
Postuar më parë nga
liridashes
Tigri Keltik dhe Shqipëria
Adri Nurellari (Instituti Liberal Shqiptar)
gazeta Metropol
Boom-i ekonomik që Irlanda kaloi gjatë viteve nëntëdhjetë bëri që ky vend të fitonte emrin Tigri Keltik. Nga ekonomia më e varfër e Evropës Perëndimore, ajo sot është ekonomia e dytë më e shëndetshme e Bashkimit Evropian pas Luksemburgut. Nga një vend që përfitonte nga ndihmat e BE-së sot është shndëruar në një kontribuse neto e buxhëtit të Bashkimit Evropian. Por po të shikohet periudha para kësaj mrekullie ekonomike, Irlanda kishte karakteristika shumë të ngjashme me Shqipërinë, gjë që çon të mendohet se po të aplikojmë edhe ne modelin irlandez mund të përfitojmë të njëjtin zhvillim.
Së pari Irlanda, po ashtu si Shqipëria, është një vend i vogël me popullsi të ngjashme, që ka vuajtur gjatë nën pushtimin e të huajve, pra nga Mbretëria e Bashkuar, dhe e fitoi pavarsinë shumë kohë pas nesh. Në vitin 1932 Irlanda e pavarur me në krye de Valerën, ndërmerr politika të qarta proteksioniste duke u përpjekur që të fitonte pavarsinë ekonomike nga Britania e Madhe. E izolon vendin ekonomikisht duke vendosur kuota të rrepta importimi, kushte të vështira për të marrë liçensat për importim, si dhe tarifa të larta doganore, dhe këto barriera proteksioniste e çuan këtë vend në një gjendje ekonomike shumë të keqe që shpesh shoqërohej me zi buke. Edhe Shqipëria ka qënë për një kohë të gjatë e izoluar ekonomikisht dhe shumë armiqsore ndaj importeve, gjë që ka pas çuar në kriza të vazhdueshme që manifestoheshin me dhënien me racione të ushqimit dhe mallrave të konsumit të përgjithshëm. Me gjithë përpjekjet e pareshtura për të ngritur industrinë vendase nëpërmjet subvencioneve, Irlanda mbeti një vend i varfër me ekonomi bujqësore. Varfëria shekullore e Irlandës ka shtyrë irlandezët, po ashtu si shqiptarët, që të emigrojnë vazhdimisht dhe të formojnë diaspora masive jashtë vendit. Jeta shoqërore në Irlandë më para ishte tradicionale rurale dhe karakterizohej nga një rol i fuqishëm i kishës katolike. Një tjetër karakteristikë e përbashkët është fakti që popullsia irlandeze është më e reja në Evropë pas asaj shqiptare. Edhe Irlanda vuajti nga nje klimë konfliktuale rajonale si Shqipëria, duke patur prane për shumë dekada konfliktin e Irlandës së Veriut. Kjo klimë dekurajonte investimet e huaja dhe mungesa e investimeve bëntë që Irlanda të kishte nivele tejet të larta papunësie.
Irlanda kur u fut në Komunitetin Evropian u përfshi në grupin e vendeve më të varfra të kësaj organizate ndërkombëtare që u emëruar PIGS, që përbëhej nga Portugalia, Irlanda, Greqia dhe Spanja. U quajtën pigs, që në shqip do të thotë derra, pasi këto vende ishin të pangopura me ndihma dhe rrufisnin një sasi të madhe të buxhetit të Komunitetit Evropian që kur u anëtarësuan. Mirëpo ajo që vihet re është se nga të gjitha vendet që përbënin këtë grup, Irlanda ishte i vetmi vend që u shkëput nga varfëria, dhe u bë një ekonomi e shëndetshme. Shumë partizanë të Bashkimit Evropian sot thonë që Irlanda u zhvillua si pasoj e futjes në Komunitetin Evropian dhe si pasojë e ndihmave bujare qe merrte nga ky i fundit. Por atëhere lind pyetja pse nuk kaluan në boom ekonomik edhe vendet e tjera anëtare të varfra që merrnin ndihma si Greqia, Spanja dhe Portugalia? Gjithashtu, nëse pika e kthesës ishte anëtarësimi dhe marrja e ndihmave atëhere pse Irlanda e kaloi boom-in ekonomik në vitet nëntëdhjetë e jo gjatë shumë viteve të mëparshme që Irlanda kishte kaluar si anëtare që merrte ndihma. Del pra e qartë se anëtarësimi mund të kishte ndihmuar në një farë mënyre në zhvillimin ekonomik por nuk ishte faktori vendimtar dhe as pika e kthesës.
