Ja "mëkatet" e Shqipërisë për luftën italo-greke
I ekzaltuar nga sukseset e Hitlerit në rajonet e Evropës Lindore, Benito Musolini, i nxitur nga dhëndëri i tij Konti Çiano, përgatiti dhe sulmoi Greqinë nga toka shqiptare
Ka kaluar më shumë se një gjysëm shekulli, që nga koha kur shteti grek vendosi dhe mban ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Kjo gjë u bë me preteksin, se nga tokat shqiptare ishte lejuar ushtria italiane që të sulmonte Greqinë. Por si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ishte përgjegjës shteti shqiptar për sulmin italian karshi fqinjës së saj jugore?
Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studjuesëve dhe historianëve tanë, janë ndalur dhe kanë botuar disa libra edhe studjuesit e historianët e huaj, ku si më të besueshmet vlersohen ato të Kontit Çiano, ish Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, ("The Ciano Diaries", "Ciano` s Hidden Diares", "Ciano` s Diplomatic Papers") që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Musolinit. Këto libra të tij, si dhe të disa autorëve të tjerë, janë shfrytëzuar nga Bernd J. Fischer ( një nga studjuesit më seriozë të historisë së Shqipërisë) në librin e tij voluminoz "Shqipëria gjatë luftës 1939-1945", i cili është botuar para pak muajve në Tiranë. Duke ju referuar Fischerit, si edhe disa historianëve të huaj si David B. Funderburk, ("Anglo-Albanian relations, 1920-1939) Mack Smith, ("Musolini` s Roman Empire") George M. Self ("Foreing relations of Albania") etj, do të shohim dhe do të nxjerrim konkluzione se shteti shqiptar asokohe kur u sulmua Greqia prej Italisë fashiste të Musolinit, nuk kishte asnjë lloj mundësie që ta parandalonte atë sulm, pasi ai ishte i okupuar për vete nën thundrën fashiste. Përveç këtij fakti të pamohushëm, asokohe edhe dy batalionet shqiptare që u dërguan të luftonin në frontin grek, pothuaj dezertuan të gjithë, duke mos dashur të luftonin kundëra fqinjëve të tyre.
Si u përgatit terreni në Shqipëri
Aty nga fillimi i vitit 1940, Ministri i Jashtëm i Italisë Konti Çiano, duke parë se Hitleri po mbulohej me lavdi pas sulmeve dhe fitoreve të njëpasnjëshme që çuan në pushtimin e disa shteteve të Europës Lindore, mendoi që të shfrytëzonte Shqipërinë, duke e përdorur atë si pikënisje në sulmet që Italia do të bënte në vendet e tjera të Ballkanit. Si një njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar dhe duke ditur se në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1913-të në Londër, Shqipërisë i ishin lënë jashtë kufijëve politikë, një pjesa e madhe e territoreve të saja, Konti Çiano, mendonte që të shfrytëzonte faktorin shqiptar duke ndjekur vijën irredentiste në planet e tija për pushtimin e Ballkanit. Për të realizur këtë plan, që në muajt e parë të sulmit mbi Shqipërinë, Konti Çiano filloi të propagandonte Shqipërinë e madhe, duke deklaruar para zyrtarëve shqipatrë se Italia dëshironte zmadhimin e kufijve të Shqipërisë dhe për atë gjë, ata italianët do të ndihmonin shqiptarët në realizimin e aspiratave të tyre Kombëtare.
Sipas kujtimeve të Kontit Çiano të botuara në "Foreing Affaris and Policy Determination", pas deklaratave të tija, këtë gjë nisënnta bënin dhe shumë zyrtarë të tjerë italianë, të cilët filluan ti hidhnin benzinë zjarrit të irredentizmit. Kështu aty nga mesi i qershorit i vitit 1939, në një fjalim të mbajturt në qytetin e Korçës, ministri italian i arsimit, Giuseppe Bottai e krahasoi Shqipërinë me Piemonitin dhe u shpreh rreth zgjerimit të saj, në një kohë sa më të shkurtër brenda dy ose tre vjetëve. Lidhur me këtë deklaratë, konsulli jugosllav që ishte në Korçë, u ankua dhe gazetat shqiptare që përcollën fajalimin e ministrit italian të arsimit, nuk e shkruan atë pasazh. Po kështu, aty nga fundi i muajit qershor, përfaqsuesi i plotfuqishëm grek në Tiranë, i raportoi ministrit të tij të Jashtëm, se marrshjalli Badoglio, i cili ndodhej për një vizitë në Shqipëri, u kishte premtuar njerëzve që e kishin pritur dhe brohoritur, begati më të madhe si dhe zgjerimin e kufijve të Shqipërisë. Të njëjtat fjalë që kishte thënë marshali Badoglio përpara turmave, i kishte përsëritur në ceremoninë e pritjes së tij dhe Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri
Çiano për Shqipërinë e Madhe
Konti Çiano për të realizuar planet dhe synimet e tija strategjike për pushtimin e Ballkanit, mendonte që të angazhonte drejt përsëdrejti shqiptarët në atë çështje. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në mesin e muajit gusht 1939, sipas porosive që kishte dhënë më parë, ai mbeti i kënaqur nga shkalla e mobilizimit që kishin shqiptarët. Në fjalën e tij të mirseardhjes, Prefekti i Tiranës, shprehu dëshirën e tij për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe krijimin e një Shqipërie të madhe, gjë e cila do të vinte nga ndihma e perandorisë së madhe fashiste. Mbas fjalës së prefektit, Konti Çiano, u premtoi të pranishëmve se Italia do të bënte çmos që Shqipëria të realizonte aspiratat e saja më të thella dhe e përfundoi fjalimin e tij duke thënë "Viva la grande Albania". Po kështu si rezultat i porosive të tija, autoritetet e partisë fashiste ishin përkujdesur që të bënin parrulla të shumta me hartën e Shqipërisë së madhe, të cilat valviteshin nga italianët me uniforma të zeza, (uniforma e partisë fashiste) në mitingjet që bëheshin për nder të tij, së bashku me flamurin Kombëtar të Shqipërisë. Në mes të këtyre parullave, binin në sy ato ku thuhej "Duçe, të mendojmë për shqiptarët që jetojnë kudo në botë" dhe "Duçe, mendo për vëllezërit tanë".
Sipas ministrit fuqiplotë të gjermanisë në Shqipëri, (i cili i raportonte asokohe Ministrit të Jashtëm gjerman Ribentrop)që i ndiqte nga afgër ato mitingje, manifestuesit shqiptarë kishin kohë që ishin organizuar për ato mitingje, dujke valvitur flamuj e parulla ku shkruhej "Ne jemi shqiptarë nga Kosova" dhe "Rroftë Kosova". Në të gjitha ato manifestime irredentiste, për të mos rënë shumë në sy, gazeta" Fashizmi" nuk mori pjesë fare, por në muajin gusht të vitit 1939, ajo botoi një artikull mjaft të ashpër ku ju bëhej thirrje shqiptarëve që të mos harronin se një pjesë e madhe e territoreve të tyre, ishin në zotërim të Jugosllavisë dhe Greqisë. Lidhur me këtë shkrim, si ministri i plotfuqishëm grek dhe ai jugosllav në Shqipëri, u ankuan pranë drejtorit të përgjithshëm italian të propagandës dhe turizmit. Ai e shkarkoi nga vetja përgjegjësinë dhe ju tha atyre se ajo gjë ishte bërë nga një student i cili do të merrej në mbikqyrje dhe do të kishte konsekuenca për shkrimin e bërë në atë gazetë. Planet e Italianëve për pushtimin e Ballkanit dhe përgatitja e shqiptarëve për ato synime, u intesifikuan më shumë aty nga viti 1940-të, kur Benito Musolini, nisi të mendonte rreth ndërrmarjes së veprimeve të mëtejshmë ushtarake në ballkan.
