Çurkuz-Kazimir: Mediat serbe raportojnë dobët për Kosovën





Se si duket raportimi i medieve të Beogradit për Kosovën flet drejtori i Organizatës për Dokumentimin e Medieve «Ebart» Velimir Çurguza Kazimir. Organizata «Ebart hulumton dhe përcjell mënyrën e raportimit të medieve elektronike dhe të shkruara në Serbi.

DW: Si e vlerësoni mënyrën me të cilën mediet serbe përcjellin zhvillimet në Kosovë?

Çurkuz-Kazimir: Problemet që dalin në raportimet nga Kosova lidhen me vetë pozitën e gazetarëve. Ekziston përshtypja se mediet serbe nuk informojnë në përgjithësi për ngjarjet në Kosovë. Ato kryesisht raportojnë për pozitën e serbëve në enklava dhe në Mitrovicën veriore dhe në ato vende ku kanë pushtetin lokal serbët. Është vështirë të thuhet se në Serbi kemi një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme që mbretëron në Kosovë, pra jo vetëm për format e zhvillimeve politike, por as për jetën në Kosovë ashtu siç e sheh bota. Pra, mendoj se gjendja në Kosovë përcillet në mënyrë të dobët.

DW: Kush dhe çfarë ndikon në mënyrën e përcjelljes së zhvillimeve në Kosovë në mediet serbe?

Çurguz-Kazimir: Sigurisht fakti kur jeni të lidhur për një qytet apo fshat dhe nuk keni liri të lëvizjes, atëherë bëheni rob të atij mjedisi dhe kjo do të thotë se ju nuk mund të dalloni më nga ajo mendësi rrethanash politike që zotërojnë në atë mjedis ku jetoni. Natyrisht, ndikim kanë edhe rrethanat politike në Serbi dhe mediat e mëdha serbe. Ajo që për ne është mjaft indikative ka të bëjë me faktin se raportet më objektive dhe të plota janë ato të gazetarëve nga Beogradi që shkojnë në Kosovë, qëndrojnë një kohë atje, nuk rrinë në një vend, por bisedojnë me shumë njerëz, pra jo vetëm me serbë, por edhe me shqiptarë dhe vetëm atëherë njeriu fiton një pasqyrë më reale për atë që ndodh në Kosovë. Pengesë këtu është mungesa e bashkëpunimit midis mediave kryesore nga Serbia dhe Kosova. Kryesisht shfrytëzohen shërbimet e mediave të huaja që shkojnë edhe në njërën anë edhe në tjetrën dhe bisedojnë me të dyja palët.

DW: A ka gjuhë të urrejtjes në kronikat për Kosovën?

Çurguz-Kazimir: Gjuhën e urrejtjes e përdorin mediet e caktuara të cilat ne i quajmë tabloide, që janë një përzierje e çuditshme e senzacioneve të lira dhe radikalizmit dhe fundamentalizmit politik. Mund ta kuptoni fare lehtë nga retorika dhe formulimet e caktuara me të cilat shërbehen, se ato media nuk kultivojnë tolerancën dhe objektivitetin. Mediat shtetërore, megjithatë, janë mjaft të përmbajtura në shfrytëzimin e fjalorit të urrejtjes, mirëpo kjo shkon huq pasi ata ftojnë mysafirë që janë propagandues të gjuhës së urrrejtjes. Edhe kur gazetarët respektojnë rregullat e pëcaktuara ata nuk janë në gjendje tu kundërvihen atyre politikanëve dhe figurave publike që janë të shumta dhe kur ftohen nga mediet përdorin fjalorin e urrejtjes.

DW: A është mënyra e raportimit për Kosovën dhe shqiptarët e atjeshëm produkt i disponimit të opinionit serb, apo pikërisht opinioni për Kosovën krijohet nga mënyra e raportimit për të cilin ju flisni?

Çurguz-Kazimir: Sigurisht në një anë vullneti politik dhe elita politike janë ato që përcaktojnë disa vlera për të cilat po flasim, ndërsa mediet natyrisht se kanë ndikim në to. Mirëpo, njëkohësisht mediet dinë nganjëherë të nisin ndonjë fushatë të caktuar dhe të rrisin temperaturën politike. Megjithatë, mendoj se ngritja e temperaturës varet më së shumti nga veprimi i politikanëve dhe autoriteti i tyre. Ndërkaq, edhe situata në terren dikton shumë rrethana. Vështirë se do të kishim folur sot në këtë mënyrë, sikur vitin e kaluar të mos kishin ndodhur ngjarjet e marsit. Këto janë çështje të komplikuara, por gjithmonë vullneti politik dhe autroriteti i politikanëve mund të kenë ndikim në kahjet që marrin rrjedhat mes tjerash edhe sa i përket krijimit të opinionit publik.

Filip Slavkovic