Dallgë massive, apo siç quhen ndryshe edhe cunami, të shkaktuara nga tërmete nënujore në oqeanin Indian, kanë përmbytur dhe shkaktuar dëme dhe vdekje njerëzish që nga Indonezia, në Indi e deri në Afrikë në Somali.
Vlersohet se më shumë se tetë mijë vetë kanë humbur jetën.
Sri Lankë
Ndër vendet më të prekura janë India dhe Sri Lanka, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Zyrtarët në Sri Lankë thonë se më së paku tre mijë vetë kanë vdekur kur zonat bregdetare u prekën nga dallgët.
Rreth një milion të tjerë janë prekur, ose janë lënduar ose kanë mbetur pa shtëpi pasi qytetet bregedetare u përmbytën.
Indi
Në jug të Indisë më shumë se një mijë vetë kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë konsiderohen të humbur.
Vlersohet se tërmeti kishte një fuqi prej 8.9 ballësh sipas shkallës Rihter, më i forti në botë brenda 40 vjetësh.
Epiqendra e tërmetit nënujor ka qënë në ishullin Sumatra, në Indonezinë perëndimore.
Një dëshmitar që ka vizituar fshtarat atje tha se ka parë trupa njerëzish nëpër pemë.
Indonezi
Ndërkohë në Indonezi, mijëra vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Zona e prekur më rëndë duket se është ajo e Açes në ishullin e Sumatrës.
Tërmeti atje u ndje rreth orës tetë të mëngjesit, shumë pranë bregdetit veriperëndimor.
Banorët e zonës thonë se fshatrat bregdetare janë përmbytur nga dallgë të mëdha dhe njoftohet se disa ndërtesa në qytetet e mëdha janë dëmtuar rëndë.
Një dëshmitar okular në kryeqytetin e provincës tha se rruga kryesore ishte plasaritur dukshëm dhe se hoteli më i madh i qytetit ishte rrëzuar pjesërisht.
Në disa zona është ndërprerë energjia elektrike dhe linjat telefonike, gjë që e bën të vështirë që shkalla e dëmtimeve të vlerësohet saktësisht.
Vende të tjera
Në Tajlandë njoftimet thonë se më shumë se 200 vetë kanë humbur jetën.
Dhjetëra vetë kanë vdekur në Malajzi dhe Birmani.
Dallgët e mëdha të shkaktuara nga tërmeti në Indonezi kanë prekur edhe bregun verior të Somalisë.
Valët thuhet se kanë goditur qytetin Garacad.
Më së paku tre persona kanë humbur jetën.
Ky tërmet nënujor është më i madhi në 40 vjetët e fundit.
Pothuajse të gjitha vendet e prekura nga cunami, kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare.
Situata humanitare në disa prej tyre është e rëndë.
Marre nga BBC
Krijoni Kontakt