George Sand nëpërmjet burrave të saj

Flaubert Felix NADAR


“George Sand-in duhej ta njohësh ashtu si e njoha unë, për tw kuptuar se ç'kishte femërore tek ky burrë i madh”.

Plot me vitalitet, shkrimtarja franceze George Sand ishte përfshirë në faqet e shtypit skandalistik për shkak të lidhjeve të saj të shumta me të dashur të njohur, nga të cilët mund të përmenden Alfred de Musset, Liszt dhe Shopen, pa folur për dashurinë e saj për komedianen Marie Dorval.

Në qershor të vitit 1833, e rrethuar nga suksesi i librit “ Indiana ”, ajo takon te botuesi i saj poetin romantik Alfred de Musset. Në vitin 1834 çifti niset për në Venecia, por dy të dashuruarit sëmuren dhe Sand-i bie në dashuri me mjekun, Pietro Pagello. Musset kthehet i vetëm në Paris . Më pas poeti e prezanton shkrimtaren me Franz Listz-in. Në vitin 1837, Sand pret në Nohant muzikantin së bashku me të dashurën Marie d'Agoult, por shumë shpejt shkrimtarja bie në dashuri me Listz-in. Një vit më pas lind idili i dashurisë mes Sand-it dhe Frederik Shopen-it. Shkrimtarja ndahet me të në vitin 1850, pasi lidhet me gdhendësin Alexandre Manceau, i dashuri i fundit i njohur i shkrimtares. Gjatë ditëve të revolucionit shkrimtarja qëndron në kështjellën e saj në Nohant, ku ajo kishte kaluar fëmijërinë dhe e kishte bërë subjekt në romanet e saj më të mira. “Zonja e Nohantit” vdes e qetë në 8 qershor 1876. Pasionante, provokuese, ajo krijoi një personazh të pashoq: Gruan e Lirë.

Gruaja-mashkull

George Sand-i është një personazh emblematik, sidomos në përpjekjet për njohjen e gruas në rrethet letrare, pasi në atë kohë një gjë e tillë nuk ishte e zakonshme. Në fakt, Aurore Dupin mori një pseudonim mashkullor George Sand kur shkruante, edhe pse dihet se ajo ishte e turpshme. Duke u veshur si mashkull, besonte se kishte më shumë ndikim në popull për të denoncuar të metat e martesës, për të folur për edukimin, apo për seksualitetin dhe divorcin. Gratë e shekullit XIX akuzoheshin shpeshherë për sjellje burrërore dhe të ftohtë. Shembulli dhe vepra e saj ishin për bashkëkohësit një simbol i lirisë. Ajo kishte arritur gjithçka pa ndihmën e askujt, falë kurajos së saj, punës e talentit, duke refuzuar çdo lloj lehtësie që mund t'i vinte nga të qënit femër. Kështu Balzak do të shkruante se Sand-i “është mashkull, më shumë se do ta donte një burrë”. Ndërsa Flaubert do të siguronte se “duhej ta njihje ashtu si e njoha unë për të ditur se ç'kishte femërore tek ky burrë i madh”. Në fakt ajo u maskua nëpërmjet karakterit të saj, jo nga pamja e saj fizike, pasi kishte një detyrë të dyfishtë: ajo ishte shkrimtare natën dhe ditën iu përkushtohej nevojave të saja të quajtura “femërore”. Ana e saj mashkullore i lejoi që të kishte një seksualitet të lirë dhe të ndryshëm. Në fakt ajo e shtoi numrin e të dashurve dhe aventurat homoseksuale , pasi donte të jetonte eksperienca jashtë moralit borgjez. Madje pati një lidhje të shkurtër me Marie Dorval që shfaqet si “një pasion i ngjashëm me atë të Safos për të rejat lezbike”. George Sand ka qenë e para grua që bashkoi femëroren dhe mashkulloren në një mënyrë kaq të dukshme që shfaqej si në veprat letrare ashtu dhe në jetën sentimentale.

