STRATEGJIA E KAOSIT


Shkruan : Arbën Xhaferi

Presidenti serb, Boris Tadiq, në mënyrë të zhurmshme, me shpurën e tij e vizitoi Kosovën. Gjatë kësaj vizite dha shumë deklarata që janë interesante për analizë jo vetëm nga aspekti politik, por edhe moral, intelektual dhe psikologjik. Ai deklaroi se vizita e presidentit serb në një pjesë të shtetit serb është diçka normale, ose “as që mund të flitet për pavarësi të Kosovës”, ose “ shpresoj se pas kësaj vizite sado pak do të përmirësohet gjendja e serbëve në Kosovë”. Ai as që u takua me përfaqësuesit e shqiptarëve me të cilët, mbase do të arrinte një marrëveshje sado pak normale për t’u ndihmuar kështu serbëve të tij.
Kjo vizitë hap shumë dilema që kanë të bëjnë me qëllimet e faktorit ndërkombëtar, vlerat që ata synojnë t’i arrijnë në Kosovë, rolin e faktorit shqiptar, atij serb etj.
Të gjithë flasin për nevojën e domosdoshme të vendosjes së rendit, qetësisë, sigurisë dhe të standardeve në Kosovë. Këtë qëllim e mbështesin të gjithë duke e përkufizuar si detyrë prijëtare. Në kuadër të këtij përcaktimi, shtrohet dilema: a thua vizita e presidentit serb, deklaratat e tij kontribuan në përmirësimin e situatës së sigurisë së përgjithshme, në rend të parë të vetë serbëve? Gjithsesi se jo. Vizita e tij, porositë e tij kontribuan në destabilizim të situatës së sigurisë, në thellim të dyshimeve dhe të antagonizmave etnike dhe përfundimisht, si herëve të tjera do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën e sigurisë të vetë serbëve. Kjo vizitë edhe një herë dëshmon një fakt të hidhur: sa më shumë shteti dhe krerët serbë, pa marrë parasysh a janë ata pushtetarë, klerikë apo shkrimtarë i mbrojnë nga Beogradi serbët e Kosovës, aq më shumë e rrënojnë mirëqenien e tyre në Kosovë. Pas çdo fushate të këtillë të krerëve serbë në Kosovë shtohen armiqësitë mbi baza etnike. Të gjithë e kujtojnë vizitën fatale të presidentit të dikurshëm serb, Millosheviq në Fushë Kosovë ku ai e shpalli projektin e mbrojtjes së serbëve. Ky projekt dihet se si përfundoi. Serbët e Kosovës sot do të ishin të stërlumtur po ta kishin “pasigurinë” e dikurshme kur Millosheviqi filloi t’i mbrojë ata. A thua si do ta kenë serbët gjendjen e sigurisë pas kësaj vizite protezhuese të presidentit Tadiq?
Këto deklarata nga ana tjetër hedhin dritë mbi një çështje tjetër që ka të bëjë me orientimet politike të serbëve në përgjithësi. Aktualisht në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor kundër krerëve politikë serbë të cilët akuzohen për shkelje të normave ndërkombëtare, për gjenocidin që shkaktuan në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Me këto gjykime faktori ndërkombëtar i ofron popullit serb një shtegdalje nga humnera që e pret. Me këto procese gjyqësore bëhen përpjekje që të individualizohet fajësia dhe të shpëtohet populli serb nga fajësia kolektive. A e kuptojnë ata këtë shans që ua ofron faktori ndërkombëtar? Vizita e presidentit Tadiq në Kosovë tregon se ata, jo vetëm që nuk e kuptojnë këtë mesazh, por edhe më keq e komplikojnë situatën e përgjithshme në rajon. Shoqëria serbe prodhon politikanë të rinj për ta vazhduar politikën e vjetër. Ata nuk i ndërrojnë qëllimet, kërkesat politike, por përfaqësuesit e kësaj platforme anakronike nacionale. Shumë politikanë, shkrimtarë, klerikë, gazetarë etj. janë distancuar nga Millosheviqi jo pse ai krijoi një strukturë kriminale që nuk i përfillte normat elementare ndërkombëtare, por për shkak se ai dhe strukturat që i ngriti nuk e realizuan projektin e nacionalizmit serb.
Politikanët e rinj serbë e fituan kredibilitetin e tyre politik për shkak se premtuan se me sjellje të butë, me fjalë të mira do ta realizojnë atë projekt që e katandisi i akuzuari kryesor në Gjykatën e Hagës, Millosheviqi. Pra, nuk kemi ndërrim të qëllimeve strategjike, por të konjukturave dhe metodave të punës.
Boris Tadiq është përfaqësuesi “më i moderuar” i klasës së re politike serbe. Ai është biri i një nacionalisti ekstrem, Lubomir Tadiqit, një profesori të njohur universitar që sot e kësaj dite, i rënduar nga mosha merr pjesë aktive në tubimet që organizohen lidhur me ripërkufizimin e strategjisë së re nacionaliste serbe. Ndonëse me prejardhje malazeze, ai angazhohet kundër orientimit të Malit të Zi për pavarësi. Ai mbron në mënyrë më rigjide projektin serb se vetë serbët. Nëse analizohet e tërë përbërja e konjukturës së re politike serbe lehtë do të konstatohet se nuk ekziston asnjë politikan serb që dallohet nga të tjerët sa i përket qëllimeve që ata i quajnë strategjike.
Nëse nuk vërehet asnjë ndërrim në platformën kombëtare, nëse nuk vërehet asnjë ndryshim konceptual te kuadri i ri politik, atëherë duhet të analizohet shkaku dhe mënyra e veprimit të tyre. Në këtë segment vërehen taktizime të reja. Në kohën e ngjitjes politike të Millosheviqit nuk vërehej aleanca e tij me faktorin religjioz serb. Millosheviqi nuk flinte si Tadiqi në konaqet e manastireve serbe, por mbante një distancë duke refuzuar që kredibilitetin e tij ta ndërtojë mbi premisat religjioze. Vetëm në fazën e fundit, kur u shfaqën humbjet evidente në planin ushtarak, politik dhe moral, ai filloi t’i vardiset faktorit religjioz duke kërkuar bekimin e tyre. Fundi i tij, relacionet që i lë në shoqërinë serbe, atë amalgam të përbërë nga komunistë anakronë, krijues romantikë, demokratë të shpifur, biznesmenë rishtakë, kriminelë mizorë është pikënisja e karrierës politike të z. Tadiq. Ai nuk di se si ta zbërthejë këtë amalgam, si ta zgjidhë politikisht çështjen e Kosovës, si ta parandalojë korrupsionin, si ta frenojë turrin e krimit të organizuar, si t’i dënojë vrasësit e shefit të tij të dikurshëm, Gjingjiq etj. Ai për këto çështje nuk ka zgjidhje, prandaj, orë e çast merret, si të tjerët para tij, ose me Zotin e serbizuar, me objektet kishtare, ose me çështjen e Kosovës që objektivisht nuk krijon antagonizma politike në Serbi. Sëkëndejmi, sa më shumë që nga Beogradi mbrohen serbët, aq më e rëndë bëhet pozita e tyre në Kosovë, ngaqë misioni i tyre është i pamundshëm. Tashti, kur konstatuan se ideja serbe nuk çon kanadar në Evropë, zunë ta keqpërdorin fenë, duke i vullgarizuar teoritë filozofike për përplasje hipotetike në mes të qytetërimeve të ngritura mbi baza fetare. Natyrisht që edhe kjo taktikë do të dështojë ngaqë vetë bota krishtere refuzon që të hyjë në këtë skemë. Tashmë është e qartë se me politikën e tyre nacionaliste i morën në qafë serbët dhe është e sigurt se edhe me Zotin do të kenë telashe.
Risitë në planin politik serb janë të natyrës retorike. Pararendësit e koniukturës së re politike serbe përdornin mekanizma represivë siç është ushtria, policia, mediumet për ta arritur qëllimin. Por, ata dështuan për shkak se projekti i tyre ishte në shpërputhje me standardet imperative perëndimore. Kjo shpërputje ishte aq e madhe, aq radikale saqë ndikoi në intervenimin e NATO-s kundër regjimit serb. Nëse merret parasysh e gjithë kjo, tragjedia që u shkaktua, intervenimi ushtarak për ta parandaluar realizimin e këtij elaborati absurd, nëse merret parasysh se Tadiqi dhe të tjerët rreth tij nuk kanë asnjë ofertë as për serbët e lë më për shqiptarët, nëse merret parasysh katastrofa ekonomike në Serbi, krimi i organizuar, korrupsioni, antagonizmat në mes të Malit të Zi dhe Serbisë atëherë shtrohet pyetja për se sërish përdoret kjo retorikë ekstreme serbe lidhur me Kosovën? Para se të analizohet shkaku që prodhon një politikë të këtillë devijante duhet përmendur fakti se edhe përfaqësuesit e tjerë serbë njëkohësisht kanë dhënë deklarata të ngjashme. Kryeministri serb, Koshtunica në librin e kujtimeve para varrit të heroit të panjohur, porositi në mënyrë lakonike, si dikur profetët në Delf: “Serbia është e amshueshme”. Cila dhe çfarë Serbie mbetet të shihet. Një tjetër përfaqësues serb i dalë nga laboratoret evropiane, konkretisht britanike, pretendenti për fronin e Serbisë, princi Karagjorgjeviq po ashtu e pa të udhës që edhe ai të mos e japë Kosovën. Gjithmonë kur ai gëlltit ushqimin serb, për të treguar se edhe ai qenka serb i vërtetë ka telashe me stomakun, ashtu si herën e parë kur u kthye në Serbi. Porositi fasule me lardhë, gjellë e preferuar nga serbët “e vërtetë” dhe gjatë fjalimit i mbushi pantallonet, duke u bërë kështu objekt talljeje për shumë kundërshtarë të tij. Pse pra në prezantime politike të gjithë serbët deklarojnë se nuk e japin Kosovën, përkundër bindjes se nuk mund ta mbajnë atë? Mund të thuhet se ekzistojnë kryesisht dy shkaqe:
-mungesa e hapësirës për realizim të premtimeve të tjera politike. Politikanët e rinj serb morën mandatin me premtime se do ta zgjidhin çështjen e Kosovës, papunësinë, korrupsioni, do ta çmontojnë rrjetin e krimit të organizuar etj. Asgjë nga e gjithë kjo nuk u realizua. Ata i kthehen temës së Kosovës ngaqë për këtë çështje ekziston konsensus i brendshëm kombëtar. Tash ata përpiqen që me manovrime taktike dhe politike të arrijnë sadokudo sukses në këtë plan: ta bindin faktorin ndërkombëtar për ndarje territoriale të Kosovës mbi baza etnike dhe
-rikthimi në strategjinë e kahmotshme për të krijuar kaos në ato vende që ata nuk mund të instalojnë pushtetin e tyre.
Kjo strategji e krijimit të kaosit është e vjetër. Përfaqësuesi më tipik i kësaj strategjie dikur ishte rusi, Mihail Bakunini, një anarkist me bindje radikale komuniste që sugjeronte idenë e rrëzimit të regjimeve përmes anarkisë, përmes atentateve politike, vrasjeve me motive kriminale, prishjes së rendit dhe të sigurisë shoqërore etj. Nëse një qeveri, një shtet nuk mund të mposhtet ushtarakisht atëherë sugjerohet që të krijohet kaosi, anarkia, pasiguria totale. Idetë e tij delirante aq shumë e nevrikosën Marksin saqë ai, haptazi deklaronte se i urren sllavët. Këtë fakt e përmend filozofi britanik, Bertrand Russell në librin e tij “Historia e filozofisë” në kapitullin kushtuar Marksit.
Shikuar nga ky kënd bëhen të shpjegueshme destabilizimet në shoqëritë shqiptare kur në to filloi të frymojë politika shqiptare. U shtuan vrasjet, plaçkitjet, rrënimet, shpifjet, denigrimet, dyshimet, saqë gjithçka që ishte paraprakisht vlerë u bë jovlerë. Kur ushtria dhe policia serbe u tërhoq nga Kosova, ata me vete morën tërë arkivin, dokumentacionin kadastral për të bërë të pamundshme transaksionet e ndryshme pronësore dhe qeverisjen normale. Pas vetes lënë zyrat e zbrazëta, pa nëpunës kolonialë, pa arkiva, pa dokumente dhe një rrjet shumë të zhvilluar informativ. Qëllimi i tyre ishte krijimi i kaosit politik, administrativ dhe të sigurisë. Vazhdojnë të japin deklarata absurde dhe ekstreme politike për të krijuar defetizëm në popull, nxisin kriminelët që të bëjnë vrasje të pashpjegueshme për t’u lënë hapësirë interpretimeve të ndryshme, përhapin propagandë për instalimin e rrjetit të Al-Kaidës në Kosovë, nxisin individë të ndryshëm që të kryejnë akte vandale etj. Të gjitha këto veprime janë të parapara në elaboratet serbe, tashmë të njohura për opinionin shqiptar.
Kjo strategji tashmë ka filluar të globalizohet. Strategët e krijimit të kaosit, të anarkisë e sfiduan SHBA-të më 11 shtator. Pas kolapsit të komunizmit u bë e qartë se për herë të parë në historinë e njerëzimit një shtet u bë superfuqi globale, në dallim prej herëve të tjera kur ekzistonin superfuqi rajonale. Asnjë shtet në botë më nuk mund të kontestojë forcën dhe pozicionin prijës të SHBA-ve, as me mjete ushtarake, as me ndikim politik, financiar, teknologjik etj. Pozicionimi prijëtar i SHBA-ve sipas strategëve të kaosit mund të kontestohet, pra vetëm me krijim të anarkisë, konfuzionit, të pasigurisë totale. Administrata e presidentit Bush, pas 11 shtatorit shumë shpejt e lexoi mesazhin e anarkistëve të ringjallur dhe filloi të mbrohet, jo brenda shtetit të tij, ashtu si planifikonin strategët e kaosit, por aty ku dukshëm buronte kjo iniciativë. Për ta evituar suksesin amerikan në planin global, projektantët e kaosit e nxitën atë në planin e ngushtë, në Irak. Ideja erdhi nga jashtë, ngaqë ushtria dhe forcat e tjera të mbrojtjes irakiane në fillim nuk dhanë rezistencë të fuqishme. Suksesi fillestar ushtarak amerikan në Irak, demonstrimi i kapacitetit të superfuqisë, sipas të gjitha gjasave i brengosi strategët prapa kuintave dhe derisa Saddami merrej me mënyrat se si të fshihej e jo të rezistonte, nga jashtë depërtuan idetë dhe zbatuesit e strategjisë së kaosit. Plani amerikan ishte rrëzimi i regjimit despotik të Sadam Huseinit dhe instalimi i një sistemi demokratik në Irak. Mirëpo strategët e kaosit, ata pra që dëshirojnë ta kontestojnë rolin e SHBA-së si superfuqi e vetme botërore, si garantuese e rendit global, ndikimin e saj pozitiv në zhvillime të ndryshme politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. filluan ta deformojnë duke përdorur një propagandë gjithëpërfshirëse. Misioni antiterrorist, antikaos amerikan paraqitet si kryqëzatë e re, luftë e re e krishterëve kundër myslimanëve që objektivisht është gënjeshtër e kulluar. Tatimin tragjik nga ky deformim cinik i misionit amerikan sot e paguan populli arab dhe myslimanët në përgjithësi.
Strategët e kaosit nuk jetojnë në vende ku eksperimentohet me këto ide. Popujt e përfshirë nga kjo murtajë janë vetëm material harxhues.



19/02/2005