Close
Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 39
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Të premten, më 19.12.2003, pas një lëngate të gjatë, të cilën e përballoi me durim e forcë të madhe shpirtërore, fjeti at Vangjel Xoxe.
    Ai u lind më 9 prill 1933, në fshatin Çukës të Lushnjës, në një familje besimtarësh të devotshëm. Gjyshi i tij, at Joani dhe babai i tij, at Ilia, e mëkuan qysh në fëmijëri me dashurinë e madhe për Krishtin, prandaj nipi dhe biri i tyre ia fali jetën Perëndisë së Tërëfuqishëm.
    Më 2 gusht 1953 u dorëzua dhjak nga Episkop Qirili dhe shërbeu me përkushtim pranë dhespotëve të Beratit. Me fytyrën e tij të pastër, me veshjen e tij të rregullt dhe me sjelljen e tij të hijshme shumë shpejt fitoi simpatinë e orthodhoksëve beratas, por edhe të mbarë qytetarëve.
    Për të ngritur nivelin arsimor e kulturor u regjistrua në gjimnazin e mbrëmjes, krahas zellit të madh që kishte për të përvetësuar sa më mirë librat e shenjtë dhe shërbesat e mistereve kishtare.
    Pas kryerjes së shërbimit ushtarak kthehet përsëri në Berat dhe vazhdon me më shumë devotshmëri e kënaqësi detyrën e dhjakut, deri në shkurt të vitit 1967, kur regjimi ateist i mbylli kishat dhe i zhveshi klerikët. Me dhembje të thellë e përjetoi këtë periudhë të errët dhe për t’u siguruar bukën e gojës pjesëtarëve të shumtë të familjes u detyrua të punojë si ndihmësmarangoz në sektorin e vështirë e të lodhshëm të sharrave, në zdrukthtarinë e qytetit.
    Ndonëse me fizik delikat, i përballoi me qëndrim të patundur, me durim e përulshmëri Perëndie vështirësitë e gjithanshme e të panumërta, duke fituar respektin e punëtorëve të thjeshtë, tek të cilët futi frymën e dashurisë për Zotin mëshirëplot.
    Dhe ja, Perëndia vonon, por nuk mungon. Viti 1990 e lumturoi kur pa me sytë e tij dhe dëgjoi me veshët e tij se edhe në Shqipëri do të lejohej besimi fetar.
    Disa besimtarë të devotshëm goricarë morën nismën e guximshme të pastronin ish-kishën e Shën Spiridhonit, të kthyer në depo të zakonshme, dhe pasi e bënë gati për shërbesë kishtare, e ftuan dhjakun Vangjel Xoxe të kryente një shërbesë më 12 dhjetor 1990, me rastin e festës së Shën Spiridhonit në prani të mijëra besimtarëve të krishterë, madje edhe të feve të tjera.
    Zoti ia shpërbleu sakrificat më 25 qershor 1991, kur u hirotonis në prift nga Imzot Anastasi, atëherë Eksark Patriarkal, në Manastirin e Pendelit të Athinës.
    Tani filloi etapa e përgjegjësive të mëdha për papa Vangjelin. Si prift i vetëm në Berat, ai, me ndihmën, përkrahjen dhe udhëzimet e sakta të Imzot Anastasit, organizoi këshillin kishtar, emëroi epitropët dhe me urtësi e autoritet drejtoi të gjitha punët për miradministrimin e ekonomisë kishtare dhe për afrimin e tërheqjen e shpresëtarëve pranë kishave.
    Me gëzim të patreguar at Vangjeli priti fronëzimin e Imzot Ignatit në kishën e Shën Spiridhonit, si Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë.
    Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, duke vlerësuar virtytet dhe meritat e shumta të at Vangjel Xoxes, më 5 korrik 1998 i dha titullin Ikonom dhe i vendosi në gjoks kryqin për ta quajtur me respekt Kryqmbajtës (Stavrofor).
    Në kohën, kur po shijonte frytet e përparimit e të forcimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kur po ngrihej madhështore në qendër të Beratit Katedralja e re e Shën Dhimitrit, një sëmundje e rëndë e goditi papa Vangjelin. Me të mësuar këtë gjë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas dha bekimin që të bëhej gjithçka për shërimin e priftit të përkushtuar. Imzot Ignati mori përsipër t’i qëndronte vazhdimisht pranë në spital dhe të kujdesej personalisht për mjekimin sa më korrekt të klerikut të dashur, i cili në disa periudha pati përmirësim të dukshëm. Ai u kthye në kishë dhe vazhdoi të meshonte për Pashkë, të dielave dhe të kremteve të ndryshme, duke iu falur Zotit dhe duke falënderuar Kryepiskopin Anastas dhe Mitropolitin Ignat.
    Por Zoti ia kishte caktuar ditën e fjetjes.
    Për t’i bërë të gjitha nderimet që i takonin, Imzot Ignati porositi që arkivoli me trupin e të ndierit të vendosej në kishën e Shën Spiridhonit. Mijëra besimtarë e qytetarë për dy ditë me radhë erdhën në kishën e lartpërmendur për t’u përshëndetur përfundimisht me klerikun që e donin dhe e respektonin aq shumë.
    Të shtunën, më 20.12.2003, në të njëjtën kishë u krye Liturgjia e Shenjtë për festën e Shën Ignatit dhe hirotonisja e priftit të ri Tertio nga Mazhaj i Lushnjës prej Imzot Ignatit dhe episkopit Imzot Ilia, të ndihmuar nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, at Jani Trebicka si dhe nga dhjetëra klerikë, të ardhur nga të gjtha mitropolitë. Mbas Meshës së Shenjtë u krye ceremonia mortore, gjatë së cilës e morën fjalën Imzot Ignati, Imzot Ilia, prifti Ilia Katnari, përfaqësues i Mitropolisë së Korçës, z. Ilia Zaka, sekretar i këshillit kishtar të Beratit, vajza Najada Naska, përfaqësuese e rinisë orthodhokse të qytetit dhe kleriku mysliman z. Qeramudin Murdia, të cilët përmendën me dashamirësi e nderim të veçantë virtytet dhe cilësitë e larta që e karakterizonin priftin Vangjel Xoxe si klerik shembullor për të gjithë klerikët e brezit të tanishëm, i përkushtuar në dashurinë për të madhin Zot, i urtë e zemërdhembshur për nevojtarët, autoritar dhe i guximshëm, gojëmbël dhe i sjellshëm me besimtarët dhe qytetarët, që nga më i mituri e deri te më i moshuari, tolerant dhe i hapur në diskutime të ndryshme, ndërtues i marrëdhënieve korrekte me autoritetet e vendit dhe me përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
    Folësit e cilësuan papa Vangjelin si një bashkëshort të ndershëm që bashkë me priftëreshën Vushe lindën, rritën dhe edukuan më së miri tri vajza e dy djem, që kanë krijuar familjet e tyre të shëndosha nga ana shoqërore, morale e shpirtërore, si një prind të dashur dhe si një gjysh të dhembshur, që i donte dhe e donin aq shumë nipërit dhe mbesat e tij. Ata theksuan me sinqeritet se Ikonom Vangjel Xoxe ishte një qytetar korrekt, që gëzonte respektin dhe dashurinë e bashkëqytetarëve, por edhe të banorëve të qyteteve të tjera të Shqipërisë, madje dhe të diasporës së Amerikës e të Evropës, pa dallim seksi, përkatësie shoqërore, kulturore, partiake dhe fetare. Për këtë arsye në kishë e në varreza ishin të pranishëm mijëra qytetarë të këtyre përkatësive për ta përcjellë me dashuri e respekt për në banesën e përhershme të Zotit, duke u lutur me gjithë shpirt që të prehet i qetë në Parajsë dhe të jetë i përjetshëm kujtimi i tij.

