Close
Faqja 9 prej 11 FillimFillim ... 7891011 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 90 prej 101
  1. #81
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 81-TË, I BERATIT
    (OKTOIH-ANTOLOGJI MUZIKORE BIZANTINE)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 25.7 x 22 cm.
    Sasia e fletëve: 220.
    Grafia: Në ngjyrë kafe të çelët, e tipit të vonë, kurse notat në ngjyrë kafeje të errët, në
    një kolonë, me 24 rreshta tekst dhe 24 rreshta të notave.
    Kapakët: Prej dërrase. Duhet të kenë qenë veshur me lëkurë. Sot ruhet vetëm ai i
    poshtmi, edhe te ky vetëm dërrasa. I sipërmi mungon.
    Gjendja: Katër fletët e para të kodikut janë të shqitura nga fashikulli, kurse shumë të
    tjera duhet të jenë zhdukur. Fletët e para janë errësuar dhe grisur ngapak. Nga ana e djathtë
    është dëmtuar dhe teksti.
    Fleta e fundit është e brejtur shumë nga mola. Dy fletët e fundit janë shkruar nga një dorë
    tjetër, e cila, në një shënim më të vonë, mallkon ata që mund ta vjedhin kodikun. Kodiku ka
    edhe fashikuj të shqitur.
    Grafia: Me vlerë kaligrafike të shkëlqyer, por është tepër e zbehtë në shumë fletë. Në fletën
    117 ruhet një vinjetë në formë shiriti, që përkufizon një fushë katërkëndëshi. Ky shirit stoliset
    me motive në formë zemrash të stilizuara, vizatuar në ngjyrë kafe të çelët.
    Kodiku përmban poezi të muzikuara, me alfabetin muzikor bizantin kishtar. Janë këngë që
    këndohen në festat kishtare të vitit, por në tekst nuk janë theksuar festat e vitit në të cilat
    këndohet secila prej tyre. Këtë ne e konstatojmë nga teksti në fletë, kur është i qartë.
    Në bazë të grafisë, kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 14-të.

  2. #82
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 82-TË, I ELBASANIT
    (LËNDË TË NDRYSHME)

    Materiali: Letër.
    Përmasat: 16 x 11 cm.
    Sasia e fletëve: 633.
    Kodiku ka grafi të ndryshme, sepse shkrimet e tij nuk janë të një kohe. Edhe letra, edhe
    autorët e teksteve, janë të kohërave të ndryshme. Në disa pjesë, ku pena ka qenë e trashë,
    shkrimi është hapur dhe teksti nuk lexohet. Këtu nuk ka grafi të tipit të vjetër, por dhe në
    grafitë e kohërave të mëvonshme gjejmë shumë shkurtime fjalësh, që janë shpikje e autorëve
    të shkrimeve dhe jo trashëgim nga shkurtimet e grafisë së kodikëve të vjetër. Kodiku në fjalë
    ka dhe shkrime me grafi të bukur, si në fletët 34-47, 298-330 etj.
    Kodiku ruan disa figura grafike, pa ngjyra, në dy fletë, 13-15. Pikturat janë shumë të imëta,
    me skena të kompozuara prej shumë figurash, por me vlerë, sepse të tilla, të ruajtura tek ne
    deri në ditët tona, janë të pakta.
    Fletët e para të kodikut janë zhdukur dhe nuk dihet sa kanë qenë. Dëmi më i madh i këtij
    dorëshkrimi rezulton ndërmjet fletëve 97-138. Këto fletë janë krejt fragmentare, saqë prej
    tyre nuk mund të lexohet gjë e saktë.
    Në këtë dorëshkrim ruhet vetëm kapaku i poshtëm, që është prej lëkure dhe i presuar me
    linja me zbukurime.

