Lindja e Mesme në prag të luftës. Libani në zi për ish-kryeministrin. Teherani e Damasku bëjnë aleancë.
Irani e Siria deklaruan se do të bashkohen në një front kundër kërcënimeve të SHBA-së pas tensionimit të situatës në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Libani ka përcjellë për në banesën e fundit ish-kryeministrin e vrarë të hënën, mes skenave kaotike dhe akuzave kundër Sirisë.
Irani dhe Siria bashkohen në një front kundër SHBA-së. Situata në Lindjen e Mesme është tensionuar tej mase dje kur dy vendet e akuzuara nga Uashingtoni për armë bërthamore e mbështetje të terrorizmit vendosën të përballojnë së bashku kërcënimet nga përtej detit. Ndërsa Libani ka përcjellë për në banesën e fundit ish-kryeministrin, Rafik al-Hariri, mes skenave kaotike dhe akuzuave kundë Sirisë, Irani nuk ka ngurruar të ofrojë ndihmë për vendin e akuzuar. "Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Sirinë nga të gjitha pikëpamjet për t'u përballur me kërcënimet," tha Mohammad Reza Aref, zëvendëspresidenti i Iranit pas një takimi me kryeministrin sirian, Naji al-Otari. Të dy vendet janë vënë aktualisht nën presionin e madh të SHBA-së. Uashingtoni e akuzon Teheranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore. Ndërsa tensionet mes Amerikës dhe Sirisë janë përshkallëzuar që nga vrasja e ish-kryeministrit libanez. Opozita si dhe populli libanez ka akuzuar Sirinë për sulmin me autobombë kundër ish-kryeministrit në Bejrut, por qeveria siriane nuk e ka pranuar këtë. Ndërkohë, SHBA ka tërhequr me urgjencë ambasadoren nga Siria në shenjë proteste ndaj sulmit, edhe pse nuk e ka akuzuar Damaskun drejtpërsëdrejti. Tani Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Sirisë për shkak të refuzimit të saj për tërheqjen e rreth 14 mijë trupave nga Libani. Akuzat e SHBA-së ndaj Sirisë nuk kanë lidhje vetëm me vrasjen e ish-kryeministrit libanez, por edhe me rrezikun që ajo paraqet si një vend që mbështet terrorizmin, sipas Uashingtonit. Siria nuk është në listën e zezë të SHBA-së, por gjithnjë është konsideruar si "kandidate" për këtë listë për pozitës së saj si vend mysliman sunit dhe "dorës së fortë" që ka në rajonin e Lindjes së Mesme. Siria akuzohet gjithashtu për mbështetjen e përkrahësve të Sadam Huseinit gjatë luftës së drejtuar nga amerikanët në Irak.
Krijoni Kontakt