    Ilia Mihal Zaka
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Stanko Ilia Koja

    Lindi në Gjinavec të rrethit të Peshkopisë, në vitin 1896. Mbas mbarimit të shkollës, shërbeu në Shpat të Elbasanit si prift për 3 vjet. Më pas shërbeu në Gollobordë, deri sa jetoi. Gjatë periudhës që shërbeu si prift mori kërcënime për vrasje nga persona joorthodhoksë.
    Një ditë të martë, duke vajtur për të pagëzuar një fëmijë në fshatin Vërnicë, u vra gjatë rrugës nga tre persona, të cilët i kishin zënë pritë. Vrasësit kishin edhe precedentë të tjerë. Arsyeja e këtij krimi të shëmtuar ishte mbrojtja që ai i bënte fesë orthodhokse.
    Vdiq në vitin 1941, në moshën 45-vjeçare, duke lënë gruan dhe dy fëmijë jetimë. Dy prej vrasësve u ekzekutuan nga shteti në Peshkopi, njëri prej tyre nga frika e hakmarrjes u çmend dhe vdiq në psikiatri.
    Më pas një zjarr që përfshiu fshatin dogji gjithçka, por kisha e Shën Kollit, ku shërbeu Ilia Koja, fatmirësisht shpëtoi. Por më pas disa persona të panjohur i vunë edhe asaj zjarrin.

    Kërkesa e të gjthë besimtarëve orthodhoksë të fshatit është që kisha e Shën Kollit në Gjinavec të rindërtohet.

