Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 16 prej 16
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    RRETH RIZBULIMIT TË DY KODIKËVE TË BERATIT*

    JOHANNES KODER

    Në një artikull të shkurtër në gazetën shqiptare “Zëri i popullit”, historiani pranë Universitetit të
    Tiranës, Aleks Buda, raporton mbi rigjetjen e dy kodikëve të hershëm në Berat, Shqipëria e
    Jugut1. Bëhet fjalë për të famshmin Codex Purpureus Beratinus F , të fillimit të shek. të 6-të
    dhe për Codex Aureus Anthimi, të shek. të 9-të. Të dy mbaheshin-tok me të tjerë-që prej
    Luftës së Dytë Botërore, si të humbur, dhe nuk figurojnë për këtë arsye edhe në katalogun e
    vogël të dorëshkrimeve në greqisht të Tiranës2.
    Ata u zbuluan vërtet para pak kohësh në një dhomëzë të lagësht varri të një kishe në Berat
    dhe për shkak të gjendjes së tyre të përgjithshme të dëshpërueshme iu përcollën menjëherë
    Akademisë së Shkencave të RP të Kinës, për restaurim. Prej andej u rikthyen në Shqipëri në
    fillim të vitit 1972, të restauruar e të konservuar dhe-ashtu si dorëshkrimet e tjera, në greqisht,
    të Shqipërisë-iu dorëzuan për ruajtje Arkivit Shqiptar të Shtetit në Tiranë.
    Është një gëzim i madh që të dy dorëshkrimet e çmueshme, të cilët deri më tash qenë të
    konsultueshëm vetëm përmes përshkrimit në Katalogun e Dorëshkrimeve të Beratit, të
    Anthimus Alexoudes3, iu ridhuruan kështu shkencës.
    Nëse krahasohet përshkrimi i vjetër i A. Alexodes me atë të A. Budës në “Zëri i popullit”, del në
    pah në mënyrë të qartë se, me gjithë rrethanat e këqija të ruajtjes, nuk rezultojnë humbje
    fletësh në asnjërin prej të dy dorëshkrimeve. Deri sa të dalë një hulumtim shkencor nga pala
    kompetente shqiptare, për informacion paraprak mbi gjendjen e sotme të të dy dorëshkrimeve,
    duhet t’u referohemi fjalë për fjalë të dhënave të Budës dhe Alexoudes-it:
    Beratinus 1 (“Codex Purpureus Beratinus F ”).
    Shek. i 6-të. Pergamenë e purpurt. 314 x 268 mm. 190 fl. 2 kol. 17 rr. Bojë argjendi. (Inicialet
    bojë ari).
    Fragment ungjijsh (Mateu e Marku).
    Beratinus 2 („Codex Aureus Anthimi“).
    Shek. i 9-të. Pergamenë. 240 x 190 mm. 413 fl. 1 kol. 17 rr. Bojë ari. Ungjill. Në krye të çdo
    teksti, miniaturë (pamje e plotë) e secilit ungjillor.

    * Botuar në „Byzantinisce Zietschrift“, München, 1972.


    Shënime bibliografike:

    1. A.Buda, Thesare kulturore që i kthehen popullit, „Zëri i popullit“, 23 (7315), 28.01.1972, f. 3 me dy
    pamje; të krahasohet edhe lajmi i shkurtër në „Zëri i popullit“ 13 (7305), 16.01.1972. Për sugjerimet e
    vlefshme dhe përkthimin e të dy artikujve falënderoj shumë përzemërsisht z. dr. Robert Schwanke të
    Institutit të Lindjes në Vjenë.
    2. J. Koder-E. Trapp, Katalog i dorëshkrimeve në greqisht në Arkivin e Shtetit në Tiranë, Jahrb. Österr.
    Byz. Ges. 17 (1968) 197-214.
    3. A. Alexoudes, Katalog i kishave të shenjta të lagjes Kala, qyteti i Beratit të mitropolisë të Belegradit
    /Beratit/, si dhe dorëshkrimet e vjetra të ndodhura. Delt. Hist. Ethnd. Het. 5 (1900) 352-369; atje janë
    përshkruar si kodiku 1 dhe 2 në f.352. krhs.: P.Battifol, Les manuscrits grecs de Bérat d’Albanie et le
    codex purpureus F , Arch. des Missions scient. et litt. III 13 (1887) 441-456.