Si u përgatit sulmi mbi Greqinë
Gjatë fushatës që i parapriu sulmit italian mbi Greqinë, shumica e deklarimeve e zyrtarëve shqiptarë dhe italianë, u shoqëruan me manifestime gjoja spontane, ku folësit e ndryshëm i referoheshin bashkimit të pashmangshëm midis shqiptarëve të përtej kufijve me vendin amë. Ndër këtë fjalime, vlen të përmenden ato të kryeministrit shqiptar Mustafa Kruja, të cilët u dhanë me artopolante dhe u shtypën e u botuan duke u shpërndarë kudo. Në ato fjalime ku ai i referohej territoreve të paçliruara dhe i konsideronte kufijtë e vërtetë të Shqipërisë si:" kufinj krejt të qartë pa pikë mëdyshje, por që nuk i korrespondojnë shtrirjes efektive e të të drejtave të shqiptarëve, as përparësisë së pronës, ngjashmërive etnike të popullsisë ose fisnikërisë së përbashkët të origjinës". Vizitat e shpeshta që Konti Çiano bëri asokohe në Shqipëri, u shoqëruan gjithmonë me manifestime irredentiste, në një nga këto vizita që u bë në muajin gusht, e cila nga autoritetet fashiste u rekalamua më së miri, me foto që e paraqisnin Çianon duke ju dhënë shqiptarëve para në dorë, e duke asistuar në paradat e mëdha ushtarake ku valviteshin flamujtë dhe parrullat e mëdha të detyruara që përshëndesinin Kosovën e Çamërinë.
Duke parë gjithë ato pritje madhështore dhe entuziazmin e madh që tregohej nga shqiptarët, në një bashkim të mundshëm me Kosovën e Çamërinë, Konti Çiano në ditarin e tij mes të tjerash shkruante: "Pritje e ngrohtë. Shqiptarët tashmë kanë hyrë mirë në rrugën e ndërhyrjes së armatosur. Ata e duan Kosovën e Çamërinë". ("The Çiano Diaries"). Në një fjalim që mbajti në qershor të atij viti Musolini, ku ju shpallte Aletatëve luftën, ai njëkohësisht donte t` ju jepte siguri si Jugosllavisë dhe Italisë, se ato nuk do të pushtoheshin prej tyre. Por që shqiptarët të mos i keqkuptonin ato deklarata, Piero Parini, zëvëndësi i parë i Jakomonit, e siguroi Shefqet Vërlacin, në praninë e përfaqsuesit gjerman në Shqipëri, Panaëitz, se shqiptarët duhet të besonin tonin dhe jo përmbajtjen e fjalimit të Musolinit.
Mbledhja e informacionit për sulmin
Akoma pa marrë miratimin e Musolinit, aty nga maji i vitit 1940, gjatë një vizite në Tiranë, Konti Çiano filloi të mblidhte informacionin e mundshëm për të hedhur bazat e nevojshme që do ti duheshin për planin e pushtimit të greqisë. Gjatë asaj vizite, Çiano përfitoi nga rasti dhe pyeti kryekomandantin e forcave italiane në Shqipëri, gjeneralin Carlo Gelseo, se sa trupa do ti duheshin pët të pushtuar Greqinë. Gjenerali Gelseo nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të madh lidhur me projektinë të cilën e dëgjonte për herë të parë nga goja e Çianos dhe i tha atij se duheshin dhjetë ose njëmbëdhjetë divizione. Vetëm për atë përgjigjie, Gjenerali Geleso u shkarkua dhe u zëvendësua duke u larguar menjëherë nga detyra dhe në vend të tij erdhi Sebastiano Viskonti Prascan. Gjenerali i ri, ritregoi entuziazëm pa kufi për projektin e Çianos dhe nuk e vrau shumë mëndjen për të mbledhur ushtrinë e nevojshme për të realizuar atë gjë. Besimi i Çianos u shtua dhe më shumë kur Jakomoni i raportoi se milicia fashiste shqiptare kishte një dëshirë të paduruar për zgjerimin e Shqipërisë dhe perandorinsë italiane. Ndërkohë për të vënë në vënd dhe për të arritur synimet e tija, Konti Çiano dha urdhër që në të dy anët e kufirit me Greqinë, të krijoheshin çeta luftarake, të cilat do të krijonin trazira në Çamëri.
Madje ai shkoi dhe më larg në idenë e tij, duke u munduar që të gjente mundësinë e vrasjes së Mbretit të Greqisë, nëpërmjet ndonjë shqiptari. Në atë kohë, Çiano nuk shkoi më shumë me përgatitjen e planit për vrasjen e Mbretit të Greqisë, pasi Musolini ishte i prekupuar prej shpalljes së luftës Aleatëve, si dhe dyzimeve të tija se kë shtet do të sulmonte më përpara. Për sa i përket Ballkanit, Duçja mendonte ta fillonte sulmin ndaj Jugosllavisë, por Çiano ishte i vendosur që të arrinte synimin e tij duke sulmuar Greqinë. Ai u entuziazmua pa masë, ku i ra në dorë një mesazh grek që e kishin kapur italianët, ku njeriu i fortë i Greqisë gjenerali Metaksa, bënte fjalë për një sjellje brutale dhe harbute të Çianos.
Ja pse shqiptarët nuk i ndihmuan italianët
Ata në Shqipëri konsideroheshin si pushtues dhe ndjenja e irredentizmit në vend, nuk ishte aq shumë e përhapur ashtu siç ja paraqiste Konti Çiano, Benito Musolinit
Për tu siguruar se Duçja nuk do ta harronte Greqinë, Çiano sajoi nëpërmes Jakomonit një numër incidentesh kufitare, të cilat dëshmonin se si propagan da italiane ashtu dhe diplomacia e saj, ishin jashtzakonisht të ngathëta dhe krejt të paafta, si dhe vërtetësinë e fjalëve të ashpëra të gjeneralit Metaksa, në drejtim të Çianos.
Sajimi i incidenteve kufitare
Çiano vendosi që të përqëndronte krejt vëmëndjen në një incident që ndodhi në muajin qershor, kur disa persona të panjohur (besohet se ishin të policisë greke) vranë dhe i prenë kokën Daut Hoxhës, që ishte udhëheqësi i shqiptarëve të Greqisë së Veriut. Askohe sipas agjensisë së lajmeve "Stefan", lajm i cili u përsërit edhe nga zyra gjermane e shtypit, Daut Hoxha paraqitej si një luftëtar i cili luftonte për lirinë e popullit shqiptar dhe si patriot i madh u vra nga agjentët grekë të cilët më pas i prenë edhe kokën dhe e shëtitën në të gjitha fshatrat e Çamërisë për të friksuar popullsinë vendase. Ndërsa ky lajm u komentua në këtë mënyrë, agjensia greke e lajmeve e hodhi poshtë atë, duke thënë se Daut Hoxha ishte një kriminël i njohur, që autoritetet greke kishin njëzet vjet që e kërkonin për vrasje e vjedhje. Gjithashtu propaganda greke bënte të ditur se shqiptarët e paktë që jetonin në Çamëri, jo vetëm që nuk shkaktonin trazira, por se ishin shumë të kënaqur me qeverisjen atërore dhe zemërgjerë të regjimit në grek. Për të qetësuar italianët, autoritetet greke arrestuan dy shqiptarë të cilët i akuzuan si vrasësit e Daut Hoxhës dhe pritën një kërkesë për ekstradim nga ana e Italisë. Për ta nxitur Musolinin dhe për të tërhequr vëmëndjen e tij kundra Greqisë, Konti Çiano më 10 gusht 1940-të, i paraqiti atij versionin italian të vrasjes së Daut Hoxhës. Pas kësaj, tepër i pezmatuar, Musolini bëri thirrje për një veprim force ndaj Greqisë, pasi që nga viti 1923 me incidentin e Kanalit të Korfuzit, ai kishte disa hesape të vjetra të pambyllura me Greqinë, për të cilat grekët i gënjente mendja se i kishte harruar.
Propaganda antigreke
Të nesërmen më 11 gusht 1940-të, Duçja kërkoi hollësi të mëtejshme rreth Çamërisë dhe dha urdhër që agjensia "Stefan", të niste transmetimet agjitative për këtë çështje. Brenda ditës shtypi italo-shqiptar, botoi artikuj të pafund e me shkronja të mëdha, që kritikonin shtypjen greke mbi popullin e Çamërisë. Kjo gjë ishte më se e vërtetë, sepse grekët i kishin keqtrajtuar shqiptarët e Greqisë së Veriut. Gjithashtu Musolini urdhëroi Jakomonin dhe Viskontin Prascan të raportonin në Romë, ku do të diskutohej vendosmëria e tij e re për të ndërrmarë një sulm të befasishëm kundra Greqisë. Më 12 gusht, Musolini i deklaroi Çianos, Jakomonit dhe Prascas se sikur Korfuzi dhe Çamëria të mos i dorzoheshin Italisë pa luftime, "Italia do të kapërcente pragun". Sipas Çianos, Jakomoni dhe Konti Prasca i thanë atij se ai veprim ishte shumë i lehtë. Lufta u afrua dhe një hap më shumë, kur një nëndetëse italiane fundosi kryqëzorin grek "Helli" në ujrat greke në datën 15 gusht. Pas këtyre ngjarjeve, Berlini u alarmua dhe i kërkoi Romës që të ruhej statukuoja në Ballkan. Musolini bëri sikur e pranoi atë gjë, por nga ana tjetër i vazhdoi përgatitjet për luftë ndaj Greqisë. Viskonti Prasca nxitoi dhe dërgoi njësi ushtarake italiane në kufirin grek, ndërsa Jakomoni intesifikoi veprimet e tija për përgatitjen e guerriljeve shqiptare për përhapjen e terrorrit dhe krijimin e trazirave në prapavijat greke.
Po në atë kohë, Jakomoni i dërgonte mesazhe të njëpasnjëshme Çianos, ku i vinte në dukje kushtet e mjerueshme dhe të rënda të cilave u nënshtroheshin shqiptarët e Çamërisë. Krahas kësaj, ai u jepte udhëzime shtypit dhe radios shqiptare që të vazhdonte të ngrinte figurën e Daut Hoxhës, që ishte vrarë në Greqi. Në kulmin e entuziazmin e tij rreth projektit të pushtimit, Jakomoni arriti deri aty sa të sugjeronte se operacioni në fjalë duhet të fillonte me një sulm sa për sy e faqe të guerriljeve shqiptare, mbi një postkomandë kufitare italiane, gjë e cila do të shërbente si pretekst për fillimin e sulmit mbi Greqinë. Edhe pse kundërshtimet e gjermanëve e patën bindur përkohësisht Musolinin që të hiqte dorë nga planet për pushtimin e Greqisë, aksioni gjerman në Rumani e nxiti atë të hidhej menjëherë në veprim. Kur më 12 tetor trupat gjermane hynë në Rumani, Musolini u bë si i tërbuar dhe i deklaroi Çianos:" Hitleri më vë gjithmonë përball faktit të kryer. Kësaj rradhe kam vendosur me të njëjtën monedhë. Ka për ta marrë vesh nëpërmjet gazetave se unë kam pushtuar Greqinë".
Ndonëse ende kishte njëfarë rezistence për mosfillimin e sulmit ndaj Greqisë, veçanërisht prej Badoglios, Musolini e hodhi poshtë atë me vendosmëri, duke shpallur:" Unë do të jap menjëherë dorheqjen si italian, në rast se dikush nxjerr kundërshtime ndaj sulmit tonë kundër Greqisë". Edhe Çiano ishte i bindur se ai operacion do të ishte i lehtë. Ndërkohë lajmet nga Shqipëria ishin të gjitha pozitive, Jakomoni njoftonte se shqiptarët e Çamërisë i përkrahnin italianët dhe po përgatiteshin për ti ndihmuar ata. Gjithashtu ai njoftonte se rinia shqiptare, e cila kishte qenë gjithmonë e përmbajtur, po shfaqte shenja të hapura miratimi ndaj pushtimit të Greqisë dhe se të gjithë patriotët dhe trupat shqiptare, po digjeshin nga dëshira për të çliruar Epirin (Greqinë e Veriut) njëherë e përgjithmonë. Jakomoni shkonte deri aty sa thoshte se mezi po i përmbante shqiptarët për të kaluar kufirin. Musolini i bindur e duke i kujtuar për të vërteta këto marrëzira që i servirnin vartësit e tij, pati frikë se mos pjesmarrja e gjërë ushtarake e shqiptarëve në luftime, mund tu krijonte atyre përshtypjen se fitorja e pashmangshme kundër grekëve, ishte rezultat i arritur prej armëve shqiptare. Në fund të raportit të tij, Jakomoni njoftonte Musolinin se shqiptarët ishin entuziastë dhe grekët me moral të ulët.
Pushtimi italian i Greqisë
Sipas urdhërit të Musolinit, më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane të përbërë prej 140.000 trupash, sulmuan tokën greke në një front të gjatë prej 200 km. Në atë operacion, italianët ndërmorën një numër sulmesh ajrore mbi popullsinë civile. Forcat italiane që morën pjesë në atë operacion, ishin të përgatitura me nxitim dhe të paisura keq, e të stërvitura dhe drejtuara nga oficerë jo kopetentë. Megjithkëtë në veprimet luftarake ata arrritën që të depërtonin rreth 15 km. në territorin grek. Por në qendër të sulmit, përpërimi i forcave që drejtoheshin nga Konti Prascas, u frenua shumë shpejt, gjë e cila e detyroi Kontin Çiano që të vinte me avion në Tiranë për tju dhënë zemër gjeneralëve italianë. Frika e tij u fashit disi përkohësisht, si pasojë e optimizmit të vazhdueshëm të Kontit Prascas, i cili i raportonte se pavarsisht prej vështirsive, trupat e tij po qëndronin mire, madje dhe batalionet e milicisë me ushtarë shqiptarë, kishin një moral të lartë. Ndër të tjera raportohej se një ushtar shqiptar i plagosur, me një italishte çalë-çalë kishte thënë:" Ne vdesim të gjithë, që Duçja të kalojë mbi trupat tanë". Në këtë vazhdë keqinformimi, kontribuoi dhe shtypi italian, që njoftonte se grekët po i uronin mirseardhjen ushtarëve italianë. Në të vërtetë, gjendja luftarake e trupave italiane u keqësua shumë shejt. Më 6 nëntor, Çiano pranoi se inisiativa kishte kaluar në kampin e grekëve. Grekët kishin kundërsulmuar në frontin e Maqedonisë perendimore, duke ju shkaktuar një disfatë pjesës më të mirë të trupave italo-shqiptare, e konkretisht batalionit prej njëmijë vetësh "Tomorri".
Grekët marrin Jugun e Shqipërisë
Më 14 shtator 1940-të, gjenerali Aleksandër Papagos, shef i shtatmadhorisë së ushtrisë greke, nisi kundërofensivën me një numër forcash disi më të mëdha se ato italiane. Trupat e tija të paisura dhe të furnizuara më së miri, jo vetëm që i detyruan italianët që të tëriqeshin nga territori grek, por shumë shpejt ata vunë nën kontroll, një pjesë të mirë të territorit shqiptar. Kështu Korça, qyteti i tretë i Shqipërisë për nga madhësia ra në duart e grekëve më 22 nëntor, gjë e cila përbënte një goditje të fortë për prestigjin italian. Pas kësaj disfatat e italianëve ndoqën njera tjetrën. Në dhjetor italianët morën dhe Gjirokastrën, Sarandën, Pogradecin si dhe disa territore të tjera që përbënin 25 % të gjithë territorit shqiptar. Me qëllim që të kthente moralin e humbur të ushtarëve italianë, në janarin e 1941-it, Musolini dha urdhër që të gjithë ata që ishin nën 45 vjeç, të shkonin në front në Shqipëri. Ky urdhër ishte për të gjithë pa përjashtim dhe elita fashiste e hutuar nga ky urdhër u dërgua që të luftonte në malet me baltë dhe me borë të Shqipërisë. Kështu gati një e treta e ushtrisë italiane e përbërë prej 300.000 trupash, nisi një kundërofenisvë të përgjithshme.
Megjithë atë epërsi, ajo ofensivë nuk solli ndonjë rezultat të ndjeshëm. Që nga ai moment, morali i trupave italiane u dëmtua në mënyrë të pandreqëshme dhe Musolini i ktheu sytë nga Gjermania. Humjet i italianëve në atë kohë ishin mjaft të mëdha, e shënonin mbi 14.000 të vrarë, 50.000 të plagosur, 25.000 të humbur dhe mbi 12.000 vetë të tjerë të gjymtuar prej acarit të dimrit. Faji për këtë disfatë u hodh tek të gjithë, e Zenone Benini dhe Musolini në bisedat me Hitlerin, u a hodhën fajin shqiptarëve. Në të vërtetë, pavarsisht prej shpresave të mëdha dhe të pabaza që ushqente Çiano, Jakomoni dhe Viskonti Prasca, shqiptarët shfaqën një mungesë të theksuar entuziazmi, qoftë për italianët dhe qoftë për grekët.
Dezertimi i shqiptarëve
Forcat e armatosura shqiptare në rradhët e ushtrisë italiane, luajtën një rol fare të vogël në mbështetje të italianëve. Musolini pretendonte se divizionet italiane që pushtuan Greqinë fillimisht, kishin në përbërje të tyre nga dy batalione shqiptare. Kjo gjë ishte tepër e ekzagjeruar dhe nuk ishte aspak e vërtetë, sepse vetëm dy batalionet shqiptare "Taraboshi" dhe "Tomorri" morën pjesë në operacionet ushtarake që u zhvilluan kundër grekëve në rajonin e Korçës. Të përballuar me realitetin e ashpër të një fushate ushtarake malore, ndaj një armiku të vendosur, njësitë shqiptare ose dezertonin ose largoheshin nga fusha e betejës grupe grupe. Ata që mbetën, luftuan aq keq, saqë komanda italiane u detyrua dhe dha urdhër që ata të tërhiqeshin nga fronti dhe i mbylli në një kamp përqëndrimi diku në Shqipërinë e Mesme. Asokohe thuhej se nëqoftëse italianët do të kishin përdorur trupat shqiptare në krahinën shqiptare të Çamërisë dhe jo në zonat ortodokse të Korçës, milicia shqiptare do të kishte treguar ndoshta më shumë vendosmëri dhe entuziazëm. Bashkpunimi i rastësishëm i shqiptarëve me italianët, ishte mjaft i kufizuar. Megjithë shumat e mëdha që Jakomoni shpenzoi për qëllimet "politike", rezultati përfundimtar ishte mjaft negativ. Agjentët shqiptarë, duke u përpjekur që t` u jepnin italianëve ato lajme që ata i kishin qejf, në mes të tjerash i bindën, se shqiptarët që ishin në Greqi, do të ngriheshin, madje pati dhe nga ata informatorë që thonin se edhe vetë grekët do të ngriheshin në përkrahje të italianëve.
Pasi grekët arritën që të pushtonin disa pjesë të Shqipërisë, agjentët shqiptarë që paguheshin e punonin për llogari të italianëve, duhej të punonin për të marrë informata përtej trupave italiane, në afërsi të trupave greke. Asokohe nga ana e agjentëve shqiptarë pati disa sabotime të cilat konsistonin në ndërprerjen e linjave telefonike dhe shërbimit telegrafik ushtarak. Por ato aksione të kufizuara të shqiptarëve ishin pa ndonjë pasojë të madhe, e nuk luajtën asnjë lloj roli në fushën e luftës. Sipas italianëve, të gjithë agjentët dhe sabotatorët shqiptarë, thuhej se kishin vetëm motivin e parasë. Ajo gjë ilustrohet nga ana e tyre, me faktin se ata nuk arritën kurrë të lokalizonin vendndodhjen e shtatmadhorisë greke, që italianët shpresonin ta bombardonin. Ndonëse kjo gjë është hedhur poshtë nga historiografia socialiste shqiptare, në të vërtetë shqiptarët në atë luftë i ndihmuan fare pak grekët. Sipas disa dokumentave që ndodhen në arkivat e Berlinit, bëhet e ditur se shqiptarët më shumë në atë luftë ndihmuan grekët se sa italianët dhe pakica greke në Jug të vendit e priti mjaft mirë mbrritjen e trupave greke aty. Arsyeja që shqiptarët nuk pranuan të ndimonin italianët, ishte e qartë. Italianët në Shqipëri konsideroheshin si pushtues dhe ndjenja e irredentizmit në vend, nuk ishte aq shumë e përhapur sa kishte shpresuar Konti Çiano.
Ruaj Lidhjet