Ne Quebec te Kanadase.
Ne fakt shqiptohet siç edhe gazetarja e shkruan "Kebek".
Në galerinë e Universitetit në Kebek, Flutura dhe Besnik Haxhillari ekspozojnë “Kabineti i kurioziteteve i dy Guliverëve”
Dialog trupor mes dy Guliverësh
A. Mile
Ata ndihen si dy Guliverë që nuk eksplorojnë botën për të zbuluar të papritura, por vetë trupin e tyre. Janë shqiptarë dhe formojnë një çift në art dhe në jetë. Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari sot në mbrëmje hapin ekspozitën “Kabineti i kurioziteteve i dy Guliverëve” (Le cabinet des curiosités des Deux Gullivers), në Galerinë e vogël në Universitetin Laval në Kebek. Në performancën artistike, Flutura dhe Besniku prezantohen nën emrin e “Dy Guliverëve”, frymëzuar nga personazhi mitik i romanit të Xhonatan Suiftit. Ashtu si edhe në personazhet e Suiftit, udhëtimet, zbulimet, rreziqet, janë pjesë e punës. Performanca, instalacioni, videoja, fotografia dhe vizatimi, përballin realitetin individual me realitetin kolektiv, në një dialog të përhershëm mes “unë” dhe “ti”, një kalimi nga njëjësi në shumës. “Trupat tanë janë baza dhe qendra e kërkimeve tona, ku gjithçka bashkohet dhe ndahet në të njëjtën kohë. Kështu, aspektet formale të punës sonë janë të shumanshme: imazhet e trupave tanë janë si vende intime, si ekrani dhe pasqyra. Ne kërkojmë të krijojmë me gjuhën trupore, lëvizjen përmes hapësirave irreale që ndërtojmë, për të mundësuar zhvillimin e ndërgjegjes. Ne përcaktojmë pozicionin tonë duke reflektuar, duke u nisur pikërisht nga puna jonë artistike mbi shumanshmërinë e trupit. Arti na propozon identitete dhe identitetet na ndihmojnë të jetojmë jetën. Dhe është pikërisht jeta jonë që kthehet në një projekt. Kështu, ne përkthejmë në punën tonë konceptin e shumanësisë dhe dialogut, të materializuara nga instalacione transparente dhe performanca. Lënda plastike dhe transparente na jep mundësinë e përdorimit, transformimit, metamorfozës dhe ideve të shumëfishta. Materiet e tejdukshme nuk çojnë në një vështrim më të qartë, por ne shpresojmë më të thellën”, - shprehen artistët në konceptin e tyre artistik për ekspozitën. Aktiviteti i sotëm në galerinë e vogël e që do qëndrojë aty deri në 26 mars, u parapri dy ditë më parë nga një takim me dy artistët në ambientet e Universitetit.
Flutura dhe Besnik Haxhillari janë shqiptarë, por jetojnë dhe punojnë në Montreal të Kanadasë. Njohuritë dhe mjeshtërinë e tyre mbi artet vizuale e mediatike i plotësuan në vitin 2002 në UQAM në Montreal. Në fund të muajit janar, në mbyllje të konkursit të përvitshëm ndërkombëtar të arteve figurative “Onufri”, ekspozuan disa punë të tyre, gjithashtu realizuan edhe një performancë me tamburë dhe maska në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Në 2005 morën pjesën në Bienalen e dytë të Pekinit dhe ekspozuan në galerinë e UQAM. Janë fitues të bursave të Këshillit të Artit dhe të Letrave në Kebek dhe Këshillit të Arteve të Kanadasë në vitin 2003.
24/02/2006
KATEGORIA: Kulture
Krijoni Kontakt