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    DORËSHKRIMET KISHTARE MESJETARE TË SHQIPËRISË 1

    THEOFAN POPA

    Me mbarimin e luftës antifashiste në Shqipëri u krijuan kushte të favorshme për punë
    shkencore. Punonjës të shkencës nisën ekspeditat kërkimore dhe bënë një punë të
    madhe për grumbullimin dhe sigurimin e monumenteve të rëndësishme të vendit. Gjatë
    ekspeditave u sigurua thesari i madh artistik i popullit tonë; u regjistrua një numër i madh
    monumentesh arkitekturore antike e mesjetare; u zbulua dhe u identifikua piktura monumentale
    dhe ajo me kavalet /ikonografia mesjetare/; u grumbullua dokumentacioni epigrafik i
    monumenteve dhe i veprave artistike të tyre, dokumentacion që nxori në dritë autenticitetin e
    kulturës mesjetare shqiptare, mjeshtrit e talentuar mesjetarë shqiptarë të të gjitha gjinive
    artistike.
    Përveç të tjerash, u grumbullua dhe një sasi e konsiderueshme librash në dorëshkrim -
    kodikë agjiografikë mesjetarë, që i përkasin periudhës historike prej shekullit të 6-të deri në
    atë të 15-të, si dhe dorëshkrime më të vona, më pak të rëndësishme, të riprodhuara gjatë
    periudhës osmane, deri në shekullin e 18-të.
    Sasia e kodikëve të zbuluar, që janë riprodhuar deri në shekullin e 15-të, ka arritur vitet e
    fundit në 62 vëllime. Nuk përjashtohet zbulimi i kodikëve të tjerë, që mund të ruhen ende
    nëpër familje.
    Që Shqipëria të trashëgojë një sasi të madhe dorëshkrimesh, që prej shekujve të fillimit të
    mesjetës, kjo nuk është një gjë e çuditshme, për faktin se, sikurse është bërë e njohur, ajo
    është vend traditash të lashta kulturore.
    Si vend kulture të lashtë për Shqipërinë, së pari, flasin qendrat e njohura antike urbane të
    vendit, si Dyrrahu, Butrinti e të tjera. Në këto qendra dëshmohet një kulturë e shkëlqyer grekoromake,
    ndikimet e së cilës përvetësohen në mënyrë krijuese nga popullata autoktone ilire.
    I njohur është fakti i përhapjes së krishtërimit në Shqipëri qysh nga shekujt e parë të erës së
    re, gjë që argumentohet kryesisht nga burimet arkivore dhe arkeologjike, si dhe nga një sërë
    monumentesh të kulturës paleokristiane, që po zbulohen kohë pas kohe nëpër vise të
    ndryshme të vendit, siç janë mozaikët e shkëlqyer të kishës së Linit dhe të asaj të Tushemishtit
    (Pogradec), të bazilikës së Elbasanit dhe asaj të Sarandës, të baptisterit të njohur të Butrinitit
    etj., të cilët i takojnë një periudhe prej shekullit të 4-t deri në atë të 8-të të erës së re. Këto
    mozaikë kanë një lidhje të ngushtë me dokumentet arkivore: me aktet e koncileve ekumenike
    të kishës, në të cilët kanë marrë pjesë e kanë nënshkruar peshkopë të peshkopatave më të
    vjetra të vendit tonë. Ndër ta, peshkopi i Pulheriopolit (Beratit) përmendet në aktet e koncilit të
    parë ekumenik të Nikesë.
    Me gjithë faktin e njohur që Mesjeta karakterizohet herë-herë me rënie të botës së vlerave të
    kulturës, ku hyn dhe rënia e shkrimit dhe e librit, gjë që shpjegohet me ndryshimet ekonomikoshoqërore
    pas shoqërisë skllavopronare, duhet thënë se shfaqja e kishës së krishterë, me
    tendencën për t’u shtrirë në të gjitha shtresat shoqërore, bëri që të ruhej tradita e shkrimit dhe
    e librit, si një mjet komunikimi për literaturën propagandistike dhe për atë liturgjike, pa të cilën
    nuk mund t’i kryente funksionet e saj.
    Me rastin e ngritjes dhe të organizimit të Ohrit si kryekishë nga perandori Justinian, nën
    juridiksionin e së cilës përfshiheshin gati të gjitha peshkopatat e viseve tona, lulëzimi i kulturës,
    i mbështetur dhe inkurajuar prej tipareve artistike antike të vona, u bë një dukuri pozitive, që
    reflekton në monumentet tona mozaikale dhe dorëshkrimore paleokristiane të ruajtura deri
    në ditët tona.
    Në shekujt e mëvonshëm, gati gjatë gjithë Mesjetës, dihet që Shqipëria ishte pjesë e
    Perandorisë Bizantine, e cila ushtroi një ndikim të thellë mbi tiparet e strukturës ekonomikeshoqërore
    dhe mbi kulturën e vendit. Ky ndikim, gjithashtu, pasqyrohet në veprat artistike të
    gjinive të ndryshme, që stolisin monumentet tona mesjetare, ndër të cilat përfshihen edhe
    dorëshkrimet e vjetra, kodikët mesjetarë të vendit.
    Kur flasim për ndikime nga kultura e Bizantit, nuk supozojmë një riprodhim të thjeshtë pasiv
    të saj, sidomos kur është fjala për realizimin e veprave artistike, sepse një popull me një
    specifikë të veçantë, si populli shqiptar, duke përftuar ndikime të një kulture të huaj, do të sillej
    në mënyrë krijuese duke futur elemente të kulturës së vet, sipas natyrës, gustos dhe ambientit
    të vet.
    Të tilla elemente të reja me tipare vendëse vërehen, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha
    gjinitë e arteve të thesarit tonë artistik mesjetar, madje ato tek ne hasen deri në thellësitë e
    Mesjetës edhe në kodikët mesjetarë.
    Këta kodikë, ndonëse janë në gjuhë greke, e cila ishte gjuhë e shkrimit gjatë Mesjetës në
    Bizant, si dhe latinishtja në Perëndim (të dyja mbizotërojnë si gjuhë të kishës dhe të kulturës),
    kanë një rëndësi të veçantë për historinë e kulturës së vendit tonë, sepse dëshmojnë për
    zhvillimin e literaturës mesjetare edhe në këtë anë të rajonit. Ata përfaqësojnë dëshmitë më
    të vjetra të shkruara që ka ruajtur populli ynë, janë një dëshmi e gjallë e traditave tona kulturore
    gjatë erës së re, qysh prej shekujve të parë të saj, dhe provojnë se populli ynë në periudhën
    mesjetare ka ecur krahas popujve të tjerë të kulturuar.
    Për ekzistencën e kodikëve mesjetarë të vendit tonë, i pari që ka shkruar është Anthim
    Aleksudhi, i cili, qysh në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, shkroi për dorëshkrimet kishtare
    të Shqipërisë gjatë gjithë periudhës historike prej paleokrishtërimit deri në kohët moderne. Në
    veprën e tij mbi peshkopatën e Beratit ai ka përshkruar dhe gjashtë kodikë dorëshkrime të
    kishave të tij.
    Përveç kodikut më të vjetër, të quajtur „Beratinus“ nga shkrimtari francez Batiffol, të cilin ai ia
    ka atribuar shekullit të 6-të dhe hyn në grupin e kodikëve më të vjetër mesjetarë, me grafi prej
    shkronjash kapitale argjendi të shkrirë mbi pergamenë të purpurt, që sot paraqitet shumë e
    zbehtë; si dhe kodikut të quajtur „i arti i Anthimit“ (shekulli i 9-të), i shkruar me shkronja të
    vogla prej ari të shkrirë, kodikët e tjerë prej pergamene e letre janë shkruar me ngjyrë kafeje
    me nuanca të ndryshme sipas kohës së riprodhimit. Disa nga këta kodikë titujt dhe inicialet i
    kanë prej ari.
    Pak më vonë pas Aleksudhit, shkrimtari francez Pier Batiffol vjen në Berat dhe i bën një
    studim thesarit dorëshkrimor të kishave të qytetit. Në veprën e tij shumë të rëndësishme
    „Les manuscrit grecs d’Albanie et Codex Purpureus Beratinus F “ ai botoi një katalog të
    vogël të dorëshkrimeve të Beratit, duke dhënë disa karakteritika të tyre, gjithsej 16 kodikë,
    nga ata që ai kishte mundur të shikonte. Në këtë botim ai ka dhënë të transkriptuar kodikun e
    parë dhe më të vjetër të vendit tonë, të cilin e quajti „Codex Purpureus Beratinus“.
    Ndonëse këto botime të para rreth kodikëve tanë kanë rëndësinë e tyre (ai i Aleksudhit ka
    meritën se i pari informon për ekzistencën e dorëshkrimeve mesjetare të vendit dhe ai i
    Batiffolit ka meritën se paraqiti disa prej tyre në formën e një katalogu të vogël, me të dhëna
    të shumta shkencore), duhet thënë se në to gjendja e dorëshkrimeve të Beratit nuk paraqitet
    e plotë. Kjo ka ngjarë për faktin që, siç pohon Batiffoli vetë, „nuk m’u lejua veçse të bëj një
    inventar të shkurtër; kam përshtypjen dhe s’jam aspak i sigurt që të kem parë gjithçka nga
    dorëshkrimet“. Këtë e tregon edhe numri i pakët i kodikëve që përshkruan në veprën që ai ka
    botuar, në krahasim me ata që janë ruajtur deri sot.
    Përshkrimet që Batiffoli u ka bërë dy kodikëve më të vjetër, ndonëse me kërkesa strikte
    shkencore, paraqiten të pamjaftueshme e të mangëta. Duke pasur parasysh këto rrethana
    dhe duke qenë të grumbulluar pranë Arkivit Qendror Shtetëror thuajse të gjithë kodikët e
    Beratit, të Vlorës e të viseve të tjera të vendit, që përbëjnë thesarin dorëshkrimor të Shqipërisë;
    duke pasur parasysh katalogët e botuar nga Aleksudhi, Batiffoli e të tjerë, morëm përsipër të
    punojmë një katalog më të plotë të kodikëve tanë, duke shenjuar në skedën/pasaportën e
    secilit karakteristikat kryesore identifikuese, sa më të plota të jetë e mundur, që nga studimi i
    tyre të mund të nxirren të dhëna me interes të veçantë për historinë e kulturës sonë mesjetare,
    të hershme e më të vonë, periudha historike për të cilat burimet arkivore paraqiten fare të
    vobekta.
    Me këtë rast na duket me vend të themi dy fjalë dhe rreth historikut të këtij thesari dorëshkrimor
    mesjetar të vendit tonë, i cili në pjesën më të madhe përbëhet prej kodikëve të Beratit, që
    përfaqësojnë edhe mburrjen e bibliografisë mesjetare. Kjo bibliografi në kohët e vona është
    pasuruar edhe me burime nga vise të tjera.
    E vlen të vërejmë se disa nga kodikët që përmban lista e Batiffolit fatkeqësisht nuk ekzistojnë
    më, ndër të cilët edhe një „Liturgji e Gjon Gojartit“, me shkrim korsiv prej argjendi të tretur,
    shkruar mbi pergamenë të purpurt. Së bashku me „Beratinus-1“ dhe me „Kodikun e Artë të
    Anthimit“, ky i fundit me shkrim prej ari, ai vlerësohej si pasuri e rrallë në listën botërore të
    kodikëve krisografikë të tipit bizantin. Në atë kohë dorëshkrimet e kësaj vjetërsie dhe tipologjie
    nuk arrinin një duzinë ekzemplarësh. Kjo listë e vogël e kodikëve krisografikë që gjenden
    nëpër bibliotekat e mëdha të botës dihet që edhe sot nuk e ka rritur numrin e ekzemplarëve.
    Një dorëshkrim tjetër i çmuar shumë nga Batiffoli është „Diptiku i kishës së shën Gjergjit“ në
    kalanë e Beratit. Sipas Batiffolit, ai “ka qenë i çmuar shumë lart“ për vjetërsinë dhe bukurinë
    e tij. Fatkeqësisht ky kodik, gjithashtu, nuk ruhet më në koleksionin e kodikëve që arritën deri
    në kohët moderne. Siç dihet, në këtë dorëshkrim gjendej një shënim që bënte fjalë për një
    episod në lidhje me mbrojtjen e thesarit dorëshkrimor të Beratit. Aty përmendet një figurë e
    shquar në Berat, me emrin Skuripeqi. Këtë emër e gjejmë të përmendet edhe në Kodikun e
    2-të të Beratit, fleta 44 e 45. Në shenjim thuhet se „Skurikeqi, bashkë me zonjën (me të
    shoqen) konteshë“ dhe të birin Fotinoin, si besimtarë të krishterë të kishës së shën Gjergjit
    në Berat, në vitin 1356, kur ushtritë serbe do të sulmonin qytetin, i cili ishte braktisur nga
    popullata sepse nuk ishte në gjendje të mbrohej, me lutjen e murgut Theodhul, mori përsipër
    mbrojtjen e thesareve të kishave dhe së bashku me kallogjerin ngritën “të 27 dorëshkrimet e
    çmueshme që kishte manastiri i Theologut dhe kisha e shën Gjergjit“, të dy në kala të Beratit.
    Në këto dorëshkrime përfshihej edhe Beratinus-1. Dorëshkrimet u fshehën në një kullë të
    kalasë. Lista e këtyre dorëshkrimeve dhe e objekteve të tjera të çmueshme që u fshehën në
    kullë është botuar në fletët e fundit të librit të Batiffolit. Nga këto dorëshkrime që përmenden
    në atë listë ka një numër të madh që nuk ruhen më.
    Me gjithë dëmtimet e shumta që kanë ardhur nga rrebeshet e luftërave, Berati edhe sot
    mbetet një dëshmi e gjallë e një qendre të pasur kulturore mesjetare, me arkitekturën
    monumentale të kultit, me veprën e kulturës murale e të kavaletit (ikona), që stolisin nga
    brenda monumentet. Në Berat ishte zhvilluar qysh herët një traditë e pasur në fushën e
    arteve të vogla të aplikuara, të artizanatit, të argjendarisë, që dëshmohet me vepra arti prej
    shekullit të 13-të e deri në ditët tona, me vepra arti të skalitjes së drurit, të qëndisjes me fije ari
    dhe argjendi etj. Duke qenë në kushte të tilla, Berati u bë qendër e një tradite artistike me
    tipare pak a shumë të kristalizuara 2.
    Interesante dhe me rëndësi të dorës së parë janë të dhënat nga studimi i paleografisë së
    këtyre dorëshkrimeve, si monumente më të lashta të historisë së shkrimit në vendin tonë
    dhe në një shkallë më të gjerë.
    Kodiku ynë më i vjetër „Beratinus“ përmban 190 fletë pergamene të ngjyrosura me të kuq të
    thellë (purpur), që sot për fat të keq paraqitet shumë e zbehtë. Eshtë shkruar me germa prej
    argjendi të tretur, me përjashtim të disa faqeve, ku disa fjalë janë shkruar me ar. Germat janë
    të tipit kuadrat, të mëdha. Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje të fjalëve. Formati i fletëve
    është 314 x 268 mm. Nga analizat që u janë bërë germave dhe nga krahasimi që shkencëtarët
    kanë bërë me tekset e pakta të ruajtura të këtij tipi, është konkluduar që ky kodik i purpurt i
    Beratit I takon shekullit të 6-të.
    Kodiku i dytë i Beratit, që njihet në shkencë me emrin “Codex Aureus Anthimi” (Kodiku i artë
    i Anthimit), i quajtur kështu sipas emrit të peshkopit të mitropolisë së Beratit në shekullin e 19-
    të, është shkruar mbi pergamenë, me germa ari të tretur dhe përbën një gjë të rrallë në
    përgjithësi. Ky kod paraqitet me vëllim më të madh nga ai i pari, me 413 fletë me format 24 x
    19 cm dhe është shkruar me germa të një tipi shumë më të vonë nga ai me germa të
    rrumbullakëta.
    Që populli ynë e njihte mirë vlerën e thesareve dorëshkrime të lashtësisë së vet dhe që dinte
    t’i mbronte me çdo sakrificë, kjo dëshmohet edhe gjatë kohëve të reja. Gjatë Luftës së Dytë
    Botërore, kur ushtritë naziste ishin në Berat, kërkuan nga këshilli kishtar i qytetit të dorëzoheshin
    kodikët më të vjetër të vendit, por priftërinjtë e këshillit/sinodit rezistuan, duke rrezikuar jetën
    e tyre para nazistëve, dhe nuk i treguan ku i kishin fshehur.
    Pas luftës, kur u regjistrua dhe u identifikua thesari trashëgimor i vendit, në të cilin bënin
    pjesë dhe dorëshkrimet kishtare mesjetare, nga punonjësit e shkencës me shqetësim të
    madh u konstatua se mungonin dy kodikë shumë të moçëm, që përbënin vlerat më të
    rëndësishme të këtyre dorëshkrimeve. Mungonte Beratinus-1, më i vlefshmi dhe më i
    rëndësishmi, i lashtësisë paleokristiane, me shkrim argjendi; si dhe tjetri, Beratinus-2, me
    shkrim ari, që qe quajtur „Kodiku i Anthimit“. Për ekzistencën e këtyre kodikëve kishte të
    dhëna të sigurta deri në pragun e mbarimit të luftës. Siç u mësua më vonë në Berat, kodikët
    në fjalë kanë qenë fshehur me qëllim të mirë, për t’u shpëtuar rreziqeve të luftës. Fatkeqësisht,
    kur u zbuluan, të dy kodet u gjendën në gjendje aq të dëmtuar, sa që mendohej se do të ishte
    i pamundur restaurimi i tyre. Por kujdesi që u tregua, me marrjen e masave të duhura për
    restaurim, dha mundësi rikthimin në jetë të këtyre monumenteve tona me kaq rëndësi.
    Meritë e çmuar për restaurimin e këtyre kodikëve i përket Institutit të Arkeologjisë të Kinës;
    shkencëtarëve kinezë, të cilët, edhe në këtë rast, kanë treguar zotësi dhe kompetecën që
    karakterizojnë shkencën e këtij vendi. Si u restauruan, kodikët u kthyen në atdhe dhe u vendosën
    pranë Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë.
    Gjatë Mesjetës, deri në gjysmën e shekullit të 15-të, kur u shpik shtypshkronja, dihet që librat
    janë prodhuar me dorë, mbi papirus ose pergamenë. Në Bizant, prej shekullit të 13-të,
    shkruheshin edhe në letër. Duke pasur parasysh faktin që gjatë kësaj etape historike vendi
    ynë ishte i krishterë dhe i mbushur me faltore të krishtera, kuptohet që ato faltore duhet të
    kenë qenë të pajisura me biblioteka për nevojat e kultit dhe për komunikim administrativ të
    tyre. Meqenëse për nevojat që u përmendën literatura e asaj kohe duhej të ishte me mijëra
    vëllime, mund të përfundohet se ato nuk mund të importoheshin nga jashtë, përveç rasteve
    të rralla. Këto dorëshkrime janë riprodhuar në atelietë e qendrave tona dhe prej njerëzve
    tanë, siç dëshmohet nga të dhënat e kodikëve të ruajtur deri më sot.
    Të dhënat që flasin për riprodhimin e dorëshkrimeve kishtare në vendin tonë dhe prej njerëzve
    shqiptarë janë të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Në një fletë të Kodikut të 50-të të Beratit
    gjendet shënimi autograf i riprodhuesit, ku thuhet: “U shkrua dhe u përfundua ky psalltir me
    shpenzimet e zotit Maksim, i cili ia dhuroi atë Manastirit të shën Mërisë në Vriazezis... U
    shkruajt me dorën time, të të përvuajturit Theodhor, logothet (sekretar) i Beratit pranë Theodhor
    Muzakës, në vitin 1411“.
    Kisha e shën Mërisë dhe manastiri mesjetar në fshatin Vërri ruhen dhe sot në Myzeqe, në jug
    të fshatit Bubullimë. Emrin e riprodhuesit, të sekretar Theodhorit, e gjejmë edhe në një shënim
    tjetër të gjatë në një fletë pergameni, që i është lidhur në fund Kodikut të 24-t të Beratit. Kjo
    fletë paraqitet e grisur keq në drejtim gjatësor, duke e vështirësuar gati krejt leximin e shënimit.
    Nga fjalët e mbetura të këtij shënimi lexohet qartë: “U shkrua nga Theodhor gramatia (sekretari)
    dhe ... iu dha Gjergjit të madh, në vitin 1438“.
    Kodiku në të cilin ka qenë futur kjo fletë me shënimin e mësipërm i atribuohet afërsisht fundit
    të shekullit të 12-të dhe fillimit të shekullit të 13-të. Prandaj, sekretar Theodhori i këtij shënimi,
    ka shumë mundësi të jetë i njëjti person që ka lënë edhe autoshkrimin si riprodhues i kodikut
    të 50-të. Në të dy shënimet korrespondojnë emri i kopjuesit, Theodhorit; titulli i tij si sekretar;
    vendi ku gjenden kodikët dhe afërsisht koha e shkrimit, me një diferencë prej 27 vjetësh. Sa
    për fjalët “... iu dha Gjergjit të madh“, jemi të mendimit se pas këtij emri duhet kuptuar Gjergj
    Arianiti. Këto fjalë nuk mund t’i referohen Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili në vitin 1438 ende
    nuk ishte i dëgjuar në Shqipëri.
    Në fletën 292 verso të Kodikut të 51-të të Beratit, në dy shënime autografe të riprodhuesit,
    lexohen fjalët: “Ky libër është i kishës së shën Mërisë dhe gjendet në manastirin e Vangjelistës...
    E shkrova unë, jeromonak Simeoni, në vitin 1425.
    Kisha e shën Mërisë ruhet edhe sot në lagjen Kala të Beratit, në muret rrethuese të ishmanastirit
    mesjetar. Ka shumë mundësi që dhe jeromonak Simeoni të ketë qenë një nga
    murgjit e atij manastiri.
    Në fletën 204 recto të Kodikut të 52-të të Beratit, në shënimin ktitorial (porositës), ndër të tjera
    lexojmë: “U shkruajt ka minej me shpenzimet e zotit Leu, legjistator i qytetit të Berat; ai ia
    dhuroi minejn manastirit të shën Mitrit, që e ndërtoi prej themeli në qytetin e Beratit... U shkrua
    në vitin 1429”. Edhe kisha e ish-manastirit të shën Mitrit ruhet ende në kala të Beratit.
    Në këto shënime autografe të pakontestueshme të autorëve të kodikëve të Beratit rezulton
    se dorëshkrimet e këtij qyteti janë të murgjëve tanë dhe të shkruara nga skriptorë (shkrues)
    vendës. Një punishte (shkollë) për dorëshkrime ungillore ka shumë mundësi të ketë qenë në
    manastirin e Ungjillizimit (Vangjelistës).
    Këto të dhëna autografe, që kanë mundur të shpëtojnë nga rrebeshet shumë të vështira
    gjatë shekujve të Mesjetës, dëshmojnë më së miri, gjithashtu, për vazhdimësinë e traditës
    së riprodhimit të dorëshkrimeve ungjillore të vendit tonë dhe prej njerëzve tanë deri vonë,
    edhe në periudhën osmane.
    Si dëshmi të traditës së riprodhimit të dorëshkrimeve në Berat dhe në vise të tjera të vendit,
    përveç të dhënave të drejtpërdrejta nga kodikët, që u radhitën më sipër, ka edhe të tjera, të
    cilat në mënyrë të tërthortë dëshmojnë për vazhdën e asaj tradite kulturore të vendit tonë.
    Për këtë traditë flasin stoqet e mëdha të dorëshkrimeve që kanë pasur kishat e Beratit, si dhe
    qendra të tjera kulturore mesjetare të vendit, të cilat i gjejmë të regjistruara në inventarët e
    thesareve të kishave, siç gjejmë të dhëna edhe për vetë kodikët që kanë shpëtuar deri më
    sot. Veç këtyre, për stoqe kodesh të tjera, që kanë pasë ekzistuar deri në ditët tona dhe që
    janë zhdukur tani vonë nga rrebeshet e luftërave, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose
    nga zjarre aksidentale, dëshmojnë njerëz që i kanë parë me sytë e vet, ose që i kanë pasur
    nën mbikqyrjen e tyre dorëshkrimet.
    Në faqet 126 e 127 të veprës së sipërpërmendur të Batiffolit është botuar lista e 27 kodeve të
    zgjedhura si më të çmueshmit të kishës së shën Gjergjit dhe të asaj të Theologut në Berat,
    të cilat i shpëtoi Skuripeqi me murgun Theodhul. Gjithashtu në Kodikun e 7-të të Vlorës, fleta
    2 recto, lexojmë listën e objekteve me vlerë të kishës së Shënepremtes, ku gjenden të
    regjistruar dhe 16 tituj libra në dorëshkrim, si pronë të asaj kishe.
    E njohur dhe e pasur me dorëshkrime ka qenë deri nga gjysma e shekullit të 19-të biblioteka
    në manastirin e shën Mërisë së Kokomesë, pranë Sarandës, ajo e ipeshkvisë së Gjirokastrës,
    si dhe ajo e manastirit të shën Gjon Theologut pranë Delvinës, të cilat nuk ekzistojnë më.
    Nga një tregim i voskopojarit Stefan Buzali, që ka qenë epitrop (kujdestar) në manastirin e
    shën Prodhomit të Voskopojës, mësuam se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u dogj
    Voskopoja nga nazistët, u dogjën në shtëpinë e tij në Voskopojë më se 20 vëllime librash në
    dorëshkrime, pronë të bibliotekës së manastirit të shën Prodhomit të Voskopojës.
    Këtu e shohim me vend të vëmë në dukje ngjarjen fatkeqe që u ndodhi dy kodikëve më të
    vjetër e më të vlefshëm të thesarit dorëshkrimor të vendit tonë gjatë dhe pas Luftës së Dytë
    Botërore.
    Gjithashtu dihet për dëmin e madh të shkaktuar nga një zjarr aksidental që ra në manastirin
    e Ardenicës, në Myzeqe, më 1924, i cili, përveç thesareve shumë të tjera të çmueshme, dogji
    dhe mjaft libra dorëshkrime mesjetare, të cilat i kanë parë njerëz që rrojnë edhe sot.
    Para Luftës së Dytë Botërore, edhe nëpër manastiret tanë të vegjël, ose kisha fshatrash, si
    në katedralen e Elbasanit, në kishën qendrore të Ziçishtit (Korçë) etj. gjendeshin nga një ose
    më tepër libra në dorëshkrim, siç na kanë treguar njerëz që i kanë parë me sy, të cilat sot nuk
    gjenden më.
    Duke u mbështetur në të dhënat që u radhitën më sipër dhe në të tjera që nuk po i radhisim,
    del qartë se Shqipëria gjatë periudhës historike bizantine, si dhe gjatë periudhës osmane, ka
    pasë qenë e pasur në biblioteka me dorëshkrime, por, për shkak të rrethanave shumë të
    vështira gjatë rrebesheve të luftërave, nga ajo pasuri e thesarit dorëshkrimor vetëm një pakicë
    ka mundur të shkojë deri në ditët tona dhe këto më tepër në kishat e Beratit dhe në rezidencën
    ipeshkvnore të atij qyteti.
    Ekzistenca e një pasurie kaq të madhe dorëshkrimesh në vendin tonë gjatë mesjetës dëshmon
    në mënyrë të tërthortë se këto duhet të jenë riprodhuar në vend dhe kurrsesi të kenë ardhur
    nga jashtë. Nuk ekskludohet që ndonjë kodik të jetë blerë e sjellë nga jashtë, siç dëshmohet
    nga të dhënat e disa dorëshkrimeve, sidomos gjatë shekullit të 17-të, gjë që korrespondon
    me kohën e kufizimeve që pati krishtërimi për shkak të fesë zyrtare të ish-Perandorisë
    Osmane.
    Përveç Kodikut të Purpurt të Beratiit, shkrimi i të cilit është prej argjendi të shkrirë mbi
    pergamenë të purpurt, që sot paraqitet shumë e zbehtë dhe atij që mban emrin e Anthimit,
    shkruar me germa ari të shkrirë mbi pergamenë të pangjyrosur2, kodikët e tjerë prej pergamene
    e letre janë shkruar me ngjyrë kafe të zakonshme.
    Të gjithë kodikët agjiografikë të këtij katalogu, përveç dy dorëshkrimeve laike të vona të shekullit
    të 18-të, sipas përmbajtjes së tyre mund të ndahen në tre grupe:
    1. Grupi i kodikëve biblikë;
    2. Grupi i kodikëve liturgjikë;
    3. Grupi i kodikëve agjigrafikë.
    Në grupin e kodikëve biblikë përfshihen dorëshkrime të Dhjatës së Vjetër, nga të cilët sot
    ruhen 3 ekzemplarë (psaltirë), dhe libra dorëshkrime nga Dhjata e Re, që numërohen 10
    vëllime katërungjijsh 3.
    Nga kodikët dorëshkrimorë mesjetarë, që janë gjetur dhe sot dhe ruhen pranë Arkivit Qendror
    të Shtetit, gjithsej mbërrijnë në 100 copë, nga të cilët 92 vëllime të riprodhuar gjatë periudhës
    paraosmane, deri në shekullin e 15-të; si dhe 15 të tjerë të kohës së sundimit osman, që
    shkojnë deri në shekullin e 18-të.
    Nga këto, dorëshkrime të shkruara në pergamenë janë 35 vëllime, që shkojnë deri në shekullin
    e 14-të, kurse 26 të tjerë janë të shkruajtur në letër dhe shkojnë prej gjysmës së dytë të
    shekullit të 13-të deri në dekadat e para të shekullit të 14-të. Periudhës pas okupacionit osman
    i takojnë 15 libra dorëshkrime në letër, që arrijnë deri në shekullin e 18-të.
    Nga kodikët tanë të shkruar në pergamenë, një pjesë janë prej pergamene të kualitetit të
    parë, ngjyrë të bardhë; të tjerët janë në ngjyrë të fildishtë, shumica pergamenë e kualitetit të
    dytë e të tretë. Kurse dorëshkrimet në letër, ato të shekullit të 13-të (dy vëllime) dhe ato të
    fillimit të shekullit të 14-të, janë prej letre të trashë, që vjen si në të verdhë, kurse ato të fundit
    të shekullit të 14-të dhe sidomos ato të shekullit të 15-të e më të vonët, janë prej një letre
    shumë më të hollë e më të bardhë.
    Duke qenë se kodikët tanë janë shkruar gjatë shekujve të Mesjetës, duke filluar prej më të
    hershmëve e deri te më të vonët, edhe paleografia e tyre ndryshon sipas shekujve kur ata
    janë riprodhuar.
    Kodiku ynë më i vjetër, “Beratinus”, është shkruar me shkrim të vazhdueshëm pa ndarje
    midis fjalëve. Germat i ka të tipit kuadrat, kapitale të tipit të vjetër të përzier, domethënë me të
    mëdha biblike. Formati i fletës është 314 x 268 mm. Të dhëna më të hollësishme rreth
    karakteristikave të këtij kodiku me shumë rëndësi të literaturës paleokristiane janë dhënë tek
    botimi i Batiffolit.
    Me rastin e kërkimeve tona, një tjetër kodik zbulohet në Berat, me shkrim të vazhdueshëm,
    pa ndarje midis fjalëve. Gërmat i ka kapitale 4.
    Teksti i kodikut është me dy kolona për faqe, me 25 rreshta për kolonë, me shkrim të
    vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve, fjalët pa thekse e pnevma (pauza), por nganjëherë në
    ndonjë germë të disa fjalëve ka nga tri pika. Nëpër tekst hasen shumë fjalë të shkurtuara, si
    p.sh. ANO, KC, CTPON etj. Disa germa dalin nga madhësia e rreshtit si epsilon, zeta, rota.
    Grafia është në ngjyrë kafe. Gjatë tekstit fjalitë ndahen njëra nga tjetra me anë të kryqeve.
    Kodiku ruan vetëm dy vinjeta formë kuadrati të stolisura me motive gjeometrike dhe shpesh
    të stilizuara. Teksti, përveç inicialeve të stilizuara, që arrijnë madhësinë e dy rreshtave, ka
    dhe shumë iniciale të mëdha të pikturuara jashtë kolonës së tekstit, me madhësi deri në 5
    cm, të stolisura këto me ngjyrë kafe dhe ar të ndritshëm.
    Për këto karakteristika dhe për faktin se grafia e kodikut paraqitet më e ngushtë nga ajo e
    „Beratinus-it“, germat më të vogla dhe lartësia e tyre më e vogël, duke munguar ajo kaligrafi
    e kodikëve paleokristianë; veç kësaj, duke u mbështetur edhe në motivet e vona të vinjetave
    dhe të inicialeve të stolisura, të gjitha këto na bindin që kodiku në fjalë nuk mund të jetë më i
    hershëm se ai i gjysmës së parë të shekullit të 9-të dhe jo më i vonë se fundi i këtij shekulli.
    Kjo edhe për faktin se në këtë shekull mbaron shkrimi i kodeve me germa kapitale dhe fillon
    shkrimi me germa korsive me bishta.


    Shënime të redaksisë:
    1. Teksti botohet sipas origjinalit që ruhet në AQSH, me disa redaktime. Punimi ishte përgatitur për të
    shërbyer si mjet informimi për studiuesit, si hyrje e katalogut të kodikëve mesjetarë të Shqipërisë.
    2. Një vlerësim analogjik është bërë për zhvillimin e mjeshtërive artistike në Berat, në Mesjetë, nga
    prof. Aleks Buda, në artikullin e botuar në vitin 1971, që ribotohet në këtë vepër.
    3. Ndyshe nga mendimi i autorit, në listat ndërkombëtare të letërsisë ungjillore të shkruar në pergamenë
    të purpurt gjendet edhe Beratinus-2.
    4. Këtë kodik autori nuk e ka identifikuar në „Katalogun ...“ e përgatitur prej tij. Studiuesi britanik
    Roderic L. Mullen ka bërë krahasime të një fragmenti kodiku me shkrimin e Beratinus-1.

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    RRETH “VENDLINDJES” SË KODIKËVE MESJETARË TË SHQIPËRISË1

    KOSTA NAÇO

    Në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet një koleksion i konsiderueshëm kodikësh mesjetarë të
    shkruar në gjuhën greke, në pergamenë, ashtu dhe në letër. Këto dorëshkrime janë një
    material autentik, që na vjen nga thellësia e shekujve, në një kohë kur burimet për historinë e
    Shqipërisë për shekujt VI-XI janë të varfra.
    Natyrisht, numri i kodikëve që kanë arritur te ne është shumë herë më i vogël në krahasim
    me numrin e kodikëve të shkruar nëpër kishat, manastiret dhe në qendrat e tjera të shkrimit
    në vendin tonë. Burimet e ndryshme historike njoftojnë se numri i kodikëve ishte shumë më
    i madh. Kjo çështje mund të përbëjë në të ardhmen objektin e një studimi të veçantë.
    Kodikët janë shkruar në gjuhën greke, se gjuha greke ka qenë për një kohë të gjatë gjuha
    zyrtare e Perandorisë Bizantine, ku bënte pjesë edhe vendi ynë; ka qenë gjuha e kishës
    ortodokse, dhe ishte afirmuar si gjuhë kulture në përgjithësi.
    Këto dorëshkrime të shkruara në gjuhën greke i cilësuam “kodikë mesjetarë 2 shqiptarë„ për
    arsye se në pjesën e tyre dërrmuese janë shkruar në vendin tonë, prej njerëzve tanë, siç do
    të përpiqemi ta provojmë më poshtë. Për të provuar këtë, do të mbështetemi, së pari, në të
    dhënat që na japin kodikët, dhe kryesisht në shënimet e tyre bibliografike dhe anëshkrimet,
    dhe, së dyti, në njoftimet që na japin burimet historike nga fushat e tjera, që drejtpërsëdrejti
    ose tërthorazi lidhen me çështjen që trajtojmë.
    Në përgjithësi, kopjuesi, pasi kishte kopjuar kodikun, në fund të tekstit linte një shënim
    bibliografik, në të cilin theksonte kohën kur e mbaroi së kopjuari, vendin ku e shkroi, emrin e
    vet, emrin e personit ose të institucionit që financoi punën për kopjimin e kodikut, zotëruesin
    e kodikut, që mund të ishte një person ose një institucion (kishë ose manastir në përgjithësi),
    dhe arsyen pse e shkroi kodikun.
    Natyrisht, të rralla janë shënimet bibliografike kaq të plota. Zakonisht gjejmë shënime
    bibliografike për kohën, emrin e autorit dhe më rrallë për vendin ku u shkrua.
    Veç kësaj, shumë nga shënimet bibliografike janë shuar, nga që koha dhe kushtet e
    papërshtatshme të ruajtjes kanë dëmtuar kodikun dhe natyrisht, edhe shënimet bibliografike,
    që zakonisht liheshin në fletën e fundit.
    Fatmirësisht, në kodikët që kemi, hasim një pjesë të mirë kodikësh që i ruajnë shënimet
    bibliografike. Këto shënime tregojnë se në qendrat kishtare, manastiriale dhe në qendra të
    tjera të vendit tonë kopjoheshin kodikë, të cilët kanë një natyrë të larmishme përsa i përket
    përmbajtjes së tyre: ata përmbajnë tekste ungjillore, jetëshkrime shenjtorësh, mujore 3, psalme,
    muzikë dhe letërsi bizantine e deri tekse historike dhe filozofike.
    Po japim disa nga këto shënime:
    Në Kodikun e 13-të të Beratit 4 gjejmë shënimin e mëposhtëm: “Ky ungjill është punuar në
    kohën e Andreas e të Joanit të Papa Joanit dhe në kohën e Nikollë Anastasit dhe të
    Konstandinit, të bijtë e Joanit, me kontributin e tyre. Dhe iu kushtua tempullit të nderuar të
    Fjetjes së Shën Mërisë, 1729, mars 30. Me dorën e Voskopojarit Filip Anastasit„.
    Kodiku i 21-të i Beratit, në fletën 31, ruan vitin e kopjimit, që është viti 1181, dhe emrin e
    autorit, që është dhjakon Joaniqi (dhjaku Gjon).
    Një shënim interesant gjejmë në fletën 251 të Kodikut të 24-t të Beratit. Shënimi është shumë
    i dëmtuar nga grisja e fletës në mënyrë vertikale, saqë nuk mund të lexohet gjë, veç dy fjali: “i
    është dhënë Gjergjit të Madh„ dhe në fund të fragmenteve, data 6946 (viti i krijimit të botës
    sipas kishës, gjegjësisht viti 1438 sipas kalendarit të ri); “E shkroi Theodhor Gramatia”. Ky
    Gjergj i Madh që përmendet, nuk mund të jetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, për arsye
    se ky në atë kohë nuk ishte bërë i dëgjuar që të quhej i madh, por ka mundësi të jetë Gjergj
    Arianiti, i cili atëherë sundonte në Myzeqe 5. Shkruesi i shënimit fragmentar është Teodori, që
    duhet të ketë qenë gramatia (sekretari) i qytetit të Beratit. Në këtë kohë Berati ka qenë “qytet
    shumë i shkëlqyer“, siç shkruan piktori Onufri në mbishkrimin autograf të tij në Kishën e
    Shën Apostujve në Kostur të Greqisë, të cilën e ka pikturuar.
    Në Kodikun e 27-të të Beratit hasim katër anëshkrime, që janë shënime të mëvonshme nga
    koha e kopjimit të kodikut. Në këto anëshkrime hasim emrin e një meshtari të quajtur Foti
    Skuripeqi, dhe të gruas së tij, që thirrej kontesha Skuripeqi. Ka të ngjarë që kjo të jetë nga
    familja e njohur e Skurajve. Sipas burimeve të tjera, që i gjejmë në artet figurative, këta
    bashëshortë kanë jetuar në shek. XIV. Këto shënime të konteshës dëshmojnë se kjo nuk e ka
    njohur mirë greqishten, siç del nga gabimet drejtshkrimore të shënimeve.
    Në Kodikun e 49-të gjejmë një shënim të peshkopit të Beratit, Joasafit, që ishte me origjinë
    nga Bubullima e Lushnjës.
    Kodiku i 50-të u shkrua nga Teodori, ish-sekretar i Beratit pranë zotit Teodor Muzaka dhe që
    në kohën kur e shkroi ka qenë i mbyllur në kalanë e Skraparit.
    Kodiku i 51-të i Beratit, që është i vitit 1426, është kopjuar nga jeromanak Simeoni në manastirin
    Evangjelistra 6, në kala të Beratit. Ndërsa Kodiku i 52-të u shkrua në vitin 6937 (gjegjësisht
    1429), dhe kjo saktësohet në shënimin bibliografik 7 të këtij kodiku, ku thuhej: “U shkrua ky
    minej (mujor) me shpenzimet e të shumënderuarit Leut, legjislatori i qytetit të Beratit, dhe u
    vu në manastirin e Shën Mitrit“.
    Shënime bibliografike kanë edhe kodikë të tjerë, por nuk dua të lë pa theksuar se Kodiku i 71-
    të u shkrua me dorën e Teodor Haxhifilipit, që është i njohur edhe për alfabetin e hartuar prej
    tij, ndërsa në Kodikun e 72-të gjejmë edhe një himn të Jan Kukuzelit nga Durrësi, të cilin
    kopjuesi e quan “maestro”.
    Në Kodikun e 74-t është kopjuar fizika dhe metafizika e voskopojarit Anastas Kavalioti.
    Veç kodikëve të plotë kemi edhe fragmente kodikësh prej pergamene. Në shumë kodikë prej
    letre janë lidhur fletë të shkruara pergamene për të forcuar lidhjen. Këto fletë janë pjesë nga
    kodikë më të vjetër, të dëmtuar dhe të shkatërruar. Kjo vërteton faktin se numri i kodikëve ka
    qenë shumë herë më i madh, gjë që përforcohet nga të dhënat dokumentare.
    Peshkopi i Beratit, Anthim Aleksudhi, në librin e vet “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë
    së shenjtë të Beratit„ na njofton se në Berat gjendej edhe një kodik tjetër me shkronja të arta,
    i shkruar në pergamenë, të cilin sot nuk e kemi 8. Po ashtu, shumë manastire dhe kisha të
    tjera të përmendura të vendit tonë kishin kodikë të vjetër të shkruar në pergamenë, të cilët sot
    nuk gjenden.
    Karakteristikë e kodikëve tanë mesjetarë është vazhdimësia e tyre në planin kohor nga shekulli
    VI, që është kodiku më i hershëm, gjatë gjithë periudhës bizantine, madje edhe gjatë periudhës
    së sundimit osman, çka tregon se forcat tona intelektuale edhe në periudhën e errët të sundimit
    osman bënin përpjekje për të zhvilluar kulturën e tyre. Nga ana tjetër, kjo dëshmon se ekzistonte
    një traditë, një bosht i qëndrueshëm, një elitë intelektuale brenda vendit, ndryshe pushtimi
    osman do ta kishte shuar fare traditën e kopjimit të kodikëve.
    Fakti që në vendin tonë ekzistonin shumë kisha dhe manastire të ndërtuara nga njerëzit tanë,
    që kishin shkollat, bibliotekat dhe arkivat e tyre, ku kodikët ishin pjesë e pandarë e pajisjeve të
    këtyre institucioneve; fakti tjetër që në vendin tonë u thirrën sinode lokale kundër herezive të
    ndryshme fetare që shpërthyen gjatë mesjetës, duke mbështetur vendimet e sinodeve të
    shenjta ekumenike, si dhe fakti që nga gjiri i popullit tonë, edhe në kohërat më të errëta të
    pushtimeve kanë dalë personalitete të shquara, si në fushën politike, në atë të arteve, të
    shkencës, si dhe figura hierarkësh të kishës, dëshmojnë për një ngritje kulturore e intelektuale,
    që pasqyron një zhvillim të caktuar ekonomik, për një qëndrim aktiv të forcave politike dhe
    intelektuale shqiptare.
    Një karakteristikë tjetër është shpërndarja e gjerë gjeografike e kodikëve brenda vendit. Kemi
    kodikë nga Vlora, Gjirokastra, Voskopoja, Korça, Elbasani, Berati etj. Shumica e tyre janë
    gjetur në Berat, por nuk do të thotë se të gjithë u përkasin kishave dhe manastireve të Beratit.
    Kur Berati u bë qendër ipeshkvnore, mblodhi arkivat, rrjedhimisht edhe kodikët e Vlorës, të
    Apolonisë, të Bylisit, të Gllavenicës, prandaj është më e madhe sasia e kodikëve të Beratit.
    Pra, kodikët mesjetarë nuk janë gjetur në dy ose tri qendra të veçuara, por kanë një shtrirje
    gjeografike mjaft të gjerë, ashtu siç kanë edhe një larmi të mahnitshme tekstesh për sa i
    përket përmbajtjes.
    Ndër kodikët që janë identifikuar plotësisht se janë shkruar në vendin tonë dhe nga njerëzit
    tanë, një pjesë e mirë janë të një cilësie të lartë për sa i përket kopjimit të tekstit, çka tregon
    për një nivel të lartë realizimi artistik, sepse të shkruarit bukur ishte me të vërtetë një punë
    artistike.

    Shënime të redaksisë:
    1. Botuar për herë të parë në revistën “Shkenca dhe jeta”, viti 1991, nr. 3, fq. 34-36. Ribotohet me pak
    shkurtime.
    2. Ky përcaktim, relativisht i pranueshëm (në kodikët e Shqipërisë ka edhe dorëshkrime të periudhës
    së paleokrishtërimit, para-mesjetarë), është përdorur më herët nga Theofan Popa.
    3. Kalkim i autorit për termin “minej”.
    4. Në këtë studim autori të gjithë kodikët i cilëson “të Beratit”, pavarësisht se cili ka qenë burimi vendor
    i tyre. Kjo mund të ketë ardhur edhe nga njësimi i shkurtesave që ka përdorur autori prej redaksisë
    (Kod. Br.).
    5. Ky konstatim gjendet analogjikisht në „Katalogun ...“ e Theofan Popës, hyrje.
    6. Në kishën e ungjillëzimit.
    7. Këtu fjala „bibliografik“ është në kuptim jo terminologjik.
    8. Duhet të jetë fjala për „Liturgjinë e Shën Gjon Gojartit“.

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    UNGJILLI SIPAS MATEUT DHE SIPAS MARKUT, GREQISHT 1
    (“CODEX PURPUREUS BERATINUS”, F)

    EDOARDO CRISCI
    SHABAN SINANI 2

    SHEKULLI I 6-TË; PERGAMENË, 314 MM X 268 MM; FLETË-190
    BERATINUS-1, TIRANË, ARKIVI QENDROR I SHTETIT

    I. Ky kodik i famshëm, i dëmtuar pjesërisht, përmban ungjijtë sipas Mateut dhe sipas Markut.
    I pari zë faqet nga 1 recto deri 112 recto. I dyti zë faqet 115 recto deri 190 recto. Faqja 112
    recto është e bardhë, ndërsa faqet 113 recto deri 114 recto përmbajnë krerët (“kejalaia”)
    e Ungjillit sipas Markut.
    Sipas një përllogaritjeje të studiuesit belg Pierre Batiffol, dorëshkrimit duhet t’i kenë humbur
    rreth 40 fletë. Ato që mungojnë i përkasin Ungjillit sipas Mateut: 1-6, 3; 7, 26-8, 7; 18, 29-19, 3;
    23, 4-13; dhe Ungjillit sipas Markut: 14, 62-16, 20.
    Kodiku është i shkruar mbi pergamenë të purpurt me germa të argjendta, dhe me inicialet e
    kapitujve të florinjta. Teksti paraqitet i ndarë në 2 kolona, me përmasa rreth 210 x 190 mm 3,
    dhe me 17 rreshta të shkruar. Dorëshkrimi është i shkruar me gërma të mëdha biblike,
    shkrim që u shenjtërua që në shekullin e 3-të pas Krishtit, dhe vazhdoi të përdorej në praktikën
    librore deri në shekullin e 9-të. Në këtë ekzemplar, nëpërmjet formave grafike, dokumentohet
    një fazë e përparuar e rregullsisë në shkrim 4. Gërmat janë të modulit të madh dhe paraqesin
    një kontrast të stërholluar dhe të studiuar ndërmjet vijëzave mjaft të trasha dhe atyre tepër të
    holla. Zbukurimet shtesë të nxjerra në pah në forma kuadrate dhe trekëndore të vogla,
    kompletojnë vijat horizontale, e nganjëherë dhe ato pingule të disa gërmave, kryesisht gama,
    delta, ypsilon, pi, tau, psi. Për t’u shënuar është dhe prirja e mbarimit të vijave pingule të
    germave me një prerje tërthore nga e djathta në të majtë (p.sh.: pi, tau, ypsilon, psi).
    Monumentaliteti i formave, mrekullia e stilit grafik, e për më tepër përdorimi i pergamenës së
    purpurt si dhe bojërat e çmuara, e bëjnë këtë dorëshkrim të barabartë me dorëshkrimet e
    tjera të purpurta të së njëjtës periudhë si: “Rossanensis“ (Rossano Calabro, muzeu i
    dioqezës), “Sinopensis“ (Paris, Biblioteka Kombëtare e Francës, Suppl. gr. 1286 5; “Kodiku
    N“, ungjij (fragmente të të cilit paraqiten dhe këtu: Vat, gr. 2305; “Gjeneza” i Vjenës (Vjenë,
    Biblioteka Kombëtare e Austrisë, Theol. gr. 31).
    Ky lloj prodhimi libror (luksoz) është konceptuar më tepër për ekzaltimin simbolik e figuror të
    tekstit të shenjtë dhe të vlerave të lidhura me të, sesa për leximin logjik e kuvendor, ose për
    praktikën liturgjike të përditshme.
    Veçanërisht domethënës, në këtë kuptim, është përdorimi i pergamenës së purpurt, për
    cilësitë thellësisht simbolike të rrënjosura në të tilla vlera. Dihet që e purpurta në kohën e
    Diokleacianit ishte ngjyrim i atributit tipik të madhështisë perandorake. Pergamena e purpurt
    u përdor në libra duke filluar nga shekulli i 4-t. Publilio Optaziano Porfirio i dedikoi Konstandinit
    një përmbledhje me poezi shkruar me ar e argjend. Pak a shumë të së njëjtës kohë janë
    ankimet e Shën Jeronimit kundër mburrjes së tepërt me kodikët e purpurt të shkrimit, shpesh
    jokorrektë në mënyrën filologjike.
    Me gjithë këtë pozicion të papajtueshëm (që pasqyron polemikën e etërve të kishës ndaj
    librave të shenjtë dhe përdorimit të së purpurtës) në prodhimin libror realizohet, siç vëren dhe
    Gulielmo Cavallo, “një zhvendosje e vlerave semantike nga simbolizimi i pushtetit perandorak
    në shenjtërinë hyjnore“, ku fjala e krishterë merr ngjyrimin e purpurt, e kjo gjë i përçon librit
    (tekstit) vlerën e sendit të adhuruar, vlerë që fuqizohet me përdorimin e bojërave të çmuara
    (argjend dhe ar), nga ripunimi i shkrimeve të praktikës librore të kohës, në format monumentale
    grafike, dhe, në disa raste, nga shtimi i cikleve ikonografike“. (Cavallo 1987, p. 14)6. Ky shkrim
    shquhet për vlerat e veta sidomos në krerët (“kejalaia”), në ndarjet /fletët / paralajmëruese;
    në kanonet e Eusebit dhe në titujt e zakonshëm të kohës. Në kodikun “Beratinus” germa e
    madhe biblike („maiuscola ogivale“) është e drejtë.
    Datimi i dorëshkrimit si i shekullit të 6-të bazohet, veç vlerësimeve të natyrës kodikologjike,
    tipologjisë dhe teknikave librore në realizimin e dorëshkrimeve, edhe mbi argumente
    paleografike, të bazuara mbi vlerësimin e dinamikave të zhvillimit kanonik të germës së madhe
    (majuskole) biblike.
    Për sa i përket origjinës së dorëshkrimit, në mungesë të të dhënave objektive, supozohet,
    megjithëse me rezervë, që mund të ketë ardhur nga zona siro-palestineze7. Duke parë
    analogjitë e qarta grafike mes “Beratinus-it“ dhe të famshmëve: “Rossanensis“, “Sinopensis“,
    “Kodiku N“ dhe “Gjeneza“ e Vjenës, mendohet të jenë prodhime të të njëjtit laborator, të
    përshtatur, me sa duket, për realizimin e kodikëve të luksit, që të kënaqnin kërkesat e larta, si
    ato laike, ashtu dhe ato kishtare. Prania e dorëshkrimit në qytetin e Tiranës është dokumentuar
    që nga shekulli i 14-të. Në diptikun e Kishës së Shën Gjergjit, që ndodhet në kështjellën e
    Beratit, besimtari Skouripekis përmendet që, në vitin 1356, gjatë marshimit të serbëve, i
    nxitur nga murgu Theodulos, çoi në një vend të sigurt 27 dorëshkrime të çmuara, midis të
    tjerash dhe “Beratinus“.

    II. “Codex Purpureus Beratinus“ (Tiranë, Arkivi Qendror i Shtetit) dhe „Codex Aureus Anthimi“
    (Tiranë, Arkivi Qendror i Shtetit, Beratinus-2) kanë qenë ndër veprat e artit që figuronin në
    listën e pasurive kulturore “të kërkuara“ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet kishtare
    dhe besimtarët e Beratit, të cilët ishin urdhëruar të dorëzonin menjëherë të dy dorëshkrimet,
    refuzuan të tregonin vendin në të cilin i kishin fshehur, megjithëse kjo për ta ishte një sakrificë
    e madhe. Ato i kishin fshehur në gurët që vishnin anët e brendshme të një pusi.
    Në vitet që pasuan, për një periudhë kohore të caktuar, të dy dorëshkrimet u quajtën të
    zhdukura. U rishfaqën në vitin 1968, në një kishë në lagjen “kala” të Beratit, për fat të keq
    tepër të dëmtuara.
    Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, Kodiku i Purpurt i Beratit u dërgua
    në Kinë për t’u restauruar. Përveç restaurimit, i cili u krye me sukses, u realizua dhe një
    riprodhim i njësojtë, që shërben për qëllime studimore, në vend të origjinalit.
    Për të siguruar një ruajtje që t’i qëndrojë kohës, të gjitha faqet e dorëshkrimit, pas restaurimit,
    janë futur në pllakëza xhami me mbyllje hermetike. Kodiku është ndarë në nëntë volume, që
    ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
    Ngjyra e purpurt e pergamenës të Beratinus-1 ka pësuar një zbehje dhe çngjyrosje progresive
    gjatë shekujve. Vetë pergamena është brejtur dhe dëmtuar.
    Kapaku është metalik, me dekoracione në reliev. Kapaku është mjaft më i vonët se kodiku 8.
    Midis veshulëve të stilizuar, mbi dy pllakëza të sheshta, është paraqitur skena e kryqëzimit të
    Krishtit. Në dy anët janë përkatësisht Shën Mëria dhe Shën Gjon Pagëzori. Rreth tyre qëndrojnë
    engjëjt mbrojtës. Një pllakëzë tjetër ka ringjalljen, e shoqëruar kjo në katër anët nga ungjillorët,
    secili me simbolet e veta.
    “Codex Purpureus Beratinus“ është i përfshirë në programin “Kujtesa e Botës“ (“Memoire du
    Monde”) të Unesco-s dhe është gjithnjë nën kujdesin e këtij organizmi ndërkombëtar.
    Në të shkuarën ky kodik është ekspozuar vetëm dy herë në Shqipëri. Në jubileun e madh të
    2000-vjetorit të krishtërimit, kodiku, për herë të parë, me leje të posaçme të autoriteteve
    shqiptare, ekspozohet jashtë kufijve shtetërorë, në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve“, organizuar
    nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit për nder të kësaj ngjarjeje të madhe.

    Bibliografi:
    1. Batiffol, Pierre: “Evangelorium codex graecus purpureus Beratinus F”, në “Mélange d’archéologie et
    d’histoire”, Ecole Française de Rome, 1885 (5); p. 358-386.
    2. Batiffol, Pierre: “Les manuscrits grecs de Berat d’Albanie et le Codex Purpureus F”, në “Archives des
    missions scientifiques et littéraires, 3ème sér., 1887 (13), p. 437-556.
    3. Alexoudes, Antimus: “Katalogos ton en tais ierais ekklesiais tis sinoikias Kastrou, poleos Beratiou
    …”,1900.
    4. Koder, Johannes: Zur Wiederentdeckung zweier Codices Beratini“, në „Byzantinische Zeitschrift 65
    (1972) p. 327-328.
    5. Cavallo, Guglielmo: „Il codice purpureo di Rossano: libro, oggetto, simbolo“, në „Cavallo-Gribomont-
    Loerke“, 1987.
    Ekspozohen 20 fletë, duke filluar nga fleta 163 recto (Ungjilli sipas Markut, 9, 47-10, 1) dhe kapaku
    metalik.



    Shënime shpjeguese:
    1. Skedë e “Kodikut të Purpurt të Beratit”, botuar italisht në „I Vangeli dei Popoli“, Biblioteca Apostolica
    Vaticana, 2000, p. 130-133.
    2. Pjesa e parë e skedës u përgatit nga Edoardo Crisci, kurse pjesa e dytë e saj nga Shaban Sinani.
    3. Përmasat e fletës së këtij dorëshkrimi në skedën përkatëse jepen gabim. Sikurse njoftohet në
    nëntitull, përmasat e sakta të fletës janë 314 mm x 268 mm.
    4. Në tekst përdoret fjala “canone”, por nga konteksti përjashtohet çdo kuptim tjetër i kësaj fjale,si: a.
    Tabelë përmbledhëse dhe orientuese e leximit dhe përdorimit me lehtësi të ungjijve (“kanonet e Eusebit”);
    b. Rregullore, ligj, nom, që ka të bëjë me funksionimin e brendshëm të kishës. Në kontekstin e
    përdorur ka kuptimin e rregullit në të shkruar.
    5. „Suppl. gr. 1286” është forma e shkurtuar e citimit të këtij kodiku në indeksimin ndërkombëtar të
    dorëshkrimeve ungjillore nga Gregory-Aland.
    6. Citimet e brendashkruara janë të autorëve dhe identifikohen në bibliografinë në përmbyllje të skedës.
    7. Përkundër kësaj teze, ka dijetarë shqiptarë e të huaj që flasin për një kryqëzim ndikimesh „të Lindjes
    dhe të Perëndimit“ (Buda) dhe, madje, për një shkollë lokale të shkruesve të dorëshkrimeve ungjillore
    (Mullen).
    8. Kapaku mban vitin 1804.

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    “Beratinus” dhe shkolla vendësve e shkruesve dhe scriptorium-eve

    - Intervistë për ABC-në e prof. dr. Shaban Sinanit, në lidhje me studimin monografik-shkencor “Beratinus”. Ajo do të vijojë dhe në numrin e ardhshëm dhe përbën një hedhje drite për publikun e “Beratinus-it” dhe traditat që lidhen me të, por edhe një material, që ia vlen të lexohet pavarësisht formimit profesional apo jo…

    Intervistoi Ben Andoni


    Një shpjegim i nevojshëm: Pse studimi juaj, sikurse shënohet nga botuesi, bëhet “në 600-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”. Përse ky kontekst, çfarë lidhjesh ka tradita e dorëshkrimeve të hershme biblike-ungjillore me Gjergj Kastriotin? Apo gjithçka do ta shpjegonit me epinomin e tij si “mbrojtës i krishterimit”?

    “Ka një lidhje përmbajtësore, nuk është një përtakim i zakonshëm kohor. Një pjesë e madhe e dorëshkrimeve kishtare, që përshkruhen në këtë libër, janë porositur prej familjeve të mëdha patronimike të periudhës arbërore, edhe nga aristokracia e epokës së Skënderbeut. Dorëshkrimet kishtare kanë qenë shumë të kushtueshme. Ktitorët (porositësit) e tyre duhej të ishin familje të pasura ose funksionarë të lartë shtetërorë apo kishtarë. Ka dorëshkrime të porositura dhe të parapaguara prej familjes së Muzakajve apo të Topiajve. Në një dorëshkrim madje flitet për “Gjergjin e madh”. Për këtë dorëshkrim është diskutuar nëse “Gjergji i madh” mund të jetë Gjergj Kastrioti. Duke u nisur nga fakti se ai është përfunduar para se Skënderbeu të kthehej në vendlindje dhe të njihej botërisht si “zot i Shqipërisë” (“Dominus Albaniae”, “Epirotus Principes”), ndoshta në këtë dorëshkrim “Gjergji i madh” nënkupton Gjergj Arianitin. Shkrimtari I. Kadare ka shkruar se familjet e mëdha aristokratike arbërore, kur lanë atdheun për t’u vendosur në Itali, morën me vete stemat, vula, emblemat, flamujt, kambanat, kronikat e vjetra. Ndoshta duhej theksuar se ato morën me vete edhe dorëshkrimet kishtare. Shumë prej kodikëve të periudhës së Skënderbeut kanë mërguar drejt Perëndimit. Një prej tyre është “Kodiku i Pal Engjëllit”, në të cilin janë kopjuar edhe letra papnore. Një dorëshkrim tjetër që lidhet drejtpërsëdrejti me figurën e Skënderbeut është kodiku i statutit të katedrales së qytetit të Drishtit, që është përfunduar në vitin 1466 dhe është konfirmuar pikërisht prej kryekancelarit të Skënderbeut Pal Ëngjëllit. Ky kodik ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Në vitin 1920 ai u nxorr në shitje dhe arriti çmimin 750 stërlina, që sot do të këmbeheshin me disa dhjetëra mijë euro. Nuk u shit, sepse pretendohej çmim më i lartë. Përmes disa miqve albanologë në Danimarkë kam mundur të marr disa fletë riprodhime nga ky kodik. Fac-simile-ja e zgjedhur për ilustrimin e këtij dorëshkrimi, që gjendet në studimin tim, përmban pikërisht emrin e Pal Ëngjëllit si konfirmues i statutit. Lidhja e traditës së dorëshkrimeve kishtare me familjet patronimike shqiptare është një lidhje me Gjergj Kastriotin, sepse e tillë ka qenë dhe familja e Kastriotëve. Shqipëria nuk bën përjashtim nga rregulli që ka sunduar në periudhën mesjetare në gjithë rajonin: porositës (ktitorë) dhe mbrojtës të dorëshkrimeve kishtare kanë qenë bujarët dhe fisnikëria. Në një prej kodikëve të Beratit ruhet një anëshkrim i vitit 1356, në të cilin flitet për një “zonjë konteshë”, me mbiemrin Skuripeki, ndoshta forma greqishte e mbiemrit patronimik Skura, që shpëtoi dorëshkrimet e kishës nga grabitja (ushtria e car Uroshit e kishte rrethuar kështjellën dhe kërkonte dorëzimin e tyre). Shkruesit (kaligrafët) e ungjijve rregullisht shënojnë emrin e ktitorit që kishte paguar shpenzimet e punës së kryer dhe cilit manastir apo cilës kishë ia kushtonte. Kjo është lidhja përmbajtësore që më ka nxitur t’ia bashkëlidh botimin e kësaj monografie veprimtarive të tjera përkujtimore-shkencore kushtuar 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit. Por nuk është thjesht përtakimi i vitit të botimit me këtë jubile. Ka edhe mjaft lidhje të tjera, dytësore. Brenda dorëshkrimeve kishtare, sidomos në shkrimet anësore ose në mbitekste, ka plot të dhëna për familjet patronimike shqiptare: për Arianitët, për Komnenët, për Balshajt. Po të shihni me vëmendje treguesin e emrave të përveçëm që ka në fund studimi, aty dalin thuajse të gjithë mbiemrat patronimikë të periudhës arbërore.


    Nga ç’traditë lindi ky kodik dhe çfarë dëshmon për arealin e Beratit të asaj kohe?

    Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet hyrë pak thellë në histori. Berati është një prej qyteteve, që i ka dhuruar botës shqiptare, për botën e madhe, jo një emër, po një mbiemër, mbiemrin “Beratinus - beratini”. Kodiku i Purpurt i Beratit e ka bërë të famshme botën shqiptare me anë të një mbiemri, gjë që ndodh shumë rrallë. Nuk ka ndonjë qytet tjetër në Shqipëri, që të ketë dhënë mbiemra për vlera jomateriale, përveç Beratit. Kjo është e lidhur me faktin se Berati ka qenë një kryeqendër kishtare, që lulëzoi, nga pikëpamja e rendit kohor, mbas Bylis-it dhe Gllavinica-s. Në fillimin e mijëvjetëshit të dytë, Berati ishte një kryeqendër rajonale e krishtërimit. Sipas studiuesve të sotëm të historisë kishtare, themeluesit e ortodoksisë pravosllave, duke përfshirë Klementin dhe Naumin, dishepuj të Cirilit dhe Metodit, janë formuar në “Beligradin shqiptar”, jo në Beograd, sikurse është shkruar gabimisht deri tani (shih: Tr. Hrstanov). Si qendër ipeshkvnore Berati del qysh në shekullin e 5-të. Në botimin shumëvëllimësh “Hierarchia catholica”, ipeshkvijtë e këtij qyteti, përmenden si nënshkrues të akteve të koncileve kishtarë. Në këtë periudhë, Berati ende nuk e kishte marrë këtë emër, por njihej me emrin Pulcheriopolis, që iu dha nga perandori romak për nder të emrit të së bijës (Pulcheria). Berati e ka ndryshuar disa herë emrin në rrjedhat e historisë: Antipatrea, Pulcheriopolis, Beligrad dhe Berat siç është sot. Për hir të këtij roli, si kryeqendër kishtare në Shqipëri, rol që nuk u shua as në shekujt kur lulëzoi arkipeshkvia e Ohrit, Berati trashëgoi një traditë të përveçme shkruesish dhe shkrimesh. Fakti që në Shqipëri ka pasur një shkollë lokale shkruesish është shumë i rëndësishëm për historinë e kulturës kombëtare. Berati ka qenë kryeqendra e mjeshtërisë së të shkruarit. Për këtë arsye tashmë është e konfirmuar se ekziston një shkollë shqiptare e shkrimit. Shkrimi nuk është dhe nuk mund të pretendohet të jetë vetëm në gjuhën amtare. Pretendimi për ta reduktuar historinë e shkrimit vetëm në gjuhën amtare është një pretendim varfërues për kulturën kombëtare. Shkrimi, në çfarëdolloj forme qoftë, është shprehje qytetërimi. Pjesë e historisë së shkrimit është të shkruarit në gjuhët perandorake dhe në gjuhët liturgjike. Në Berat ka pasur zeje, shkolla të vërteta bukurshkrimi, ku nxënësit mësonin mjeshtërinë e kopjimit të teksteve të shenjta, ose dhe të teksteve laike. Një pjesë e këtyre nxënësve bëheshin murgj e priftërinj, të tjerë bëheshin shkrues (logothetë, sekretarë, kancelarë) për të mbajtur korrespondencën e familjeve të mëdha. Mjeshtëria e kopjuesve shqiptarë ishte e tillë që, brenda një kohe shumë të shkurtër, arritën të shkruanin përsosmërisht edhe në alfabetin e osmanishtes. Nëse i besojmë Nolit, Gjergj Kastrioti e mori pa luftë kështjellën e parë, kështjellën e Krujës, duke i paraqitur zotit të saj një ferman në emër të sulltanit, që ia kishin përgatitur mjeshtrat skribë të Raguzës. Dhe komandantit osman të kështjellës nuk i shkoi në mendje të dyshonte nëse ishin shenjat e vërteta të sulltanit në atë ferman apo jo. Në gjithë vijën bregdetare të kësaj ane të Adriatikut kishte shkolla bukurshkrimi. Durrësi është një qendër tjetër e notariatit (shkrimeve laike, sidomos tregtare).


    Ç’vend zë “Beratinus” në hierakinë e dorëshkrimeve kishtare të Shqipërisë?

    Dy kodikët më të vjetër “Beratinus” janë dorëshkrime, që nuk i nxë hapësira shqiptare. Nuk mund të vendosen në një hierarki brenda për brenda hapësirës shqiptare, as të asaj të sotme, as të asaj historike. Këto dy dorëshkrime mund të vendosen në një hierarki të merituar vetëm duke iu referuar listës së dorëshkrimeve më të vjetra dhe më të rëndësishme në shkallë botërore. Duke i vendosur në këtë hierarki për “Beratinus-1” dy prej vlerave thelbësore që e përveçojnë janë: 1. “Beratinus-1” është një prej tre arketipeve më të lashtë dhe të vetëm të Dhjatës së Re në shkallë botërore. Ekziston arketipi siriak apo lindor (brenda tij edhe nëntipet: aleksandrin dhe bizantin). Ekziston një arketip tjetër, që njihet me emrin “western” apo perëndimor. Ekziston dhe një arketip i tretë, i ndërmjetëm, që është “Beratinus-1”. Asnjë studim me karakter vertikal, që lidhet me historinë e mendimit të krishterë dhe të kanonizimit të tij, me historinë e kalimit prej predikimit gojor të ungjijve në shkrimin e shenjtë; asnjë studim i tekstologjisë kritike (“textual criticism”) për historinë e shkrimit ungjillor, nuk mund të bëhet pa iu referuar Kodikut të Purpurt të Beratit, “Beratinus-1”. 2. Në gjithë botën janë ruajtur deri më sot vetëm shtatë kodikë të purpurt, nga të cilët dy janë në Shqipëri dhe që të dy janë “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2”. Sa i takon një hierarkie të brendshme, të dy kodikët më të hershëm janë të përjashtuar nga krahasimi, sepse asnjë dorëshkrim tjetër nuk mund të jetë konkurrues me ta. Po të ishin ruajtur një dorëshkrim i shekullit të parë që gjendej në Nikopojë (Arta e sotme), sikurse shkruan babai i historisë së krishtërimit Origjeni; po të ishin ruajtur “Liturgjia e shën Gjon Gojartit” e shekullit të 5-të që përmend Batiffol-i apo një dorëshkrim tjetër i shekullit të parë që duhej të ishte në Gjirokastër, sipas njoftimeve të N. Mystakidis, do të shtrohej ndryshe problemi. Por fatkeqësisht këto dorëshkrime janë zhdukur në 130 vjetët e fundme. Mbas kodikut “Beratius-2” fillon konkurrimi i disa shkollave vendëse. Janë kodikët e Vlorës, që shfaqen si traditë shkrimi më vete diku nga shekulli i 10-të; vjen më pas shkolla e kodikëve të Drinopolit (Adrianopolit të dikurshëm, Dropullit të sotëm), ose e kodikëve të Gjirokastrës, sikurse njihen në botë; shkolla e shkrimeve të Korçës, të Shkodrës, të Durrësit.

    vijon

    ABC nr.16-Intervistoi Ben Andoni
    19.12.2005
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 15-09-2014 më 17:43

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22
    “Beratinus” dhe imazhi i Shqipërisë

    Ndër arsyet kryesore që e bën këtë dorëshkrim të denjë për të qenë pjesë e programit “Kujtesa e Botës” është se, duke qenë një dorëshkrim ungjillor kanonik, që është përdorur si libër liturgjie dhe meshimi nga kisha deri në shekullin e 20-të, njëkohësisht përmban fraza kalimtare me disa shmangie të vogla jokuptimore, por formale prej tekstit kanonik. Këto fraza studiuesit i njohin me emrin specifik “conflate reading”.

    Shkruan Prof. Shaban Sinani


    Shkruesi i dy ungjijve që përmban ky dorëshkrim duket se i ka dhënë vetes të drejtë që diçka të ndryshojë. Prof. Aleks Buda, që është marrë herët me këtë dorëshkrim, pohon se ky fakt tregon se në kohën kur u kopjua apo u shkrua ky kodik, akoma arsyeja njerëzore kishte njëfarë kompetence mbi tekstin hyjnor, ungjillor. Pikërisht shenjat e kësaj “të drejte” njerëzore për të ndërhyrë qoftë dhe në formë mbi një tekst ndërkaq rreptësisht të kanonizuar, që nuk vërehet në dorëshkrime të tjera, por vetëm tek ky dorëshkrim, i jep atij një vlerë antropologjike botërore, duke e bërë dorëshkrimin të shërbejë për të dëshmuar evolucionin e mendimit të krishterë edhe pas ngurtësimit të tekstit standard. Sikurse dihet, reformimi i kishës në të gjitha kohërat, por sidomos në periudhën e Renesancës Europiane, është bërë me sloganin “të kthehemi tek burimi”, tek krishtërimin apostolik. Kthimi tek burimi në çdo rast do të thotë dhe kthim tek “Beratinus-1”.


    “Beratinus” në këndvështrimin e antropologjisë kulturore…

    Ashtu sikurse besimet kanë karakter ndërkombëtar, ashtu dhe librat e shenjtë dhe dorëshkrimet e tyre janë kulturë njerëzore në kuptimin përgjithësues të fjalës. Për kodikët bota shqiptare ka meritën se ka treguar kulturë ruajtjeje nëpër mijëvjeçarë. I ruajti këto kodikë nga rreziqet e ushtrive të huaja. I ruajti edhe në afro pesë shekuj të sundimit osman. I ruajti po ashtu edhe në periudhën ateiste. Hapësirës shqiptare po ashtu i mbetet merita që krijoi një shkollë shkruesish me tipare dhe ngjyrime të qarta rajonale. Por të gjitha këto nuk e përballin dot faktin thelbësor, që dorëshkrimet ungjillore, sado të lidhura me botën iliro-shqiptare, terminologjikisht nuk mund të quhen kulturë kombëtare. Është një kulturë që i takon kësaj vatre dhe njëherësh kulturë që i takon njerëzimit mbarë. Kultura e pritjes në çastin e fillimit është kulturë e kësaj hapësire. Kultura e pranimit të krishtërimit qysh në periudhën e vet të paligjshme, qysh në paleokrishtërim, gjithashtu është kulturë e kësaj hapësire. Paleokrishtërimi është një privilegj, sepse shumë pak popuj janë takuar me krishtërimin në periudhën apostolike. Por gjithashtu paleokrishtërimi është një periudhë e rëndësishme e historisë së njerëzimit. Vetë teksti ungjillor i dorëshkrimit “Beratinus-1” i takon njeriut si qenie e kësaj bote, është një tekst mbikombëtar. Nuk mund të thuhet se “Beratinus-1” u shkrua për besimtarët e qytetit të Beratit apo të Illyricum-it, apo madje të gjithë Mesdheut. Berati i dha emrin sepse atje u ruajt. Ky dorëshkrim e ka prekur për herë të parë hapësirën shqiptare diku tjetër, për shembull në Adrianopolis apo në Nikopolis. Nëse do të ngulmohej për të kërkuar nga ky dorëshkrim një traditë kulturore ngushtësisht kombëtare, kjo do të ishte metodologjikisht e padrejtë dhe studimi do të çonte pashmangshmërisht në ngushtim të vlerave dhe rëndësisë së tij, në një zhvlerësim të pamerituar. Kur studiuesi vendos të merret me një dorëshkrim të tillë, kjo është çështja e parë që duhet të zgjidhë metodologjikisht drejt, duke respekuar parimin që objekti i studimit është më i rëndësishëm se studimi dhe ai vetë e dikton zgjedhjen metodologjike. Për ndryshe, puna do të ishte e dështuar. Ka një raport shumë delikat midis pjesës kombëtare dhe pjesës ndërkombëtare, që nuk mund të saktësohet qartë ku bashkohen e ku ndahen. Së dyti, këto dorëshkrime nuk mund të studiohen me disiplina të ngushta, sipas ndarjes klasike. Detyrimisht duhen bashkuar disa dije. Studimi i kodikëve nuk mund të japë rezultat pa një vështrim të gjerë ndërdisiplinor. Duhen bashkuar dije për historinë e krishtërimit, sidomos të krishtërimit të hershëm; për historinë e shkrimit, sidomos të shkrimit të shenjtë dhe për paleografinë; për mekanizmat e kalimit prej kumteve gojore në kumte të shkruara; për historinë fetare dhe laike të popujve që kanë jetuar në rajonin ballkanik; për hierarkinë dhe ndarjen administrative kishtare; për epigrafinë dhe shkollat e shkrimit. Duhen njohuri në fushë të etnologjisë dhe të etnografisë, të historisë në përgjithësi dhe pastaj të historisë së të drejtës, duke përfshirë të drejtën kanonike kishtare; në fushën e marrëdhënieve midis feve dhe qytetërimeve; të historisë së artit të zbatuar, duke përfshirë ikonografinë, afreskun, mozaikun, miniaturën, vinjetat, shkrimin kaligrafik. Duhet njohur semiotika e krishtërimit përmes fjalës dhe shenjave. Nuk mund të studiohen dorëshkrimet ungjillore pa njohur këtë gjuhë të fshehtë shenjash. Vetëm për të shenjuar hyjin janë përdorur: tetragrami hebraik, monogrami, pastori, peshku, pëllumbi, shkurtesa të shumëllojshme. Mendoni sa vështirësi ka interpretimi i shenjave të tjera. Edhe thjesht një vijë e drejtë vertikale prerë me një vijë horizontale ka një kuptim që nuk mund të lexohet sipërfaqësisht. Shkenca etnologjike do të ishte e pamjaftueshme për të studiuar këtë traditë shkrimesh në Shqipëri. Ajo mund të merrej shumë-shumë me pjesën e informacionit laik që përmbajnë këto dorëshkrime, e cila, në fakt, gjendet në anëshkrime, pra, jashtë tekstit. Ajo mund të merrej po ashtu me ndikimin e së drejtës kishtare të shprehur në nomokanone në të drejtën etno-zakonore, ose me ndikimin e institucioneve të kultit në cilësitë e kulturës kombëtare. Mirëpo kjo do të thotë të merresh me pjesën, duke lënë jashtë vëmendjes të tërën. Tekste laike ka vetëm në hyrje dhe në mbyllje të dorëshkrimeve. Rasti më i njohur është ai i “Mesharit” të Gjon Buzukut, i cili përmban disa paragrafë me përmbajtje jofetare në përmbyllje. Për të njëjtën arsye shkenca e historisë nuk do të ishte e mjaftueshme për t’u marrë me këtë traditë, sepse në thelbin e vet ajo nuk ka lidhje as me historinë politike, as me atë të luftërave dhe të mbijetesës së bashkësisë etnike. Tek vështrimi antropologjik të çon gati-gati në mënyrë të detyrueshme domosdoshmëria për konvergjencë dijesh dhe për krahasime të shumëfarshme.


    Beratinus në një këndvështrim më të gjërë

    Vetëm nga pikëpamja e tekstologjisë kritike studimi i “Beratinus-1” do të kërkonte referime krahasuese tek disa dorëshkrime e botime me rëndësi historike, si: “Septuaginta”, “La Vulgata”, “King James version of Bible”, përkthimi gjermanisht i Rahlfs-it, për të mbetur në kufijtë e së domosdoshmes. Për fat të keq, deri më sot studimet për këtë dorëshkrim janë bërë duke iu referuar vetëm transliterimit të Batiffol-it, i cili tashmë gjithnjë e më e qartë po bëhet se ka mjaft pasaktësi. Batiffol-i e pati kodikun “Beratinus-1” në dorë vetëm ditën e fundme, “për disa orë”. Mendoni sa e mundshme ka qenë që brenda disa orëve të bëhej një transliterim i saktë. Ndërkaq, mbështetur në këtë transliterim, para dy vjetësh studiuesja kroate Iva Kurelac bëri një përkthim të pjesshëm në kroatisht (meqë ra fjala, një përkthim shqip i këtij dorëshkrimi nuk ekziston ende). Gabimet në transliterim janë bartur edhe në riprodhimin që është realizuar nga Akademia e Shkencave e RP të Kinës më 1971. Tani është bërë urgjente që puna të riniset nga e para. Hapi më urgjent është një ritransliterim i plotë i tekstit, duke vënë në përdorim edhe mjetet bashkëkohore të deshifrimit të shkrimeve të vjetra. Kjo mund të realizohej duke punuar me një alfabet të posaçëm të numerizuar kompjuterik, duke zbatuar fillimisht bartjen analogjike të shenjave, për të shkuar më tej me dhënien e vlerës fonetike të njësuar në kushte dhe kontekste të ngjashme çdo shenje (grafeme) që përmban teksti. Dhe nuk është vetëm teksti. Në disa fletë të “Beratinus-1” ka edhe mbitekst, gjë që Batiffol nuk arriti ta vërejë dhe pas tij të gjithë të tjerët kanë bërë të njëjtin gabim. Eshtë fjala për të famshmet “neuma”, shenja të alfabetit muzikor kishtar. Ka dy kategori “neumash”, të cilat as i ndjeri Th. Popa nuk arriti t’i shenjojë. Madje Popa pohon se në këtë dorëshkrim “nuk ka neuma”. Njëra palë duket se është e vonshme, sepse shkrimi ndryshon në ngjyrë e në stil, është me bojë të zezë, përkundër argjendit dhe arit që është përdorur për vetë tekstin. Por në njërën prej fletëve ku ka shkrim muzikologjik, pikërisht në fletën 156, shenjat e alfabetit muzikor, sikurse ka vërejtur Prof. S. Shupo, ngjajnë të së njëjtës kohë, të së njëjtës dorë dhe të të njëjtit ornament. Nëse kjo vërtetohet, atëherë ndryshimi prek kalendarët botërorë të zhvillimit të kulturave, sepse rezulton që alfabeti muzikor kishtar është themeluar shumë shekuj më parë se ç’mendohej deri tani. Restauratorët kinezë kanë arritur të dallojnë se ka një ndryshim midis transliterimit të Batiffol-it dhe përmbajtjes së origjinalit. Në riprodhimin e tyre gjenden disa shenja të zeza të çrregullta, në formën e neumave, por të bartura mekanikisht, si shenja të panjohura dhe të padeshifrueshme. Specialistë të Birgham Young University (dr. C. Griffit, dhe dr. Ch. Heal) në SHBA, që kanë përgatitur, në bashkëpunim me Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, një riprodhim të numerizuar të dorëshkrimeve aramaike, kanë shprehur interes të punojnë për të bërë të mundur një ritransliterim të “Beratinus-1”. Paralelisht, po bashkëpunoj në distancë me Dr. Carolynne Ëhitefeather për historinë dhe misteret e së purpurtës divine të krishtërimit të hershëm. Do të theksoja se vështrimi antropologjik nuk ka pse të shihet si largim nga shkenca etnologjike apo si nënçmim i vlerave kombëtare të traditës së dorëshkrimeve kishtare. Eshtë një fakt i mirënjohur që, pas “dekretit të së dielës” (viti 321), vendin e organizimit administrativ tradicional politik mbi bazën e bashkësive etnike e zuri ndarja dhe organizimi kishtar. Illyricum-i i dikurshëm, rajon i mbretërive të shumta të ngritura mbi bazën e bashkimit etnik, u riorganizua në provinca kishtare mbështetur mbi bazën e bashkimit në Krishtin. Në një kuptim më të gjerë, famullia (bashkësia në besim) zuri vendin e familjes (“familly”, bashkimi fisnor). Kjo ndodhi me gjithë popujt e rajonit mesdhetar. Kjo është arsyeja e së famshmes “zhdukje të emrit të iliro-shqiptarëve për 9 shekuj”, e cila, në të vërtetë, nuk është aspak zhdukje, por shprehje në një formë tjetër. Kjo do të thotë se çdo kontribut për të ndriçuar historinë e krishtërimit të hershëm në botën iliro-shqiptare është njëherësh kontribut për të përgënjeshtruar “zbrazëtinë” dhe “harrimin shumëshekullor” të shqiptarëve në rrjedhat e historisë, prej shekullit të 3-të deri në shekullin e 11-të.


    ABC nr.17-Prof. Shaban Sinani
    26.12.2005
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 15-09-2014 më 17:43

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ballkanike dhe Shqipëria
    Nga Albin në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-07-2014, 07:05
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Bollano: Vorio-Epiri të jetë i pavarur si Kosova
    Nga forum126 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 25-01-2010, 10:38
  4. Marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me organizatat perëndimore
    Nga ~Miracles~ në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-12-2005, 07:54
  5. Me Titizmin kunder Enverizmit
    Nga Albanino në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 08-09-2002, 19:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •