TIRANE
Nuk mund të iki me notën katër në shtëpi…Duhet të bëj diçka…". Këto fjalë të thëna mes lotëve, nuk janë marrë shumë seriozisht dje nga mësuesja dhe shokët e klasës së 12-vjeçares Joana Rajdho. Por, nxënësja e klasës së pestë të shkollës "Ramazan Jaranani" në Allias, nuk ka mundur ta durojë notën mbetëse në provim. Rreth orës 15.00, pasi ka mbaruar shkollën, ajo ka mbërritur te gjyshërit në shtëpi e vendosur për të marrë hapin ekstrem. Pasi u ka hapur atyre fletoren në tavolinën e bukës, Joana është futur në banjon e shtëpisë dhe është varur me shallin e saj përpara se e ëma të mbërrinte nga puna. Një vetëflijim që ka ndodhur vetëm pesë ditë më pas dhe është mjaft i ngjashëm me atë të 11-vjeçares Esmeralda Cenaj në Fier. Edhe në këtë rast, vajza ka zgjedhur shallin e saj, të cilin e ka lidhur në dorezën e një dollapi në banjo duke imituar skenën e zbuluar pak ditë më parë në Fier. Familjarët kanë dëshmuar dje për policinë se Joana kishte dëgjuar në lajme për vetëvrasjen e moshatares së saj dhe kishte shprehur dëshpërimin e saj. Në këtë mënyrë, hetuesit dyshojnë se Joana ka zgjedhur shembullin e vajzës fierake pas notës mbetëse, apo edhe depresionit pas divorcit të prindërve të saj disa vite më parë. Gjyshja e vogëlushes, Xhemile Zili, ka rrëfyer për Gazetën tmerrin e përjetur kur ka parë mbesën të varur në raftin e këpucëve që gjendet mbi dritaren e banjës.
Si e mësuat vdekjen e tragjike të mbesës suaj?
Isha në shtëpi me gjithë burrin, Hakiun. Joana kishte ardhur me sytë e fryrë nga të qarët, për shkak të një note të keqe që kishte marrë. Pasi na hapi fletoren në tavolinë dhe tregoi notën katër, hyri në banjë. Hakiu e pa që po vonohej dhe shkoi të shikonte në banjë. Aty e gjeti në varur me një shall të sajin që e kishte lidhur tek rafti ku mbajmë këpucët, mbi dritaren e banjës.
Si ishte gjendja e Joanës kur erdhi nga shkolla?
Ishte shumë e tronditur dhe dukej që kishte qarë. E pyetëm se çfarë kishte dhe ajo u përgjigj se mësuesja në shkollë i kishte vënë një notë që nuk e meritonte. Madje na tregoi edhe fletoren, si për të na mbushur mendjen për këtë. Ishte nxënëse e mirë në mësime dhe vinte me qejf të na i tregonte notat që merrte në detyra e provime. Ne u munduam ta qetësonim për mometin dhe nuk i dhamë ndonjë rëndësi. Nuk na e merrte mendja kurrë atë që na panë sytë më pas.
A ishte tip i ndjeshëm?
Ishte fëmijë shumë i këndshëm, megjithëse nuk kishte patur fatin e shoqeve të saja për të patur të dy prindërit. Joana jetonte prej 9 vitesh me ne, pasi i ati na la dhe nuk është bërë më i gjallë as për ta parë. Kjo kishte ndikuar tek ajo, por për mua nuk ka qenë ky shkaku i vetëvrasjes.
A ndiqte ndonjë sekt fetar mbesa juaj?
Nuk ka treguar ndonjëherë interes për këto. Dëgjonte ndonjëherë se në këto mjedise jepeshin dhurata apo gjëra të tjera falas dhe e diskutonte me ne, por nuk di të ketë shkuar apo të ketë dashur të shkojë. Nga ne nuk ka patur asnjëherë probleme të tilla, e donim shumë dhe gjithnjë ia realizonim dëshirat.
Policia: Dyshime se vetëflijimi erdhi pas divorcit të prindërve
Policia ka shumë dyshime se shkaku i vetëflijimit të Joanës mund të ketë qenë edhe depresioni pas divorcit të prindërve të saj. Ky version është hedhur pasi është marrë në pyetje e ëma e vajzës, Anila, gjyshërit, shokët dhe mësuesit e shkollës. Sipas policisë, 12-vjeçarja e vuante shumë mungesën e të atit, për më tepër që ky dukej sikur nuk donte t'ja dinte fare që ajo ekzistonte dhe vitet e fundit nuk kishte shkuar as për ta parë. Prindërit e Joanës mësohet se janë divorcuar 9 vjet më parë. Burimet nuk kishin dijeni për shkakun e këtij divorci, por në të vërtetë vogëlushja bëhej keq sa herë që e pyesnin se pse babai nuk jetonte me ta. Në fakt, pas divorcit, Anila, e ëma e 12-vjeçares punonte në një fabrikë këpucësh në Tiranë. Joana ishte i vetmi fëmijë i saj dhe ajo ia dedikonte të gjithë kohën asaj.
PREÇEDENTI
Mëngjesin së shtunës u gjet e vetëvarur në tualetin e shtëpisë së saj Esmeralda Cenaj, banuese në lagjen "1 Maj" të qytetit të Fierit. 11-vjeçarja i dha fund jetës së saj me anë të shallit që mbante në qafë të cilin, e kishte lidhur në mbajtësen metalike të peshqirëve të banjos. Menjëherë pas ngjarjes policia deklaroi se viktima e kishte marrë vendimin fatal vetëm pak minuta pas një sherri me prindërit e saj. Sipas bluve, bashkëshortët Cenaj nuk e kishin lejuar vajzën e tyre të merrte pjesë në veprimtaritë që organizonte sekti fetar i Jehovait. Ndërkohë, prindërit e viktimës kanë përgënjeshtruar versionin e dhënë nga policia. Ata kanë pohuar se nuk ishte feja shkaku i flijimit të vajzës së tyre.
Vetevaret taksisti
Një taksist 47-vjeçar u gjet mëngjesin e djeshëm i vetëvarur në një shtyllë të tensionit të lartë. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur viktima Suhat Spaho, nga fshati Bitinckë. Burime të policisë sqarojnë se Spaho punonte si taksist dhe ishte në gjendje të mirë financiare. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se Spaho i ka dhënë fund jetës, pasi ishte në gjendje depresive.
Krijoni Kontakt