Ndryshimi radikal i ekonomisë irlandeze ndodhi me përqafimin e liberalizimit radikal ne fillimin e viteve nëntëdhjetë. Kjo reformë ekonomike solli ndryshimin e regjimit të taksave duke ulur në maksimum sidomos taksat për korporatat. Kjo bëri që koorporatat e ndryshme ndërkombëtare të josheshin nga kjo politikë fiskale dhe të zhvendoseshin për në Irlandë. Në vitin 2003 Gjermania dhe Franca duke parë dobinë që silli ulja e taksave për korporatat në Irlandë, vendosën që edhe ato ti ulnin në 15% taksat e korporatave. Mirëpo Irlanda shkoi më tej dhe i eleminoi plotësisht ato. Po kështu u minimalizuan tarifat doganore dhe Irlanda i’u hap plotësisht tregut ndërkombëtar. Kjo çoi në një lëvizshmëri të lartë të kapitalit dhe bëri që Irlanda sot të quhet nga analistë me famë botërore si shteti më i globalizuar në botë.
Por reforma nuk ishte thjesht ekonomike por edhe ligjore, pasi Irlanda ndërmori një proces de-regullarizimi ekstrem. Ky proces eleminoi vonesat e tejskajshme administrative që nevojiteshin për të hapur një biznes si dhe kontrollin e rëndë që legjislacioni e deriatëhershëm ushtronte mbi biznesin. Legjislacioni i ri irlandez vinte theksin tek konkurrenca e tregut të lirë dhe tek eleminimi i burokracisë. Kjo bëri që Irlanda të konsiderohet edhe sot si një ndër 9 vendet e botës ku është mundësia më e lehtë për të hapur një biznes të ri.
Ndërkohë Irlanda, po si Shqipëria sot, kishte një popullsi shumë të re që ishte e etur për punë, duke i’u ofruar investitorëve të huaj krah të lirë dhe masive të punës. Për më tepër fakti që ishte popullsi e re i jepte mundësi kësaj popullsie që të ishte fleksible, të trajnohej lehtë dhe ti përshtatej shpejtë nevojave të tregut. Për më tepër në Irlanda nuk kishte një traditë të fortë sindikaliste siç e kanë vende si Franca dhe Italia ku sindikatat e gjunjëzojnë biznesin privat.
Irlanda përfitoi edhe nga pozicioni gjeografik, duke qënë pjesë e Tregut të Përbashkët Evropian . Njesoj si Shqipëria, kostoja e transportit për në territoret e Bashkimit Evropian janë shumë të ulta.
Irlanda ndërmorri edhe një proces privatizimi masiv që e shkriu sektorin publik. Fatmirësisht ne nuk kemi më nevojë për një proces të fortë privatizimi pasi ne e kemi kaluar tashmë atë kohë më para dhe tani sektori publik në Shqipëri zë një rol shumë të vogël në ekonominë e vendit.
Në vitin 1998 Marrëveshja e Paqes së të Premtes së Mirë (Good Friday Agreement) bëri edhe eleminimin e klimës konfliktuale që kishte afër Irlanda dhe largoi turbullirën dhe dekurajimin qe kjo klimë shkaktonte tek ekonomia. Edhe ne falë marrëveshjeve të Dejtonit, Ohrit dhe paqes në Kosovë, sot jetojmë në një rajon që po shkëputet nga klima konfliktuale qe e ka karakterizuar në të kaluarën.
Kjo gjë çoin në lulëzimin e nje klime investitore në Irlandë që e vuri Irlandën në qëndër të vëmendjes së investuesve ndërkombëtarë. 15% e investime të drejtpërdrejta që dilnin nga Shtetet e Bashkuara shkonin në Irlandë. Investimet e huaja që shkonin në Irlandë gjatë viteve nëntëdhjetë arritën disa herë deri në 3000 dollarë amerikan për frymë gjatë një viti. Irlanda gjithmonë në të kaluarën kishte patur nivele të larta remitance që vinin nga kolonitë e mëdha të emigrantëve irlandez në Amerikë dhe Angli, por përmirësimi i kushteve investitore në Irlandë gjatë viteve nëntëdhjetë bëri që shumë emigrantë irlandez të ktheheshin ose të investonin në vendin e tyre të origjinës.
Reformat ekonomike të liberalizimit që ndërmorri Irlanda gjatë viteve nëntëdhjetë dëshmuan për efikasitetin e tregut të lirë dhe për nevojën që ka rritja ekonomike për liberalizim. Ekonomia e Irlandës gjatë periudhës 1991-2001 është rritur me një mesatare prej 7% në vit. Në vitin 2000 kjo rritje arriti 11%. Brenda kesaj periudhe, në vendin që dikur ishte rajoni më i varfër i Evropës Perëndimore, të ardhurat vjetore për frymë në Irlandë janë dyfishuar. Duke patur parasysh karakteristika të përbashkëta mes dy vendeve tona si e kaluara izolacioniste, klima konfliktuale rajonale, popullsia e vogël dhe e re, kultura e dikurshme tradicionale dhe e prapambetur, ekonomia e prapambetur bujqësore, emigracioni i madh, pozicioni gjeografik etj., mund të mendohet se reformat ekonomike që u aplikuar në Irlandë do të kenë impakt të ngjashëm në Shqipëri. Kjo do të thotë që suksesi i liberalizimit të ekonomisë irlandeze mund të shërbejë si një model i mirë për tu ndjekur nga Shqipëria në një të ardhme të afërt.
Krijoni Kontakt