinazhet nëpër vende të shenjta dhe ngre mënyra të tjera për të fituar po ato favore që të shkurtojë vuajtjet në purgator, një fakt ky që e shqetësoi Martin Luterin dhe nxiti Reformimin.
Në një libër tepër të vlerësuar nga 250 udhëheqës ungjillorë Papa shkroi:
“Pagëzimi dhe mesha ... krijojnë në njeriun farën e jetës së përjetshme”. Duke mos pranuar mjaftueshmërinë e sakrificës së Krishtit dhe thirrjen e Tij ngadhënjimtare: “U krye!” (Gjo. 19:30), aktet e Vatikanit II fillojnë kështu: “Eshtë nëpërmjet liturgjisë, sidomos në sakrificën hyjnore të meshës ‘që vepra e shpengimit tonë është [ende duke u] përfunduar’”. Roma mallkon cilindo që guxon të rrëfejë sigurinë e plotë të një shpëtimi të përfunduar, të cilën Bibla e premton vazhdimisht (1 Gjo. 5:13).
Përpara vdekjes së tij “teleevangjelisti” kryesor i katolicizmit, Kryepeshkopi Fulton J. Shin (të cilin Gjon Pali II e quajti “një bir besnik të kishës” dhe të cilin Billi Grahëm e lëvdoi si “komunikatorin më të madh” të shekullit të fundit),
shpresonte se “Virgjëresha” [Mari] do t’i uronte atij mirëseardhjen në qiell për shkak të më shumë se 40 pelegrinazheve të tij nëpër vendet e saj të shenjta në Lourdes dhe Fatima. Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu i përkushtuar tërësisht ndaj Marisë, sidomos “Shënmërisë [sonë] të Fatimës”, shfaqjet e së cilës kanë shpallur se “Të gjitha fetë janë të njëjta ... shumë shpirtra humbasin sepse nuk kanë askënd që të bëjë sakrificë për ta”, një mohim ky i qartë i mjaftueshmërisë së sakrificës së Krishtit për mëkatet tona. Letra e tij apostolike e 16 tetorit të vitit 2002, mbyllet me këto fjalë:
E besoj këtë letër apostolike në duart e përzemërta të Virgjëreshës Mari, duke u gjunjëzuar në frymë para imazhit të saj në faltoren madhështore të ndërtuar për të nga lumturia e tij Bartolo Longo, apostulli i Rozarit. Vullnetarisht i bëj të miat fjalët prekëse me të cilat ai përfundoi lutjen e tij të mirënjohur drejtuar Mbretëreshës së Rozarit të Shenjtë: “O Rozar i Bekuar i Marisë, zinxhir i ëmbël që na bashkon me Perëndinë ... kullë e shpëtimit kundër goditjeve të Ferrit, port i sigurt në lundërthyerjen tonë të gjithanshme, ne kurrë nuk do t’ju braktisim juve. Ju do të jeni ngushëllimi ynë në orën e vdekjes: jotja është puthja jonë e fundit ndërsa jeta largohet. Dhe fjala e fundit nga buzët tona do të jetë emri yt i ëmbël, o Mbretëreshë e Rozarit të Pompeit, o Nënë shumë e dashur, o Strehë e Mëkatarëve, o Ngushëlluese Sovrane e të Pikëlluarve ...
Në jetë dhe në vdekje, totus tuus nëpërmjet së Pamëkatshmes”. E qëndisur brenda gjithë mantelit të tij ishte shprehja Totus tuus sum Maria, “Mari, jam i gjithi i yti”.
Rozaria, për të cilën ai u bëri thirrje katolikëve që të luteshin vazhdimisht si mënyra për [të pasur] paqe botërore,
ofron një ungjill të rremë shpëtimi nëpërmjet Marisë.
Midis “15 Premtimeve [të famshme] të Marisë” të katolicizmit romak, kemi: “Shpirti që lihet në kujdesin tim me anë të recitimit të Rozarit, nuk do të humbasë .... Unë do të çliroj nga purgatori ata që do t’i jenë përkushtuar Rozarit. Ata që janë besnikë për të recituar Rozarin do të ... marrin pjesë në meritat e Shenjtorëve në Parajsë ... në çastin e vdekjes”.
Lutja e tij u mbyll [me fjalët]:
“Na mbështet, o Virgjëresha Mari, në udhëtimin tonë të besimit dhe siguro për ne hirin e shpëtimit të përjetshëm”.
Duke pohuar se “Maria është shtegu që të çon te Krishti”, Papa u bëri thirrje të gjithë krishterëve “t’i jepnin vend [Marisë] në jetët e tyre të përditshme, të pranonin rolin e saj providencial në shtegun e shpëtimit”. Ai e mbajti gjithmonë shpatullorin (një praktikë që filloi kur “Zonja jonë e malit Karmel” iu shfaq shenjt Simon Stokut në vitin 1251 m.K. dhe ishte konfirmuar nga papët pasues si Papa Gjoni XXII në vitin 1322), duke e vendosur besimin në premtimin e shkruar mbi të që “kushdo që vdes duke e mbajtur këtë Shpatullore nuk do të vuajë zjarrin e përjetshëm”.
Duke pasur parasysh këto fakte të mirënjohura, lavdërimi i grumbulluar për Papën në vdekjen e tij nga udhëheqës ungjillorë është i pakuptueshëm!
Ne nuk guxojmë të bëjmë shaka me fatin e përjetshëm të shpirtrave. Pjetri, të cilin në mënyrë të gabuar Roma e pretendon se ishte papa i parë, shpalli se “nuk ka asnjë emër tjetër [përveç Jezu Krishtit] ... me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Vep. 4:12). As Maria, as Buda, askush tjetër përveç Krishti! Por Gjon Pali II i besoi Marisë për shpëtim dhe mbrojtje dhe e mësoi tufën e tij të bënte të njëjtën gjë. Ne tregojmë keqardhje për të dhe të tjerët për këtë gabim.
Krijoni Kontakt