Të premten, më 19.12.2003, pas një lëngate të gjatë, të cilën e përballoi me durim e forcë të madhe shpirtërore, fjeti at Vangjel Xoxe.
Ai u lind më 9 prill 1933, në fshatin Çukës të Lushnjës, në një familje besimtarësh të devotshëm. Gjyshi i tij, at Joani dhe babai i tij, at Ilia, e mëkuan qysh në fëmijëri me dashurinë e madhe për Krishtin, prandaj nipi dhe biri i tyre ia fali jetën Perëndisë së Tërëfuqishëm.
Më 2 gusht 1953 u dorëzua dhjak nga Episkop Qirili dhe shërbeu me përkushtim pranë dhespotëve të Beratit. Me fytyrën e tij të pastër, me veshjen e tij të rregullt dhe me sjelljen e tij të hijshme shumë shpejt fitoi simpatinë e orthodhoksëve beratas, por edhe të mbarë qytetarëve.
Për të ngritur nivelin arsimor e kulturor u regjistrua në gjimnazin e mbrëmjes, krahas zellit të madh që kishte për të përvetësuar sa më mirë librat e shenjtë dhe shërbesat e mistereve kishtare.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak kthehet përsëri në Berat dhe vazhdon me më shumë devotshmëri e kënaqësi detyrën e dhjakut, deri në shkurt të vitit 1967, kur regjimi ateist i mbylli kishat dhe i zhveshi klerikët. Me dhembje të thellë e përjetoi këtë periudhë të errët dhe për t’u siguruar bukën e gojës pjesëtarëve të shumtë të familjes u detyrua të punojë si ndihmësmarangoz në sektorin e vështirë e të lodhshëm të sharrave, në zdrukthtarinë e qytetit.
Ndonëse me fizik delikat, i përballoi me qëndrim të patundur, me durim e përulshmëri Perëndie vështirësitë e gjithanshme e të panumërta, duke fituar respektin e punëtorëve të thjeshtë, tek të cilët futi frymën e dashurisë për Zotin mëshirëplot.
Dhe ja, Perëndia vonon, por nuk mungon. Viti 1990 e lumturoi kur pa me sytë e tij dhe dëgjoi me veshët e tij se edhe në Shqipëri do të lejohej besimi fetar.
Disa besimtarë të devotshëm goricarë morën nismën e guximshme të pastronin ish-kishën e Shën Spiridhonit, të kthyer në depo të zakonshme, dhe pasi e bënë gati për shërbesë kishtare, e ftuan dhjakun Vangjel Xoxe të kryente një shërbesë më 12 dhjetor 1990, me rastin e festës së Shën Spiridhonit në prani të mijëra besimtarëve të krishterë, madje edhe të feve të tjera.
Zoti ia shpërbleu sakrificat më 25 qershor 1991, kur u hirotonis në prift nga Imzot Anastasi, atëherë Eksark Patriarkal, në Manastirin e Pendelit të Athinës.
Tani filloi etapa e përgjegjësive të mëdha për papa Vangjelin. Si prift i vetëm në Berat, ai, me ndihmën, përkrahjen dhe udhëzimet e sakta të Imzot Anastasit, organizoi këshillin kishtar, emëroi epitropët dhe me urtësi e autoritet drejtoi të gjitha punët për miradministrimin e ekonomisë kishtare dhe për afrimin e tërheqjen e shpresëtarëve pranë kishave.
Me gëzim të patreguar at Vangjeli priti fronëzimin e Imzot Ignatit në kishën e Shën Spiridhonit, si Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë.
Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, duke vlerësuar virtytet dhe meritat e shumta të at Vangjel Xoxes, më 5 korrik 1998 i dha titullin Ikonom dhe i vendosi në gjoks kryqin për ta quajtur me respekt Kryqmbajtës (Stavrofor).
Në kohën, kur po shijonte frytet e përparimit e të forcimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kur po ngrihej madhështore në qendër të Beratit Katedralja e re e Shën Dhimitrit, një sëmundje e rëndë e goditi papa Vangjelin. Me të mësuar këtë gjë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas dha bekimin që të bëhej gjithçka për shërimin e priftit të përkushtuar. Imzot Ignati mori përsipër t’i qëndronte vazhdimisht pranë në spital dhe të kujdesej personalisht për mjekimin sa më korrekt të klerikut të dashur, i cili në disa periudha pati përmirësim të dukshëm. Ai u kthye në kishë dhe vazhdoi të meshonte për Pashkë, të dielave dhe të kremteve të ndryshme, duke iu falur Zotit dhe duke falënderuar Kryepiskopin Anastas dhe Mitropolitin Ignat.
Por Zoti ia kishte caktuar ditën e fjetjes.
Për t’i bërë të gjitha nderimet që i takonin, Imzot Ignati porositi që arkivoli me trupin e të ndierit të vendosej në kishën e Shën Spiridhonit. Mijëra besimtarë e qytetarë për dy ditë me radhë erdhën në kishën e lartpërmendur për t’u përshëndetur përfundimisht me klerikun që e donin dhe e respektonin aq shumë.
Të shtunën, më 20.12.2003, në të njëjtën kishë u krye Liturgjia e Shenjtë për festën e Shën Ignatit dhe hirotonisja e priftit të ri Tertio nga Mazhaj i Lushnjës prej Imzot Ignatit dhe episkopit Imzot Ilia, të ndihmuar nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, at Jani Trebicka si dhe nga dhjetëra klerikë, të ardhur nga të gjtha mitropolitë. Mbas Meshës së Shenjtë u krye ceremonia mortore, gjatë së cilës e morën fjalën Imzot Ignati, Imzot Ilia, prifti Ilia Katnari, përfaqësues i Mitropolisë së Korçës, z. Ilia Zaka, sekretar i këshillit kishtar të Beratit, vajza Najada Naska, përfaqësuese e rinisë orthodhokse të qytetit dhe kleriku mysliman z. Qeramudin Murdia, të cilët përmendën me dashamirësi e nderim të veçantë virtytet dhe cilësitë e larta që e karakterizonin priftin Vangjel Xoxe si klerik shembullor për të gjithë klerikët e brezit të tanishëm, i përkushtuar në dashurinë për të madhin Zot, i urtë e zemërdhembshur për nevojtarët, autoritar dhe i guximshëm, gojëmbël dhe i sjellshëm me besimtarët dhe qytetarët, që nga më i mituri e deri te më i moshuari, tolerant dhe i hapur në diskutime të ndryshme, ndërtues i marrëdhënieve korrekte me autoritetet e vendit dhe me përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
Folësit e cilësuan papa Vangjelin si një bashkëshort të ndershëm që bashkë me priftëreshën Vushe lindën, rritën dhe edukuan më së miri tri vajza e dy djem, që kanë krijuar familjet e tyre të shëndosha nga ana shoqërore, morale e shpirtërore, si një prind të dashur dhe si një gjysh të dhembshur, që i donte dhe e donin aq shumë nipërit dhe mbesat e tij. Ata theksuan me sinqeritet se Ikonom Vangjel Xoxe ishte një qytetar korrekt, që gëzonte respektin dhe dashurinë e bashkëqytetarëve, por edhe të banorëve të qyteteve të tjera të Shqipërisë, madje dhe të diasporës së Amerikës e të Evropës, pa dallim seksi, përkatësie shoqërore, kulturore, partiake dhe fetare. Për këtë arsye në kishë e në varreza ishin të pranishëm mijëra qytetarë të këtyre përkatësive për ta përcjellë me dashuri e respekt për në banesën e përhershme të Zotit, duke u lutur me gjithë shpirt që të prehet i qetë në Parajsë dhe të jetë i përjetshëm kujtimi i tij.
Ilia Mihal Zaka
Krijoni Kontakt