  3. #83
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 83-TË, I SHKODRËS
    (JETË SHENJTORËSH, NË GJUHËN LATINE)

    Përmasat: 20 x 13.6 cm.
    Sasia e fletëve: 175.
    Teksti: Në një kolonë dhe është shkruar në ngjyrë kafe të errët. Një pjesë e tekstit,
    shkruar në dy kolona, është në ngjyrë të errët.
    Sipas një shënimi, shkruar në kohëra të vona, pa nënshkrim, kodiku datohet i vitit 1341. Në
    këtë shënim është dhënë titulli i kodikut në gjuhë latine.
    Për autorin e veprës, sipas shënimit të vonë në gjuhën shqipe, thuhet: “Autori i veprës nuk
    dihet, por ka të ngjarë të jetë e Shën Agustinit“.
    Titujt e tekstit janë në ngjyrë të kuqe, kurse grafia është e shkruar me majë pene të gjerë.
    Kapakët: Prej kartoni dhe lidhja është veshur me lëkurë.
    Kodiku është sjellë në Arkivin Qendror Shtetëror prej Bibliotekës Kombëtare.

  4. #84
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 84-T, I VOSKOPOJËS
    (EKSODISTIKON - LIBËR SHËRBESASH NË VDEKJEN E JERARKËVE)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 32 x 22 cm.
    Sasia e fletëve: 24.
    Kapakët: Prej dërrase, të veshur me lëkurë, të stolisur me motive të presuara prej
    linjash me forma të stilizuara.
    Kodiku përmban lutje që lexohen gjatë shërbesës së varrimit të jerarkëve (klerikëve të lartë)
    në kisha.
    Grafia: E shekullit të 18-të, në ngjyrë të zezë. Titujt dhe shumë iniciale janë të rëndomta,
    me ngjyrë të kuqe. Shkrimi është në një kolonë.
    Në fund të fletës 24 ruhet mbishkrimi që pason në gjuhën greke: “U shkrua ky eksodhistikon
    me dorën e më të voglit ndër meshtarë, të priftit Nikollë, në Voskopojë, në lagjen e Shën
    Thanasit, dhe iu dhurua meshtarëve (të kishës) së Shën Mërisë, në lagjen Saraçan të
    Voskopojës, më 1738“.
    Kodiku në fjalë stoliset me vinjeta në formën e germës „p“-pi greke. Këto janë të mbushura
    me motive floreale të stlizuara. Kodiku stoliset gjithashtu dhe me iniciale të mëdha të pikturuara
    me motive prej gjarpërinjsh, si dhe me motive kuçedrash dhe më rrallë me motive shpezësh.
    Në këto piktura mbizotëron ngjyra e gjelbër dhe bluja. Ka dhe të tilla që trupin e kanë të
    stolisur me ar; këto nuk kanë ndonjë vlerë artistike.

  5. #85
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 85-TË, I KORÇËS
    (KATËRUNGJILLËSH)

    Materiali: pergamenë.
    Përmasat: 21. 2 x 15.5 cm.
    Sasia e fletëve: 221.
    Teksti: Në njëshkolonë.
    Sasia e rreshtave për kolonë: 26.
    Gjendja e kodikut: Fleta e parë është grisur dhe marrë. Fleta e parë që ruhet fillon me vargun
    (në tekst: „st“, „stihun“) 17 të kreut të parë, me fjalët e fundit të këtij stihu. Ungjilli sipas Mateut
    është në fletët 1-58. Në gjysmën e fletës 58 verso fillon përmbajtja e perikopeve të Ungjillit
    sipas Markut, që vazhdon deri në fletën 59 verso. Fleta 6 verso ruan figurën e ungjillorit Luka.
    Ungjilli sipas Lukës fillon në fletën 61 dhe mbaron në fletën 98 verso. Po në këtë fletë, verso,
    fillon përmbajtja e perikopeve të Ungjillit sipas Lukës, deri në fletën 99 verso. Në fletën 100
    fillon Ungjilli sipas Lukës, deri në fletën 165 recto. Kurse në të njëjtën fletë verso fillojnë
    perikopetë e Ungjillit sipas Gjonit. Ungjilli sipas Gjonit fillon në fletën 166 dhe mbaron në fletën
    221.
    Dëmtime: Ndërmjet fletëve 99 dhe 100 është shqitur një fletë. Në këtë fletë duket se ka qenë
    figura e Lukës. Ndërmjet fletëve 165 e 166 duket gjithashtu një fragment i vogël i fletës prej
    letre me pak ngjyrë të kuqe, që është këputur e hequr. Kjo tregon se aty ka qenë figura e
    ungjillorit Gjon, kurse ajo e Mateut është shqitur me gjithë fletën fillestare të tekstit të këtij
    ungjillori. Fleta 161 ka tri të grisura, por këto janë qepur me fije në ditët tona. Prej fletës 201
    deri në fund të kodikut, në pjesën e sipërme, fillon një ngjyrë e kuqe e përhapur nga lagështira
    që duhet të ketë vepruar, e cila në vazhdim të fletës zmadhohet deri në fund të kodikut. Fletët
    211 e 212 janë skuqur aq shumë, saqë kjo ka dëmtuar shumë tekstin, kurse disa nga fletët
    në vijim kanë mbetur në fragment dhe të dëmtuara krejt.
    Duke u mbështetur në grafinë e këtij kodiku, dorëshkrimi duhet t’i atribuohet shekullit të 14-të.