    Spase Koja

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Një jetë në shërbim të kishës

    Fjeti besimtarja e shquar Elisabeta (Berta) Dhimitri

    Elisabeta Xhokaxhi ose siç njihej nga besimtarët e Korçës Berta Dhimitri lindi nga një familje besimtare më 1 mars të vitit 1926. Pati shumë tragjedi në familjen e saj dhe mbas vdekjes së prindërve, vëllait dhe motrës mbeti e vetme, por jo e izoluar, sepse fuqinë për të jetuar dhe punuar e gjeti tek Kisha që për të ishte gjithçka. Me besim të patundur tek Zoti, ajo ishte shembulli i atyre besimtarëve që i rezistuan me vetëmohim periudhës së egër të përndjekjes së Kishës nga diktatura komuniste dhe që e mbajtën gjallë besimin orthodhoks në qytetin e Korçës. Mbante lidhje të ngushta me Olimbi Mullën dhe familjen Cico, që ishte qendra ku mblidheshin në fshehtësi besimtarët korçarë.
    Me çantën e saj të mbushur me libra kalonte shtëpi më shtëpi për t’u dhënë forcë dhe kurajo besimtarëve, që të përballonin valën e egër të dhunës antifetare. Me gjithë përpjekjen e egër dhe rrezikun që paraqesnin për atë kohë, ajo nuk i ndërpreu asnjëherë të gjitha shërbesat fetare. Mbante lidhje me At Kozmain e Vlorës (Episkopi i Apolonisë) dhe priftërinj të tjerë që shërbenin në fshehtësi, me të cilët vazhdonin pagëzimet, kurorëzimet, përshpirtjet dhe kryheshin Liturgjitë fetare për marrjen e kungatës. Kur në Korçë nuk kishte prift, shkonte së bashku me Dhimitra Cicon për t’u kunguar në Tiranë. Për të mos rënë në sy të të tjerëve nuk hanin darkë dhe mëngjes me pretekstin se do të bënin analiza mjekësore. Mbante rregullisht kreshmë dhe Paraklisin e Shën Marisë e bënte edhe në punë. Kur shoqet e punës e shikonin që lëvizte buzët kujtonin se e kishte nga lodhja dhe përsëriste shifrat meqenëse punonte si llogaritare, por më pas e mësuan të vërtetën dhe luteshin edhe ato bashkë me të. Në fillimet e demokracisë ishte nga të parat që u mobilizua në hapjen e kishave dhe ishte ndër iniciatoret që në vitin 1990 për zhvillimin e ceremonive të para fetare në publik, në rrënojat e kishës së Shën Trinisë dhe Shën Thanasit, dhe qytetarët e Korçës dëgjuan kambanat e para që lajmëronin një epokë të re, atë të ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
    Ardhja e Kryepiskopit Anastas e bëri me krahë, ajo u rilind shpirtërisht, sepse Kisha e jonë ra në duar të sigurta, por përjetoi dhe dhembje të thellë kur njerëz dashakeqës dhe me qëllime djallëzore u sulën si fajkonj kundër Kryepiskopit, sepse donin të pengonin përparimin e Kishës sonë. Janë të panumërta lutjet dhe agripnitë që janë bërë prej saj në mbrojtje të Kryepiskopit. Por Kisha jonë ishte e destinuar prej Zotit që të ecte përpara edhe një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme e lumturoi pa masë. Ishte fronëzimi i Imzot Joanit si Mitropolit i dioqezës së Korçës.
    Ky ishte një gëzim i madh për të gjithë, sepse na dhuroi Perëndia një Mitropolit të denjë, por veçanërisht për Bertën, sepse Imzot Joanin e njihte që nga koha e diktaturës si një të ri me shumë dhunti, që pavarësisht nga mosha ishte miqësuar dhe punonte me shumë pasion së bashku me Theofan Popën, Petro Zhein, Petraq Fundon dhe shumë të tjerë, duke shkuar qytet më qytet për të shpjeguar Ungjillin dhe për t’u dhënë kurajo njerëzve të dëshpëruar. Për Imzot Joanin ajo ishte një nënë e dashur.
    Berta Dhimitri shquhej edhe si një misionare jo vetëm për përhapjen e fesë, por edhe për zotërimin e mësimeve të Ungjillit. Ajo mblidhte ndihma për të varfrit, kujdesej për njerëz të sëmurë, u qëndronte pranë, ngushëllonte ata që kishin dhembje dhe i forconte në besë. I donte të gjithë dhe e donin të gjithë, prandaj ajo u bë simboli i forcës që ka Kisha jonë Orthodhokse. Këtë e tregon më së miri periudha e fundit e jetës së saj dhe megjithëse kishte mbetur e vetme nuk u gjend kurrë e vetmuar. Ajo pati përkujdesjen e pakursyer të Mitropolitit Joan, shërbimin dhe dashurinë e grave të Lidhjes Orthodhokse, të cilat gjatë gjithë periudhës së gjatë të sëmundjes së saj u përkujdesën dhe nuk e lanë vetëm për asnjë çast. Berta, nëna jonë e dashur ndërroi jetë më 24 janar të këtij viti dhe u varros me nderime të mëdha nga ana e Kishës dhe gjithë qytetit. Për meritat dhe veprimtarinë e saj të shquar, të gjitha shpenzimet e varrimit u morën përsipër personalisht nga Kryepiskopi Anastas.

