moti i keq
emergjencat

Flet Shirie Bresa, shtazëna që çau dëborën për të ardhur në maternitet


“Udhëtova 4 ditë në borë për të shpëtuar fëmijën”




JONUZ HALLAÇI/ KUKËS
Ka udhëtuar për katër ditë me radhë në këmbë bashkë me krijesën e saj në bark, që pritet ta sjellë në jetë këto ditë, në maternitetin e Kukësit.

Shirie Bresa, 30-vjeçarja nga fshati Buzëmadhe i Kukësit, ka sfiduar dëborën mbi një metër e gjysmë, temperaturat nën 20 gradë dhe ka thyer çdo rekord, derisa ka mbërritur pranë spitalit të Kukësit. Historia e rrallë ka ndodhur këto ditë të dimrit të jashtëzakonshëm, kur Bresa që priste fëmijën e tretë, me shumë probleme në lindje, nuk ka mundur të hipë në helikopter, por është nisur bashkë me bashkëshortin e saj, Pëllumbin dhe me disa shoqërues të tjerë për në spital. Në fakt, që me 6 shkurt është nisur helikopteri për ta marrë, por ka ngatërruar fshatin, dhe në kërkim të saj ka zbritur në 3 fshatra të tjerë, duke mbledhur pleq e të sëmurë. Udhëtimi është bërë me disa ndalesa në fshatrat Fshat e Lusen, ku është dhe vendlindja e Shiries, në Ujmisht e Kolesjan për katër ditë radhazi, derisa e ka marrë një automjet në Kolesjan. Lindjet e saj të mëparshme kanë qenë me probleme, prandaj ajo, me afrimin e ditës së lindjes, duhej të ishte patjetër në spital. Në spitalin e Kukësit gruaja po i nështrohet një kontrolli të rreptë mjekësor dhe po trajtohet në kushte normale. Ndërkohë, burri i saj është nisur sërish në këmbë për te fëmijët e tjerë. Ajo dhe familjarët e saj shprehen se, ndonëse nuk u realizua udhëtimi me helikopter, ata falenderojnë policinë për angazhimin që patën, për të shpëtuar jetë njerëzish.

Pse nuk linde në shtëpi?
Unë jam banore e fshatit Buzëmadhe, një fshat shumë i vështirë për jetesë dhe mjaft i izoluar. Atje nuk ka as mami dhe as mjek. Dy fëmijët e parë i kam lindur me mjaft vështirësi, prandaj ishte e domosdoshme që në ditët e afrimit të lindjes të isha pranë spitalit të Kukësit, dhe nën kujdesin e mjekëve.

Me kë jeni nisur nga shtëpia drejt Kukësit?
Në këto kushte u nisëm në këmbë me burrin tim. Ditën e parë zbritëm në fshatin Fshat, më 6 shkurt, dhe qëndruam te nipat e burrit tim, ku u lajmërua dhe helikopteri. Aty na thanë se mund të vonohet, pasi kishte shumë urgjenca të tjera. Më vonë ai kishte ngatërruar fshatin dhe neve na u desh të niseshim në këmbë. Kemi bërë katër ditë në këmbë dhe kemi ecur bashkë me burrin, një kushëri të tij dhe më pas me vëllezërit e mi që ndenjën një natë në Lusen. Kemi ecur ngadalë dhe me pushime në dëborë mbi 1 metër e gjysmë, në temperatura të ulëta dhe në shtigje të paçelura. Këtë e bëmë për të shpëtuar jetën e një njeriu që ende nuk kishte lindur, dhe për jetën time, e cila nuk do të ishte e sigurtë, nëse nuk do të isha në spital.

A mendonit se mund të lindnit në rrugë apo të kishit probleme?
Vazhdimisht kemi menduar, por kjo ishte zgjidhja e vetme. Pata dhe shqetësime, por i kam përballuar saqë as vetë nuk e besoj se e kam bërë këtë rrugë, që në kushte normale burrat e bëjnë për 10 orë në këmbë, sepse është mbi 50 km rrugë e keqe. Edhe gjatë verës është e vështirë të vijë makina, pa le një grua shtatzënë në dëborë e të ftohtë. Nuk kishim çfarë të bënim. Nisja ishte i vetmi shpëtim.

Sa fëmijë të tjerë keni?
Kam edhe dy të tjerë, që ia kam lënë kunatës dhe burri është rikthyer sërish tek ata. Edhe ata i kam lindur me probleme. Nuk e kam imagjinuar se ky fëmijë, që pritet të vijë në jetë, të lindte në një mot kaq të keq. Tani jam mirë dhe mjekët kujdesen për mua. Këto ditë pres të lindë dhe nuk mund të lë pa falenderuar shtetin dhe policët që sollën për mua helikopterin, pavarësisht se unë nuk hipa në të. Kam dëgjuar se dhe në raste të tjera është shpëtuar jeta e shumë grave.

Orteqet bllokojnë në rrugë makinat

KUKËS – Orteqet bllokuan dje rreth 200 udhëtarë që kishin ndërmarrë udhëtimin nga Bajram Curri drejt Tiranës. Mbi 15 automjete private dhe 10 furgonë me pasagjerë janë bllokuar për disa orë pas rënieve të njëpasnjëshme të orteqeve gjatë udhëtimit të tyre. Incidenti i parë nga moti i keq ka ndodhur në afërsi të fshatit Miliskajë, si pasojë e rënies së dy orteqeve. Vargu i makinave është bllokuar aty për disa orë dhe menjëherë sapo kanë marrë njoftimin, tre borëpastruese kanë bërë të mundur pastrimin e borës dhe lejimin e lëvizjes së mjeteve në aksin Fierzë-Qafë Mali. Por, pa kaluar disa kilometra më pas, pranë fshatit Dardhë (Pukë), një ortek tjetër i ka bllokuar rrugën makinave, por për fat pa krijuar probleme në jetën e njerëzve. Pas disa orësh është bërë e mundur që makinat të udhëtojnë drejt Pukës e më pas drejt Tiranës. Rënia e orteqeve një javë më parë i mori jetën dy personave nga një fshat i Peshkopisë, ndërsa bllokoi për ditë të tëra dhjetëra udhëtarë në rrugët nacionale të vendit. Ditët e fundit, megjithë pushimin e reshjeve të dëborës, temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta, duke penguar shkrirjen e dëborës në zonat e thella malore.