  6. #86
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 86-TË, I ELBASANIT
    (NOMOKANON)

    Materiali: Letër.
    Përmasat: 20 x 14.8 cm.
    Sasia e fletëve: 185.
    Grafia: E tipit të vonë, në ngjyrë të zezë. Titujt dhe inicialet janë në ngjyrë të kuqe.
    Inicialet janë të vizatuara me motive të ndryshme dhe me format të madh.
    Gjendja e kodikut: Kodiku nuk ka kapakë. Fleta 1 ka dy copa të vogla të shkëputura e
    të humbura. Fletët e para janë shkëputur nga lidhja. Kodiku nuk i ka fletët e fundit. Teksti ruhet
    deri në fletën 185. Kanë humbur shumë pjesë teksti me fletët e munguara të kodikut.
    Këtu po vemë në dukje disa nga titujt që trajtojnë çështje që përmban kodiku, si pason:
    Fletët 1-3 përmbajnë çështjen mbi gjykatësit, mbi ligjet dhe mbi drejtësinë.
    Fletët 6, 7, 8, 10, 11-16 dhe 30: Mbi jerarkët klerikë, mbi detyrat, të drejtat dhe gabimet e tyre.
    Fletët 31-36, 39, 41, 44-46, 48, 51-56, 57-60, 109: Çështje të ndryshme të shërbimit dhe të
    jetës klerikale.
    Fletët 113-139: Në lidhje me pagëzimin.
    Fleta 140-144: Rreth fejesave. Djali duhet të jetë i moshës 14 vjeç e lart dhe vajza prej
    moshës 12-vjeçare e lart. Djalit që është fejuar me një vajzë dhe vdes pa e takuar të fejuarën,
    i vëllai mund t’ia marrë të fejuarën për grua.
    Në vijim shtjellohet se prej ç’shkaqesh ndahet fejesa.
    1. Të fejuarit ndahen nëse, sipas ligjit, nuk kanë moshën për fejesë. 2. Nëse njëri nga të
    fejuarit kapet në shtrat me një njeri tjetër. 3. Të fejuarit ndahen kur janë nga fe të ndryshme. 4.
    Nëse konstatohet që të fejuarit nuk e duan njëri-tjetrin dhe prindërit i kanë fejuar pa dëshirën
    e tyre. 5. Fejesa prishet nëse njëri prej tyre vendos të bëhet murg.
    Më tej flitet për shkallët (e trashëgimisë, të lidhjes në gjak) dhe martesat.
    Autori i këtij nomokanoni vëllezërit prej një babe e një nëne i quan të shkallës së parë. Vëllezërit
    prej një nëne dhe prej dy baballarësh, ose prej një babe dhe prej dy nënash; i quan të shkallës
    së dytë; kurse fëmijët e vëllezërve, që quhen kushërinj të parë, janë të shkallës së katërt. Kur
    lindin kushërinjtë e dytë fëmijë, të cilët në mes të tyre janë kushërinj të tretë, lidhja në mes
    tyre është e shkallës së tetë.
    Fleta 147: Mbi kushërinjtë. 1. Kushërinj nga gjaku, 2. Kushërinj nga krushqia, 3. Kushërinj
    nga vjehrra, 4. Kushërinj nga pagëzimi, 5. Kushërinj nga adoptimi.
    Fleta 148: Ndërmjet kushërinjve të shkallës së shtatë dhe të tetë kurrë të mos bëhet bashkimimartesa.
    Vijon me pjesë tjetër të nomokanonit.
    Kush quhet ungj?
    Mbi adoptimin dhe pagëzimin.
    Çështje të ndryshme të martesës, të bashkëshortëve, që janë të zakonshme.
    Çështje testamentesh; në disa raste jo shumë të qarta.
    Prapë mbi testamentet.
    Mbi kujdestarët e fëmijëve që nuk janë në moshë (të rritur).
    Në faqen e parë verso ruhet një mbishkrim në të cilin lexojmë: “U shkrua në kohën e hirësisë
    mitropolitit dhe ekzarkut të gjithë .... (e palexueshme) Joasafit ... të miqve dhe të meshtarëve
    të nderuar .. .me mbiemrin e tij Makri, kurse atdheu im i mbidheshëm (është) Zaqinthi (?).
    (Shkruar) prej mej meje, më të voglit dhe më të vobegtit, Emanuel, biri i dobët i ish-ekonomit
    të kishës mitropolitane të skelës së Shën Mitrit. Në vitin 7071 prej krijimit të botës dhe prej
    lindjes së zotit tonë Jezu Krishtit në vitin 1562, mars 5“.
    Nga ky mbishkrim del se kodiku në fjalë mund të jetë me origjinë nga Greqia.

  7. #87
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 87-TË, I ELBASANIT
    (OKTOIH)

    Materiali: Letër.
    Përmasat: 20.3 x 15 cm.
    Sasia e fletëve: 168 fletë.
    Grafia: Si e notave, dhe e tekstit, është me shkrim kaligrafik të dorës së parë. Notat
    janë në ngjyrë të zezë, grafia e tekstit në ngjyrë kafe të çelët. Titujt e këngëve janë shkruar në
    ngjyrë të kuqe dhe shenjat theksuese (pikëzimet) të notave janë të kuqe.
    Kapakët: Prej dërrase të veshur me lëkurë, të stolisur me zbukurime floreale, motive
    të stilizuar, realizuar me reliev me anë të presimit.
    Datimi i këtij dekori mund të bëhet me përafri, duke e krahasuar me dekoret e kësaj gjinie arti
    në kodikët e tjerë. Ka të ngjarë që kapakët prej lëkure të këtij kodiku të jenë të ndonjë libri më
    të vjetër. Kapakët e kodikut janë grisur e dëmtuar aty ku lidhen me fletët.
    Ky kodik përmban poezi të ndryshme kishtare bizantine, të anotuara, që këndohen në kishë
    gjatë gjithë vitit në shërbimet e kultit të ritualit Lindor.
    Kodiku fillon me psalmin e parë të Davidit, i cili është vënë në nota. Nga fleta 11 fillojnë këngët
    e quajtura “Zbritësore”, kompozuar në nota. Këto janë këngë të festave të mëdha që festohen
    gjatë vitit, si zbritësoret e Krishtlindjes, të Pashkës etj. Prej fletës 42 fillojnë poezitë e “javës
    së madhe”. Këtu vërehen poezi që përdoren në shërbimet e kultit, por me interes është fakti
    që në shumë prej tyre figuron dhe emri i autorit:
    Në fletën 97 është himni kerubik me autor Vasil Stefanin e Bizantit.
    Në fletën 105, në disa poezi të shërbesës së mëngjesit, përmendet si autor “kir Petri”-zoti
    Pjetër. Po ky autor përmendet në fletën 112, ku ka dhënë doksologjinë, duke e shenjuar të
    plotë emrin e tij, Pjetër Lambadari.
    Në fletën 116 verso, gjithashtu, doksologjia është kompozuar nga Pjetër Lambadari.
    Në fletën 124 poezia është e Petro Bizantinit, po ashtu dhe ajo në fletën 129. Kurse muzika
    e fletës 147 është e “kir Kirillit”-zotit Ciril, peshkop në një ujdhesë greke. Ndër kompozitorët
    përmendet dhe zoti Meleti, si dhe Daniel protopsalti i Kishës së Madhe (është Kisha e Shën
    Sofisë në Kostandinopojë).
    Autori që ka shkruar këtë kodik, duke e plotësuar dhe me kompozime të të tjerëve, përmendet
    në mbishkrimin që është brenda vinjetës në formën e germës “p”-pi greke - si pason: “Ky
    libër u konceptua prej kryepsaltit të Kishës së Madhe të Krishtit, në kohën kur ishte patrik zoti
    Grigor Peloponezioti, me ndihmën e tij, më 1810”.
    Kodiku në fjalë me muzikë bizantine, ndonëse nuk është shkruar e kompozuar në vendin
    tonë, ka vlerën e vet për arsye se njerëzit tanë gjithashtu kanë kompozuar muzikë bizantine
    kishtare, e cila mund të krahasohet me kompozime të këtij kodiku dhe të nxirren përfundime
    interesante, për të mos përmendur muzikantin tonë të famshëm, Jan Kuzelin nga Durrësi,
    që njihet ndër më të mëdhenjtë kompozitorë të muzikës bizantine në përgjithësi.
    Jam i mendimit që kodiku ka nevojë për riparimin e kapakëve, duke i lidhur mirë me tekstin,
    që të mos pësojë dëmtime.
    Fleta e frontespicit, që përmban titullin e librit, vendin e shkrimit e të tjera, nuk i përket këtij
    kodiku. Ky dorëshkrim fillon me fletën 1, që përmban vinjetën në formë të germës “p” (pi
    greke), me motivet e thurjes së shiritave të kuq, të bardhë e të verdhë, brenda së cilës
    qëndron shënimi i dhënë më sipër.

  8. #88
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 88-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 25 x 19.3 cm.
    Sasia e fletëve: Ruhen vetëm 93 fletë.
    Përmasat: 25 x 19.3 cm.
    Teksti: Në dy kolona, me 22 rreshta për kolonë, me grafi të tipit të vonë, por me vlerë
    bukurshkrimore, me ngjyra me vlerë artistike, shkruar me ngjyrë kafe, kurse inicialet janë të
    mëdha e në ngjyrë të kuqe, ndonjë i rrallë i stolisur (fleta 34 verso). Gjithashtu titujt e perikopeve
    janë me shkronja të kuqe.
    Kodiku ka pësuar shumë dëme, si vijon: Fleta e parë numerike fillon me stihun (vargun) 43 të
    kreut 1 të Ungjillit sipas Lukës, me fjalët: “… Dhe nga më ngjau kjo, që të vijë e ëma tim zot
    tek mua…”, që do të thotë se kodikut i mungojnë shumë fletë fillestare. Në fletën e fundit
    teksti mbaron me stihun (vargun) 20 të kreut të fundit të Ungjillit sipas Mateut. Kjo tregon se
    kodiku nuk I ka as fletët e fundit, se kodikut i kanë zhdukur dhe shumë perikope nga ungjijtë e
    tjerë.
    Veç këtyre dëmeve, nga fleta 1-8 materiali është i brejtur nga insektet, që kanë dëmtuar
    ngapak rreshtat e kolonave nga fundi.
    Kodikut i kanë prerë në disa vende pjesë pergamene, duke mos dëmtuar tekstin.
    Fletës së parë, në dy faqet, kolonat e tekstit i janë zbehur shumë. Në disa rreshta nuk duket
    asnjë fjalë. Prej fletës 39 deri në fletën 43 cepi i poshtëm i pergamenës është ngrënë nga
    mola, ku më shumë e ku më pak, duke mos prekur tekstin.
    Fletët 53 e 54 janë kalbur nga lagështia dhe në kolonat ka shumë pjesë të vogla me shkronja
    që kanë rënë dhe janë zhdukur.
    Disa nga fashikujt janë zgjidhur nga vëllimi, prandaj këto duhet të restaurohen me këtë rast.
    Kodiku duhet të pajiset me kapakë për t’u siguruar.
    Në faqen 28 kodiku ruan një vinjetë në ngjyrë të gjelbër, të kuqe e kafe të errët. Ky dekor nuk
    paraqet ndonjë finesë. Kodiku ruan dhe disa iniciale të vizatuara, të cilat janë arrirë pak a
    shumë në mënyrë artistike, ndonëse nuk krahasohen me dekoret elegante të kodikëve të
    shekullit të 10-të, të 11-të, të 12-të etj., sepse këto të fundit qëndrojnë shumë lart nga ana
    artistike.
    Duke u mbështetur në grafinë e tipit të vonë, si dhe në konsideratat për dekoret pa shumë art,
    mendojmë se kodikun në fjalë duhet t’ia atribuojmë afërsisht fundit të shekullit të 14-të.