    I përjetshëm qoftë kujtimi i saj.

    Nga Lidhja e Grave Orthodhokse e Mitropolisë së Shenjtë, Korçë
    Korçë 30.01.2004
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-03-2005 më 16:54

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Kostandin Bozdo

    Lindi në vitin 1902, në fshatin Koshovicë, nga një familje klerikësh me tradita. I ati i tij ishte prift dhe shërbeu edhe ai në fshatin e vet si edhe në fshatrat përreth. Kostandini u rrit në një mjedis thellësisht të krishterë dhe andej buroi edhe dashuria e tij për Krishtin. Shkollën fillore dhe plotoren e mbaroi në Greqi. Pas vdekjes së babait të vet (1942) u hirotonis nga mitropoliti i Gjirokastrës. Shërbeu në fshatrat Koshovicë, Sofratikë, Selo dhe Klishar. Mitropolia e Hirshme, për veprën e tij, e nderoi me titullin e Stavroforit dhe e caktoi si përgjegjës të Manastirit të Shenjtë të Shën Triadhës së Pepelit. U përpoq për rimëkëmbjen e manastirit të shkatërruar nga gjermanët, dhe në ato vite të vështira riorganizoi kremtimin dhe panairin madhështor të manastirit. Pasioni për ruajtjen e besimit orthodhoks në zonën e tij, ku propaganda e vazhdueshme e sistemit ateist përpiqej ta shkulte nga zemrat e besimtarëve të krishterë, pati si rezultat ta akuzojnë, ta arrestojnë dhe gjashtëmbëdhjetë muaj t’i kalojë nën torturat çnjerëzore. Më 30 shtator 1964 u dënua me vdekje, me akuzën e tradhtisë ndaj atdheut dhe u ekzekutua në vend të panjohur deri më sot.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ikonom At Harallamb Ikonomi

    Harillao (Harallamb) Ikonomi, pasardhës i një familje mjaft të kulturuar, ka lindur rreth vitit 1858 në fshatin Skore të Pogonit. Pasi mbaroi shkollën plotore në fshat u dallua si njeri i dhënë pas librave, prandaj familja e dërgoi në Zosimea të Janinës, të cilën e mbaroi me vlerësimin shkëlqyeshëm e pastaj në Shkollën e Lartë të Kombit në Stamboll, studime të cilat i mbaroi më 1878. Po atë vit, u emërua mësues në fshat, ku punoi deri më 1884; pastaj kaloi si mësues në shkollën qendrore të Dhrovjanit, ku vazhdoi deri më 1902. Më 1903 e deri më 1913 punoi përsëri si mësues në shkollën e fshatit të tij të lindjes. Gjatë tërë kohës së tij të punës ra në sy për devotshmëri në detyrë, për besim të pastër tek Perëndia, për punë të përkushtuar në familje, ku bazë e jetës ishte morali i krishterë. U martua me Fotininë nga Janina, e cila në vitin 1879 erdhi në Skore si mësuese, ku organizoi dhe vazhdoi për shumë vite në shkollën e fshatit programin mësimor të avlëmendit dhe të qëndisjes për vajzat e fshatit. I lindën dy fëmijë. Djali Jorgo, mbasi mbaroi Zosimean, emigroi në Aleksandri të Egjiptit, ku u dallua jo vetëm si njeri i kulturës, por dhe një aktivist i zoti për orthodhoksët e atjeshëm.

    Virtytet e veçanta të Harillaos dhe kërkesat e besimtarëve bënë që ai të vendosë të hyjë në jetën klerikale. Më 6 janar 1913 ai u hirotonis dhjak në Leshnicën e Sipërme dhe më 7 janar u vesh prift në Leshnicën e Poshtme. Ai njihet nga të gjithë dhe kudo si Papa Harallambi. Në kishat e këtyre fshatrave shërbeu si meshtar deri në vitin 1916. U transferua si prift dhe mësues me qendër në Libohovë, por shërbeu mjaft kohë dhe në Suhë. I dalluar mes priftërinjve të Mitropolisë së Gjirokastrës (për njohuritë e tij, për shërbesat cilësore që kryente, për personalitetin e tij imponues, për zërin melodioz) u vlerësua dhe u nderua dhe me titullin Ikonom, madje për disa kohë kryente dhe detyrat e zëvendësepiskopit të Mitropolisë. 25 vjetët e fundit i kaloi në Libohovë, ku edhe ndërroi jetë më 1941. Popullsia e atjeshme e ka nderuar shumë këtë njeri aq sa edhe sot mbahet mend nga të moshuarit si një ndër njerëzit e mençur, i devotshëm në detyrë dhe shumë komunikues, pra shembull i një kleriku të përsosur.

