“Greqi, gjykatës e priftërinj në trafik droge dhe seksi”
Autori i Lajmit: Enkelejda Zajmi
Vala e skandaleve që ka përfshirë kishën greke dhe sistemin gjyqësor në këtë shtet u intensifikua edhe më shumë gjatë ditës së sotme, pasi është deklaruar zyrtarisht se një tjetër gjykatës duhet të përballet me procedurat disiplinore, kësaj here pas akuzave për përfshirje të tij në një rrjet trafikimi seksual. Bëhet fjalë për ngjarjen që erdhi pas publikimit të një fotoje të pahijshme të një prifti. Kështu pas tre gjyqtarëve të deklaruar deri tani si përfaqësues të ligjit të korruptuar dhe përfshirë në skandale seksuale, një gjykatës i katërt, megjithëse ende anonim do të dalë përpara gjykatës së lartë për t’u pyetur, ndërsa ekziston mundësia që ai të përjashtohet nga sistemi gjyqësor bëjnë të ditur burimet për gazetën greke “Kathimerini”. Edhe pse ai ka pretendime lidhur me akuzën që e përfshin atë me banda të cilat trafikonin femra. Një gjykatëse e gjykatës së shkallës së parë në Greqi, e identifikuar me emrin Antonia Ilia, e cila është akuzuar për korrupsion deklaroi se kishte rënë viktimë e një operacioni për të rrënuar imazhin e saj. Ilia ka pasur lidhje me priftin, i cili akuzohet për ndërmjetësim në gjetjen e prostitutave. Gjykatësja e ka favorizuar priftin në dy cështje të gjykuara prej saj. Sidoqoftë, Ilia është akuzuar edhe për 200 mijë euro rryshfet nga dy avokatë, të cilët kërkuan liri për një mjek psikiatër, i arrestuar nën akuzën se u jepte drogë pacientëve qqë kërkonin kurim. Ministri i Drejtësisë Anastassis Papaligouras u takua me prokurorin e Gjykatës së Lartë Dimitris Linos dhe sipas burimeve i ka kërkuar atij të shpejtojë hetimet mbi korrupsionin që përfshin gjykatësit në mënyrë që skandali të mos përhapet edhe më shumë, duke ndikuar në mënyrë negative mbi opinionin publik. Rreth 30 gjykatës të tjerë mendohet se janë nën hetime. Ndër ta pritet të dalë para gjykatës së lartë edhe zv/prokurori i Apelit Nikos Athanasopoulos.
Prifti, i pari i akuzuar
Një peshkop i lartë i Kishës Ortodokse Greke është pezulluar për gjashtë muaj nga organi drejtues i kishës, Sinodi i Shenjtë, në Athinë në lidhje me një skandal që ka përfshirë si fenë ashtu edhe një shtyllë tjetër të ngrehinës, sistemin gjyqësor.Sinodi i Shenjtë ka filluar një hetim lidhur me akuzat për rryshfete dhe sjellje jo etike nga peshkopi metropolitan i Atikës Panteleimo, i cili i mohon akuzat. Këtë javë një radio greke transmetoi një regjistrim që e jepte peshkopin në fjalë duke i thënë avokatit të tij se kishte takuar një gjyqtar të gjykatës së lartë për të garantuar që rasti gjyqësor kundër tij të dilte në favor të tij. Një peshkop tjetër pritet të bëjë një deklaratë me shkrim para Sinodit të Shenjtë javën e ardhshme lidhur me akuzat për trafik droge. Sipas shtypit vendas ai i mohon akuzat.
Arrestohet prifti për trafik droge
Ndërkohë, Policia ka arrestuar priftin, Iakovos Yiossakis, nën një tjetër akuzë, e cila ende nuk është bërë publike. Prifti po mbahet nën arrest, sepse ekziston frika se ai mund të përpiqet të largohet nga vendi. Ai akuzohet për përfshirje në një numër gjyqesh, që mendohet se janë fiksuar. Njoftohet se disa pjesëtarë të kishës janë përpjekur të ndikojnë apo madje t’u japin ryshfete gjyqtarëve për të vendosur rezultatin e gjyqeve.Tashmë janë ngritur aktpadi për shkelje të rënda displinore kundër katër gjyqtarëve. Nën hetim janë 13 pjesëtarë të tjerë të gjyqësorit. Qeveria thotë se do të paraqesë një projekt-ligj për ta bërë ryshfetin për gjyqtarët një krim serioz, me një dënim me burg maksimumi prej dhjetë vjetësh.Udhëheqësit e kishës i kanë bërë thirrje popullsisë, që është kryesisht ortodokse, për të dhënë informacione lidhur me pjesëtarë të kishës që dyshohet se kanë shkelur ligjin.
Data e Publikimit: 11/02/2005
2001-2004 Ballkan.com
Te gjitha te drejtat e rezervuara "Ferano Group" Sh.p.k
Programuar nga Shqiperia.Com
Krijoni Kontakt