Një poezi e Heminguejit ku përmenden shqiptarët


DR. MOIKOM ZEQO

Në ditët e rinisë sime, idhulli i Ernest Heminguejit qe i gjallë, çudisjellës, shpërthyes dhe artndikues. Hemingueji është një prozator i shkëlqyer i shek. XX. Literariteti i tij ka një karakter lakonik, të pazakontë. Ai bën një prozë të madhe me një fuqi substanciale, shpalos shpirtin e sendeve dhe tipologjinë e njerëzve të vërtetë. Duke studiuar Heminguejin, jam njohur dhe me krijimet e tij poetike, eksperimente të çuditshme. Ai e ka patur mik të madh, gjeniun e poezisë Ezra Paund. Por Hemingueji, kurrë nuk e ka mbajtur veten për poet. I pari njeri që më foli për një poezi të Heminguejit, ku përmenden shqiptarët, qe studiuesi dhe piktori i njohur nga Kosova, Shyqyri Nimani. Pas disa përpjekjesh e gjeta këtë poezi në dorëshkrimet e mia, e kisha përkthyer para 10 vjetësh. Poezia i kushtohet një ngjarjeje fantazmagorike, të njohur në kronikat mesjetare si Beteja e Kopenhagës. Bëhet fjalë për epokën e stratiotëve, të ushtarëve shumëkombësh me pagesë. Stratiotë të famshëm kanë qenë edhe shqiptarët. Në shek.XVII spikat edhe një teoricien i madh i artit ushtarak, shqiptari Gjergj Basta, i cili arriti dhe gradën Gjeneralisimus. Për fat të keq nuk e kam lokalizuar dhe saktësuar ngjarjen historike, që quhet Beteja e Kopenhagës. Kjo poezi është e bukur dhe mbresëlënëse, konkrete dhe apokaliptike. Ai i përmend shqiptarët, siç përmend të tëra etnitë e tjera. Si një alkimist ai bën analizën e një enigme. Ky rast i përmendjes së shqiptarëve në krijimtarinë e Heminguejit, është gjithsesi simbolik, por jo i parëndësishëm.

Somario
Poezia i kushtohet një ngjarjeje fantazmagorike, të njohur në kronikat mesjetare si Beteja e Kopenhagës. Bëhet fjalë për epokën e stratiotëve, të ushtarëve shumëkombësh me pagesë.

Stratiotë të famshëm kanë qenë edhe shqiptarët. Në shek.XVII spikat edhe një teoricien i madh i artit ushtarak, shqiptari Gjergj Basta, i cili arriti dhe gradën Gjeneralisimus.


ERNEST HEMINGUEJ

BETEJA E KOPENHAGES

Përherë është mister
Pse vallë
Në histori
S’ka asnjë fjalë
Për
Betejën e Kopenhagës!

S’ka asnjë legjendë
E megjithatë
Diçka dihet
Për luftimin dhe disfatën,
Për thyerjen
Dhe rrëzimin mes gjakut,
Për goditjet,
Copëtimet,
Për plagët,
Për klithmat
Dhe kalbjen e skëterrshme të kufomave
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhjetëmijë burra suedezë
Nisen dhe s’kthehen
Në Betejën e Kopenhagës

***
Dhe shumë italianë,
Disa batalione
Në kolona
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhjetë fise polakësh
Mes pyjeve
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhe grupe shqiptarësh
Përkrahur
Nga ukrainas
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhe gjithashtu ca rumunë
Të ngathët
Por dhe mendjehollë
Në Betejën e Kopenhagës!

Tremijë grekë
Me fustanella
Që kundërmonin erë presh
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhe njëmijë turq
Me hanxharë të përgjakur
Mes vringëllimash
Në Betejën e Kopenhages!

Gjashtëqind abisinezë
Thatimë, trashaluqë
Në Betejën e Kopenhagës!

Dyqint çekë,
Me britmën e tyre luftarake,
“Me Hzeck”
Në Betejën e Kopenhagës!

Dhe njëmijëetetëqind skocezë
Me batanije,
Të lidhura më nyje
Me enët e kallajta në brez
Të ndyrë, pijanikë
Në Betejën e Kopenhagës!

Dyqind aziatikë
Madje dhe një çetë japonezësh
Në Betejën e Kopenhagës!

Zaret e fatit trimërisht i hedh
Dhe një mori mongolësh
Mëkatarë dhe të shenjtë
Në Betejën e Kopenhagës!

***
Nga viset veriore
Erdhi vetëm
Një grusht norvegjezësh
Të vetmit, të pafrikshmit,
T’u kundërviheshin
Hordhive kaotike
Në Betejën e Kopenhagës!

Kur u dogj gjithçka,
Gjysmë milionë çifutë
Nxituan
Për të përhapur
Anembanë botës
Lajmin
Për Betejën e Kopenhagës!

Shkruar në Çikago gjatë viteve 1920-1921
Përktheu Moikom Zeqo