Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi

O Perëndi dhe Zot i gjithësisë, Dritë dhe Gjykatës i botës,
shpirti ynë, plot dhembje dhe shqetësim, sjell ndër mend
ngjarjet tragjike të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe aktet e
njëpasnjëshme të dhunës që pasuan që atëherë, deri në
tragjedinë në shkollën e Beslanit të Rusisë, ku terroristë
mizorë u mbollën tmerrin dhe vdekjen qindra fëmijve.

O Zot i paqes dhe i dashurisë, prehu shpirtrat mijëra
vëllezërve tanë që humbën jetën padrejtësisht, duke u bërë
viktima të kësaj dhune të tmerrshme; shëro plagët që
shkaktuan këto goditje në zemrat e të afërmve dhe miqve.
Dhembja dhe ankthi ynë, o Zot, arrin kulmin kur shohim
terroristë që pa ngurruar u marrin jetën madje dhe fëmijve të
pafajshëm, që përlyejnë edhe emrin Tënd, duke iu referuar
besimit tek Ti.

Ruaje, o Zot, botën tënde nga kjo paranojë dhe egërsi e
frikshme. Na ndihmo të gjithë për të kuptuar se çdo krim në
emër të fesë është krim kundër vetë fesë dhe fyerje e Emrit
Tënd të Shenjtë.

O Zot, në këto çaste, kur konflikte të dhunshme, akte
terroriste, padrejtësi dhe hakmarrje lëndojnë njerëzimin, ku
miliona njerëz të të gjitha moshave rrojnë në varfëri, mjerim
dhe pikëllim, Të lutemi mos na braktis, edhe nëse ne, dashur
ose padashur, Të braktisim.

O Zot mëshirues, zbute dhembjen që shtrihet në tokën
tonë. Na jep ndjeshmërinë dhe guximin për të ndihmuar atje
ku bëhen përpjekje për paqen, mirëkuptimin, bashkëpunimin
dhe pajtimin ndërmjet njerëzve dhe popujve, që ndodhen
afër ose larg nesh. Falna, o Zot, të gjithëve një paqe të plotë.
Paqe me Ty, paqe me veten tonë, paqe me njerëzit e tjerë,
afër ose larg. Paqe me tërë krijimin Tënd.

Na bëj, o Zot, njerëz krijues, të ndershëm dhe të gatshëm
për të punuar për progresin, drejtësinë, paqen dhe solidaritetin
në të gjitha nivelet: lokal, ndërkombëtar, mbarëbotëror.
Na beko, o Zot i paqes, që ta ndjejmë praninë tënde çdo
ditë dhe na ndihmo që me fjalën dhe veprën tonë të jemi një
rreze që përhap dritë shprese dhe paqeje. Amin.

11 shtator 2004