  9. #89
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 89-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat e fletëve: 25.5 x 21 cm.
    Sasia e fletëve: 52 fletë.
    Teksti: Në dy kolona, me 20-21 rreshta për kolonë, me grafi të tipit të vonë, por cilësore,
    artistike, në ngjyrë kafe. Titujt dhe inicialet janë prej ari, por jo të stolisur.
    Kodiku stoliset vetëm me një vinjetë në formë shiriti, që ngjan me germën p-pi greke - me
    lule të stilizuara, trashëguar nga dekoret e kodikëve të shekullit të 11-të, por pa finesën e tyre
    dhe në format më të madh, pikturuar brenda dhe jashtë rrathëve të vegjël. Kjo vinjetë, ndonëse
    mjaft e zbetë, vlerësohet për ngjyrat e kultivuara mirë në vendet që janë ruajtur.
    Kodikun e kemi gjetur të shpërndarë në fashikuj, në pjesë fashikujsh ose fletë të shkëputura.
    Këto, pasi i mblodhëm, i sistemuam në një radhë, thuajse të rregullt, sepse kodiku ka humbur
    shumë perikope ose pjesë perikopesh, kështu që nuk mund të arrihej një sistemim plotësisht
    i rregullt. Fakti që kodiku ruan vetëm 52 fletë, tregon se nuk mund të ketë një sistemim të
    perikopeve sipas rregullit që kanë pasur kur u riprodhua në fillim. Pra, kodiku në fjalë përbëhet
    prej disa fashikujsh të shkëputur, dhe jo vetëm që nuk i ruan të gjitha perikopetë, por, dhe disa
    prej atyre që ruhen, nuk janë të plota, ose kanë mbetur në fragmente.
    Ky kodik ka dhe të meta të tjera. Fleta 1 ka të ngrënë një pjesë pergameni anash. Teksti i
    kolonës së djathtë është zhdukur krejt. Kolona tjetër është me tekst të dëmtuar nga të fshirët
    dhe vinjeta ka pësuar mjaft në fshirjen e ngjyrave, kurse faqja rekto është shumë e ndotur.
    Faqja verso ruan tekstin me disa shkronja të fshira në fillim të çdo rreshti të kolonës së majtë.
    Fletët 2 e 3 janë prerë në mënyrë horizontale, në pjesën e sipërme dhe të poshtme, duke
    ruajtur pjesë teksti nga mezi i fletëve, që kanë mbetur fragmentare. Këto fragmente teksti
    kanë të ruajtura pjesë të perikopesë. Fleta 6, në faqen recto, e ka shumë të zbetë tekstin,
    kurse fletët e tjera e kanë të ruajtur. Grafia, si rregull, është e pastër dhe me vlera artistike.
    Për të dhënë të plotë përmbajtjen, cilën perikope përmban çdo fletë, po i radhisim këtu më
    poshtë. Dhënia e perikopeve sipas autorit dhe sipas kreut të stihut të tekstit, deri në cilin stih
    ruhet, jep përmbajtjen e plotë të këtij kodiku të dëmtuar rëndë.
    Fleta 1 e kodikut përmban tekstin deri në gjysmën e stihut 14 të kreut 1 të Ungjillit sipas
    Gjonit.
    Fletët 2 e 3 ruajnë fragmente të kreut 2 të Ungjillit sipas Gjonit, vargjet (stihët) 1-11.
    Fleta 3: prej kreut 3, vargu 16 deri kreu 3 vargu 20, tekst fragmentar.
    Fleta 4: prej kreut 6 të Ungjillit sipas Gjonit, vargu 14, deri kreu 6 vargu 7.
    Fleta 5 përmban perikopenë nga Ungjilli sipas Markut, prej kreut 15, vargu 43, deri kreu 16,
    vargu 8.
    Fleta 6 verso, kolona e djathtë, ka perikope të Ungjillit sipas Gjonit prej kreut 4, vargu 49, deri
    kreu 4, vargu 54.
    Fleta 6 verso ka perikopenë e Ungjillit sipas Gjonit, kreu 6, vargu 27, deri kreu 6, vargu 33.
    Fleta 8 recto: idem, prej kreut 6, vargu 48, deri kreu 6, vargu 39.
    Fleta 8 verso: idem, prej kreut 6, vargu 40, deri kreu 6, vargu 44.
    Fleta 9: idem, prej kreut 6, vargu 48, deri kreu 6, vargu 54.
    Fleta 11 recto: idem, kreu 5, vargu 2, deri kreu 6, vargu 11.
    Fleta 12 recto: idem, kreu 9, vargu 1, deri kreu 9, vargu 38.
    Fleta 15 recto: idem, kreu 11, vargu 47, deri kreu 11, vargu 54.
    Fleta 16 recto: idem, kreu 12, vargu 19, deri kreu 12, vargu 36.
    Fleta 17 verso: idem, kreu 12, vargu 36, deri kreu 12, vargu 47.
    Fleta 18 verso: perikope të Ungjillit sipas Markut, prej kreut 16, vargu 9, deri kreu 16, vargu 20.
    Fleta 20: perikope të Ungjillit sipas Gjonit, prej kreut 3, vargu 26, deri te vargu 33.
    Fleta 20 verso: idem, kreu 20, vargu 19, deri vargu 20.
    Fleta 21 recto: idem, kreu 5, vargu 28, deri kreu 5, vargu 30.
    Fleta 21 recto: idem, kreu 5, vargu 30, deri kreu 6, vargu 3.
    Fleta 23 recto: idem, kreu 2, vargu 16, deri kreu 2, vargu 22.
    Flleta 23 verso: idem, kreu 3, vargu 22, deri vargu 26.
    Fleta 24 recto: idem, kreu 5, vargu 13, deri kreu 5, vargu 16.
    Fleta 24: idem, kreu 6, vargu 54, deri kreu 6, vargu 69.
    Fleta 25 recto: idem, prej kreut 7, vargu 1, deri kreu 7, vargu 13.
    Fleta 26 verso: idem, kreu 7, vargu 14.
    Fleta 28 recto: idem, prej kreut 7, vargu 38, deri kreu 7, vargu 52.
    Fleta 29 verso: perikope të Ungjillit sipas Mateut, prej kreut 18, vargu 10, deri në kreun 18,
    vargu 14.
    Fleta 30 recto: perikope të Ungjillit sipas Gjonit, prej kreu 8, vargu 12, deri kreu 8, vargu 31.
    Fleta 30 verso: idem, prej kreut 8, vargu 20, deri në vargun 30.
    Fleta 31 verso: idem, kreu 8, vargu 31, deri në kreun 8, vargu 42.
    Fleta 32 verso: idem, prej kreut 4, vargu 5, deri në kreun 4, vargu 17.
    Fleta 34 recto: idem, prej kreut 20, vargu 21, deri vargu 24.
    Fleta 35 recto: idem, prej kreut 5, vargu 19, deri kreu 5, vargu 24.
    Fleta 35 verso: idem, prej kreut 5, vargu 24, deri në vargun 27.
    Fleta 36 recto: idem, prej kreut 19, vargu 25, deri në kreun 21, vargjet 24-25.
    Fleta 36 verso: idem, kreu 15, vargu 9.
    Fleta 36 verso: idem, kreu 15, deri vargu 10.
    Fleta 37: perikope të Ungjillit sipas Lukës, prej kreut 1, vargu 63, deri në vargun 80.
    Fleta 38 verso: perikope të Ungjillit sipas Mateut, prej kreut 16, deri në vargun 19 të të njëjtit
    krye.
    Fleta 39 verso: perikope të Ungjillit sipas Gjonit, prej kreut 17, vargu 11.
    Fleta 40 verso: idem, deri në kreun 17, vargu 24.
    Fleta 41 recto: perikope të Ungjillit sipas Mateut, prej kreut 27, vargu 27, deri në kreun 27,
    vargu 32.
    Fleta 42: idem, prej kreut 17, vargu 1, deri kreu 17, vargu 8.
    Fleta 43 recto: idem, kreu 17, vargu 1, deri në kreun 17, vargu 9.
    Fleta 44 recto: idem, kreu 14, vargu 1, deri në kreun 14, vargu 13.
    Fleta 45 recto: perikope të Ungjillit sipas Markut, kreu 6, deri vargu 21.
    Fleta 46 verso: perikope të Ungjillit sipas Lukës, prej kreut 2, vargu 22, deri kreu 2, vargu 40.
    Fleta 48 recto: perikope të Ungjillit sipas Gjonit, prej kreut 12, vargu 24, deri në kreun 12,
    vargu 36.
    Fleta 49 verso: perikope të Ungjillit sipas Mateut, kreu 20, vargu 1, deri kreu 20, vargu 16.
    Fleta 51 recto: perikope të Ungjillit sipas Lukës, prej kreut 1, vargu 24, deri kreu 2, vargu 41.
    Fleta 48 verso: perikope të Ungjillit sipas Mateut, prej kreut 11, vargu 2, deri kreu 11, vargu 15.
    Fleta 53 recto: idem, kreu 4, vargu 25, deri kreu 5, vargu 12.
    Në perikopenë që gjendet në fletën me numër rendor 42 kopjuesi anonim, me sa del nga
    krahasimi, ka pasur tekstin e Ungjillit sipas Lukës dhe e ka quajtur të Mateut. Me këtë rast
    mund të themi se kopjuesi ka shumë moskorrektesë dhe bën ndryshime, duke mos e pasur
    me kujdes kopjimin e përpiktë të origjinalit. Kjo vërejtje është për perikopenë e Ungjillit sipas
    Mateut, që gjendet në fletën 42.
    Duke u mbështetur në grafinë e këtij kodiku të fragmentuar, ky duhet t’i atribuohet dekadave
    të fundit të shekullit të 14-të.

  10. #90
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 90-TË, I BERATIT
    (LETËRSI UNGJILLORE, “UNGJIJTË E MËNGJESORES”)

    Materiali: Letër.
    Përmasat: 15 x 10 cm.
    Sasia e fletëve: 106.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë. Kapaku i poshtëm ka mjaft të brejtura nga
    insektet.
    Janë gjithsej 11 në numër; pjesë të vëna në muzikë, me nota bizantine. Këndohen në kisha,
    në meshat e të dielave, siç këndohen dhe të tjera poezi të llojit oktoih.
    Prej fletës 1 deri në fletën 53 katër rreshtat e fundit kanë pësuar një ndotje, por duke mos i
    dëmtuar tekstin dhe notat. Titulli i kodikut në fletën e parë zbukurohet me një vinjetë të zbehtë,
    në formë katërkëndore, në ngjyrë të kuqe, si dhe titulli i librit, i cili është i palexueshëm.
    Gjithashtu në kapakun e sipërm, në faqen verso, është një mbishkrim i zbehtë i palexueshëm.
    Grafia e tekstit dhe e notave: Në ngjyrë të zezë, me iniciale dhe thekse (pikëzime) të kuqe.
    Tekstit me shumë vështirësi mund t’i lexohen disa fjalë, veç të tjerash sepse është i ndarë në
    rrokje sipas notave dhe është i shkruar me forma jo të plota të germave. Nga këto partitura
    muzikore, disa quhen “të Grigorit”: në fletën 2 recto dhe fletët 93 e 97.
    Datimi, ndonëse është i vështirë, për arsye se format e shkronjave nuk janë të plota, me
    përafërsi mund t’i atribuohet fundit të shekullit të 17-të dhe viteve të para të shekullit të 18-të.

Faqja 9 prej 11 FillimFillim ... 7891011 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Kodiku i Purpurtë i Beratit dhe Kodiku i Artë
    Nga Brari në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 26-03-2021, 08:43
  2. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •