Faqja 12 - AKTUALITET Shkurt 13, 2005
GJIROKASTER/ Historia e 54-vjeçarit Jemin Jemini
"Unë, romi që u martova 23 herë me 16 gra"
--------------------------------------------------------------------------------
Engjell Serjani
GJIROKASTER
Si rrallëkush në Shqipëri është martuar 23 herë me 16 gra të ndryshme. Gjeografia e grave të "haremit" të romit gjirokastrit çuditërisht ngjan me atë të sulltanëve të Turqisë. Ai ka provuar freskinë e ngjyrat femërore duke bërë krushqi të shkurtra dhe të gjata në rrethe të ndryshme të vendit, duke nisur që nga qyteti-muze, Vlora, Fieri, Lushnja, Korça, Berati, Durrësi e deri në Kukës. Me disa nga "pëllumbeshat", kështu i quan gratë e tij, Jemin Jemini është martuar disa herë. Ndërkohë, 52-vjeçari shprehet se martesa e tij e parë dhe ajo e fundit ishte me nënën e 7 fëmijëve të tij, Resmien nga Kukësi, e cila humbi tragjikisht jetën 12 vjet më parë në Greqi. Aktualisht romi hekurmbledhës, i cili është djali i partizanit Mero që luftoi përkrah Mehmet Shehut në çetën e Mallakastrës, është i pamartuar. Ai jeton në lagjen e romëve, në skajin jugor të qytetit të Gjirokastrës.
Romi
Jemin Jemini i kalon ditët në lagjen ku jetojnë romët në Gjirokastër, e cila ndodhet në një zallishtë në skajin jugor të këtij qyteti, midis Teqesë Bektashiane të Zallit dhe fshatit Lazarat. Shtëpitë përdhese të kësaj getoje të vërtetë ngjajnë si vazhdim i bunkerëve të shumtë prej betoni të ndërtuar në këtë vend në kohën e regjimit komunist. Në këtë mjedis, pa rrugë, pa ujë, pa energji elektrike, pa kanalizime, pa asnjë kusht jetësor, në një prej "shtëpive bunker" të rrethuara me lloj-lloj hekurishtesh e rangullinash metalike të ndryshkura, jeton si mos më keq bashkë me djalin e tij 14-vjeçar Jemin Jemini. Gjithsesi, ai e quan shtëpinë e tij "kuvli pëllumbash". Ndërkaq, 52- vjeçari mbijeton duke mbledhur hekurishte, të cilat i shet për të nxjerrë bukën e gojës. "Jetoj me thërrimet e kohës së Enverit. Ja, shiko: disqe zetori, plugje hekuri të mbetura nga koha e xhaxhit. Eshtë shumë e vështirë të nxjerrësh bukën sot. Shumë arixhinj ikën nga sitë këmbët. Tani kemi frikë nga jeta, ndërsa në kohën e Enverit ishte ndryshe", thotë romi dhe nxjerr nga xhepi i brendshëm i xhaketës një fotografi të vogël të Enver Hoxhës.
Martesat
Si për t'ua hedhur halleve të kësaj jete, hekurmbledhësi tregon pjesën më të bukur të jetës së tij, atë të serisë së gjatë të martesave. E ndërsa ka plot 12 vjet që jeton si beqar (nga vdekja e gruas së fundit), ai tregon me nostalgji emrat e grave të shumta: Vera nga Korça, Lina nga Roskoveci, Rudina nga Tirana, Mira nga Fieri, Drita nga Berati, Dashuria nga Llakatundi i Vlorës, Nailja nga Gjirokastra, Lili nga Durrësi, Sevdija nga Lushnja etj. Vargu i emrave të grave të shumta mbaron me Resmien nga Kukësi. Këtë të fundit ai e quan gruan e jetës së tij dhe është martuar tre herë me të. "E para dhe e fundit e grave të mia është Resmia. Ajo ishte një grua e pastër, punëtore dhe me të linda 7 fëmijët e mi. Resmien së bashku me vajzën 16-vjeçare i humba para 12 vjetësh gjatë një aksidenti tragjik në Greqi. Pas vdekjes së saj unë nuk u martova më. Ajo ishte gjithçka për mua. U martova me 16 gra dhe prapë ... ja ku jam, i ve, pa grua. Tashmë jetoj me djalin tim 14-vjeçar, Emiljanon", tregon Jemin Jemini. Ndërkaq, ky i fundit pohon se arixhinjtë martohen shpejt: vajzat 14 vjeç dhe djemtë 16-17 vjeç. "Ne bëjmë shumë fëmijë, që të kemi dhe për vete dhe për Zotin. Vetëm se këtu në Shqipëri gjejmë bela me ligjin, i cili nuk lejon që të martohesh i vogël. Ne martohemi dhe vetëm kur nusja mbush moshën deklarojmë se kemi lindur fëmijë, por atëherë kemi lindur tre fëmijë", sqaron romi.
Hekurmbledhësi: Gënjeva duke thënë se isha polic
54-vjeçari: Ja si shpëtova veten dhe shokët nga qelitë greke
Jemin Jemini është me origjinë nga Cakrani i rrethit të Fierit. Edhe pse i varfër, romi 54-vjeçar është shumë bujar. "Ja, 'kuvlia e pëllumbit' hapur është, kush do vjen, unë e pres me çfarë të kem", thotë duke qeshur nën mustaqe romi. Megjithëse ai gjithë vitet e jetës së tij ka punuar (dhe vazhdon të punojë) si hekurmbledhës, ka pasur si hobi të vishet me uniformë polici. Hobi i tij një herë e ka shpëtuar atë nga burgu në Greqi. "Disa vjet më parë u nisa me një grup të madh romësh për në Greqi. Asnjë prej nesh nuk kishte dokumente apo viza. Sapo mbërritëm në Larisë, na kapi policia greke dhe na dërgoi në rajon. Pas disa ditë qëndrimi në dhomat e izolimit, na thirri komandanti i rajonit. Ai më shikoi egër dhe më tha t'i tregoja pasaportën. Duke e shfletuar pasaportën, ai pa një fotografi timen me uniformë polici, që unë e kisha harruar aty. 'Kush është ky?', më pyeti komandanti grek. 'Unë jam', i thashë, duke e gënjyer se punoja polic në Gjirokastër. Gjithashtu, e sqarova se isha me leje dhe kisha ardhur në Greqi të punoja për ca kohë dhe më pas do të kthehesha në Shqipëri. Ai e hëngri gënjeshtrën time dhe porositi që të më jepnin për të ngrënë e për të pirë, duke më kërkuar falje që ishte sjellë keq me mua. Komandanti grek më pagoi me dhrahmi kohën e qëndrimit në qeli dhe më pas dha urdhër që të më lironin. Unë këmbëngula që të liroheshin dhe shokët e mi dhe ai ma plotësoi kërkesën", tregon romi. Bisedën tonë me 54-vjeçarin e ndërpret mbërritja e një kamioni të vjetër 5 tonësh, që çuditërisht, ndonëse një shkarravinë e vërtetë, pa xhama në kabinë e me llamarina të oksiduara dhe sponde të thyera, lëvizte për bukuri nëpër rrugicat e ngushta e plot gardhe të getos së romëve.
Krijoni Kontakt