Romantiku Musset

Poeti i njohur (Musset) takohet me Sand-in në vitin 1833, kur ishte 23 vjeç, ndërsa ajo 29. Kjo grua e çuditshme, me sy të mëdhenj e shumë të bukur, e tërheq tmerrësisht. Ata njohën të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e një pasioni të pamundur. Por që një dashuri të jetë e lumtur dhe jetëgjatë, duhet që mes të dashuruarve të ketë disa pabarazi. Kështu mund të kuptojmë dashurinë mes kësaj gruaje gjeni dhe këtij burri gjeni, të cilët ishin të dy shkrimtarë, të mësuar me analizimin e ndjenjave, me prapamendimet instiktive, që mund t'i shprehnin shumë mirë në prozë apo në vargje. Për ta e gjitha kjo ishte një torturë e vërtetë. Ata kalojnë disa netë të zjarrta në Fontainebleau , ku Musset-i kaloi një krizë nervore që e trembi shumë shkrimtaren. Kjo lidhje skandalizoi familjet, shoqërinë e tyre dhe sallonet pariziane. I gjithë Parisi u shokua nga kjo grua e martuar e më pas e divorcuar, e guximshme, e pavarur dhe me ide avangardiste. Dy të dashuruarit u nisën për në Itali dhe Musset sëmuret me temperaturë, por përkujdesja e Sand-it dhe mjekimet e doktorit Pegallo, e shpëtojnë. Por Sand-i bie në dashuri me këtë të fundit. E ndërsa Musset kthehet i vetëm në Paris , dy të sapodashuruarit e arrijnë atë më pas. Të tre ishin krenarë që ishin të lidhur me “nyje sublime dhe të pakuptueshme nga të tjerët”! Kriza të shumta përfshinë jetën e dy shkrimtarëve, lidhja e të cilëve mori fund në 7 mars të vitit 1835. Musset doli nga kjo lidhje tejet i prekur. Gjatë periudhës që ata kishin qëndruar bashkë Musset shkruan poezitë e tij më të bukura, edhe me një hidhësi “ala Bajron”. Dy gjëra e tërhoqën Musset drejt Sand. Ai gjeti tek shkrimtarja llojin e femrës me një bukuri të theksuar dhe që zotëronte një inteligjencë të madhe. Madje ai e quante atë një grua që e tërhiqte drejt jetës plot pasion e dëshira, pasi ishte i zhytur në një dëshpërim të thellë. Musset dhe Sand do vazhdojnë t'i shkruajnë njëri-tjetrit edhe pas ndarjes. Ai vazhdon ta dojë, ndërsa ajo i përgjigjej si të ishte motra apo nëna. Ai i drejtohej “E dashur George, kam diçka idiote e qesharake për të të thënë. Këtë mbrëmje jam i trishtuar. Ju do më qeshni në fytyrë, do më merrni si një shpikës fjalish në të gjitha raportet mes nesh. Do të më nxirrni jashtë dere dhe do besoni se gënjej. Jam i dashuruar pas jush. Pata përshtypjen se do shërohesha duke iu konsideruar shoqe. Por ka shumë gjëra në karakterin tënd që mund të më shërojnë. Jam munduar shumë që ta bind veten për këtë; por i paguaj shtrenjtë çastet që kaloj me ju. Më mirë të ta them dhe kam bërë mirë, pasi do të vuaja më pak dhe do të shërohesha kur të bindesha se do të më mbyllnit derën….” George Sand u përpoq të mbronte çështjet që kishin të bënin me gruan dhe përbuzte çdo lloj hipokrizie. Pikërisht nga liria e shprehjes që ajo përdorte, shpeshherë e akuzonin për shumë mëkate.

Mund të vëmë re shumë mirë ngjashmërinë mes lidhjes Musset-Sand dhe Shopen –Sand. Një dashuri pasionante që zgjat disa muaj që shumë shpejt i lë vendin miqësisë. Por nëse karakteri i Shopenit i lejon kësaj miqësie të zgjasë 9 vjet, me Musset nuk vlen e njëjta gjë.

Kompozitori Shopen

Në prill të vitit 1838 George Sand vendos që të fitojë zemrën e kompozitorit Frederik Shopen. Fillimisht ajo i dërgon një letër të shkurtër, por me një mesazh të qartë. “Ju adhuroj! George”. Kjo letër duket se i pëlqeu Shopenit, pasi ai e vendosi në albumin e tij intim që e mbante që kur ishte fëmijë. E dashuruar pas tij, Geroge i shkruante një mikes së tyre të përbashkët duke i kërkuar këshilla. Kur flet për Shopen ai i drejtohet me “i vogli” ose “fëmija im”. Padyshim që dashuria e tyre ishte e bazuar mbi një dhembshuri prej nëne. Nëse shëndeti i ligësht i Shopenit ishte një nga shkaqet e ndarjes së tij me Marien, kjo gjë i shtonte ndjenjat që George kishte për kompozitorin. Megjithatë Sand dhe Shopen qëndruan bashkë përgjatë 9 vjetëve. Iniciativa për ndarje erdhi nga George, por Shopeni e donte ndarjen po aq sa ajo, edhe pse kurrë nuk pati as kurajon e as vullnetin të fliste i pari. Shopenin nuk e vrau ndarja, por lidhja. Ata që e njohën në pleqëri, Flaubert, Gautier, vëllezërit Goncourt, na kanë lënë shumë detaje të bukur të anës së saj të çuditshme, shijet e saj për cigaret dhe jetën e veçantë që bënte në Nohant. Por në atë kohë ajo ishte vetëm “një vullkan i shuar”; ajo duhet të ishte shumë më interesante në kohën e saj të shpërthimit. Për periudhën e saj, me Musset dhe doktorin Pagello, ajo na tregon tek “Ajo dhe ai”. Por kapitulli më interesant është ai gjatë kohës kur ishte dashuruar me Shopenin edhe pse për këtë ka shkruar në librin e saj Lucrezia Floriani. Por ajo kërkonte nga të dashurit e saj që t'i drejtoheshin me shkrim. Me Musset ajo kishte të bënte një shkrimtar. Por i shkreti Shopen ishte i ngathët në shkrim. Emocionet që i kishte dhuruar ajo, i kishte kthyer në pjesë muzikore; ose këto fjali, të ëmbla si muzikë, janë të pamjaftueshme si dokumente letrare. Sipas letrave që ajo i shkruante dukej se dama luante rolin e një burri në këtë aventurë. Shopeni qante dhe bënte skena, ndërsa Sand e ngushëllonte dhe e mbronte. Nuk ka asnjë dyshim se Sand ishte mashkulli, pasi ishte ajo që thoshte e para se “i kishte ardhur në majë të hundës”. Për këtë nuk mund të habitesh teksa e shihje Shopenin e shkretë, duke kollitur dhe duke ribërë pjesë muzikore. Më vonë ajo e kuptoi se ishte e kënaqur që kishte rolin e një nëne të dhembsur plot me keqardhje dhe përkujdesje për fëmijën e saj të sëmurë.

Shumë nga letrat e Shopenit, janë shkrujatur në Nohant. Ato janë shumë të trishtuara. Shopeni kompozonte në tastierë. Ai e urrente bojën dhe fletën. Letrat e tij të dashurisë duhet të ishin shumë të lehta dhe Sand ishte një kritike e tmerrshme në këtë fushë: ajo kishte lexuar e shkruar aq shumë! Të paktën pas ndarjes Shopeni nuk shkruajti më ashtu si Musset, ankesa qaramane. Idenë e vërtetë që ai kishte për të ne nuk do ta marrim vesh kurrë.

Përktheu: Aida Harka