Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka filluar bisedimet me përfaqësuesit serbë, në një përpjekje për t'i dhënë fund bojkotit që ata po u bëjnë institucioneve të Kosovës.
Burime të mirë informuara thonë se qeveria e Kosovës do të presë deri në fund të këtij muaj, dhe pastaj vendet e rezervuara për pakicën serbe në qeveri, do t'ia ofrojë atij që është i gatshëm t'i marrë, pavarësisht nga madhësia e partisë politike.
Gati dy muaj që nga krijimi i qeverisë së re, përfaqësuesit e pakicës serbe në Kosovë, ende nuk e kanë dhënë përgjigjen përfundimtare rreth pjesëmarrjes së tyre në institucionet e përkohëshme të pushtetit në Kosovë.
Zoti Haradinaj ka takuar të hënën udhëheqësin e Lëvizjes Qytetare "Serbia", Sllavisha Petkoviq. Nuk ka njoftime nëse në këtë takim ka patur ndonjë ofertë nga ana e kryeministrit për këtë subjekt politik.
Zoti Petkoviq tha se ky ka qenë vetëm një takim njohjeje.
Që partia ime të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, fillimisht duhet që dikush ta bëjë një ofertë të tillë.
Sllavisha Petkoviq, Lëvizja Qytetare "Serbia"
Partia më e madhe serbe, Lëvizja për Kosovën dhe Metohinë e drejtuar nga Oliver Ivanoviq, që ka tetë deputetë në kuvend, thotë se tani për tani nuk është e gatshme të marrë pjesë në qeveri pa dritën e gjelbër nga Beogradi.
Lista Qytetare "Serbia", që ka dy deputetë në kuvendin kosovar, ka deklaruar së është krejtësisht i pavarur rreth vendimit të tij për të marrë pjesë ose jo në qeveri.
"Unë nuk jam i penguar nga ana e Beogradit për të marrë pjesë më qeveri, mirëpo që partia ime të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, fillimisht duhet që dikush ta bëjë një ofertë të tillë," tha zoti Petkoviq.
"Derisa (Vojisllav) Koshtunica të jetë kryeministër, mendoj se qëndrimi i Beogradit për ketë çështje nuk do të ndryshojë, të paktën jo derisa Ramush Haradinaj të jetë kryetar i qeverisë," tha ai duke shtuar se grupimi i tij do të vendosë në varësi të "ofertës që do të më bëhet".
Sipas ndarjes së ministrive, dy prej tyre janë lënë për pakicën serbe, Ministria për Kthimin dhe Ministria e Bujqësisë.
Qeveria dhe UNMIK-u kanë deklaruar se bojkoti i serbëve për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës nuk do të mund ta bllokojë procesin.
Një burim i afërt me qeverinë i ka thënë BBC-së, se përfaqësuesit e partisë së zotit Ivanoviq, do të priten deri në fund të këtij muaj dhe nëse deri atëherë nuk do të kenë përgjigje, është e mundur që vendet e rezervuara për pakicën serbe, qeveria t'ia ofrojë partisë së dytë serbe, të zotit Petkoviq.
Sidoqoftë gjërat do të duken shumë më të qarta, pas takimit ndërmjet shefit të UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, dhe kryeministrit serb Koshtunica, i planifikuar të mbahet të henën e ardhshme.
Thuhet se njëra prej çështjeve që do të diskutohen në këtë takim është edhe mundësia që Beogradi ta ndryshojë qëndrim rreth pjesëmarrjes së serbëve në qeveri, ndërkohë që ky i fundit ka paralajmëruar se kjo do të varet nga qëndrimi që do të ketë UNMIK-u rreth planit serb për decentralizimin.
Krijoni Kontakt