    Ka qenë njeri me kulturë të gjerë, që lexonte shumë dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me librat. Ka pasur një bibliotekë shumë të pasur. Mund të themi se ishte biblioteka më e pasur dhe më e madhe për atë kohë në tërë krahinën e Pogonit, me mijëra vëllime librash, jo vetëm të karakterit fetar, por edhe letrar e artistik. Aty gjeje veprat e klasikëve më të dëgjuar grekë e latinë, vepra të shkrimtarëve kohorë e të dëgjuar, fjalorët më të mirë enciklopedikë të kohës etj. Fatkeqësisht kjo bibliotekë familjare e trashëguar, të cilën Papa Harallambi e kishte me merak dhe të vendosur në ambiente më vete u shkrumbua, kur u dogj fshati në janar të vitit 1944.

    K. Beduli

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ndërroi jetë murgesha Marika Cico

    “Qoftë e lumur udha në të Ndërroi jetë murgesha Marika Cico cilën ti shkon sot, se të është përgatitur vendi i prehjes”, me këto fjalë e filloi Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi përshëndetjen e fundit gjatë shërbesës së varrimit të murgeshës Mariam (Marika Cico). Marika Cico është një prej dy motrave Cico, siç kishin zakon t’i thërrisnin besimtarët korçarë.

    Gjatë periudhës kur mbizotëronte ateizmi, i cili ndrydhi çdo vlerë të jetës, e mbi të gjitha lirinë fetare, motrat Cico mbajtën gjallë kandilin e besimit orthodhoks. Ato kishin kthyer shtëpinë e tyre në një kishë të fshehtë ku kryenin në fshehtësi Liturgji Hyjnore, pagëzime, martesa etj. Megjithëse Marika nuk kishte një edukim shkollor të plotë, leximi i Shkrimit të Shenjtë dhe mësimi përmendësh i shumë shërbesave të kishës, i dhanë asaj durim, gëzim, urtësi dhe fuqi të veçantë që e rrezatonte edhe tek të tjerët.

    Personalisht e kam takuar murgeshën Mariam në vitin 1991, në kohën e Kreshmëve të Mëdha në shtëpinë e tyre. Entuziazmi i tyre, dashuria për Perëndinë dhe komunikimi me Krishtin më lanë mbresa të veçanta. E paharruar do të mbetet vizita e Kryepiskopit Anastas në shtëpinë e motrave Cico. Marika dhe Dhimitra kishin ditë që përgatiteshin me lutje dhe kishin një gëzim të papërshkruar që pas shumë vitesh do të takonin një episkop.

    Në buzët e tyre dëgjoheshin fjalë që në atë kohë më dukeshin të pakuptueshme si: “U ngjall Zoti”, “Do na vizitojë Perëndia”, “Bo, bo, kush jemi ne që të na vizitojë i Shenjti, ai që do të shpëtojë orthodhoksinë”. Takimi ishte prekës. Dukej sikur takoheshin besimtarë që njiheshin prej kohësh. Pas këtij takimi Kryepiskopi Anastas bëri realitet dy dëshira të paplotësuara për motrat Cico; ndërtimin e një kishe në Korçë, atë të Shën Anës si dhe të mbyllin jetën e tyre si murgesha në ndonjë manastir (kjo gjë u realizua për motrën Mariam).

    Në vazhdim të fjalës së tij gjatë përshëndetjes së fundit, Kryepiskopi Anastas theksoi: “Sot përfundoi një periudhë heroike e kundërshtimit ateist në qytetin e Korçës, por dhe në gjithë Shqipërinë… Revolta nuk u bë me armë, megafonë apo me shkrime dhe artikuj banalë. Ajo u bë me lutje të vazhdueshme. Ne u jemi mirënjohës këtyre grave dhe për periudhën pas persekutimit, kur Kisha jonë kishte vështirësi. Ato me lutjen dhe shembullin e tyre ndihmuan në kapërcimin e vështirësive.

    Le të falëndërojmë Perëndinë që i fali jetë të gjatë motrës sonë Mariam, e cila kaloi një shekull dhe jemi të bindur se edhe atje ku do të shkojë do të vazhdojë lutjet e saj për gjithë besimtarët në Korçë e në të gjithë Shqipërinë”.

    Jorgo Papadhopulli
    prill 2005
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Sofron (Sofokli) Leka

    - klerik i nderuar dhe pasionant i fesë orthodhokse -

    Korça, kjo trevë me traditë në besimin orthodhoks, nuk mund të lërë në harresën e viteve klerikun e nderuar At Sofron Leka.

    At Sofroni u lind prej prindërish besimtarë në qytetin e Përmetit më 15.10.1880. Nën ndikimin e ambientit familjar të përparuar në arsim për kohën, At Sofroni studioi në Stamboll dhe më pas në Greqi, në shkollën e mesme për gjuhën greke. Rreth viteve 1902 filloi punën si mësues në fshatin Badlonjë të rrethit të Përmetit.

    Zotërimi perfekt i greqishtes së vjetër dhe të re, dëshira për të predikuar fenë orthodhokse e shtynë Sofokliun të hirotoniset prift në vitin 1906 në qytetin e Korçës, në kishën e mitropolisë.

    Besimtarët korçarë, përmetarë dhe devollinj e njohën Papa Sofronin si njeri të devotshëm, të ndershëm dhe këmbëngulës.

    Në vitin 1930 Papa Sofroni u kurorëzua protopapa, detyrë të cilën e kreu me përkushtim deri në vitin 1952, kur shpirti i tij u preh në prehër të Zotit.

    Deri në prill të vitit 1952 kur ai fjeti përgjithmonë, periudhë kohe kjo për rreth 30-vjet, Papa Sofroni ia kushtoi pasurimit të shpirtit të njeriut me ndjenjën e lartë për dashurinë ndaj Zotit dhe Birit të Perëndisë, Jisu Krishtit.

    Zëri i ëmbël kumbues, ndjenja e përgjegjësisë në predikim linin me gojë hapur besimtarët që merrin pjesë në liturgjinë fetare.

    Edukata fetare e këtij pionieri të fesë orthodhokse u reflektua tek fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij.

    Djemtë e tij, Leonidha dhe Lefter Leka, ishin pjesëmarrës aktivë në korin e kishës. Nga kujtimet e shumë klerikëve të trevës së Korçës, moshatarë të At Sofronit, mësojmë se At Sofroni shquhet për punë të holla në gedhendje e pikturë fetare si dhe në përgatitjen e veshjeve speciale të klerikëve orthodhoksë.

    Mbesat
    Lida dhe Diana Leka
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-04-2005 më 18:29

  8. #18
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ata që punuan për Kishën tonë

    Ikonom Dhimitër Kabuci, 1856-1910

    (me rastin e 95-vjetorit të vdekjes)

    Ikonom Dhimitër Kabuci, lindi në Kudhës të Himarës më 1856. I ndihmuar dhe nga priftërinj të tjerë nga fshati fqinj Qeparo, mësoi të fliste e të shkruante greqishten. Ai bëri disa klasë shkollë në Korfuz të Greqisë, ku dhe u aftësua të kryente shërbesa, në fillim si psalt e mandej si prift prej viteve 1875 e deri sa ndërroi jetë punoi i tillë në fshatin e lindjes.
    Në gusht të vitit 1882 u emërua ikonom në Episkopatën e Gjirokastrës, detyrë që e mbajti dhe e kreu me dinjitet deri në fund të jetës së tij. Me iniciativën dhe nxitjen e tij, si dhe ndihmën e kudhësjotëve brenda e jashtë vendit, u ndërtua kisha në qendër të fshatit më 1887, e cila ruhet edhe sot. Mbrojti me fanatizëm besimin orthodhoks dhe kishën, se ka pasur shumë momente që tentohej të prishej nga pushtuesit. Gjatë gjithë jetës kryente jo vetëm ceremonitë e liturgjitë e besimit fetar, por angazhohej dhe në problemet sociale të fshatit e krahinës së Himarës.
    Kështu, që në vitet e para të shek. XX, ishte anëtar i vilajetit të bregut (Nivicë- Palasë) me qendër Himarë. Ky vilajet bënte punën e një qeverisjeje krahinore, ku zgjidhte shumë probleme e konflikte midis fshatrave e banorëve të saj, në mungesë të ligjeve e gjykatave shtetërore. Ai ishte me vullnet e karakter të fortë. Gjatë kohës së lirë punonte edhe në bujqësi, por nuk linte pas dore edukimin fetar e atë patriotik. Ai mbante një abetare për t’u mësuar fëmijëve gjuhën e mëmës.
    Por pushtuesit osmanë e diktuan. Ata i kontrolluan shtëpinë dhe i morën librat e ia çuan në gjykatën e Gjirokastrës. Ata e ndaluan të merrej me librat laikë, kurse vetë At Dhimitrin, duke qenë se ishte prift, e lanë të lirë. Këtë e dëshmon dhe kënga që i ngriti populli: Zabitë Kudhës arrinë Tek Ikonom Kabuci zbrinë, Çark ja bënë pusinë Për të gjeturë vivlinë. Dhe vivlinë kur ja gjenë Gjirokastrës seç ja shpunë Në hapsane e në bodrume… Edhe pas këtij akti, Ikonomi nuk e ndaloi aktivitetin e tij si besimtar i vendosur, përhapës e mbrojtës i Orthodhoksisë, punëtor e shembull për brezat që do të vinin, të cilët e kujtojnë si besnik të shkëlqyer të Kishës dhe njeri të Perëndisë. Ai ndërroi jetë më 10 qershor 1910.

    Arsen Kabuci
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 31-07-2005 më 13:23

  9. #19
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Spiro Veli – shembull i një kleriku të devotshëm

    “… Mora vesh se u hap kisha e Kalasë dhe se je aktivizuar edhe ti. U gëzova shumë. Ne të paktët, që me dashjen e Zotit kemi mbetur nga brumi i vjetër i kishës, na bie barra më shumë se kushdo tjetër të japim kontributin tonë për organizimin dhe funksionimin e Kishës…”
    Po e nis kështu këtë shkrim – homazh me letrën e dërguar at Spiro Velit nga profesori i nderuar Dhimitër Beduli, më 15 maj 1991. At Spiro jetoi pleqërinë me gëzimin e Ngjalljes kanonike të Kishës sonë. Ishte kjo ngjallje që ia shtoi vitet e jetës dhe e bëri të denjë të lutej sërish në shtëpinë e Zotit, të dëgjonte sërish të jehonin kambanat në luginën e Shkumbinit dhe gëzimin e bashkëqytetarëve të tij të dashur. Kjo dritë e re e jetës në besim e bëri më të ri. Tani ai mund të ecte sërish krenar në rrugicat e lagjes së tij pa u vëzhguar nga zotërinjtë e sigurimit dhe ateistët e përbetuar. Dhe papa Spiro i përshëndeste e bekonte të gjithë. Filloi të bëjë pagëzime, kurorëzime në masë dhe gjithë misteret e Kishës.
    U lumturua kleriku i moshuar dhe i devotshëm i Kishës Orthodhokse 2000 – vjeçare. Gëzim i veçantë në sytë e tij shihej kur futej mes të rinjve që mbushnin kishën ditët e festave. Si klerik i kompletuar mendonte për të forcuar themelet e Kishës. Kështu ai bënte thirrje herë pas here pas shërbesave për kandidatë për klerikë. Ndodhi që në një nga këto ditët isha dhe unë. I shkova at Spiros në shtëpi dhe i shpreha dëshirën time për të vazhduar Seminarin Teologjik Orthodhoks. Ai u gëzua pa masë. Më përqafoi dhe bashkë u ulëm në minderin e thjeshtë në korridorin e shtëpisë karakteristike të lagjes së Kalasë. Trëndafilat e vonë ishin akoma të çelur, sepse ishte shtator (1992).
    “… Më gëzove bir. Kisha sot veçanërisht ka nevojë për ju, por edhe nesër, sepse unë dhe ca e do të shkoj në krahët e Zotit Krisht. Të bëheni klerikë të mirë! Të duash Perëndinë, të kesh frikë Perëndie, të duash grigjën e Kishës dhe ta drejtosh mirë atë si bari. Për këtë duhen disa gjëra, të cilat do t’i mësosh në shkollë e në jetën e Kishës, mjafton të duash Perëndinë e Kishën e Tij.”
    At Spiro Veli punoi me përkushtim deri në ditën e fundit të jetës tokësore. Organizoi këshillin e kishës dhe enorinë ashtu si dinte vetë, me përvojën e tij aq të gjatë. Mbroi idenë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qëndroi përkrah Hirësisë së Tij, Kryepiskopit Anastas. Përvojën e tij si ikonom at Spiro e dha edhe në Këshillin Kishtar të Përgjithshëm. At Spiro jetoi si klerik për afro 50 vjet qysh nga 1 janari i vitit 1945, kur u hirotonis prift i dioqezës së Durrësit. Kudo që punoi, në Durrës, Berat e Elbasan, at Spiro Veli ishte gjithnjë një bari i mirë e shembullor, që rrezatonte dritën e besimit tek besimtarët e kishës.
    Edhe në kohën e ateizmit at Spiro jetoi si klerik dhe punoi për ndriçimin e jetës së krishterë.
    Më 23 prill 1995, ditën e Pashkës, pushoi zemra e at Spiros, por jo shpirti. Në ditën e lamtumirës nga jeta tokësore ishte dhe Kryepiskopi Anastas. Kambanat e kishave ranë të pikëlluara. Ato përcillnin trupin e tij në tokë dhe shpirtin e bukur në qiell. At Spiro mbetet përjetë një shpirt i mirë, i bukur dhe i ndritshëm.

    At Stavri Çipi


    At Spiro Veli (majtas), në një nga meshimet e para
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 31-07-2005 më 13:36

  10. #20
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    At Aleks Karajani i Sopikut të Pogonit

    Lindi në Sopik, më 17 korrik 1900. Mbaroi shkollën plotore në fshat dhe më vonë filloi të punojë si shumica e fshatarëve të tij për të bërë voza, duke lëvizur në tërë Greqinë. Që i vogël frekuentonte kishën duke u afruar për të shërbyer brenda saj dhe ndihmuar priftin aq sa ra në sy të të tërëve. Kështu u dallua si besimtar. Përmendim se ky fshat ka pasur mjaft kisha dhe në të njëjtën kohë shërbenin disa priftërinj vendas. I ndiqte liturgjitë e tyre me vëmendje dhe që në fëmijëri i kishte mësuar përmendësh tërë lutjet. Babai tij, Kosta, ishte kandillonaft në kisha dhe herë pas here luante dhe rolin e psaltit.
    Edhe Aleksi, që dallohej nga fëmijët e tjerë të tij, i shkonte shpesh për ta ndihmuar. Kishat e shumta, që shihte në fshat e në krahinë, të pikturuara e të pajisura me objekte të shenjta e nxitnin drejt rrugës së Zotit. Këta faktorë shtuan dëshirën e tij për t’u bërë prift, aq më tepër që tërë fshatarët e kishin vënë re këtë dhunti të tij dhe e dëshironin një gjë të tillë, sepse shihnin tek ky i ri devotshmërinë dhe zellin e madh për t’i shërbyer njerëzve sipas porosive të Zotit tonë Jisu Krisht.
    Më 1922 martohet me Dhimitrulla Kocaqin dhe me kohë krijoi një familje të madhe me shtatë fëmijë. Edukoi fëmijë me moralin e krishterë sipas porosive në Ungjill, duke u thënë vazhdimisht: “Të bëheni njerëz të mirë, puntorë të nderuar si për vete e për shoqëri. Largojuni veseve të këqija dhe të jeni të kënaqur me atë që arrini me djersën tuaj”. Dhe vërtet ata u bënë të vlefshëm në jetë dhe e nderuan emrin e papa Aleksit.
    Edhe papa Hroni që meshonte në atë kohë në fshat e përkrahu në dëshirën e tij për t’u bërë klerik. Më 1930 hirotoniset dhe fillon kryen detyrat e klerikut. Deri më 1944 meshoi në Sopik, pastaj në Çatistë disa vjet, pak kohë në Hllomo, vitet e fundit (deri më 67 kur u mbyllën kishat e u ndalua feja) shërbeu në Skore. Pra gjatë tërë kohës shërbeu në krahinën minoritare të Pogonit. Megjithëse bënte orë të tëra rrugë për të ardhur në Skore, kur hynte në fshat si i thonë fjalës ndriste: i pastër, i rregullt në veshje, i ëmbël me të gjithë si në përshëndetje edhe në biseda. Nuk përtonte të të përgjigjej për çdo rast që ndodhte në krahinë.
    Meshonte bukur, kishte një zë melodioz, këndonte dhe i dëgjoheshin saktë fjalët. E kryente meshën me rigorozitetin më të madh.
    Të gjitha këto bënë që gjithë njerëzit ta donin, respektonin dhe nderonin, madje kjo u shfaq edhe më shumë kur u detyrua ta hiqte veshjen e klerikut. Jetoi i nderuar deri më 1 shkurt 1984. Mbahet mend si shembull i meshtarit. Vepronte duke pasur parasysh pikërisht atë që ka thënë Jisui: “Kështu le të ndrisnjë drita e juaj përpara njerëzve, që të shohën punët tuaj të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është ndë qiejtë” (Mat. 5,16) dhe duke jetuar ashtu si ka vepruar Apostull Pavli: “Pa fjalë! Me vepra të mira e sjellje morale. Të gjithëve u qe shërbëtor dhe veten e uli për të ngritur të tjerët. Ishte një luftëtar i patutshëm në misionin e tij hyjnor”.

    Kristofor Beduli
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 31-07-2005 më 21:01

Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Sulë Hotla (1875-1947), Një Jetë Për Shqipërinë
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 29-04-2019, 16:32
  2. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  3. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  4. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  5. Çështja Çame
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 154
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •