Braçe për Kryesinë: Njerëzve ju vjen për të vjellë kur ju shohin
D. Tanushi
TIRANË – Deputeti socialist Erion Braçe, ashtu siç kishte deklaruar edhe më parë, ka kërkuar dje, në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dorëheqje nga anëtarët e kryesisë. Duke iu drejtuar pothuaj të gjithëve, Braçe mësohet të jetë shprehur se “ju vjen njerëzve për të vjellë kur ju shohin”. Duke i pyetur, por edhe me tone të ashpra Braçe, është shprehur se “jeni shkëputur nga njerëzit. Sa kohë keni që nuk jeni futur në një dyqan?! A e dini se sa kushton një kg bukë’?!, etj.”. Sipas burimeve nga mbledhja asnjë nga anëtarët e kryesisë, madje edhe ata, me të cilët Braçe ka replikuar ashpër në ditët e mëparshme në media, nuk kanë reaguar. “Nëse unë jam i konsumuar, iki që tani dhe ia lë vendin një tjetri. Do të jem i gëzuar të fitojë partia ime”, -mësohet të jetë shprehur Braçe, duke iu drejtuar edhe kryetarit të PS-së së Beratit, zonës ku është zgjedhur. Ju të tërë jeni të verifikueshëm, prandaj duhet të ikni”, -është shprehur prerë Braçe. Ai ka propozuar ndarjen e mandateve, në mënyrë që kush është i zgjedhur në qeveri të mos ketë edhe post në kryesi, pasi nuk mund të mbahen të dy këto poste. Braçe është përkrahur në fjalën e tij edhe nga anëtarë të tjerë të KPD-së, të cilët kanë folur po me kritika për kryesinë, e cila është kryesia e parë e PS-së në të gjitha këto vite që është vënë nën presionin e kritikave të pjesës më të madhe të deputetëve dhe anëtarëve të PS-së.
Krijoni Kontakt